E enjte, 01.05.2025, 10:25 AM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Të zgjidhet precedenti antidemokratik

E hene, 06.10.2014, 08:02 PM


SHBA DHE BE TA ZGJIDHIN SOT PRECEDENTIN ANTIDEMOKRATIK QË E KA PUSHTUAR PREJ 4 MUAJSH KOSOVËN

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Një gjë është e qartë, se shumica që përfaqësohet nga VLAN nuk është një forcë ekstremiste. Ajo po duron deri sa po mbetet pa fytyrë e faqe në raport me popullin e Kosovës që i dha votën.

Lëvizja Vetëvendosje e njohur për manifestimet e saj po hesht. Bën mirë që hesht sepse nganjëherë heshtja flet ma shumë se ata mijra manifestues.

Por natyrisht heshtja dhe pritja ka kufijtë e saj. Dhe kufiri është deri kur populli nuk lejohet të trajtohet si bagëti, apo deri kur Sovrani i Kosovës të mos trajtohet si popull i dorës së fundit. Sepse liria ka të njëjtat parime. Liria dhe demokracia është Zoti në rruzullin tonë. Ky rruzull do të shpëtojë vetëm prej lirisë dhe do të zhduket prej moslirisë.

Sepse nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës një precedent i tillë si në Kosovë, ku pakica t’i imponojë shumicës. Në diktatura po, ndodh, në regjime rogue ndodh, në Republika bananesh ndodh, por në një vend si Kosova që monitorohet nga Perëndimi kjo është e palejueshme.

Nuk po them e patolerueshme, sepse do të më akuzojnë pastaj si prishëse e rendit demokratik në Kosovë. Sepse ata që na kanë kërcënuar me jetë tani bëjnë ligjin dhe duan t’ua imponojnë ligjet e tyre edhe SHBA e Perëndimit! Kjo është absurde! Kjo më lejohet ta them.

Në asnjë vend të Europës nuk do të tolerohej një situatë e tillë. Askund në Perëndim pakica nuk mund të përdori privilegjet e shumicës dhe aq më shumë ta nxjerrë Kushtetutën e vendit nga loja, sepse nuk të le Sovrani ta bësh këtë.

Një deputet i Vetvendosjes, Faton Topalli, ka thënë se PDK ka bërë një grusht shteti në përmbajtje jo në formë. Ashtu është. Pikë për pikë.

Asnjë popull në botë nuk e ka durimin e popullit të Kosovës. Amerikanët jo e jo. Gjermanët jo e jo. Francezët jo e jo. Grekët jo e jo. Italianët jo e jo. Askund në Perëndim nuk mund të ndodhë ky precedent që ka ngjarë në Kosovë, e cila ka nevojë urgjente për shtet ligjor dhe liri tregu, për të dalë nga izolimi, sepse është LAGER në zemër të Europës.

Një ekspert i ligjit Shqiptaro-Amerikani Agron Alibali thotë se parlamentarizimi mbështetet në parimin demokratik të shumicës. Alibali duke iu referuar kohës së gjykimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shikonte jo normale, sepse, sipas tij, drejtësia si institucion „është e prirur të rekomandojë zgjidhje“. Agron Alibali kujton „çështjen Bush ndaj Gore, shqyrtuar nga Gjykata e Lartë e SHBA në vitin 2000, prej nga varej fati i zgjedhjeve presidenciale. Për rëndësinë e veçantë të çështjes, Gjykata amerikane e shpalli vendimin brenda 24 orëve nga mbajta e seancës dëgjimore.“

Por Enver Hasani jo vetëm që e dha verdiktin pas më tepër se tre muajsh, por mori mbi vete kompetencat që i ka vetëm Sovrani, i cili sipas parimit të pluralizmit ka të drejtën e votës për të vendosur se kush do ta qeverisë vendin dhe institucionet.

Disa kohë më parë një shqiptar që jeton në Beograd më tha në Facebook se „Thaçi është dialogues i fortë për Beogradin“. Iu përgjigja thjeshtë, se Serbia gjatë këtyre 10 viteve të fundit, ka ndryshuar disa kryeministra dhe asnjëri prej tyre nuk ka qeverisur në dy mandate e jo më në tre si pretendon Hashim Thaçi.

Por në demokraci kushtet dhe se kush do të qeverisë i vendos Sovrani dhe jo individi. Kemi rastin e zgjedhjeve parlamentare të 2009 në Shqipëri. PS si parti kishte shumicën e votave, por qeverinë e krijoi PD, sepse krijoi aleancë postzgjedhore me LSI e Ilir Metës.

Në rastin e Kosovës diferenca midis koalicionit të Thaçit dhe VLAN është eklatante, sepse koalicioni i shumicës ka dyfishin e deputetëve të koalicionit të PDK, duke mos harruar të shtojmë se si parti e parë në zgjedhjet e 8 qershorit ka dalë LDK.

Por situata në Kosovë është dramatike. Deputetët e shumicës kanë dalë jashtë sistemit dhe jashtë funksionit. Ata po rrinë të urtë, po mbajnë qëndrime konform heshtjes që vjen prej SHBA dhe BE-së. Po tregohen loyal ndaj Perëndimit! Por ata në fund të fundit marrin rroga të majme çdo fundmuaji, vuajtjet i ka populli i Kosovës. Tani Perëndimi nuk duhet të heshtë më. Dhe nuk mund të heshtë më!

SHBA dhe BE duhet të flasin tani. Nuk është kërkesë paradoksale. Është kërkesë superrealiste. Është imperative. Që SHBA dhe BE të flasin tani. Për hir të popullit të vuajtur të Kosovës, për hir të asaj rinie që nuk ka se ku të shkojë pasi papunësia ka arritur 70%, ndërsa varfëria nuk po u jep njerëzve asnjë shans për të jetuar jetën me dinjitet.

Një gjë është e qartë tani për SHBA dhe BE se shumica që përfaqësohet nga VLAN nuk është një forcë ekstremiste. VLAN ka katër muaj që pret, deri sa po mbetet pa fytyrë përpara popullit të Kosovës që i dha votën.

Sepse Kosova nuk do trazira, Kosova do shtet demokratik! Dhe ky precedent, i cili prej katër muajsh e ka pushtuar Kosovën, është antidemokratik!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx