Mendime
Ndue Dedaj: Shtëpia e Zotit dhe e mikut
E hene, 29.09.2014, 07:54 PM
SHTËPIA E ZOTIT DHE E MIKUT
NGA NDUE DEDAJ
“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Sot kjo shtëpi është dy herë e Juaja”, ishin fjalët e mirëseardhjes të Presidentit të Republikës, zotit Bujar Nishani, drejtuar Atit të Shenjtë të dielën e kaluar me 21 shtator. Nuk ka një formulë më unike mikpritëse se kjo mbase në të gjithë rruzullin, që siç dihet është shkëputur nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, si një copë eshtër e tij. Vetëm në këtë sentencë planetare mund të rrinë aq pranë qiellorja me tokësoren. Dhe nuk kishte si të mos e përzgjidhte këtë urtí Presidenti për mikun e rrallë. Ndoshta asnjëherë kjo frazë nuk është shqiptuar më me madhështi se në ceremoninë presidenciale të pritjes së Papa Françeskut, duke tingëlluar aq bashkëkohore dhe pse është dymijëvjeçare, ku me siguri ia kanë përkthyer Shenjtërisë së Tij kumtin e saj përrallor. E, pra, është vetëm një shprehje nga korpusi madhështor i Kanunit, këtij visari që të nxjerr faqebardhë para gjithë botës, teksa me të njëjtën ngarkesë semantike janë dhe plot postulate të tjera nga e drejta jonë dokësore. Rreth njëzet vite më parë, David Bander, gazetar për Ballkanin në “New York Times”, i pati thënë në redaksinë e saj poetit Rudolf Marku, asokohe deputet, se ju shqiptarët ligjin për shtypin e keni në një fjali të Kanunit: “lajmësi nuk bie në gjak”. Nëse në shoqërimin e Papa Françeskut do të mund të kishin qenë prelatët e shquar të historisë, njëherësh shkrimtarë kombëtarë, nga Buzuku te Zef Pllumi, s’kishte si të mos i dëshmonin Atit të Shenjtë se ky popull kishte mundur të rronte e mbijetonte pikërisht falë kësaj vetëdije të lartë, që mikun e njëjtësonte me Zotin, ku zor të gjendet shprehje më e lartë e përnderimit, mirëkuptimit dhe e dinjitetit të njeriut. Sa mëkat bëhet nga disa shkrues të cekët, që nga mosnjohja si duhet e Kanunit (ndonjëherë dhe nga keqdashja antiveriore maksveliste) i ngjisin atij epitete dhe nofka nga më të rëndomtat.
Një frazë
e përkorë që nxirret nga hiri i shekujve dhe tingëllon aq moderne në “Shën
Pjetrin” shqiptar të këtij shtatori, me afro 300 mijë vetë, në praninë e mbi
1300 gazetarëve nga e gjithë bota, tregon se sa fuqi ka tradita shqiptare dhe
sa mahnitëse është ajo kur përçohet në të sotmen. Nuk është e tepërt të thuhet
se ne i kemi treguesit tanë identitarë për të hyrë në Europë. Por a i kemi
skeduar të gjithë ato?
Vetëm nëse do të dijmë të vlerësojmë çdo fjalë të vjetër e të urtë shqipe, çdo përgamenë, amforë, kodik, hartë, mbishkrim, kala, tempull, kuvend të së shkuarës, atëherë do të mund të rilevojmë identitetin tonë kombëtar në gjithë shtrirjen dhe larminë e tij. U ndalëm në një frazë të Kanunit, me 4-5 fjalë, si nyje gjuhësore semantike i një trashëgimie të tërë dokësore, që u shqiptua nga Presidenti i vendit në një ditë të pazakontë; por atë ditë ishin aty dhe portretet e 40 martirëve të kishës, dëshmi e një martirizimi të pashembull të hershëm e të vonë, me dhjetë a njëzetfishin e atyre emrave, që nis me zhvarrosjen e Pjetër Bogdanit në Prishtinë, për të mos lënë të prehej as kufoma e tij. Kësisoj ai nuk është vetëm një nga shkrimtarët e parë, por dhe një nga martirët e parë shqiptar. Por deri te afishimi i merituar në zemër të kryeqytetit para një jave i kalorësve të martirizuar të krishtërimit, jo të gjithë e dinin se prej vitesh kishte vazhduar procesi i kanonizimit të tyre për martirë e një ditë Vatikani do t’i shpallë si të tillë. Nëse do të publikoheshin qoftë dhe vetëm diplomat e tyre universitare të marra në Perëndim, apo ligjëratat e mbajtura ndër shqiptarë, do të kuptohej dhe më mirë përpjekja e tyre për ta kthyer rrjedhën kulturore të Shqipërisë andej nga ajo kishte qenë qysh nga fillesat e deri në epokën e Skënderbeut.
“Shtëpia
e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut”, e shqiptuar në një ditë të shenjtë të
historisë sonë të re, do të thotë se më në fund ka një qasje të re të
institucioneve shtetërore ndaj kulturës unitare dhe identitare shqiptare, që i
kapërcen skemat e vjetra ideologjike dhe klishetë akademike gjithë kufizime
ideore të shekullit XX. Shqipëria edhe në ligjërimin publik ka ndërruar faqe.
Dikur shprehja e famshme e sipërthënë përdorej për kullën malësore, që ishte
dhe një fortesë mbrojtëse nga pushtimet e huaja, kurse tash është vetë
Shqipëria një shtëpi e Zotit dhe e mikut, jo vetëm me 21 shtator në pritjen e
Papës, por gjithëhere. Shqipëria është një shtëpi e Europës, me njerëz me
mendësi e sjellje europiane, pavarësisht besimit që ata kanë, katolikë,
ortodokës, myslimanë etj. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte kredoja
shqiptare e viteve ’90, kur po përmbysej sistemi i vjetër e po lindte i riu.
Por vërtet që u vonuam shumë për të qenë pjesë e integruar e kontinentit amë,
nga i cili na pati larguar historia e pamëshirshme pesëshekullore otomane dhe
ajo ideologjike sovjetike më pas. Dhe kur themi shtëpia e Zotit dhe e mikut,
kuptimi i parë i saj është ai i harmonisë brenda vetë shtëpisë. Nuk mund të
ishte shtëpi bujare për mikun, nëse nuk ishte e fisme në radhë të parë për
njerëzit e saj.