Mendime
Florim Zeqa: Zoti kryeministër lëreni kryeneqësinë
E premte, 03.10.2014, 07:43 PM
Zoti kryeministër lëreni
kryeneqësinë partiake, reflektoni përgjegjësi shtetërore !
Nga Florim Zeqa
E kam thënë më herët në një shkrim, Gjykata Kushtetuese nuk është zgjidhja, por vetëm vazhdimi i agonisë institucionale që për rezultat do të ketë "Thaçi plus". Kështu edhe doli, por ajo çka është mbetur enigmë është jetëgjatësia e "Thaçi plus".
Kështu kemi hyrë në muajnë e katërt nga mbajtja e zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit, dhe agonia apo më mirë me thënë anarkia qeverisëse e vendit po vazhdon !
Kuvend pa kryetar, a thua deri kur kështu ?!
Mospajtimet e liderëve partiak mund të zgjasin me muaj e me vite, por qytetarët e vendit nuk mund të presin deri në pafundësi, pashmangshëm në një moment mund t'i vije fundi pritjes dhe durimit të tyre!
Disa nga analistët janë në pritje të ndërhyrjes ndërkombëtare, ndryshim qendrimesh nga njëri apo tjeteri bllok, apo edhe rikthim të çështjes së kuvendit në kushtetuese.
Në cilin do variant adresimi i serishëm në kushtetuese vetëm sa do ta prolongonte edhe më tutje situatën konfliktuoze, duke mos ofruar zgjidhje të kënaqshme për të gjitha palët.
Është kushtetuta e vendit, ajo që po u lë hapsirë interpretimi të dyja palëve njikohësisht, një nen i kushtetutës i jepë të drejtë njërit bllok, ndërsa neni tjetër i mundëson bllokut tjetër, e kështu më radhë...!
Në këtë rast, zgjidhja është një dhe e vetme; reflektimi pozitiv i kryeministrit në largim. Çdo gjë është në dorën e tij, zgjidhja dhe moszgjidhja!
Dëshiroj t'i përkujtoj kryeministrit në largim z. Thaçi dhe mbarë opinionit vendor, se, që nga zgjedhjet e para të pasluftës asnjë parti politike nuk doli fituese apsolute e zgjedhjeve.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, LDK-ja edhe pse fituese e zgjedhjeve me 48 % të votave nuk e udhëhoqi qeverinë e vendit, poashtu edhe në zgjedhjet e 2004-së, prap LDK-ja doli fituese me mbi 45 % të votave dhe prap ju dasht t'i "dhurojë" qeverinë një partie shumfish më të vogël në numra.
Dikush mund të thotë se ishin ndërkombëtarët që i diktuan një "lëshim" të tillë LDK-së së madhe rugoviane.
Unë mendoj ndryshe, ishte përgjegjësia e lartë shtetërore e liderit të LDK-së, ishte reflektimi pozitiv dhe pragmatik i presidentit historik Ibrahim Rugova, i cili interesin shtetëror e vënte gjithnjë para interesit partiak.
Ibrahim Rugova nuk ishte edhe aq i "butë" ndaj ndërkombëtarëve siq e mendojnë disa. Përkundër presioneve të vazhdueshme nga ana e ndërkombëtarëve, ai asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk e negocioj projektin e tij për pavarësinë e Kosovës, madje as elementet shtetformuese (himnin dhe flamurin shtetëror).
Andaj, e ftojë zotin kryeministër t'i lërë mënjëanë kryeneqësit partiake dhe të reflektoj përgjegjësi shtetërore, për t'i hapur rrugë formimit të institucioneve të vendit. Të gjithë e dijmë se partia e juaj në koalicion me disa parti të vogla doli "fituese" e zgjedhjeve të 8 qershorit, por me vetëm 30 % të votave.
Pas dy
seancave të kuvendit , tashmë e kini kuptuar edhe më qartë se votat e
koalicionit tuaj janë të pamjaftueshme për formimin e institucioneve të vendit.
Në këto rrethana duhet të reflektoni përgjegjësi shetërore para asaj partiake. Çdo lider i ka rënjet dhe ngritjet e veta, tërheqja nga pozicioni bllokues nuk do të kuptohej si rënje dhe nuk do të merrej për dobësi, përkundrazi do t'ua përmirësonte imazhin para qytetarëve të vendit.
Përfundimisht zoti kryeministër, pas aksionit të 25 korrikut 2011 për shtrirje të sovranitetit në veri, tërheqja e juaj e mënjëhershme nga pozicioni bllokues, do e fitonte për të dytën herë mbështetjen e të gjitha forcave politike dhe qytetarëve të vendit.
Tërheqja e juaj kryeministër në këto momente nuk është humbje as nënshtrim, do të ishte akt madhor, do të thoja burrëror dhe patriotik,...akti juaj bëhet edhe më e madheshtor nëse tërhiqeni si fitues i zgjedhjeve, në të kundërtën humbjet dhe thyeqfja juaj politike nuk do të kenë të ndalur.