Mendime
Ardian Ramadani: Bashkëbisedim me një luftëtar
E marte, 30.09.2014, 07:26 PM
Bashkëbisedim i imagjinuar me një
luftëtar
NGA ARDIAN RAMADANI
Duke lexuar librin më të ri të autorit kumanovar, profesorit të historisë Minir Ademit, të titulluar: « Komandant Sllupçani », kushtuar dëshmorit nga fshati me po të njëjtin emër, Beqir Sadikut, më kaploi një ndjenjë e papërshkruar, ndjenjë kjo që nuk mund të shpjegohet me fjalë. Ndjenjë kjo e cila më inkurajon dhe më dëshmon se sado që të shtiremi se jemi ndokush, përpara dëshmorëve jemi askush. Kjo ndjenjë krenarie me kësi lloj trimash si puna e Beqir Sadikut, shoqërohet në të njëjtën kohë me një ndjenjë pezmi dhe mllefi, ngase pikërisht kur analizon idealin e një luftëtari si puna e tij dhe kur krahason me rezultatet në realitetin e hidhur, zhytesh në morozitet dhe në pesimizëm të pakthyeshëm.
Autori i librit duke e përshkruar me një elokuencë të pashoq trimërinë e këtij luftëtari të tri ushtrive tashmë të demobolizuara, ka dhënë detaje të hollësishme nga bashkëluftëtarët e tij, familjarët dhe ata që e kanë njohur këtë trim. Për këtë nuk kam çka të shtoj, ngase as lavdi e as stërglorifikimi për luftëtarët e tillë si puna e Beqir Sadikut, nuk bëjnë punë, krejt kjo ngase ai dhe bashkëluftëtarët si ai, shpresoj të jenë nën hijen dhe përkujdesjen e Zotit Fuqiplotë, Atij që është i saktë dhe i drejtë në përllogaritje.
Mirëpo,
pas përfundimit të librit nuk mund të mos rrish i papërcjellur nga ndjenja e
dëshpërimit.
Ah sikur të zgjoheshin luftëtarët e vërtetë e të shihnin se kush qeveris, kush drejton me fatin e shqiptarëve, kush flet në emër të tyre, kush i vendos kurora lulesh, kush manipulon me familjet e tyre?! Garibaldi sot bashkoi Italinë, por të nesërmen ju kthye punës së fushës pjellore. E te ne, « Garibaldët » tanë që nuk bashkuan asgjë, u instaluan në qeveri e nuk i çrrënjos askush. Nuk del « bir nane ». Janë të pathyeshëm, por as vetë nuk e dinë se janë lehtë të thyeshëm. Përpara shqiptarëve. Përpara gazetave dhe mediumeve kritike shqiptare. Përpara intelektualëve të paktë që kritikojnë për këtë realitet të hidhur. Ndërsa zbuten kur Gruevski i kërcënon. Bëhen lepuroshë. Nuk bëzajnë. Pse të bëzajnë. Ndonëse zëri u është shterur duke premtuar gjëra shterpe! Si t`i lënë sekretareshat, tenderat, diplomat e fakulteteve, masterat, pse jo edhe doktoraturat?
Eh more i nderuar luftëtarë. Edhe pse je në botën e përtejme, atje ku e vërteta dallon prej gënjeshtrës, vallë a të ka shkuar në mendje, se familja jote vizitohet vetëm përpara zgjedhjeve. A të ka shkuar në mendje se familja jote pret sa e sa vite një ndihmë materiale. Besa mos me qenë zemërgjerët dhe bamirësit, ndoshta nuk kanë se me çka të mbushin barkun. A të ka shkuar në mendje se shpura qeverisëse, me ministrat dhe deputetët e saj, janë pasuruar as shumë saqë nuk shohin fundin e kësaj pasurie nga madhësia e barkut të tyre. Madhësi kjo e fituar nga shtruarja e tavolinave suedeze dhe restoranteve pa fund, madhësi kjo e fituar nga zvogëlimi i shqiptarizmit, idealit për të cilin ti nuk je më në këtë mes. A të ka shkuar në mendje se ambasadorë do të bëhen njerëzit më të dyshimtë, të martuar me sllave. A të ka shkuar në mendje se vendet ku ke luftuar ti, janë edhe sot e kësaj dite strumbullari i mjerimit. Ende nuk ka as kanalizime të mirëfillta, as ujësjellës, në shek 21. Të mos flasim më për kushte ekonomike të larta. As që imagjinohen. Buxheti i këtij shteti nuk njeh ato zona ku ti luftove. Edhe pse ke deputet nga ajo zonë, i cili gënjen pa fije turpi, e shprehet se ka ujësjellës. Urra, kemi ujësjellës, kemi kanalizime. Kemi asfalt, kemi shkolla, universitete, kemi polic, kemi administratorë, kemi xhamia, kemi kisha, kemi e çka nuk, i kemi të gjitha, mbase kemi burgje, 85 % përplot shqiptare. Urra, kemi ekstremistë, kemi ideologë marksistë që arsyetojnë pyllëzimin e Shkupit me përmendore, kemi po çka nuk kemi se? I kemi te gjitha. Edhe pse i “kemi” të gjitha, jemi sankilotë. (Nga frëngjishtja sans culote - pa brekë). Edhe ato të grisura që i patëm na i zhveshën.
Hm! Me sa duket po na vjen mirë.
I nderuar
luftëtarë, të ka shkuar në mendje se kush vjen e të viziton dhe vendos kurora
me lule. Shërbëtorët e djallit, ata që i shërbyen JNA-së,
I nderuar
luftëtarë i lirisë. E din ti se nuk kanë mbetur më luftëtarë. I kanë vrarë të
gjithë.
I nderuar luftëtarë. Monstra u tha dhe sakaq u bë. Monstrumët as nuk çanë kokën për asgjë. I qetësuan protestuesit fatzinj. Profiterëve politik, prostitutave iu mbyllën mundësinë për përfitim të poenave politik. Prostitutave që legjitimuan këtë kakistokraci, këtë të keqe.
I nderuar luftëtarë, komandantët e tu ju kanë harruar. Ata as që ju kanë kujtuar ndonjëherë, por fjala vjen, fjala bre fjala! Kanë bërë para, euro, xhipa, syza, pushime në det, shtëpiza, pushimore, banesa, gjithçka. Ej, po shkojnë edhe nëpër xhamia disa prej tyre. Edhe atë në safin e parë. Mu te hoxha. Nuk po munden se dalin edhe para hoxhës. Atyre nuk i bëhet vonë të shkojnë edhe te prifti. Ndezin qirinj. Bekojnë kryeministrin. Lusin Zotin për jetëgjatësi të kësaj “të mire”. Ditën kokën në xhami, natën prapanicën në polici, apo në kurvëri. Ndërsa kryeideologu i tyre në mes të Shkupit “ekstremist” len si qeni çdo ditë, në misionin e tij antishqiptar të filluar që moti. E ka misionin shkëlqyer. Ka mësuar të flet edhe arabisht, paçka se as shkronjat nuk i dinë. Të bëjë çmitizimin e të Dërguarit (Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të). Ndërsa ndjekësit e tij thonë edhe shahadetin në xhami. Ec e kuptoi bre.
I nderuar
luftëtarë, kemi shpikur edhe ekstremizmin.
I nderuar
luftëtarë, ushtarët që poashtu ishin të
shumtë, disa i punësuan, disave u dhanë diploma, disa i shpërblejnë me ndonjë
honorar apo darkë. Disa janë në listën e pritjes për shërbime të tjera. Ka
kohë, rrezik nuk ka. Do të sundojnë pafundësisht. I vjen dita edhe atyre.
Zoti i pranoftë gjithë dëshmorët në mëshirën e Tij. Komandantë dhe ushtarë kishim, dhe kemi ende me bollëk. Por, fatkeqësisht të pavlefshëm. Profiterë, hajna dhe të ligë.
(Autori është përkthyes dhe profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist)