Mendime
Ramiz Lushaj: Z. Mustafa, shtatori nuk ka 31 ditë!
E hene, 29.09.2014, 07:57 PM
Z.
Nga Ramiz LUSHAJ
Më 2 tetor 2014 Blloku PDK e ka da’ mendjen me hy’ prapë për së dyti herë me Bajramin për Kryetar Parlamenti, ashtu sikurse edhe Bllokut LDK s’mu kurrkush me ua mbush mendjen mos me zg’jedh Mustafën për Kryetar Parlamenti edhe me një votim të dytë. Mirëpo, me sa duket, në kit’ datë të pritshme zyrtarisht nuk ka me u zgjedh kurrnjani. As Mustafa, megjithëse emni i tij domethanë “I zgjedhur”, nuk ka me u zg’jedh. As Bajrami, megjithëse emni i tij kuptimohet “festë”, edhe vet me u ba “kurban”, nuk ka me i pru PDK-së “Bajram” as të Madh e as të Vogël.
Kurrnjana nuk i ka as arrat e as gurët në dorë, përderisa çekiçin e (pa)drejtësisë e mban Enver Hasani i Kushtetueses, i cili e ka shkalafit kësaj here Kushtetueshmërinë e Kosovës tue dalë me nji vendim me kusht për zgjedhjen e Kryetarin të Parlamentit, si e drejtë veç e veçmas e PDK-së me bllokun e saj si fituese e humbur e zgjedhjeve të 25 majit 2014, anipse tashti kit' forcë e formacion politik e kanë qit' në minorancë elektorale. Edhe Blloku LDK-së me të vetët ka dalë nga zgjedhjet e 25 majit me humbje të fituar, pasi ishte minorancë elektorale po me koalicion paszgjedhor doli mazhorancë.
Kurrnjana,
në kit’ fazë e me këto kushte, nuk ka pushtet politik apo juridik për me e
zgjidh’ ngërçin politik po të dyja blloqet kanë “pusht-llek” me iu gërmue e
hjeksue njana tjetres. PDK i mshon avazit e marazit të vjetër: O
Kryeparlamentar Bajrami, O Zgjedhje të Reja?! LDK si ndahet zakonit të mplakun
shpejt për me e rizgjedh prapë Mustafën kryeparlamentar tue e vetmbledh
Parlamentin?!
Politika ngucamë e piskamë e Kosovës është e mira dhe e mbara me e kurnacë shprehjen politike për treg e mllef: ” Zgjedhje të Reja”. Pas Zgjedhjeve Parlamentare të Parakohshme të 25 Majit 2014 i ka krejt të pakohë e plot tepri Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare, që në koft se mbahen ato, them se iu takon oroku ndoshta kah fund muaji nëntor 2014. Përndryshe: në koft se Zgjedhjet e 25 majit u mbajtën në 122 vjetorin e ditëlindjes së Titos së Jugosllavisë së Dytë Avnjoiste, po iu rajka me u mbajt prapë Zgjedhjet në 71 vjetorin e Konferencës e AVNOJ-t (Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Jugosllavisë) mbajtur më 29 nëntor 1943 në Jajcë të B-H., e cila themeltoi Jugosllavinë Avnjoiste të Titos e Millosheviçit.
Kosova dardane, vendi i fundit neokolonial në Europën e Rendit të Ri Botëror, vend i porsa dalë nga lufta e fundit në Europë – Lufta e Kosovës (1999), shtet i ri (i 2008-tës) ende i pa antarësuar në OKB dhe me Mbikëqyrje Ndërkombëtare, shtet që në tri dekada ka ndrrue tre herë monedhën e saj (dinarë, marka, euro), shtet që ende ka territore të okupuara si në Mitrovicën e Veriut me rrethina komunare, Manastiri i Deçanit me pronë kishtare ortodokse sa gjysma e ishullit të Sazanit, etj., shtet që ende si ka përcaktue (demokracion) kufijtë me fqinjët e vet si me Serbinë, Malin e Zi, etj., nuk mundet me i mbajt dy palë zgjedhje: Të Parakohshme e Të Jashtëzakonshme në ma pak se 6 muaj kalendarik, pse iu dashka PDK-së të marrin Hashim Thaçi i saj të gjashtin mandat si kryeministër i Kosovës apo Kryeparlamentarin?! Cdo forcë politike ka të drejtë të kërkojë pushtet po jo ta teprojnë kaq shumë si PDK me aleatët e vet ndaj shtetit, popullit, vendit e kombit të vet. Asnjë lider në Europën Euro-Atlantike nuk ka kaq mandate ekzekutivi si Hashim Thaçi, përveçse antishqiptari Millo Gjukanoviç I Malit të Zi me shtatë mandate. H. Thaçi e lenë mbrapa edhe antishqiptarin tjetër, Nikola Gruevski në Maqedoni që sivjet mori mandatin e katërt kryeministror.
Pra, një mbajtje pushteti kaq gjatë është disi si dukuri e praktikë edhe sllave në disa shtete të Ballkanit e të ish Bashkimit Sovjetik. Në demokracitë e reja, me mbikqyrje nderkombëtare, të brishta, me pehama e luhama si Republika e Kosovës mbajtja e postit të kryeministrit në kaq shumë mandate, në kaq vite, edhe rradhazi (1999-2000 apo 2008-2014), e çon vendin në diktaturë të re, në korrupsion të madh, në revoltime apo revoltë popullore. As Erdogani i Turqisë mike euro-aziatike, vllau i H.Thaçit ( i vetdeklaruar i tillë prej tij) nuk i mbajti ma shumë se tre mandate si kryeministër.
Tashti, po mendoj, se ka mbrri koha me i kujtue Isa Mustafës, kryetar i LDK-së rugoviane, i nominuar, i zgjedhur e kundërshtuar një herë, si Kryetar i Parlamentit të Kosovës, për me e çue kit’ çështje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në Prishtinë. Kësaj here nga vet Blloku LDK me aleatët AAK, NK, VV. Fundja, si në rastin e parë edhe në të dytin, Presidentja Atifete Jahjaga, e porsa kthyer nga Amerika, ndoshta e rimerr prapë kit’ nismë. Një arsye e mundësi ma shumë është edhe fakti i fundit që Gjykata Kushtetuese e Kosovës tashti e ka numrin e nevojshëm për vendimarrje, sepse pas një dorëheqje të shpejt e të shkurtë u rikthye në GJK edhe gjyqtari amerikan Robert Carolan, i cili ka me e rinisië punën e tij më 1 tetor 2014.
Mendoj se me çuarjen e kësaj çështjeje të ditës në GJK të Kosovës, qysh nesër apo pasnesër, më 29 apo 30 shtator 2014, nuk mund të ketë pas disa ditësh, më 2 Tetor 2014, mbledhje të Parlamentit të Kosovës për zgjedhjen e kryetarit të tij. Natyrisht kjo nuk do t’i mundësonte PDK e Kosovës shkuarjen në Zgjedhje Parlamentare të Jashtëzakonshme(!). Ndoshta i duhet rikujtue liderit të LDK e njëherash kandidat për kryeparlamentar i Kosovës: Isa Mustafës, se shtatori nuk i ka 31 ditë?!