Mendime
Kim Berisha: Rexhep Qosja i çmendur pas Edi Ramës
E hene, 06.10.2014, 06:47 PM
Rexhep Qosja i çmendur pas Edi
Ramës
Nga Kimete Berisha
I magjepsur
I dashuruar
I çmendur pas Edi Ramës
Rexhep Qosja është fiksuar pas Edi Ramës. Tashmë e ka lëshu 'n'ler' gjuhën e tij të gjatë, e as që po mundohet të përmbahet, por krejt çka di e çka ndjen, po e shpreh publikisht, me gojë e me shkrim për subjektin e adhurimit të tij, Edi Ramën.
Kur ia lexon përshkrimet që ia bën Kryeministrit shqiptar, sikur mos të ishte fjala për një plak, do të mendoje se është i dashuruar deri në vesh me Edi Ramën.
Kuptohet se shpirtërat janë moshatarë, i kanë nga 15-të vjet, se shpirti nuk plaket, prandaj edhe plaku mund të harrojë çdo gjë, mund të harrojë të gjitha kujtimet e tij, por nuk mund të harrojë të dashurojë.
E dashuria e plakut është e pakrahasueshme, sepse plaku e di se bota e tij është sosur, dhe nuk ka kohë që ta shtyej dashurinë për nesër, nuk ka kohë ta lë që ta shpreh dashurinë 'një ditë tjetër'.
Shqipëria po e tall dhe po e shfrytëzon fascinimin e Rexhep Qosjes me Edi Ramën.
Tv-media shqiptare e etur për gjak 'plaku' e ka hetuar prirjen e tij patologjike ndaj Edi Ramën dhe e ka shfrytëzuar 'çmendurinë' e tij për ta bërë xhihadist kundër të gjithë armiqve të Kryeministrit shqiptar.
Për ta lartësuar subjektin e çmendurisë së tij përmbi veten, Rexhep Qosja e ka përulur edhe veten. Që do të thotë se tani ai e do Edi Ramën dhe e respekton madje edhe më shumë se veten.
Ka thënë se Edi Rama shkruan më mirë se të gjithë, madje edhe më mirë se ai vetë:
'Edi Rama në të vërtetë është krijues me prirje të gjerë artistike. Ai ka dëshmuar me shumë e shumë shkrime se di të shkruajë larg më mirë se të gjithë...'.
Dhe, këtu ka pasur të drejtë. Edhe unë mendoj se Edi Rama shkruan më mirë se Rexhep Qosja.
Rexhep Qosja kujton se e mësoi Edi Ramën dhe socialistët që ta urrejnë rivalin e tij Ibrahim Rugovën dhe të gjithë ata që i urren Rexhep Qosja.
Jo veç Edi Rama, po edhe Rudina Xhunga është më e zonja se Ibrahim Rugova. Ky është vendim i Rexhep Qosjes.
Ku me ditë kur ka filluar fascinimi i Rexhep Qosjes me Edi Ramën, dhe pse vetëm Edi Rama, dhe askush tjetër, i duket i mrekullishëm.
Por, problem është se Edi Rama nuk e do Rexhep Qosjen.
Nuk e do sepse është plak, dhe kushdo që i ka dëgjuar akuzat e Edi Ramës ndaj pleqërisë, do ta qelbte në burg për ageizëm dhe diskriminim ndaj pleqve.
Edi Rama pleqërinë nuk ia toleron as vetes, veç nanës dhe Papën i lejon të jenë pleq.
Vetë ka thënë se problemi i tij është vdekja.
E, pleqëria është sinonimi i parë i vdekjes.
Edi Rama e lidh pleqërinë me çmendurinë jo me harresën.
Dhe une jam e sigurt se me fetishizimin që ia bën dhe me 'shpalljet patetike të dashurisë dhe adhurimit' Rexhep Qosja nuk i duket askujt më i çmendur dhe më i neveritshëm sesa vetë Edi Ramës.
Se, Edi Rama e di se nuk ka njeri të përkryer, siç e paraqet Rexhep Qosja në shkarravinat e tij të adhurimit.
Ruaju nga ai që nuk ta sheh asnjë të metë.
Sepse ai që s'ta sheh asnjë të metë ose është i çmendur, ose i dashuruar verbërisht.
Si njëra, si tjetra, të çojnë në fund të turpshëm, siç e kanë prurë në këtë fund Rexhep Qosjen, i cili flet për problemet bankare të Edi Ramës në kohën kur Kosova që gjashtë muaj ka probleme ekzistenciale.