E enjte, 28.03.2024, 01:15 PM (GMT)

Faleminderit

Ramiz Lushaj: Martiri Çelë Shaban Gjonbalaj

E premte, 03.10.2014, 08:03 PM


ÇELË SHABAN GJONBALAJ I VUTHAJVE – MARTIR I MASAKRËS SË PREVISË

Nga Ramiz LUSHAJ

1.

Çelë Shaban Gjonbalaj është një trim i njoftun nga historia. Sikurse vendasit, shqiptarët etnik, dhe vet shkijet ardhacak e pushtues, ia dinin e thirrej shpesh me të dytin emër simbolik: Sokol. Vërtet ai ishte sokol i krahinës së Plavë-Gucisë e i Maleve Shqiptare.

Luftëtar si në legjenda. Më kallxojnë se Çela paska luftue edhe në Shekullar. Krejt i ri, 22 vjeç. Thonë se në luftna i mori nandë plagë si medalje trimnie. Kësisoj më përnget si një Gjergj Elez Ali modern.

Si Çela i Derës së Gjonbalajve të Vuthajve,  e gjithë krahina etnike shqiptare e Plavë-Gucisë janë legjendarë modern të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Janë rrit’ në luftna e i kanë rritë luftnat. I kanë dhanë aq shumë Kombit Shqiptar saqë Historia Shqiptare me liderët e bijtë e vet të derisotëm iu mbeten ende borxhlinj.

Këta plavë-guciasit heroik prej kaherit po edhe me Luftën Ndër/Kombëtare të Nokshiqit e Ultinës së Epërme të Limit (1879-1880) kontribuan për me i pru’ Kombit tonë pranverën e Pavarësisë në Vlorën e 1912-tës e tashti nuk e mertojnë me ua kthye sadopak shpinën me heshtje tue i lanë nën dimnin sllav.

2.

Ky Çelë Shabani i Gjonbalajve, mixha i nanës së Bruno Selimajt të Nokshiqit e banor jetërrit’ në qytetin ilir të Gucisë, e pat’ vra një prijës trim malazez. Urosh i thoshin. Kambekrye antishqiptar zezanik. Iu duel atij fortas. Doli fitues Çela i Gjonbalajve. Ia preu trupin me shpatë. Si a kanë adeti i atëherit, ia mori kryet me veti. Ia kunji në Vuthaj, në troje të veta. Makabritet krenash. Zakon djalli i huajtur nga otomanët e cerrnagorët. Njëherash, edhe mesazh shqiptar për të gjithë sllavët e atyhit dhe të  Çetinës e Beogradit.

Shkijet e shkinat derdhën shumë lotë. Vajet janë ndie gatë e larg. Ishte i pashëm e i përgjakshëm. Po nget ajo që rrallkush e pritke. Çohen shkinat e i shkojnë tek kulla Çelë Shabanit të Gjonbalajve. Aty lëshohen në lutje e në vaj. Po e lypin kryet e Uroshit malazez. Iu vjen keq e ua japin. Shkinat e stafetojnë në duar tue ia puth faqet.

Pas 19 tetorit 1912 Cerrnagorët e Çetinës i pushtuan Plavën e Gucinë me forcat e shumta të Divizionit Lindor (Grupimi i Verilindjes) i drejtuar nga gjeneral agjutant e brigadieri serdari, Janko Vukatiq, kryeministri i ardhshëm i mbretnisë së Malit të Zi (1913-1915). Nga Kaza e kthyen në Kapiteni me pesë komuna. Një prej tyre ishte komuna politike e Gërçarit, e cila përfshinte Gërçar, Dosugje, Zagrajë, Vermosh, Krushevë, Kolini, Qosaj, Gjonbalaj, Vuthaj, Çerem, Valbonë, Curraj. U vendos sistemi ushtarako-policor i administrimit, me komandë, polici, xhandarrmëri. Kapiten ishte Milivoje Dragoviq, ndërsa kryetar i komunës së Gucisë - Miliq  Saviq, i komunës së Plavës – Lluka Dedoviq. Në komunën e Gërçarit ishin funksionarë: Ali Ibrahimi, Hasan Smajli, Nikë Prela, Ako Ali Velia. Po kështu edhe në dy komunat e tjera të Brezovicës e të Vojnosellës.

Një natë, njerëzit e natës mbi Plavë-Guci, forca të policisë e xhandarrmërisë malazeze, po e rrethatojnë e shënjestrojnë disa kulla malësore, ndër to edhe të Çelë Shaban Gjonbalajt. Krisma armësh. Poterë. Thirrje. Tek dera e kullës po del baba i Çelës. Ky burrë ndihet i nxanun ngushtë. Po don me ia arrestue djalin. Çka me i ba derzhavës. Iu thotë se është i plagosun e nuk mundet me iu dal tek dera e kullës. Çela po i ndie fjalët nga brenda e çohet ultas në krevat. Ata hyjnë mbrenda tanë egërsi. I shkojnë tek krevati. E kqyrin Çelën e i gjuhen në shkelma krevatit të tij prej druni. Nuk po mujnë me e godit fizikisht. Ata lëshojnë klithma urrejtjeje.

Komandanti i tyne po i thërret rrmisht Çelë Shaban Gjonbalajt pa iu afrue krevatit të tij:

-Çou Sokol! Ti si e kie vra Uroshin kie me na tregua sa trim je...

3.

Luftëtari malësor Çelë Shaban Gjonbalaj i jep forcë vedit e i shtrengohet me gjak e shpirt trupit të vet. I ka vesh opingat me gjak. Plagët i dhimbshin fort. Iu foli mrrolshëm: Eci në kambet e mia. Mos me më prek kurrkush në udhën teme.

Edhe toka e mali thonë se ka sy e veshë. E paskan pa Çelën të rrethuem nga armët e tue ecë kryenelt për në Guci. Prej asaj dite e sot ende duket çudi si ka mujt me i qitë hapat me tana ato plagë trupit, ku e ka gjetë gjithë atë fuqi mbinatyrore?!

Një kohë të gjatë e kanë mbajt në burg në qytetin e Gucisë. Boll i dhanë përkujdesi shtëpia e tij, vllaznia e vet, krahina e vet. Kur i çonin bukë e ushqime njerëzit e tij iu kontrollohej trohë për trohë edhe buka e gatueme në saç, edhe psherja e djathit të bjeshkës, prej frike se mos futin në to ndonjë letër a gja tjetër.

Më 21 mars 1913 dikush nga ushtarakët pushtues malazezë të burgut po i thotë dikujt nga të shtëpisë së Çelë Shaban Gjonbalajt për mos me i çue ma bukë e ushqime pasi ka me u pushkatue për veprimtarinë e tij kundër mbretnisë së Malit të Zi e Krajl Nikollës.

4.

Të nesërmen më 22 mars 1913, Kapiteni i Plavë-Gucisë, Milivoje Dragoviq, ban një aktakuzë me nr. Akti zyrtar 463 për të gjykuar 25 gucias. Ndër ta edhe Çelë Shaban Gjonbalaj.

Në proçes-verbalin e Gjykatës Ushtarake të Plavës, që mban dt. 22 mars 1913, nënshkrua nga kryetari Mulla Ajro Balshiq (turqisht), gjykatësit – nënoficerë Milun Pantoviq, Ture Gjuriçanin, sekretari Radoje Zaçeviq, shkruhet për akuzën e gjyqit ndaj tre të gjykuarëve: “... kundër Haxhi Haxhë Radonçiqit, Selë Mat Llalliçiqit dhe Çelë Shabanit, të gjithë nga Gucia, për shkak të tradhtisë së madhe të bashkimit me kaçakë dhe të gjetjes së armëve dhe të municionit tek ata”.

I pari në gjyq po thirret 60 vjeçari Radonçiq, pasanik, mysliman, analfabet, i cili dëshmon për herë të parë në jetë të vet para (pa)drejtësisë në Plavë: “Edhe pse u dorëzova kur ushtria juaj e mori Gucinë, unë dhe shoqëria ime kemi mendue se kjo do të jetë një kohë kaluesedhe se ne do të gjykojmë përseri dhe do t’ju vrasim dhe dëbojmë. Për këtë arsye i kemi fshehur armët, i kemi ndihmuar kaçakët, jemi takuar me ta dhe kemi bërë marrëveshje në dobinë tonë...”

Në gjyq, pas tij, thirren edhe Selë Matë Llalliçiqi dhe Çelë Shaban Gjonbalaj. Kryetari i trupës gjykuese po i dvet: “ Ti Selë dhe ti Çelë, a keni qënë në shoqëri dhe në takime me kaçakët  së bashku me Haxhi Haxhë Radonçiqin? Sekretari gjyqësor e ka formulue përgjigjen e të dyve me do fjali: ”Vallahi po, gjithëçka ka bëra ai edhe ne e kemi bërë kabull. Tjetër nuk dimë t’ju tregojmë. Më mirë e dinë Mulla Sheqa dhe Mulla Hysa dhe le të tregojnë edhe të tjerët”. Pasi ua kanë lexue dy të gjykuarëve është firmosë nga sekretari i gjyqit, Zeçeviq.

Në sallën e gjyqit po vijnë për të deklarue edhe Mulla Sheqa e Mulla Hysa (me shokë). Po i dvetin: ju të dy së bashku me këtë shoqëri , a keni pasur ndonjë takim me kaçakët...? Ata vetëdeklarojnë: “Pranojmë se kemi bërë mbledhje të fshehta, kryesisht natën, jemi dërguar nga kjo shoqëri tek kaçakët dhe i kemi informuar ata”. Trupi gjykues i dveti prapë: A e dini edhe ndonjë tjetër që ka qënë me ju pos kësaj shoqërie? Ata rideklarojnë: “Vallahi nuk dimë askënd”. Ua bajnë edhe të fundit dvetje: Keni për të thënë diçka tjetër? Ata e mbyllin deklaratën e tyre me thanien: “Për dritë s’kemi gjë tjetër për të thënë dhe si tregoi Haxhi Haxha, ne kemi qënë shoqëri”.

Nga aktet dokumentare të kohës del se Çelë Shaban Gjonbalaj ishte një luftëtar organizator, ndër ma kryesorët e aktiv në krahinë, me veprimtari të shumanshme kundër pushtuesve sllavë, si lidhjet me kaçakët e maleve, mbajtja e furnizimi me armë e municione për një luftë të hapur kundërgoditëse për largimin e pushtuesve nga Plavë-Gucia, etj.

Një fakt tjetër: Çelë Shaban Gjonbalaj ishte njeri i ditun. Ai dinte shkrim e këndim në gjuhën zyrtare të kohës, në osmanisht, pasi afër xhamisë së Gjonbalajve, qyshse në vite të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte ngrit “Mejtepi i Vuthajve”. Kësokohe në Plavë-Guci kishte edhe shkolla në gjuhën serbe, po astenji shkollë nuk ishte në gjuhën shqipe derisa erdhën Austro-Hungarezët (1916-’18). As serbët e as otomanët nuk e donin shkollimin e shqiptarëve etnik në shqip.

5.

Tri akte u kryen brenda ditës së 22 marsit 1913: Aktakuza e Milivije Dragoviqit. Gjykimi nga trupi gjykues me kryetar Mulla Ajro Balshiq. Ekzekutimi i 25 guciasve (ndoshta 26) sipas urdhërit tjetër të kapiten Dragoviqit. E gjithë kjo vërteton se si kryheshin akuzat, gjyqet e pushkatimet e barbarëve sllavë në tokën etnike shqiptare të Plavë-Gucisë, ndaj shqiptarëve të atyshëm, etnik, atdhetar trima, legjenda të historisë.

Kapiteni M. Dragoviq, në shkresën e tij zyrtare (pa numër akti), i ridrejtohet për të dytën herë Gjykatës Mbretënore Ushtarake të Plavës, në të cilën vendimon: “Sipas urdhërit verbal të z. brigadier (Avro) Cemoviq, pushkatimi të bëhet në vendin e djeshëm. Sipas vendimit tuaj, pushkatimin do ua bëjnë ushtarët e batalionit të djeshëm, ndërsa ata që i përcjellin (të dënuarit) të kthehen këndej”.

Në një burim zyrtar gjejmë emrat e të pushkatuarëve, që po i vetrenditim në listnim:

1. Çelë Shaban Gjonbalaj

2. Haxhi Haxha Radoniçiqi

3. Haxhi Beqa

4. Mulla Sheqa (Omeragaj)

5. Ak Ala (Çekaj)

6. Began Sharkoviqi

7. Nuc Jakupi

8. Jup Racaj

9. Malë Haxhi Sejda (Nikaj)

10. Ibrahim Radoniçiqi

11. Halil Radoniçiqi

12. Mujë Agë Tali (Omeragaj)

13. Murat Haxhi Radoniçiqi

14. Ramë Zeqiri (Kolina)

15. Aso Alki (Kolina)

16. Ramë Shujakoviqi (Shujaku)

17. Selë Matë Llalliçiqi

18. Akë Lec Çekaj

19. Jakup Arif Pepaj

20. Akë Smajli (Balaj)

21. Metë Shabani

22. Abdyl Zeka

23. Shaban hasani

24. Malë Ibishi

25. Ramë Ibishi

Fakti se si kryeheshin nga Mbretnia e Malit të Zi dënimet ndaj shqiptarëve etnik (të origjinës shqiptare, vendali plavë-gucias) në Masakrën e Previsë (tetor 1912-nëntor 1913) na e dëshmon qartë edhe korrespondenca e Qatipit Josif Shoshkiq, qatip i Kapitenisë së Polimlës - Krushevë drejtue Drejtorisë Krahinore në Andrijevicë. Aty thuhet se një ditë ma para, më 21 mars 1913, kryetari i Gjykatës Ushtarake të Plavës, Mulla Ajro Balshiq, iu kërkonte me shkresë zyrtare që “të gjendet një vend i përshtatshëm për pushkatimin e njëzet e gjashtë tradhtarëve të shtetit, të fesë myslimane, nga Qarku i Plavë-Gucisë”. Dihet edhe koha kur u shkoi shkresa: ora katër e gjysmë pasdite.

Pra, një ditë përpara, ende pa u mbledh Gjykata Mbretnore Ushtarake e Plavës, ishte marrë vendimi për pushkatimin e malësorëve gucias, ndër të cilët edhe Çelë Shabani i Gjonbalajve të Vuthajve. Gjyqi ishte vetëm një akt formal.

Për ma tepër, një ditë përpara, ishte caktue edhe vendi i pushkatimit të tyre “në Previ”, pikërisht aty  në një grop të përbashkët, i zgjedhur si vendi më i sigurt në rajonin e kapitenisë.

Në Masakrën e Previsë kanë pasë rol negativ, prosllav e kundërshqiptar, edhe popi i Gucisë, Gjorgje Shekullarac, murgjit rusë të Manastirit të Deçanit (me në krye Maksimin), kreu Mulla Hajro Bashiqi (Basha) që ktheu identitet etnik e fetar në Balshiq e u shpërbleu me funksion juridik ushtarak në krahinë, etj.

Masakra e Previsë është një nga masakrat ma të mëdha në historinë e botës prej se nga koha e Krishtit e Muhametit, një masakër e kryer nga vet Mbretnia e Malit të Zi të Krajl Nikollës së Parë, e cila i përmban pesë elementë të dënueshëm ndërkombëtarisht: Terror. Genocid. Krime kundër Njerëzimit. Krime Lufte. Spastrim Etnik. Kjo Masakër tragjike e jashtëzakonshme është ende e pazbardhur dhe një ditë të afërt kur bota e sotme të mësoj rreth saj atëherë do të shohim se do i vendosin shqiptarët në krye të listës botërore si kombi ma i diskriminuar në glob nga fqinjët e vet ballkanik sllav e helenë me lidhtarë e përkrahës të tyre në Euro-Azi.

Masakra e Previsë ka hy’ në kangët e pupullit, iu jehojnë kohnave, gdhendin heroiken e tragjiken e shqiptarëve:

Kur kanë shkue në previ

Me hap vorret i kanë shti.

Djali i Memës a’ ngushtue:

-Ç’janë këto vorre babë,

Që jemi tue  i marue?

Nuk janë vorre, po jan’ llogore

Me luftue me Cerrnagore!

Pas pak burrat i kanë rreshtue,

Ni batare ja u kanë lëshue.

Shtatëqind vetë janë pushkatue,

Asnjë gjallë nuk ka pshtue...”

6.

Pushtuesit malazezë i vrisnin shqiptarët etnik e të origjinës në tragjiken e përgjakshme Masakra e Previsë e, njëherash, Kapitenia, Komanda e Vendit, kishte lëshue urdhnin e lig, barbar: Askush nuk mundet me i vajtue mashkujt e vrarë prej tyre (!) Asnjë kullë nuk duhej të derdhte lotë, të kryente vajtimin e trimave të pushkatuar.

E ky po do’ me ia dit’ për shkijet e Çetinës nana e Çelë Shaban Gjonbalajt të Vuthajve. Ajo, Dada, apo Dadëmadhja si i thojshin, ishte e fortë si Ajkuna e Eposit të Kreshnikëve të Veriut. Si Ajkuna e vajtoi djalin e vet.

Dy javë ka zgat vajtimi për Çelë Shabanin. Grania e Gjonbalajve e nga vllazni të tjera të Vuthajve, ndonja edhe nga krahina etno-historike e Plavë-Gucisë, të afërme nga viset përrreth, gjithato, rende-rende, ditëpërditë, vinin tek kulla e vajtonin me kangë të traditës.

Aty shkonte edhe Mark Bozhi i hypun në kali shale e ndalke përjashta, në afri oborrit. Ai dinte edhe shqip. I fjala shkruante ato kangë vajtimi. Njana mbas tjetrit, pa ua harrue as pikë e as presje.

Dadëmadhja, nana e Çelë Shaban Gjonbalajt, nga atdhetaria kombëtare në gene e truall, nga zemra e plasun për djalin e pushkatuem prej shkijeve, nga urrejtja e saj kundër sllavëve, në kangët e saj të vajit i shante edhe Krajl Nikollën, edhe shtetin e vogël mbretnor malazez, edhe kapedanët në krahinën e Plavë-Gucisë. Të gjithë ata që e kishin hak. Kjo i kushtoi jo pak Dadëmadhes. Në krye të dy javëve e kanë mshilë në burg. E kanë torturue psikologjikisht e fizikisht kit’ grue burrneshë të Alpeve Shqiptare. Po e ceki një rast.

Roja i burgut i veshke rrobat e djalit të saj, Çelë Shaban Gjonbalajt të pushkatuem. I veshke çakshire, jelek, plis, qystek, kobure... I shkojke Dadëmadhes tek qelia e i thoshte krejt cinizëm, barbarizëm, antishqiptarizëm:

-A po i njeh? A po din se të kujat’ janë këto?...

Dadëmadhja e mallkonte me tanë forcën e shpirtit, me rrgallet e fjalëve nga ma të ashprat.

Pos kësaj i banin edhe tortura të tjera psikologjike: E çojshin Dadëmadhen në vendin ku ishte plagosë djali i saj, Çelë Shaban Gjonbalaj dhe ia tregonin gjakun e patharë në tokën shqiptare. Ajo i mallkonte shkijet dhe i thurte lavde trimnisë së djalit të saj.

Kjo ishte një Nanë e Madhe Shqiptare.

Sot, Çelë Shaban Gjonbalaj, daja e Bruno Selimajt, është një nga martirët e Masakrës së Previsë, një trim legjendar i Kombit Shqiptar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora