Mendime
Adil Fetahu: Çështja çame - mision i (pa)mundur
E merkure, 17.09.2014, 08:19 PM
ÇËSHTJA ÇAME – mision i (pa)mundur, 1990-2014
“Ti pse klanë moj Çamëri?
Ç’të mos kjaj mo Shqipëri,
Gjithë huduti i Çamërisë
I mbeti resto Greqisë!”
(Filat, 1944)
Nga Adil FETAHU
Botimeve publicistike për çështjen çame, para ca kohe iu shtua edhe libri i autorit Gëzim Zilja: “Çështja çame – mision i (pa)mundur, 1990-2014, botim i “Mirgeeralb”, Tiranë 2014, fq.190.
Pas pjesës hyrëse “Histori e shkurtër e popullsisë çame” (fq.5-22), pjesa më e madhe e librit (fq.23-153) është përmbajtja e nja 30 artikujve të autorit, të botuara e të pabotuara në harkun kohor janar 2010 – mars 2014 (nuk jepen referenca se cili artikull në cilën gazetë është botuar?). Pas kësaj, në faqet 154-162, jepen disa fragmente nga libra të autorëve huaj për problemin çam, si Edit Durham, James Petiffer, Miranda Vickers, Edwin Jacques, Joseph Swire. Në fq.163-180 është teksti i 14 këngëve historike (në të folmën çame) për historinë e Çamërisë, ndërsa nga fq.181-189 janë 16 fotose (kolor) të vendeve të ndryshme të Çamërisë.
Duke iu referuar një shkrimi të prof.dr Selman Sheme, të botuar në gazetën “Telegraf” 19.05.2014, (i njëjti shkrim është edhe në librin-studimin : “Epiri i Jugut,Çamëria”), autori jep shënime për vendet, ndarjen administrative, numrin e popullsinë dhe hapësirën e Çamërisë para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë; pushtimin grek dhe masakrat mbi atë popullsi, derisa pas Luftës së Dytë Botërore të gjithë myslimanët i detyruan ta lëshojnë vendin e vet, ndërsa ortodoksët u asimiluan në helenë! Kryekrimineli Napoleon Zerva, i shkruante një miku të vet: “...e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin nga atdheu ynë të çamëve myslimanë... dhe ua bëmë të mundur malsorëve (grekë) të zbresin në fusha”. Në këtë libër është botuar Memorandumi i Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamë (1947), dërguar Komisionit Hetimor të Këshillit të Sigurimit të OKB lidhur me trajtimin dhe masakrat e bëra mbi minoritetin shqiptar çam në Greqi. Në Memorandum jepen shënime konkrete , me data dhe emra të mizorive e masakrave të kryera nga forcat zerviste në bashkëpunim dhe në marrëveshje me ushtrinë gjermane. Për zgjidhjen e problemit çam, nënshkruesit e Memorandumit (Taho Sejko, Kasëm Demi, Rexhep Çami, Tahir Demi, Vehip Demi, Dervish Dojaka, Hilmi Seiti), i shtrojnë këto kërkesa Komitetit Hetimor të Këshillit të OKB-së: 1) marrjen e masave imediate për pengimin e vendosjes së elementëve të huaj në vatrat tona; 2) riatdhesimin e të gjithë çamëve; 3) kthimin e pasurisë, shpërblimin e dëmeve tona shkaktuar në pasuri të luajtshme dhe të paluejtëshme; 4) ndihmën për rindërtimin e vatrave dhe vendosjen tonë; 5) sigurimin dhe garancitë që rrjedhin prej traktateve dhe mandateve ndërkombëtare, si sigurimi i të drejtave civile, politike, kulturore dhe sigurimi personal; 6) gjykimin dhe dënimin e të gjithë përgjegjësve të krimeve të kryera. Këto kërkesa ishin sa të plota për sanimin e gjendjes së refugjatëve çamë, aq të arsyeshme nga pikëpamja e të drejtave elementare, të cilave as sot nuk ka çfarë t’iu shtohet as t’iu heqet.
Për shkrimet e veta që ka bërë autori, të botuara në gazeta apo të pabotuara, dhe për librin e tij, thotë se kishte për qëllim të rritë ndjeshmërinë ndaj problemit, dhe të bëjë një përmbledhje të përpjekjeve të përfaqësuesve çam nga Shoqata “Çamëria” dhe nga partitë politike të komunitetit çam: PDI, PDU,PDIU dhe AP. Në shkrimet e tij autori analizon punën dhe veprimet e partive politike të komunitetit çam në Shqipëri, dhe nxjerr përfundime se ato nuk po e luajnë rolin sa i përket sensibilizimit të çështjes çame, as në planin kombëtar, as në atë ndërkombëtar. Në këtë kontekst, autori thotë: “unë dëshiroj të jem i gabuar në arsyetimet dhe analizat e mija, por faktet mjerisht më çojnë gjithmonë tek i njëjti përfundim, se me çështjen çame po abuzohet”. Partitë çame hynë në aleancë e në qeverisje me PS dhe me PD, të cilat në programet e tyre elektorale nuk e kanë problemin çam, prandaj partitë çame angazhohen për të zënë pozita në pushtet e për të punësuar njerëzit e vet. Aq më keq, këto parti janë të përçara midis tyre dhe kanë shkaktuar përçarje në komunitetin çam. Pesë deputetë të këtyre partive, nuk arritën që në Parlamentin shqiptar të miratohet një rezolutë për problemin çam. Nuk është vu kurrfarë kontakti me popullsinë ortodokse që jeton në Çamëri, për ta ringjallur ndjenjën kombëtare në mesin e tyre. Derisa zyrtarë të lartë dhe spiunë të Greqisë zhvillojnë propagandë, bëjnë provokacione e shkaktojnë incidente brenda territorit shqiptar, çamëve nuk iu lejohet as vizita e pronave ose varrezave që kanë lënë në Çamëri! Nuk është bërë ndonjë veprim i organizuar në institucionet ndërkombëtare për të kërkuar realizimin e të drejtave pronësore çame. Ka pasur parulla, slogane, premtime, lavdërime e sajesa nga liderët e partive për aktivitete për çështjen çame, si ajo e një rezoluta të (pa)miratuar në Parlamentin shqiptar (më 8 prill 2004); pastaj dorëzimin e një dosje në disa adresa jashtë vendit (DPA, KE, BE); angazhimi i një zyreje avokatësh anglez për ngritjen e padisë në Gjykatën e Strasburgut për kthimin e pronave, etj, etj, por prej të gjitha këtyre doli një zero me xhufkë,- thotë autori Zilja. Ai shtron pyetjen, përse nuk organizohet një konferencë ndërkombëtare për çështjen çame, në të cilën do të ftoheshin personalitete të shquara njohës të këtij problemi, për të debatuar e trajtuar problemin çam, në mesin e të cilëve ka madje edhe grekë e serbë? Një debat i tillë do ta favorizonte kauzën çame. Të botohen e shpërndahen libra e broshura në gjuhë të hueja për çështjen çame.
Në
vazhdim jepen disa fragmente të shkurtra nga publikacionet e autorëve të huaj,
të cilët kanë shkruar për tmerret që kanë përjetuar çamët prej vitit 1912, e
deri më 1945. Mis Edit
Libri “Çështja çame...” i Gëzim Ziljes përmban edhe 14 këngë të shkurtra, origjinale në të folmën çame, për qëndresën heroike të çamëve në luftërat kundër pushtuesit otoman dhe forcave klerofashiste greke, në vitet 1897, 1912-1913, shpërnguljen e madhe me këmbimin e popullsisë në vitin 1923, luftën italo-greke (1940), dhe personalitet e shquara politike e luftarake të çamëve (fq.164-180), si dhe një album me foto-panoramave të disa vendeve të Çamërisë.
* * *
Ndonëse për lexuesit libri mund të jetë monoton, për shkak të përsëritjes së përmbajtjes së shkrimeve, prej shkrimit të parë e deri te ai i fundit, megjithatë është një kontribut i autorit Gëzim Zilja, që tregon se është i preokupuar me çështjen çame, dhe me sugjerimet e tij për një organizim më të mirë dhe punë më frytdhënëse në misionin e partive, të shoqatave e të deputetëve të komunitetit çam në sensibilizimin e çështjes, si në planin kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar, dhe për shfrytëzimin e të gjitha mundësive që çështja çame të merr zgjidhje të drejtë. Me shkrimet e botuara dhe impenjimin në çështjen çame, autori dëshmon se është një atdhetar, jo çam me origjinë, por me ndjenja të larta për çështjen çame, sikurse do të duhej të ishin të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Me Memorandumin e Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamë në Shqipëri, dërguar Komisionit Hetimor të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1947), me fragmentet nga shkrimet e historianëve dhe gazetarëve të huaj, me këngët origjinale çame dhe me fotoset nga qytetet e vendbanimet çame, libri merr edhe karakter dokumentar. Në e kopertinës së fundit, autori shkruan: “Unë dëshiroj të jem shumë i gabuar në arsyetimet dhe analizat e mia. Por faktet, mjerisht më çojnë gjithmonë tek i njëjti përfundim: me “Çështjen çame po abuzohet. Nga natyra nuk jam pesimist. Por di të them me siguri, se trupat e gjyshërve dhe etërve të dëbuar nga Çamëria e të varrosur në Shqipëri, nuk gjejnë prehje. Atyre u rëndojnë mbi kocka pllakat e varrit, ndërsa shpirtrat me kohë kanë marrë arratinë dhe endën ditë e natë si ca zogj të vetmuar pa fole, gërxheve, pllajave, fushave e limaneve të Çamërisë së dashur, ku u lindën dhe u larguan me kokën pas”.