E diele, 28.04.2024, 04:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Të lutem, falëm!

E enjte, 07.08.2014, 06:50 PM


Të lutem, falëm!

Tregim nga Përparim Hysi

Miku im! Më së fundi, ja tek të gjeta! Fizikisht, jo, por edhe kështu le ta quajmë sikur po takohemi pas kaq e kaq vjetësh. Gjithçka që shkruaje për ne, në vija të trasha, qëndronte. Them  "në vija të trasha", se janë ca  "hollësi" për të cilat ti as ke dëgjuar dhe as kishe për t'i marrë vesh, në se unë do ndalem për t'i thënë gjërat ashtu siç janë. Në fund të fundit,  në se flasim me një gjuhë racionale, si "emërues i përbashkët" në gjithë atë odise të dashurisë sonë, qe biografia. Ti me xhaxha të pushkatuar, unë me xhaxha "Hero i popullit". Por nuk qe vetëm kaq: stolit me këmbë i ra njerka. Njerka dominoi me "ndërhyrjet" aq të kërkuara të asaj kohe. Ajo ju njihte mirë si familje dhe bëri të plotë kuadrin e biografisë së familjes suaj. Gjyshin nga nëna e kishe patur kulak dhe, sikur kaq të qe pak, si thelë përmbi bisht ja dhe tri dëshmi të tjera: të tri hallat e tua, burrat i kishin kulakë. Dhe, sado që njerka nuk më donte, kur i verifikuan: nuk e luante topi. Ou!- lëshoi britmën vëllai im i vetëm, në ndodh që ti ikën me të, atëherë për ne ke vdekur. Unë u tmerrova. U tmerrova dhe isha gati të lëshoja kujen. Nga të gjitha, ti më kishe treguar për xhaxhanë. Presioni qe i madh dhe, siç shkruan ti, u dorëzova.

*     *    *

U martova me një njeri që nuk e njihja, gati  nja dhjetë vjeç më të madh se unë dhe as që e dija se si do ta kisha të ardhmen. A më erdhi keq për ty? Të flas ndershmërisht: u ligështova dhe, kur rrija vetëm, ku nuk e shpija mëndjen. Imshoq qëlloi  burrë i mirë. Bëhej copë që ta ndjeja veten sa e sa më mirë. Ai kurrë nuk e mori vesh se në kisha apo nuk kisha patur ndonjë të dashur. Si burrë i pjekur që qe, nuk ngutej dhe as kërkonte, kur i thonë, qimen në përpeq. Sa u martuam, në vitin 1961, u transferua në një rreth tjetër dhe, me që qeshë jetime, rrallë apo shumë rrallë u ktheva pranë familjes. Ky kthim u kthye në "nul", kur më vdiq dhe vëllai i vetëm. Kështu që mundësirat për t'u riparë bashkë u zvogëluan aq, sa nuk është për t'u çuditur: asnjëherë nuk jemi parë më. Ka kaluar mbi gjysëm shekulli dhe që të dy jemi bërë gjyshër. Sidoqoftë, për t'i hequr petët lakrorit dhe për të treguar ca të vërteta që nuk duhet t'i marrësh me vete atje, në "botën tjetër", unë kur lexova se kishe shkruar një tregim me titullin "Si po ia çon, o dashuri e parë?", e gjeta tregimin dhe,sado që pena ime ka zënë ndryshk nga koha e gjatë, po të rrëfehem:

Nuk  jam nga ato që futem në "Website" dhe, pothuaj,as që lexoj gazeta. Në ndodhi që u futa enkas për tregimin tënd, duhet të falnderosh

Bardhoshen, atë gruan e mikut tënd aty në Tiranë. Ti këtyre u kishe dhënë librat që paske shkruar  në vite. Jo vetëm kaq, por duke e ditur që Bardhoshja kish punuar mësuese në të njëjtin rreth me mua, i kishe dhënë porosi të veçantë që t'më takonte ( mbasi kishe pyetur mbarë e prapë për të gjitha në lidhje me mua). Po.  Ç'të ka treguar Bardhoshja, ashtu është dhe nuk kam gjë për të shtuar  se sa rëndësi ka, në fund të fundit. Unë nuk po të shkruaj për këtë. Arsyeja është tjetër. Fare tjetër. Dua të të tregoj që, sado që jetoja mirë dhe kisha, ku e ku,  një konfort familjar për t'u patur zili, në momente të veçanta, të kam  kujtuar dhe e ndjeja veten si bosh. Nuk ia falja vetes nxitimin dhe shpesh pyesja veten: përse? Aq më rrinte mbi kokë kjo pyetje sa më dukej si ajo shpata e Damokleut. Duke u bluar nga mendimet, zija dhe kërkoja ngushëllim me të shkruar. Kurrë nuk ia kam thënë për hartime dhe, kur të lexosh, se si kam shkruar, edhe mund të qeshësh. Qesh apo nuk qesh, unë po t'i dërgoj ashtu siç i kam ndier në atë kohë, kur qeshë "taze" dhe sapo më dilte e "pira" e martesës. Për t'u çuditur është fakti shumë domethënës: kohë pas kohe, sa herë që mbyllesha në vetminë time, kërkoja të "udhëtoja" në kujtime imagjinare për të justifikuar ç'kish  ndodhur. Dhe pse mos ta them: gjithmonë më fanepsej imazhi yt. Nuk më linte të qetë dhe, për të patur një përshtypje sadopak të përafërt, po  ta dërgoj si "expres", të zezë mbi të bardhë siç  e kam ruajtur në valixhen time që është zverdhur nga koha.

*      *      *

"... thonë që zemra ka arsye që nuk e njeh arsyen. Gjithashtu thonë që zemra nuk pyet për arsye. Duken si lojra fjalësh, por nuk është ashtu. E, megjithatë, këto që thuhen, në çaste e situata të caktuara, më bëjnë që të kthiellem e të them: arsyeja duhet të dalë mbi zemrën, ta drejtojë e ta komandojë atë. Gjithkush me këmbë në tokë e me mëndje në kokë, kështu bën. Ti duhet ta dish: unë nuk dalë dot nga vetja. Shpesh gjumi nuk  më zë e qetësia më është prishur. Është zëri i brëndshëm, zëri i ndërgjegjes që nuk më lë të fle. Ky zë më"vret".

 vret  sa herë që mendoj se ç'kam bërë. Nuk e di, por më duket se kurrë nuk do ta gjej qetësinë. Qetësia më ka humbur përgjithmonë.

Mendoja se gjatë kohës do të harroja ç'kish ndodhur. Por jo. Aspak. Të mendoj ty dhe ndihem fajtore pranë njeriut që kam pranë. Fajtore! O Zot, përse duhet të ndodhë kështu? Sipas mendimit  tim, mëkat nuk bën vetëm kur vepron, po dhe kur e mendon atë. Dhe aq jam kapur pas këtij mendimi, sa më bëhet sikur dikush më pëshpërit në vesh:- Ti je mëkatare! Ti je mëkatare pranë njeriut që ke për bashkëshort dhe kjo është e pafalshme. Ky zë as që më ndahet. Nuk më lë që të mbyll sy dhe ti duhet ta dish këtë. Jo vetëm ta dish, por dhe të më kuptosh. Jam e dënuar të vuaj brerjen e ndërgjegjes  të atij që kam pranë. Se në  fund të fundit, ai  është krejt i  pafajshëm. Përse vallë duhet që ta lëndojë kur  më ka mbajtur si rrallëkush? Jam e dënuar që për asnjë çast të mos gjej qetësi, deri në fund të jetës. O  Zot, a do më falësh dot?! Të lutem, falëm ti!

Bishareti

P. S.

Thonë që dashuria të bën të krijosh poezi. Pra, ndodhte, që ato që shkruaja në fletore, t'Ii bëja poezi. Poezi i thënçin, por sikur malconin plagën. Duhet të kem shkruar nja njëzet të tilla, por, siç duket, unë  "poetja" nuk kam qullosur ndonjë gjë dhe i kam grisur. Kanë shpëtuar nja pesë a gjashtë. Të gjitha cylës i bien po në një vrimë. Kur i lexoj,edhe buzëqesh, po edhe mvrejtem,se  ndjej se diçka më sëmbon. Çudi: që të gjitha kanë vetëm një titull: "Të lutem, falëm ti!" Duke dërguar vetëm njërën prej tyre, them se i kam dërguar të tëra.

 

Të lutem, falëm  ti!

 

Të lutem, më thuaj, çfarë dua? Çfarë kërkoj?

Në jetë asnjë gjë nuk më ka munguar

Pse imazhi yt vjen të ma turbullojë?

Si vallë gjatë kohës nuk të kam harruar?

 

Prej meje nuk ndahet, por më rri pranë

Aq, sa sikur nuk  bëj dot pa të!!!

Pse ky imazh kaq lidhur më mban

Më mban, po s'flas si në "filmat pa zë"

 

Të lutem, më thuaj: çfarë dua? Çfarë kërkoj

Që imazhi yt të largohet nga unë?

O kohë e dikurshme që s'mund të harroj

O Zot, përse më mundon kaq shumë?!....

 

Tiranë, 7 gusht  2014



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora