E shtune, 27.04.2024, 05:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Bajram Dabishevci: Të pritet mësim më i madh

E marte, 05.08.2014, 07:40 PM


TË PRITET MËSIM MË I MADH NGA KRYENGJËLLI MËHILL

(Vrasësit zyrtarë e himni i tyre nga bulmeti i hudhrave - II)

Nga Bajram Dabishevci

Bota është matufosur, sepse viktimës së djeshme i kaloi afati i qëndrueshmërisë dhe viktimës së sotme ju ngul copa e llamarinës me gozhdë në ballë, së vëni afati i qëndrueshmërisë edhe kësaj. Maska u shndërrua në titull, paraja kallp u bë hije e gjallë, kurse njeriu - me profesion njeri - u bë industri. Jo vetëm industri, por edhe fermë, por edhe kinkaleri, por edhe dorë e shtrirë për një qindarkaë, aty tek shkallët e zyrave të shtetit të djallit. Shkon në seancë; është duke reformuar muret, lëngaraqët, bodrumet. Këtë shtetin privat. Këtë osh-e-zvarrokracinë. Këtë kulturën e korifenjve me xhepin nga barku në shpinë. E më as që gjendet frymë e të mund të shtrojë pyetje – se për ç’arsye lopa polli gjithë këtë behar. Kryeengjëlli më qëllon lehtas krahët. “O vëlla, për shkak që nuk pyetet më - pse zorrët e të vrarit (ose të këtij që nuk duhet të mësojë pse nuk është në shtëpi, por është në krahët e fluturës) rrinë lëvarur në majë të plepit?”

E fletët janë të bardha, fletë të ditarëve të luftës. Ditarët e luftës që nuk u shkruan, por në vend të tyre, u zhvat shteti dhe u fsheh prapa kotecit të pulave. Pse kaq e madhërishme gara në mes të të lehurës dhe ulurimës, në mes të tonelatës së zheleve - si flamur në valëvitje dhe tonelatës tjetër të paçavureve, - si flamur i ditëve tona? Flamur i shtetit të shollondurëve. Flamuri i atyre pjesëve të bagëtisë që kanë mbetur nga të ngrënët e ujqëve. Në atë flamur copërash të mishrave, hedhur andej-këtej fushës, shkruan: “O TI I NDRITUR, E HA MISHIN E GJALLË ME GARUZHDË APO GJAKUN E PI ME GRUSHT?” Por kambana kërciti 12 herë në orën 1, 12 herë në orën 2… dhe dyqind e dymbëdhjetë sahatçinjtë u hodhën në grevë, duke dhënë qartë alarm se: “Nuk e kuptuam - pse djalli e paska dyfishin e lirisë: atë dje dhe këtë sot”.

TË GJITHË BUDALLENJ E POLITIKANI QENKA SHPËTIMTAR(!?!)

- TE gjithë janë budallenj e politikani është Mesia i laboratorit. - AFËRMENDSH, politikani është xhevahir i të këqijave, për këtë është mbështjellur me paratë e pista vota ndaj tij. - QË qytetari jeton krenar me kokë në baltë, politikani është liria e vetme. - KUSHTI i qeverisjes me kokë e bisht në hambar është politikani patriot i zgjedhur nga te huajt… - POLITIKANI e njeh vetëm zanatin e buzëqeshjes e formulën e mirësjelljes. - POLTIKANI, profesionin e lavdërimit e ka bërë… lak në fytin e vendit. - E PSe është kaq shtirës politikani? 4 koka i ka në zyrë, 6 koka në rrugë.  - E NGRIT vetullën politikani, palos njërin vesh, se i rri pak i hapur; e lëpinë njëren vetull dhe këto janë programi i tij.  - I THA rojës së WC-së publike, pa barkun, pa xhepat e mi - s’do të çlirohej Kosova e Kilit. - GËNJEN, por qetë e butë, sepse te secili sheh ngjyrën e zjarrtë të një kolltuku. - POLITIKANI tregohet fetar; mbush tavolinën me elozh për partinë. Nuk lejon mendje të ndritur, se nuk do që të kuptohet sa laro me yll është. - POLITIKANI është i dresuar dhe e mbanë turpin për salltanet. - POLITIKANI është parimor. Vilën, veturat, harxhimet pa fre i ka nga burime krimi. Kush i tregon këto, ia dërgon aktivistët atdhetarë në pritë.  - POLITIKANI prore është i martuar e prore pas vetes mbanë një tufë me kurva. - POLITIKANI është prostituim i çdo reference mbi ekonominë e moralin. Qytetarin e dramën këtu i do si piramidë parash e argëtimesh. - A MUNDEN pa politikanin - pronarët e paqjes? Pa politikanin - pronarët e përçarjeve? Pa politikanin - piramida e klisheve? - POLITIKANI, bile ështe krenar, si askush tjetër, se 1000 herë më shumë e lëpin atë që pështyhet.

KOPSHTI KOSOVAR I EDENIT

“S’ka rëndësi çfarë di, por me cilin të bekuar ngul brirët në tule e thikën në djath. Me cilin ha së bëri sehir”, sot kudo dëgjohet tam-tami i tellallit. Thonë edhe ngrehinat e kapura me re, edhe balta e fjalëve që rriten me jehonë profesionale: “Hundët e vetëdijës i këmbyem për feçkat e ditës”. Me këtë e nxjerrin mbi lugë këdo: figurat e muzeut, faktet e fshehura në gëmusha, praktikat e bruçit që këndon natës verore për shtretërit e tregtisë me gjurmë të këqija. Të thuash, ky faktor vështron thjesht; shkel tepër shumë dhe s’ka asnjë brengosje mbi një kurriz të thyer. Pra, në daulle zihet çorbë, në tambura dhjesin e jetojnë, në tavolina dasme betohen. Qenka sa e mirë e keqja, kur brirët i ka për vazhdimin e lavrimit e zgjerimin e blerimit të po kopshtit të këtij Edeni! Venitjet e të tillë gjelbërimi do ta ripërtërijnë jetën. Mund të mendohet vendi si Gjiri i Kapaluas së një Hawai dhe s’ke pse bën pyetje se çfarë ka këtu që s’shkon nga kokëtrashët apo sa më i madh ende duhet qenë ari në pirunin e mendjemadhit. Do pasur kujdes, sepse të vjen llava e gorillave prapa, po e drejtove gishtin dikund atje. Ngjan kështu, ndërsa kultura shkëlqyese përzien kafenë e mëngjesit me feçkën e elefantit dhe mbron kuvendimet rrotull vetes. Rrëmuja e errësirës bëhet vakt mbi tavolina në kopsht. Psherëtin i përplasuri në gropë atje dikund, por kjo meritë lavrohet çdo ditë e duartrokitet shumë. Një e drejtuar e tillë është për të pjellë turinj, premtime e gjakra aspak të papastër. Madhështi nuliteti. Fakt i aspakët. Një histori që i shpie përpara vigjilentët, domethënë është një antihistori e yndyrës, po ashtu aspak e ndotësirës. Ua, të mendohet? Pra, s’themi gjë, po nuk e përmendën që begrami i parapolitikës e sundimtari janë një. Deri edhe llauzi i zien gështenjat vetes, kurse policia i nxjerr dhe atje tej diçka quhet milet!

Parapolitika, mafioziteti i madh, prestidigjitatori i biznesit,  arrijnë të ngrisin kështjella të papara në vrimat e trupave brenda Edenit; e tëra është botë më vete dhe koha i ha hallvenë. S’ke si e kupton ndryshe rivalitetin me çmim të shkeljes së veprës dhe lënia pas e vlerës së tjetrit, në mënyrë që i treti, duke u fryrë e stërfryrë, të ngritet shkallarëve të perëndive. E gjen prore pjatën e mbushur me zorrë qeni ky laro i madh. Nëse ka shakaxhinj që flijuan ndonjë proçkë e pjatë, për ta vënë ujët në vijë, janë të tjerët që po ngriten dhe ata nuk e kanë për gjë të mos e kthejnë kokën kah rrugët e drejta. Ai që humbi apo që ishte prore humbës, i degdisuri mes dy nofullash të mengeneve, duhet të shpresojë rreze dielli. Kush lan këmbët në kos deti e buzëqesh para mikrofonit, ti dëgjon ulurimat 100 decibël. Këtë popull, s’është gjë e re të thuhet, e donin prore të vluar e të përzhitur në idealet private, personale, klanore! Duan ta sjellin në gjendje që dhe lëkura e trupit t’i bëhet e flamosur!

Te ne sot përralla e çdo vakti mbi tavolinë në kopsht, është nekrotizëm ekstra, ka nënë, babë, kushëriri të gjerë, ndërsa, realisht – çka paska, sepse njeriut çehrengrysur nuk i lejohet asnjë tipar i qytetarit të lirë? Mund të presosh të dalë gjithçka nga këto fshehtësira të pashpjegueshme të fjalëve më të ëmbla, më të thella, më të zgjedhura, më të lira dhe që realisht nuk kushtojnë as dhe sa dy dardha, por të cilat zihen e zihen e nxirren kudo. As që ka mendjelënë me dy palë brirë që kujton se mbi këtë tokë mund të jetojë qenie e gjallë dhe as ne të gjithë nuk trillojmë dot, sipas tij, se jetojmë. Jetojmë në Prishtinën e talljeve olimpike dhe ai me gishtin kërcënues të nxjerr trurin tërë ditën së thëni se kënaqet së tepërmi që këtu e ka zhvendosur qendrën e botës. Këto lule të neneve, ky korb injorant i parasë mamute që dhjet ag e mbrëmje për çdo gjë me vlerë, akoma s’rri kot e s’pret dhe të tjera kot. Zvarritet i lidhuri me tel për zgjedhë dhe ia duartroket atij artin e hipjen lart. Kafsha pse të mos ketë të drejta, pse të zhduket kulari? Kau i kularit është dhe egoja e emisarit, por edhe e përfaqësuesit të perëndisë në këtë kiamet. Ç’talent ky, së shmanguri rrugët e lotëve dhe honet e rënkimeve! Kau e jep edhe lëkurën për valixhen e poetit, nga e cila doli dhe një datë, dy, shtatë... Doli njëfarësoj edhe ligji i jetës me pole që dikton mbijetesën e më të fortit dhe viktima nuk duhet t’u tmerrrohet gëzimit të madh e ligjërisht komod brenda pjatave, së rendituri, si marinsa, nëpër kopshte, taverna, parqe.

Plleshmëria e fushës për të mirën e përgjithshme stërmbushet çdo ditë me plehra që gramshaleshen ditëve tona. Askush nuk sheh një ngacmim për të qeshur këtu. S’kan kuptim qashtrat e tilla. Bile, ta themi mes nesh, që kur të mbillet një zero dosido nën tokë, por dhe që të ketë embrionin sa një kokë kali, gjithsesi që pillet një biçim kërcënuesi me gishtin e ngritur e për të hedhur në hendek gogolin e një cope arë, apo, në rastin më të mirë, një biçim kundërshtar, i cili mundohet t’i marrë erë kësaj hapësire të nevojshme për të vringëlluar shkelmi. Shihen goxha fjalë, jo shaka; një papagall pothuaj i tëri i ngordhur, gjithnjë i përgatitur për fjalë auditori, papagall me kaçirubë për mashalla. Bile, kur gogoli u poll nga gogoli dhe hipi në re, as viktima, as kau i fjetur, as papagalli pothuaj i tëri i ngordhur nuk tha “mashalla”. Munden e nuk bëhen gazi i botës. Edeni rrit barin anës së arave e sa gëzohen kafshët për begatinë e shtuar! Vetë govata ka arritur të bëhet rivale e oturakut, deklarohen para mikrofonit çdo ditë. Kërma të bëhet flamur i shtatë fshatrave, skorbuti të mashtrojë epideminë, kurse krimineli krihet gjithë puritanizëm.

Kjo parajsë, ky tmerr dhe, thjesht, si më i papranuari i logjikës sundon sot, që kosa e ndryshkur, duke mbjellë me helmeta të panjohura e këste alienësh arën e pikëpyetjes së kombit, është dhe ky varr që po ha veten, prandaj këto toka shqipe po i ha letra blanko e kontrata blanko dhe, për Allah, kjo Shqipërinë e mban gjallë, varur në çengel dhe sa s’ka më mirë! Vjen kaq mirë në shprehje sundimtari duke hequr litarët e marionetës! Godet dhe dielli si shajni. Frushullijnë lulet. Nuk tregon shkallë çmendurie era. Nuk rrëzohet fronit marioneta, por hipë lart e njëjta. Kur qëllon policia lulet, ato çelin!... Ky spektakël idiotesk nuk synon të bashkojë keqësisht individët e të copëtojë kolektivitetin që më lehtë rrugëve të këqija të arrijë të mira. Pjata e mbushur në këtë vijë nuk dënon me vdekje atë që nuk nënshtrohet dhe ka diçka në zemër e kokë. S’ka kuptim më të shenjtë varri para secilit si pro publico bono. Nuk grabitet shpirti i trazuar i njeriut të këtyre ditëve në sy të të gjithë botës, po si pro publico bono. Këtë logjikë nuk e mbron paçavurja e të kamurit dhe prapë është një pro publico bono. Po këto qindarka e mbushin dhe urinë e madhe të vrimave të tankeve e asgjë e mirë s’ka jashtë kësaj, si e mirë e përgjithshme.

Ta themi edhe që sihariq të madh zbulon, kur takohet kali në parlament apo pela në aksh korridor. Se nuk qenë pak ata emra që në foltore të derisotme i pa ndonjëherë një njeri apo që shumica sesi çallapatisën për rrozganitë e gjyshes së baba Qemos, e cila, dinjitetshëm sa s’ka, dredh frerët këtej dhe është e gjerë fusha kosovare e Edenit para saj. I vëren që filozofitë e pjelljes së emrave e klimës mashtruese të padurueshmërisë, ato dhe akësecili nga ata ka të lidhur për shpinë një projekt kopshtesh e fushash. Bile, që duket projekt, ai bëhet të jetë i tillë, vetëm nga pozicioni shpifarak i brendshëm, por nga pozicioni i jashtëm ky projekt është vetëm një thes me letra, kurse vendi që nuk shihet prapa tij, është vetëm një rruaze, gjithsesi dinjitoze edhe për një mendje hajvani. Pale që dhe gojët e këtij thesi me letra të mbyllen nga jasht e nga brenda me sirtin e drurit! Pra, monstrumi paradigmatik i botës moderne kërcënon haptasi me formulën: “S’ka rëndësi çfarë di, s’ka rëndësi çfarë di, - por kë njeh, me cilin je”.

GJYQI SPECIAL NË KOSOVË

Kur gomari kërkoi ta bënin mbret, i pëshpëritën te veshi qetë e lehtë:

“Të jesh i pari në vend, duhet jo më pak, veçse gomar stërgomar ti sot të jesh”.

Ia shkulën veshët, veshë të mëdhenj i qepën sërish; ia hoqën sytë, hundët, ca kokrra mend që i kish, edhe qullin e bajgave që për zemër e kujtonte ai, në vend të tyre i qepën rend të tjera gjymtyrë…  Vendit i vurën dryrin, lirinë e bën bar për kafshë e Gjyqi Special tash i vuri kurorë: “Ky je ti, gomar! Pse shtiresh? Këtë bëre ti, gomar! Hesht, ha ç’të jipet! E mos qaj, po qeshu! Harrove që ti as di ndryshe? Mbret ti nuk qe asnjëherë, qeshu,pra, mos qajë, gomar! 100 mbretër të tjerë nga ti pollëm, as këtë s’e di? T’i marrim disa, s’lot asnjë rol. Të ngulin në kokë edhe veshë të tjerë, hundë të reja, mbretër të rinj, ata tashmë Ferma i ka pjellë. Janë gomarë klas”. Të gjithë këta mbretër njësoj janë, njësoj hanë, çirren njësoj, hungurojnë njësoj, krihen njësoj, Gjyqi Special në Kosovë veshët ua rriti edhe pak. Sa të këndshëm e simpatikë! Sa të ëmbël e të mirë!  Ngrisin gishtat lart, votojnë veshët e tyre të gjatë. Dinë këtij çasti të llapin nga gojët: “I merrni të gjitha,  po stallën na e leni, tualetin, kuzhinën, shtratin, xhepin”!... Dhe kështu bëjnë, nënshkruajnë traktat gomarësh të zgjuar, njëri të jetë mbret, tjetri - po mbret, i treti - po mbret, të shpëtoj vendi i mjerë këtij fati kaq të rëndë  nga gomarët veç gomarë, karagomarë me mend.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora