E shtune, 03.05.2025, 04:22 AM (GMT+1)

Editorial

Lavdrim Lita: Fenomenologjia e djegies së librave

E merkure, 16.07.2014, 09:31 PM


Fenomenologjia e djegies së librave në Ferizaj

Nga Lavdrim Lita

Ca krime janë më të rënda sesa të tjerat. Sidomos kur krimi është kundër dijes, e cila përftohet më së shumti nga libri. Prandaj krimi kundër librit ka një simbolikë të veçantë që sinjalizon drejtpërdrejt fobinë totalitariste ndaj dijes së lirë. Sigurisht, qyteti i Ferizajt është bërë objekt i kronikave të lajmeve për djegien së fundit të librit të Veton Surroit, “Këmbët e Gjarprit” nga pjesëtarë të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK’-ja. Pak kohë më parë ca nostalgjikë komunistë kishin blerë një libër mbi Enver Hoxhën jo për të ndriçuar mendjen, por për të ndriçuar me zjarr sheshin e qytetit Ferizajt. Afërmendsh as ish-antarët e UCK-së e as fanatikët e Enverit nuk janë as të parë dhe as të fundit që provuan ndjenjën e djegies së librave. Të parët libra – sipas historianëve – që u dogjën janë ato me urdhër të perandorit kinez Quin Shi Huang, në 213 para Krishtit. Ky Perandor mbahet më shumë mend për ndërtimin e murit Kinez sesa për aktin e turrës së librave në zjarr. Perandori kishte vendosur që të eliminonte çdo libër historie dhe filozofie që s’kishte lidhje panegjirike me të. Shkurt ai përfaqësonte mbretërinë e narcizizmit. Pastaj, për t’i shkuar deri në fund çmendurisë së tij, varrosi gjallë edhe disa historianë dhe filozofë që nuk i pëlqenin fizikisht.

Në 25 pas Krishtit, romaku i urtë Aulus Cremutius Cordus u detyrua të vetëvritej pse kishte sulmuar në një vepër të tij historike Brutin dhe Kasin (vrasësit e Cezarit). Ai u vetëvra pasi pa të digjej libri i tij. Dhe në 1497, prifti hiper-katolik Girolamo Savonarola vendosi të digjte disa kopje të Dekameronit të Bokaçios, qe i konsideronte pornografike dhe të frymëzuara nga djalli.

Natyrisht mes librave më të djegur gjendet në vend të parë librat e shenjtë. Në veçanti ato kristiane dhe Torah-u hebraik, por dhe rasti i djegies së Kur’anit nga ana e pastorit të çmendur amerikan Terry Jones. Ndonëse shumë kopje të Kur’anit janë djegur edhe më parë, por në pjesën më të madhe janë ekzekutuar nga vetë fundamentalistët islamikë që donin të eliminonin çdo kopje jo-origjinale të librit të shenjtë.

Gjatë pushtimit arab të Egjiptit, gjenerali Amr ibn al-As dogji për herë të fundit bibliotekën e famshme të Aleksandrisë me urdhër të kalifit Omar. Gjenerali Amr pasi pushtoi qytetin i shkruan kalifit se çfarë duhej të bëhej me bibliotekën, dhe kalifi Omar iu përgjigj: “Në ato libra o ka gjëra të ngjashme të rrëfyera në Kur’an, ose gjëra që s’kanë lidhje me Kur’anin: nëse ka gjëra që janë në Kur’an janë të panevojshme, nëse nuk ka gjëra që nuk janë në Kur’an janë “dëmshme” dhe të “rrezikshme”, prandaj duhen shkatërruar”.

Gjithsesi kemi edhe zjarrvënie bashkëkohore, veç të kujtojmë këtu ato të organizuara nga senatori anti-komunist Joseph McCarthy dhe më pas të atyre që dolën pas Vargjeve Satanike të Salman Rushdie. Ky i fundit u përndoq nga fatva e Ajatollahut të Iranit, që është si një lejekalim për vrasje të shkrimtarit kudo dhe kurdo për çdo fundamentalist, pasi kështu i shtohen virgjëreshat në haremin e parajsës.

Sakaq edhe në Shqipëri ka pasur djegie librash. Mjafton të keni lexuar “Rrno vetëm për me tregue” të Padër Zef Pllumit, për të pasur parasysh masakrën me çelik e zjarr të bibliotekës së Kuvendit Françeskan nga dora komuniste Envero-Titiste. Është një fragment kur historiani At Marin Sirdani u përgjërohet partizanëve të Gjin Markut të kenë kujdes me sekuestrimin e letërkëmbimeve dhe dokumenteve të Kuvendit, që hidheshin në një makinë ushtarake e përfunduan në Mal të Zi, “pse ishin të rëndësishme për historinë që do të shkruhej”. Dhe komunistët e zellshëm i tregojnë grykën e pushkës: “me këtë do ta shkruajmë historinë”.

Po pse njerëzit djegin librat? Kemi të bëjmë me një gjest më shumë simbolik sesa praktik (sepse njerëzit që lexojnë ka qenë gjithmonë pak). John Milton thoshte se librat “ishin gjëra të gjalla” që kishin “një vitalitet dhe një shpirt”, tamam si njeriu. Shkrimtari amerikan Ray Bradbury rreth kësaj temë zhvilloi romanin e famshëm “Farenheit 451” (temperatura me të cilën merr flakë letra e shkruar) ku përshkruan një shoqëri të hutuar dhe totalitariste, ku zjarrfikësit janë zjarrvënësit. Ky roman duhet lexuar patjetër. Gjithashtu jam 99,99 % i sigurt se as UCK-istë e as komunistët nostalgjikë të Ferizajt nuk ka lexuar asgjë nga Bradbury, dhe se nuk e njeh as Hajnrih Hajnen (aty ku njerëzit u vënë flakën librave... në fund do t’u vënë flakën edhe njerëzve) dhe pikërisht për këtë arsye ata nuk arrin të imagjinojë çmendurinë që ka zgjuar.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx