E premte, 13.12.2024, 08:30 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Rilexime interesante të “Prilli i thyer”

E merkure, 02.07.2014, 06:55 PM


Rileximet interesante të romanit “Prilli i thyer”

“Mysafiri i paftuar”,(1985) film i Kujtim Çashkut, sipas skenarit të Ismail Kadaresë (prodhuar nga kinostudioja “Shqipëria e re”), dhe “ Abril Despedaçado” (Behind the sun)  (2001) , film brazilian, në regji të  Ualter Salles (Walter Salles), producent Artur Kohen (Arthur Cohn).

Nga Gani MEHMETAJ

Ismail Kadare ka dy romane të cilat janë ekranizuar tri herë: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe  “Prilli i thyer”. Adaptimi i parë i romanit “Prilli i thyer” është bërë nga Kujtim Çashku me titull “Të paftuarit”(1985). Adaptimi i dytë është realizuar nga regjisorja franceze me prejardhje shqiptare Liri Begeja, “Avril Brise, (1987), me skenar të Olivier Assayas dhe Liri Begesë, xhiruar në Korsikë, fitues i Grand prix të publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Lokarnos (1987). Ekranizimi i tretë është ai i regjisorit Ualter Salles, “Abril despedaçado”, i shfaqur në Festivalin e Venecias me 2001, i distribuuar nga studioja e Holivudit me titull “Behind dhe sun” (Prapa diellit) me disa çmime prestigjioze ndërkombëtare. Secili nga këta filma ka qasje të veçantë, përshtatje të ndryshme dhe frymën e vet artistike.

Derisa dy filmat e parë “Mysafiri i paftuar” i Çashkut, (ku skenarin e shkroi Kadare) dhe  “Prilli i thyer” i Begesë, përpiqen ta ruajnë ngjyrimin lokal, por edhe gjeografinë e veprimit, kohën, personazhet, fabulën, filmi i Salles ka shmangie të mëdha nga teksti i frymëzuar. “Behind the sun”  është film që meriton të analizohet për disa arsye, pavarësisht shmangieve, pavarësisht ndryshimeve e ndërhyrjeve, ai diku në brendësi megjithatë e ka rrymimin e romanit, por nga një kënd “autokton’ brazilian. Hijet e alpeve shqiptare zëvendësohen me djerrinat braziliane, Gjorgu i dëgjueshëm, të cilit asnjëherë nuk i shkon nëpër mend ta kundërshtoj Kanunin, Tonho i Salesit rebelohet kundër hakmarrjes.

Përderisa ngjarja e romanit “Prilli i thyer” zhvillohet në veriun e Shqipërisë londineze, në mes të dy luftërave botërore, në filmin brazilian ngjarja e filmit shtjellohet në një krahinë të humbur të Brazilit. Dy filmat evropianë e kanë respektuar linjën dramaturgjike, e kanë respektuar edhe zhvillimin e personazheve, ndërkaq, filmi latino amerikan vetëm motivet i merr nga “Prilli i thyer”, sepse koha, hapësira, personazhet, situatat, mënyra e shtjellimit, ashtu sikurse edhe vijat karakteristike të personazheve ndryshojnë.

Të tre filmat të përbashkët e kanë dimensionin e dhimbjes, vetminë, pafuqinë që t’i kundërvihen ritualit të marrjes e dhënies së gjakut, pastaj fundin tragjikë, frikën e personazheve, e cila të regjisori shqiptarë ndrydhet ndjeshëm, ndërsa të regjisori brazilian shpërthen më intensitet të madh. Janë skenat e dendësisë së fuqishme emocionale të ikjes në panik të vrasësit nëpër kallamishte, me frikën që shpërthen në fushat a kallamit, pamje që rrallë shihet në ekran.

Por ajo që e bënë ndryshe filmin brazilian janë ngjyrat- pikturë, është e arta që mbizotëron, krahas ngjyrës së argjend hënore, në një ambient gjysmë tropikal, gjysmë hënor. Pra, krahas zbërthimit psikologjik që e bartë pjesën më të madhe të dramës, janë peizazhet herë-herë syreale ato që e bëjnë filmin të veçantë e të pazakonshëm. Adaptimi  brazilian ka shmangie të dukshme në kohë e hapësirë, mirëpo secili shikues, i cili e ka lexuar romanin do ta hetojë se aty është fryma e romanit, mbase ndonjëherë e vënë në pah me rubin e zi rreth dorës, që bëhet fatalë për njërin nga personazhet kryesor, apo nga këmisha e përgjakur e të vrarit, ndërsa me zvetënimin e ngjyrës jepet shenj se hakmarrja po vonon.

Sidomos është e përbashkët hija e vdekjes ajo që e ndjekë familjen  braziliane dhe familjen shqiptare. E para nuk e përballon dot këtë barrë të madhe, prandaj shpërthejnë konfliktet  në mes të anëtarëve të familjes. Ndërkaq, babai i Gjorgut, është gjakftohtë, më dinjitoz, më i përmbajtur. Ai vdekjen e pranon si diçka të pashmangshme. Ai bashkëjeton më të birin, e kupton dhe i dhimbset, por prapë kanuni është më i fortë. Filmi i Çashkut e ka peizazhin ambiental të realizuar me mjeshtri, ashtu sikurse i portretizon bindshëm personazhet “të mirët dhe të këqijtë ”.

Mark Ukaçjerra është ndër personazhet me të realizuar e më karakteristik të filmit e të romanit, gjë që këtë figurë filmi brazilian nuk e ka fare.

Të romani i Kadaresë, Gjorg Berisha, personazhi kryesor, i cili është figurë tragjike, pranon të bëhet vrasës nga presioni i kanunit; në filmin brazilian, Tonho, figura qendrore ka karakter tjetër, ai e pranon nënshtrimin ndaj babai diktator, jo pse e respekton këtë ritual, por sepse s’ka si bën ndryshe. Çashku e ve heroin tragjik-Gjorgun nën zgjedhën e kanunit. Personazhi i Sallesit për dallim nga Gjorgu rebelohet, e braktis vendlindjen. Gjorgut të Çashkut nuk i shkon nëpër mend një mendim i tillë, e vetmja dëshirë intime e tij është ta takoj edhe një herë gruan e bukur që përfton nëpër Rrafsh. Vijat e karaktereve janë krejtësisht të ndryshme.

Në filmin “Mysafiri i paftuar” Çashku protagonist e ka shkrimtarin Besian Vorpsi, me gruan e bukur-Diana, që ngjiten në Malësi në muajin e mjaltit. Përmes shkrimtarit shpaloset drama e malësorëve dhe e Gjorgut, figurë tragjike që shkëlqen si meteorit për t’u shuar në një udhëkryq po aq shpejt, pa dramë, pa ofshama. Në filmin e Çashkut dalin edhe probleme të tjera: politike, sociale, intriga lokale dhe zemërimi i ngulfatur që pret të shpërthejë...

Shmangja nga romani hetohet edhe këtu. Në mes të Ismail Kadaresë skenarist dhe Kadaresë shkrimtar, regjisori më shumë e pranon të parin. Në këtë segment “Mysafiri i paftuar” i afrohet herë-herë filmit italian “ Krishti u ndal në Eboli” të Françesko Rosit.

Ndërkaq, filmi i Sallesit “ Behind the sun”, qëndron më afër filmit “ Padre, padrone” të vëllezërve Taviani si me vijëzimin e personazheve, babait diktator e hakmarrjes braziliane e cila është më afër hakmarrjes mesdhetare të Sardenjës, ku zhvillohet filmi “Padre, padrone” se sa frymës së romanit apo hakmarrjes shqiptare mjaftë e veçantë nga hakmarrjet e pellgut të Mesdheut.

Salles ka një qasje të veçantë ndaj Pakos, vëllait të vogël, i cili përfundon tragjikisht, sepse me vetëdije flijohet për vëllanë e madh, i cili derisa gjakësi është në kërkim të tij, bënë dashuri me vajzën e cirkut shëtitës. Çashku ka qasje të ngrohtë ndaj të motrës së Gjorgut, por ajo është personazh episodike. Nuk është personazh kryesor as Gjorgu. Filmi nis me rrugëtimin e Besian Vorpsit, kurse romani me pritën e Gjorgut. Romani e portretizon më shumë dhe më ngjyra të larmishme Gjorgun, kurse filmi përqendrohet në portretin e shkrimtarit Vorpsi, duke rrëshqitur në disa momente sociale e politike, me elemente paksa të sforcuara të patriotizmi (të vjela nga një motiv i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”). Aeroplani që endet kërcënueshëm në qiell është segment tjetër që s’ka përngjasime me romanin.

Dallimet në mes të Gjorgut të Kadaresë dhe  Tonhos së Sallesit janë të dukshme. Gjorgu është më i qetë, nuk bënë asnjë përpjekje ta kundërshtoj, edhe më pak i shkon nëpër mend që të mos e zbatoj Kanunin, përderisa Tonho nuk pajtohet me ligjin e hakmarrjes, nuk pajtohet as më qëndrimin e ashpër të babait. Veprimet e brazilianit janë po aq të pavullnetshme sa edhe veprimet e Gjorgut, mirëpo përderisa ai vepron sepse nuk e përballon dot presionin e babait të egër, Gjorgu vepron sepse nuk i shkon nëpër mend se mund të bëjë ndryshe. Gjorgu është i vetmuar,  Tonho ka një vëlla që bashkëjeton me fatkeqësinë e tij. Gjorgu heshtazi i kryen veprimet në mënyrë të pavullnetshme, por me përpikëri, ai nuk e përjeton mujshar as babanë, as mjedisin. Ashtu e thotë kanuni, ashtu duhet vepruar. Dhe kjo është punë e kryer për ç’gjë ai nuk e lodh kokën, as nuk mendon më gjatë.

Subjekti i filmit ‘Bihand dhe sun” në pjesën më të madhe ta kujton filmin “Padre, padrone” të Tavianit, ta kujtoin jetesën në ishullin e Sardenjës, ashtu sikurse ta kujton hakmarrjen mesdhetare, por paksa të zvetënuar me skenat natyraliste në moçalet e Brazilit. ‘Prilli i thyer’, është vetëm motivi, fryma, por jo romani, sepse pos shmangieve të dukshme dramaturgjike, ndryshimit të ambientit, gjeografisë e të kohës se veprimit të ngjarjes, ka edhe degëzime të tjera, të cilat janë ndryshe nga frymëzimi bazë- romani i Kadaresë.

Megjithatë disa nga veprimet paralele sikur të zgjojnë asociacione me romanin: personazhi kryesor takohet me një grua akrobate cirku, në të cilën dashurohet, Gjorgu dashurohet në shikim të parë në Dianen, vetëm në përftim, mirëpo ai përftim bëhet fatkeqësia e tij, sepse ai nis kërkimin e saj nëpër të gjitha rrugët e Rrafshit. Kështu, përfundon në një rrugë të madhe, mu si viktima e tij një muaj më parë.

Fundi i filmit ‘Bihand... ‘ është ndryshe nga romani. Djaloshi i rebeluar me t’u vrarë gabimisht vëllai i vogël në vend të tij, e braktisë familjen. As fundi i filmit ‘Mysafiri i paftuar” nuk është i njëjtë  më romanin.

*

Sipas Eriona Vyshkes nga filmi “ Mysafiri i paftuar” janë hequr disa skena me peshë, të cilat janë ri xhiruar, sidomos nga ajo që e përshkruan në punimin e saj sekuenca e shkëputjes së shpirtit nga trupi i Gjorgut, sikur të lihej do ta fuqizonte filmin, duke i dhënë imazhe që nuk ishin parë deri me atëherë në filmin shqiptar. Janë edhe disa sekuenca të tjera që janë censuruar. Në praktikën e Holivudit, Çashku do ta bënte remiksin, duke futur skena që janë hequr nga censura. Këtë e ka bërë Frensis Ford Kopla në filmin ‘Apokalipsa tash”. Njëzetë e ca vjet më vonë ai fut 45 minuta sekuenca të censuruara. Fatkeqësisht sekuencat e censuruara të filmit të Çashkut, nuk janë ruajtur,  janë djegur, kështu që nuk mund të bëhet si në praktikën e Holivudit.

Sidoqoftë filmi është adaptim, ri lexim interesant i romanit të Kadaresë, pavarësisht shtrëngesave të kohës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora