E diele, 10.11.2024, 06:01 PM (GMT)

Faleminderit

Murat Gecaj: Bedri Dedja - 10-vjetori i ndarjes

E enjte, 17.04.2014, 06:22 PM


10-vjetori i ndarjes nga jeta:

PROF. BEDRI DEDJA-AKADEMIK: KRIJUES, STUDIUES E BOTUES SHUMËPLANËSH,  AUTOR I SHQUAR I SHEKULLIT XX

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

1.

Në kujtimet e jetës së tij, Prof. Bedri Dedja ka shënuar se lindi më 20 nëntor 1930. Aty shprehej: “Unë ndjehem krenar që linda në Korçë, në djepin e arsimit kombëtar laik, në Korçën që ishte…mbretëreshë e artit dhe e shkencës, trimëreshë e atdhetarizmit në kohët që shkuan dhe në kohën e sotme”. Gjimnazin e mbaroi në Durrës, më 1949, kurse Shkollën e Lartë në Moskë, më 1953, në dy degë njëkohësisht: psikologji-pedagogji dhe letërsi për fëmijë.

Së pari, e emëruan pedagog për psikologjinë dhe historinë e pedagogjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës. Siç ka shkruar vetë, aty “ndezi gjeneratorët e ambicies fisnike profesionale”. Rreth 40 vjet rradhazi ka punuar pedagog i psikologjisë në shkollat e larta të vendit tonë. Prandaj ishte e natyrshme, kur ai kujtonte me kënaqësi se: “Edhe sot më thonë  ish-studentët e mi, pas disa dekadave, se kam ligjëruar bukur në auditor, që në vitet e para të Institutit”.

Me ndarjen e fakulteteve në ILP të Tiranës dhe krijimin e dy dekanateve të reja,   kur ishte vetëm 24 vjeç, prof. B. Dedja u emërua dekan i Fakultetit Histori-Filologji.  Në atë periudhë, ai kishte nisur të bënte emër me shkrimet e tij në shtypin e kohës dhe si veprimtar i rinisë. Kështu, në verën e vitit 1954, e dërguan për pushime me një grup fëmijësh në  Varna të Bullgarisë dhe më 1957 ishte  në Moskë me delegacionin shqiptar, në Festivalin Botëror të Rinisë dhe më 1962, po në një festival të tillë, në Finlandë. Më pas u ftua të merrte pjesë dhe në Kongresin e Parë të Psikologëve Sovjetikë etj. Me krijimin e Universitetit të Tiranës, më 1957, plot pasion dha leksionet e psikologjisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë.

2.

Në vitin 2001 u vu në qarkullim libri me kujtime i prof. Bedri Dedjes, me titullin tërheqës “Nëper ravat e jetës”. Në hyrjen e tij njëfaqëshe, ndër të tjera, autori shkruante: “”Nëpër ravat e jetës”! Kështu më është dukur më e arsyeshme që ta quaj librin tim të kujtimeve. Sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe”…fjala “ravë” ka kuptimin e rrugëve të dhive në mal, ose të gjurmëve në borë. Më është dukur se rrugët e mia të jetës ngjasojnë më shumë me “ravat”. Sidoqoftë, këtë do ta dëshmojë më mirë lexuesi, i cili, besoj, do ta trajtojë me dashamirësi këtë libër…”.

Më kishte treguar Profesori i paharruar se librin e mësipërm e kishte dërguar në shyp dhe prisja me padurim daljen e tij. Pas vonesave të njohura të botimeve tona, më në fund, ai pa dritën e botimit. Për këtë gjë, më njoftoi menjëherë dhe shkova ta  përgëzoja. Përpra më vuri librin e tij të ri, si dhuratë për miqësinë tonë 45-vjeçare, ku kishte bërë dhe një shënim me fjalë aq të ngrohta e dashamirëse. Menjëherë vura re kënaqësinë e madhe, që ndjente dhe njëfarë lehtësimi shpërtëror. Kjo ishte e natyrshme, sepse në ato 525 faqe ishte “rrëfyer” përpara lexuesve, si në asnjë libër të tijin të mëparshëm.

Siç shkruante në kujtimet e veta, në prill-maj 1945, ai kishte nxjerrë revistën  e fëmijëve të qarkut të Durrësit, “Flamurtari i vogël”, që i kishte shërbyer si shkolla e parë në fushën e publicistikës dhe botimeve, pra e “nxiti drejt letërsisë së vërtetë”. Më tej, ndër faqet më interesante janë dhe ato, që ka përshkruar periudhën e punës si kryeredaktor i parë i gazetës arsimore-kulturore “Mësuesi”, që nga viti 1961, kur doli si botim i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Në numrat e parë të asaj gazete, pra kur isha ende student, nisa të botoja aty dhe unë shkrimet e mia modeste. Si dhe mjaft mësues e bashkëpunmëtorë të tjerë, kurdohere gjeta te Prof.Bedriu mbështetje, nxitje e dashamirësi, si publicist e padagog i talentuar që ishte.

 

Sigurisht, libri jetëshkrimor i prof. Bedri Dedjes u mirëprit nga lexuesit tanë, të dhënë pas letërsisë dokumentare, nga miqtë e të njohurit e tij të shumtë në Shqipëri, në Kosovë e më gjerë. U botuan dhe artikuj vlerësimi nga lexuesit e studiuesit tanë në shtypin tonë, si në gazetat “Mësuesi”, “Drita” etj. Tani, që këtë pedagog, shkrimtar dhe studiues të mirënjohur nuk e kemi më ndërmjet nesh, tash plot 10 vjet, pra që nga data 13 prill 2004, ndiejmë se vlerat e këtij libri rriten, bashkë me mallin e pashuar të familjarëve dhe  të të afërmve, kolegëve gazetarë dhe të fushës së arsimit, të ish-studentëve të panumërt dhe të gjithë atyre, që e kanë njohur ose kanë shfletuar krijimet e tij të rralla.

3.

Veprimtaria e prof. Bedri Dedjes në fushën e shtypit pedagogjik pati hapësira të mëdha  me shkrimet e tij të shumta dhe me vlera pedagogjike-psikologjike në gazetën “Mësuesi”, si dhe në revistën “Arsimi Popullor”. Vetë u kujdes që, nën okelion Biblioteka e “Mësuesit”, të publikoheshin shkrime me sa më shumë vlera për arsimin kombëtar shqiptar dhe sidomos për historinë e tij. Veçanërisht ai i dendësoi punën studimore-pedagogjike dhe botimet në këtë drejtim, pas emërimit të tij më 1965, drejtor i Institutit të Studimeve dhe Botimeve Shkollore. Një vit më pas botoi librin “Mbi rrugët e perfeksionimit të sistemit të sotëm të edukatës familjare”. Më vonë atë e dërguan drejtor i Drejtorisë së Studimeve dhe Botimeve Shkollore, në Ministrinë e Arsimit e Kulturës. Në mbarimin e vitit 1970 e caktuan në detyrën e zv.ministrit të Arsimit e Kulturës, nga u largua në nëntor 1972.

Me fillimin nga puna të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 6 dhjetor të atij viti, atë e ngarkuan me detyrën e sekretarit shkencor të saj. Këtë detyrë e kreu mbi dy vjet, me ndërgjegje të plotë dhe aftësi të lartë profesionale. Më pas edhe prof. Dedjen e përfshiu “vala” e shkurtimeve dhe e qarkullimeve “vullnetare” për në bazë. Kështu, më 25 gusht 1975, e nisi punën pedagog në ILP të Elbasanit (tani Universiteti “A.Xhuvani”). Pas disa ecejakeve e shqetësimeve të njohura për kohën, prof. Bedri Dedja mundi të kthehej familjarisht nga Elbasani dhe në qershor 1980 e nisi punën përsëri pedagog në Universitetin e Tiranës.

4.

Bedri Dedja është  shkrimtari më prodhimtar dhe më popullor i letërsisë shqipe për fëmijë, veprimtari të cilën e nisi që në rini.  Ka krijuar e botuar dhjetëra vepra origjinale për fëmijë dhe 33 përshtatje e përkthime, nga letërsia klasike botërore për moshat e vogla dhe të reja.  E kush nuk i ka lexuar veprat e tij të njohura, si: “Heroizmat e fatbardh Pikaloshit”(1954), “Kalamajt e pallatit tim”,“Një udhëtim i rrezikshëm”, “Shkolla e pyllit”(që më 1970 mori “Çmimin e Republikës”), “Republika e 1.100 çudirave”, “Qyteti me tri kështjella”, “Përrallëmadhja” etj. Shumica e tyre janë ribotuar disa herë në Shqipëri e në Kosovë dhe janë përkthyer në gjuhë të huaja. Vetëm gjatë qëndrimit me punë në qytetin e Elbasanit, botoi tre romane për fëmijë, një novelë fantastike-shkencore e dy poema, një vëllim me kritika letrare, shkroi dy drama që u shfaqën në teatrin “Skampa” etj.

Kujtim i paharruar për të ishte vizita e parë në Kosovë, që e bëri në vitin 1973. Një miku i tij kosovar, poeti Agim Deva do t’i dërgonte, shumë vite më vonë, një libër me autografin-vjershë, ku ndër të tjera thoshte: “A të kujtohet, xhaxhi Bedri,/ kur i shndërronim vargjet në fëmijë,/ ne të dëshronim këtu në Kosovë,/ ne na dëshroje në Shqipëri…”. Pas çlirimit të Kosovës, bile dhe pak ditë para se të ndahej nga jeta, e vizitoi disa herë Kosovën dhe kudo u mirëprit me dashuri për meritat e shumta të tij, si pedagog, shkrimtar e studiues.

Prof.Dedja, si mjaft intelektualë bashkëkohës, ishte mjaft i lodhur nga jeta dhe i ngarkuar nga krijimtaria intensive. Por gjithnjë mbeti me vullnet të çeliktë dhe i papërkulur. Kështu, nuk iu nda punës dhe veprimtarisë krijuese, letrare e shkencore, duke qenë një ndër anëtarët e bashkëpunëtorët më aktivë të  Akademisë së Shkencave, të Ministrisë së Arsimit e Shkencës, Institutit të Studimeve Pedagogjike dhe Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve. Kujtojmë këtu, p.sh., se në vitin 2003 u botua vepra madhore “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”, ku ai ishte autor kryesor dhe përgjegjës i redaksisë. Kam pasur fatin që, në atë periudhë të jetës, të bashkëpunoj me të. Gjithëherë, ndieja aftësitë e tij të rralla dhe horizontin e gjërë, taktin e punës në kolektiv e tjera.

Po kështu, në kuadrin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ai drejtoi redaksinë e arsimit për ripunimin e “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”; kryesoi bordin e vlerësimit të botimeve letrare-publicistike për fëmijë, pranë MASH, ku gjithashtu kam bashkëpunuar me të etj. Ishte kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Psikologëve dhe kryetar nderi i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për fëmijë e të rinj. Gjithashtu, ishte bashkëpuntor pranë Universitetit të Kembrixhit për hartimin e biografive të njerëzve të shquar dhe emri i tij renditet ndërmjet anëtarëve të Lidhjes Botërore të Shkencave Pedagogjike. Për arsye financimi, i mbeti pa realizuar projekti për organizimin e Kongresit të Parë  Mbarëshqiptar të Psikologëve.

Prof. Bedri Dedja ka botuar mjaft vepra shkencore dhe tekste për shkollat e larta në fushën e pedagogjisë, psikologjisë dhe historisë së arsimit e të mendimit pedagogjik shqiptar, ndër të cilët përmendim librin “Sekretet e talentit”. Ka marrë pjesë në shumë tubime kombëtare e ndërkombëtare, ku janë shqyrtuar probleme të ndryshme të psikologjisë e pedagogjisë dhe të letërsisë për fëmijë etj. Është për t’u shënuar se edhe në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972) lexoi punimin e tij, me temë: “Rreth akselerimit psikik dhe ndikimit të tij në mësimin e gjuhës letrare”.

Për të ktijuar një përfytyrim më të plotë për veprim,tarinë e gjerë krijuese e botuese të Prof.Bedri-Dedjes, përmbledhurazi, po japim disa të dhëna. Kështu, ai ka botuar 4 novela për fëmijë (që nga “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”), 10 vëllime me tregime e përralla (që nga “Përralla popullore për kafshët”), 9 vëllime me vjersha e poema (që nga “Numrat”), 13 romane e 2 pjesë teatrore për fëmijë (që nga “Shoku i braktisur” dhe deri te “Presidenti i Planetit të Kuq”-2006), 3 libra publicistikë (“Biseda me pionierët”-1986 ; “Nëpër ravat e jetës – Kujtime”-2001 ; “Duke ecur kontinenteve - Përshtypje udhëtimesh”- 2004) dhe 13 libra për fëmijë të përkthyer nga rusishtja.

Po kështu, ka botuar 14 studime dhe vepra shkencore (autor e bashkautor), në fushën e arsimit dhe edukimit e me tematikë shoqërore, deri te “Sektreti i talentit” (1998).

Megjithëse në moshën  mbi 73-vjeçare, por i rënduar nga gjendja shësndetësore, kishte shumë plane për botime të reja. Ai pohonte: “Kam dosjet e krijimeve, që kam përgatitur plotësisht ose jo për t’i botuar si libra më vete. E nuk janë pak, janë me mijëra faqe, që edhe i përfshin edhe nuk i përfshin bibliografia ime...”.

Ishte ngjarje e veçantë për të gjithë ish-kolegët e ish-studentët, bashkëpunëtorët dhe të njohurit e shumtë dashamirë të tij, që në prill 2009, më rastin e 5-vjetorit të ndarjes së  Prof. Bedri Dedjes përgjithnjë nga ne, të përurohej në kryeqytetin Tiranë një tjetër vepër dinjitoze e tij për fëmijë. Ajo mban titullin “Presidenti i Planetit të Kuq”.

Në nderim të jetës dhe veprimtarisë së gjerë e shumëplanëshe të prof. Bedri Dedjes-Akademik, në vitin 2010  u botua përmbledhja me mjaft shkrime, nga kolegë, miq e familjarë të tij, me titullin “Bedri Dedja, në kujtesën tonë”, të cilin pata kënaqësinë ta përgatisja për shtyp.

Në 70-vjetorin e lindjes, Presidenti i Republikës i dha prof. Bedri Dedjes-Akademik, titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Më parë, ishte nderuar dhe me “Çmimin e Republikës” dhe me mjaft dekorata e çmime të tjera: për jetën e shkrirë në shërbim të arsimit kombëtar, për letërsinë dhe shkencën shqiptare. Prandaj emri dhe vepra e tij do të mbeten përherë të gjalla në kujtesën e brezave tanë.

Tiranë, 13 prill 2014



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora