E enjte, 10.10.2024, 07:53 AM (GMT+1)

Përjetësi » Ismajli

Nuhi Ismajli: Filozofët e tjetërsimit kombëtar

E marte, 11.03.2014, 08:36 PM


Filozofët e tjetërsimit kombëtar

Nga Nuhi Ismajli, Gjuhëtar

Njëqind e sa vjet pas përfundimit të njërës nga robëritë më të rënda e shumëshekullore mbi shqiptarët-robërisë turke- në një kohë kur trashëgimtarët e pushtuesve turq, siç e konsiderojnë vetveten tani qeveritarët e diplomatët e ndryshëm turq, duan ta ringjallin Perandorinë e dikurshme Osmane, në një kohë kur disa “shqiptarë” në pushtet (në Kosovë) ndërrojnë tekstet shqipe, sipas kërkesave turke dhe (në Shqipëri e Kosovë) i bashkohen strategjisë neo-osmane turke, duke marrë atë edhe si strategji “kombëtare shqiptare”, në një kohë kur edhe ata që janë marrë aq gjatë e me përkushtim me urtinë kombëtare e njerëzore, e edhe janë mburrur e afirmuar si figura kombëtare e intelektuale shqiptare, veçmas duke u marrë me studimin dhe përhapjen e urtisë kombëtare të rilindësve, kanë heshtur, sikur të mos ishin më ata të mëparshmit dhe, mbase edhe e kanë braktisur idealin e orientimin e tyre të mëparshëm, apo, mbase, edhe janë penduar për përkushtimet e tyre të mëparshme, etj., pikërisht në këtë kohë, më shumë se asnjëherë më parë, u ringjallën shërbëtorët e dikurshëm “shqiptarë” të pushtuesit turk.

Me vullnetin dhe krenarinë e tyre të paturpshme po përpiqen t’i bindin shqiptarët se model ideal i jetës së tyre është realiteti i jetës shqiptare i kohës së robërisë turke, kurse ideali i tyre-ideali i tjetërsimit të tyre kombëtar në turq. Këta filozofë të marrë të marrëzisë, tanimë, sipas filozofisë së pushtuesit dhe tezave më antinjerëzore e antishqiptare, kanë krijuar shkollën e tyre, sipas së cilës mbajnë ligjëratat e përditshme dhe përhapin “urtinë” e tyre e “i mësojnë” shqiptarët si duhet të fshijnë kujtesën e tyre historike, të harrojnë ç’kanë qenë e çka duhet të jenë, pra edhe ta likuidojnë vetveten me besime të marra dhe, në kundërshtim me arsyen njerëzore, të besojnë se pushtuesi nuk është pushtues, po çlirues, se robëria nuk është robëri, po liri, se nuk duhet të lakmojnë lirinë dhe përparimin si gjithe popujt e botës, po integrimin me ripushtuesit dhe jetën nën sundimin e tyre.

Për filozofët e marrë të marrëzisë, të dhënat shqiptare për të kaluarën dhe qëndrimin njerëzor e kombëtar të tyre, nuk qëndrojnë dhe nuk kanë asnjë vlerë. Sipas tyre, të dhënat e shqiptarëve p. sh. për pasojat e pushtuesit turk dhe robërinë shumëshekullore turke mbi shqiptarët nuk janë të vërteta. Prandaj, sipas filozofëve të marrë të marrëzisë nuk duhet t’iu besojmë as të dhënave të shqiptarëve të kohës së pushtimit e të robërisë turke, ndonëse ata jetuan e përjetuan atë kohë dhe nuk patën nevojë të gënjenin, po lanë dëshmi, si një mësim për të ardhmen.  Kështu, sipas këtyre “filozofëve” nuk duhet t’i besojmë çka thotë Barleti, Beçikemi, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdanët…Nuk duhet t’iu besojmë as të dhënave të aty-këtushme të ndonjë bejtexhiu. Nuk duhet t’iu besojmë, sipas këtyre “filozofëve”, as të dhënave të rilindësve, se ç’thonë lidhur me robërinë turke mbi shqiptarët dhe rezistencën e shqiptarëve kundër asaj robërie, por t’i besojmë asaj që thonë ata, se turqit ishin çlirimtarët e shqiptarëve, se shqiptarët nuk ishin kundër pushtuesit e robërisë turke, po ishin me vetë-dëshirë të integruar me ta e marrëzi të tjera.

Pra, sipas filozofëve të marrë të marrëzisë, nuk duhet t’iu besojmë as dëshmitarëve të gjallë të realitetit shqiptar nën sundimin osman, pra, sipas tyre, nuk duhet t’i besojmë as S. Frashërit, i cili jetoi e përjetoi vetë atë kohë dhe, ndër të tjera, na tregon për gjendjen në të cilën ishin katandisur shqiptarët nën robërinë turke (“Sot, shumë Shqiptarë, nëntëdhjetë për qint, mund të themi, s’janë Shqipëtarë as me mënt as me zemrë; kombin’ e tyre e gjuhënë s’e duanë as e nderojnë; s’duan të këndojnë’ e të shkruajnë në gjuhët të tyre, edhe shumë kanë turp edhe të flasin shqip!”, në: “Sami Frashëri: “Shqipëria…”, Rilindja, Prishtinë, 1978, f. 103). Filozofët e marrë të marrëzisë, përpiqen t’i bindin shqiptarët të mos iu besojnë, madje, as të dhënave të autorëve turq, lidhur me pushtimin turk mbi shqiptarët dhe përjetimet e pësimet e shqiptarëve nën robërinë turke. Kështu, sipas filozofëve të marrë të marrëzisë, shqiptarët nuk duhet t’i besojnë as asaj që rrëfen p.sh.. kronikani turk Tursun beu, lidhur me atë se çfarë përjetuan shqiptarët nga pushtimi turk:

“Me ndihmën e më të Lartit, pushtuan çdo strehë që mësynë dhe grabitën e plaçkitën kaq shumë pasuri frymore e jofrymore, saqë djelmosha me tipare engjëllore dhe vasha me pamje hyrish, që vlenin tre a katër mijë aspra, krijesa të këndshme me tipare të tilla që mjaft që t’i shihje në fytyrë që të ikte mendja, shiteshin vetëm për tre apo katërqind aspra. Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra. (…)Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë të pafetë…të gjithë djemtë dhe vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë. Në çdo vendqëndrim, në prani të Sundimtarit, u ekzekutuan me një të rënë shpate aq shumë të pafe sa qe e pamundur të llogariteshin” (“Kronikat e Tursun Beut”, Tiranë, 2011, f. 150-154). Sipas filozofëve të marrë të marrëzisë, lidhur me pushtimin e robërinë turke mbi shqiptarët dhe përjetimet e qëndrimet e shqiptarëve ndaj asaj robërie, nuk duhet t’i besojmë as kronikanit tjetër të kohës, Qemal Pashë-Zadesë, i cili, në kronikën e tij, ndër të tjera, shkruan se “me urdhër të padishahut u vra pa mëshirë, cilido që u zu gjallë, vendi u plaçkit tmerrësisht, gratë dhe fëmijët u morën robër”.

Ata i kanë shpallur luftë një filozofie të tërë të urtë njerëzore e kombëtare dhe përpiqen t’i bindin shqiptarët të braktisin urtinë e tyre kombëtare. Ata nuk pëlqejnë urtinë dhe idealin njerëzor e kombëtar të njeriut që të jetë i lirë dhe i përparuar.Filozofia e tyre është ta duash pushtuesin e robërinë dhe të jesh i pushtuar e i tjetërsuar. Prandaj, si të tillë, nuk brengosen pse dalin në kundërshtim me gjithë synimin njerëzor dhe në kundërshtim me qëndrimin, përpjekjet dhe idealin gjithënjerëzor, pra edhe të shqiptarëve. Filozofëve të marrë të marrëzisë iu duket vetja më njerëzore, më kombëtare dhe më e urtë se uni i shqiptarëve që kundërshtoi robërinë turke (e të tjera robëri). Iu duket vetja edhe më njerëzore, më kombëtare e më e urtë edhe se ideologët shqiptarë: Barleti, Beçikemi, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdanët, De Rada, Naimi, Samiu…Iu duket vetja edhe më njerëzore, më kombëtare dhe më e urtë, madje, edhe se Naimi, Samiu e të tjerët, të cilët vetë e jetuan e përjetuan kohën e robërisë turke, e se jetuan edhe në qendrën e perandorisë, po kurrë nuk e lanë porosinë se shqiptarët duhet të integrohen me pushtuesin e të pranojnë tjetërsimin.

Përkundrazi, veprat e tyre, siç dihet, ngrenë lart pikërisht shqiptarin i cili e ndjen veten shqiptar, i cili lufton kundër pushtuesit dhe siguron lirinë e përparimin e vet. Thirrja antinjerëzore dhe antishqiptare, që shqiptarët të integrohen me turqit, që strategjia e shqiptarëve të jetë strategjia turke etj., është një marrëzi aq e dukshme, sa, për një njeri normal, as që duhet një shpjegim i posaçëm. Sepse, ku ka thirrje më absurde se thirrja që të gjithë ata me besim të njëjtë me turqit, të bëhen turq?! Propaganda e sotme antishqiptare për integrimin e shqiptarëve me turqit dhe turqizimin e tyre është vazhdimësi e propagandave dhe përpjekjeve të hershme antishqiptare për zhbërjen e qenies shqiptare dhe, si e tillë, është njëra prej propagandave speciale antishqiptare të njohura prej kohësh. Prandaj, tani, kur është ringjallur dhe synon të imponohet me ngulm e keqja e së kaluarës së kohës së robërisë, mjafton të sjellim ndërmend urtinë shqiptare të asaj kohe, e cila është drita e vetme e një të ardhmeje të denjë njerëzore e kombëtare.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora