Përjetësi » Ismajli
Nuhi Ismajli: Folklori si përbërës i hershëm i identitetit shqiptar
E shtune, 18.12.2010, 08:59 PM
Folklori si përbërës i hershëm i identitetit shqiptar
Nga Nuhi Ismajli
Ndërtimi i hershëm i identitetit kombëtar shqiptar provohet edhe nëpërmjet folklorit.
Shqiptarët kanë një folklor të lashtë, siç e dëshmojnë përmbajtjet dhe llojet e tij.
Krijime shumë të lashta të folkorit shqiptar, siç e dëshmojnë përmbajtjet e tyre, janë legjendat dhe baladat e ndryshme shqiptare, si dhe këngët e motmotit.
Këngët e kreshnikëve, të cilat, ndër të tjera, janë të lidhura edhe me cilësitë etnike dhe me të drejtën zakonore, sipas studiuesve, mendohet se janë krijuar brenda shek. XII-XV (His.e let.shq. I-II), apo, mbase, kanë filluar të krijohen edhe më herët, që në mijëvjeçarin e parë (H. Baçi).
Mjaft elemente lashtësie dëshmojnë edhe vjetërsinë e vajeve e gjëmëve shqiptare, për të cilat, si traditë, në shek. XVII, na flasin edhe P. Budi e Evlija Çelebi. Të lashta janë edhe ninulat shqiptare, si dhe këngët e dasmës, si e dëshmojnë në to zakonet e besimet e lashta, gjurmët e martesave në grupe, gjurmët e rrëmbimit, shitblerjes etj.
Por, të vjetra, siç dëshmohet nga bashkëkohësit e tyre dhe nga autorët e mëvonshëm, janë edhe këngët për Skënderbeun, Arianitin, Lekë Dukagjinin etj.
M. Barleti, në veprën His. e Skën., na flet drejtpërdrejt e disa herë me radhë se çdo fitore e këtij fatosi kthehej në një festë me këngë e valle nga populli ynë (H. Baçi).
Antonio Sabeliko, historian italian, bashkëkohës i Skënderbeut (1436-1506), dëshmon se:”Populli i tij, i ushqyer me dashuri dhe admirim, shihte diçka që është mbinjerëzore dhe kujtimin e udhëheqësit të tij e përkujtonte me këngë” (F.S.Noli etj.).
Delegati apostolik, M. Bici, pohon se këngët për Skënderbeun këndoheshin në Lezhë, pikërisht para hundës së pushtuesit, akoma më 1610 (M. Bici).
F. Bardhi, më 1636, në Apologjinë për Skënderbeun, na dëshmon për ekzistencën e këngëve mbi heroin (His.e let. shq. I-II).
F. Bardhi, na ka lënë edhe një dokument të vlershëm përkitazi me ekzistimin e këngëve për Skënderbeun dhe Lekë Dukagjinin. Ai, në një relacion dërguar Vatikanit në qershor të vitit 1637, pos të tjerave, shkruan edhe për malësorët e Pukës, që, si thotë: “Sipas zakonit të të moçmëve ndër gostitjet e veta, në rrugë e në punë, këndojnë me za të lartë trimëritë e burrave të tyre të mëdhenj dhe sidomos të pathyeshmit Gjegj Kastriotit, dhe të shkëlqyeshmit Lekë Dukagjinit, princit dhe zotnisë së tyne…” (I. Zamputi).
Gjithashtu, shumë të vjetra konsidrohen edhe këngët, si dhe gojëdhënat për Gjorg Golemin (His. e let. shq. I-II) etj.
Folklori i lashtë shqiptar, në veprat e autorëve të huaj
Tema, motive e personazhe të lashta të folklorit shqiptar dëshmohen edhe nëpërmjet veprave të vjetra të autorëve të huaj.
Kështu, në veprën Florimont, e cila u përfundua më 1188, kemi botën shqiptare (M. Zeqo), Zanën, si një personazh mitologjik, e cila mbron Florimontin, ngjashëm siç ndihmojnë zanat Mujin në këngët kreshnike (Po aty).
Legjenda për mbretin Kandiobras, i cili edhe për Shqipërinë kishte caktuar si haraç të përditshëm për të ngrënë “një njeri të gjallë e një ka”, në këtë vepër, është legjendë krejt e ngjashme me legjendën për bajlozin e legjendës për Gjegj Elez Alinë, siç është e ngjashme legjenda për duelin e Florimontit me Kandiobras dhe fitorja kundër mbretit përbindësh, me legjendën për ndeshjen e Gjergj Elez Alisë me bajlozin e detit dhe fitoren kundër tij.
Lidhur me këtë, me të drejtë, studiuesi M. Zeqo, thotë: “S’duhet harruar, përkundrazi, se lufta e heroit durrsak Florimont kundër kërkesave skllavëruese, tipike feudale, të kujton jo rastësisht motivin e madh të eposit mesjetar shqiptar të këngës monumentale të Gj. E. Alisë”.
Legjenda e Florimontit, i cili shkon e lufton në Kartagjenë, për të çliruar nga burgu i kështjellës Klavegris babanë e tij, Mutakasin, të cilin e ka zënë rob mbreti i vendit,
është një rrëfim i njëjtë me atë për Omerin e këngëve kreshnike, i cili shkon dhe i çliron kreshnikët nga burgjet e krajlave, harambashëve, kapitanëve.
Motiv i njëjtë është edhe motivi i paraqitjes së Florimontit me plagë të rënda, të cilit mbi kokë i rrinte Zana mbrojtëse, me motivin e këngës së Gjergj Elez Alisë, ku heroit me nëntë plagë në trup, i rri mbi kokë e motra etj.
Florimont, një hero i veprës së shek. XII, është një hero durrsak dhe i njëjtë me heronjtë e këngëve kreshnike shqiptare. Legjendat e veprës Florimont, të autorit francez, Aimon de Varannes-it, vendosen gjithashtu në gjeografinë shqiptare.
Motive të folklorit shqiptar gjinden edhe në veprën Kënga e Rolandit, vepër e shkruar në fund të shekullit XI (L. Rama). I tillë është p.sh. motivi i vdekjes së personazhit nga një lajm i hidhur ose metamorfizimi i tij në diçka tjetër, që tregon mjerimin e tij të madh shpirtëror (L. Rama) etj.
Dëshmitë, informacionet e të huajve për ekzistencën e folklorit shqiptar janë mjaft të hershme. Kështu, dëshmi, informacione për ekzistencën e pasurisë artistike të popullit tonë i ndeshim te studiuesi bizantin Kristobuli i Imbros, te historiani venedikas Sabeliki etj.
Kristobuli i Imbros, historiani bizantin, më 1450, në shkrimin për rrethimin e parë të Krujës, thotë se shqiptarët, për të mos rënë në dorë të turqve gremiseshin në greminë. Ky pohim i tij dokumentohet në tregimin popullor krutan për vajzat që janë hedhur në lumin Dro (H. Baçi).
Por, edhe kronikanë të tjerë të kohës së Skënderbeut, na flasin për një prodhim të tërë folklorik të krijuar rreth heroit kombëtar Skënderbeut (His.e let. shq. I-II).
Një nga ata, siç u përmend edhe më parë, është edhe historiani italian e bashkëkohësi i Skënderbeut, Antonio Sabeliko, i cili, në udhëpërshkrimin e tij të vitit 1474, tregon se populli i këndonte Skënderbeut.
Interesimi, përmendja, mbledhja dhe botimi i folklorit shqiptar
Kanë shënuar dhe shfrytëzuar tema e motive të folklorit shqiptar, të huajt, siç u përmend më parë, por kanë përmendur, kanë shënuar dhe e kanë shfrytëzuar folklorin shqiptar, mjaft herët, edhe autorët shqiptarë.
Interesimi i shqiptarëve për mbledhjen, shënimin, botimin dhe shfrytëzimin e folklorit shqiptar është mjaft i hershëm.
Prandaj, interesimi për folklorin shqiptar, shënimin, botimin dhe shfrytëzimin e tij, nuk ka filluar vetëm në kohën e formimit të folkloristikës, si shkencë, as vetëm në kohën e interesimeve romantike për folklorin, po shumë kohë më parë.
Kështu, edhe kërkimi dhe kulti i folklorit shqiptar, me rëndësi për ndërtimin identitar, siç mund të dëshmohet, ka filluar mjaft herët.
M. Barleti, në veprën e tij na flet për këngët shqiptare për Skënderbeun, për legjendën e ndërtimit të Kalasë së Rozafatit etj.
Legjendën e kështjellës së Shkodrës, në veprën Rrethimi i Shkodrës (1501, 1504), M. Barleti e tregon në bazë të kronikave vendëse më të vjetra (His. e let. shq. I-II).
Kronikanë të ndryshëm të kohës dhe shkrimtarë të mëpastajmë flasin për një prodhim të tërë folklorik që u krijua rreth heroit kombëtar Skënderbeut (Po aty), siç u përmend edhe më parë.
Interesimin për folklorin shqiptar e hasim edhe gjatë shek. XVII.
Kështu, Pjetër Budi, në Rituli roman (1621), në mes të tekstit të përkthyer, bëri një përshkrim të gjëmës së malësorëve në vdekje ( Baçi, 42).
Por, një interesim shumë të vetëdijshëm për folklorin, ngjashëm me atë të Akademisë Franceze, e shohim te F. Bardhi, i cili, në veprën e tij Dictionarium…(1635), botoi disa proverba e përshëndetje (His. let. shq. I-II ), shumica e së cilave janë të shënuara nga goja e popullit shqiptar.
Pjetër Bogdani “Po ashtu është mbledhës i kujdesshëm i gojëdhënës popullore. Ai shënon traditën gojore mbi prejardhjen e kelmendasve, të cilët në këtë kohë ishin në ballë të luftës kundër turqve (His. e let. shq. I-II).
Në pjesën e parë të shek. XVIII, tek arbëreshët, i pari me mbledhjen e folklorit është marrë Nikollë Filja, prej të cilit na ka mbetur një dorëshkrim me 18 këngë legjendare dhe lirike të kolonive arbëreshe të Siqelisë, nga ishte vetë mbledhësi. Filja i quan ato “këngë të pleqërisë” - për të treguar se ato janë të vjetra (His.let. shq. I-II) etj.
Shfrytëzimi i folklorit në krijimet e hershme shqiptare
Edhe shfrytëzimi i folklorit në veprat e shkruara është mjaft i hershëm, sikundër edhe vetëdija e shkrimtarëve për vlerën e shfrytëzimit të tij. Barleti, Bardhi e të tjerë krijues të hershëm, kanë ditur dhe çmuar vlerën e letërsisë gojore, prandaj edhe e kanë inkuadruar e shfrytëzuar në veprat e tyre.
Legjenda të shumta ka në veprën His. e Sk., të Barletit, kurse disa momente të jetës së Skënderbeut, biografi i tij, Barleti, i paraqet të veshura me petkun mitologjik (Xh.Cani).
Në veprën e tij Rrethimi i Shkodrës (1501, 1504), Barleti tregon edhe një legjendë për ndërtimin e kalasë së Rozafatit (His. e let. shq. I-II), kurse historinë dhe origjinën e Shkodrës, në veprën e përmendur, përveç tjerash, e ka dhënë edhe në bazë të gojëdhënës (His. e let. shq. I-II).
Buzuku, mund të thuhet se, në veprën e tij ka inkuadruar edhe variantet gojore të lutjeve të trashëguara nga tradita (E. Sedaj).
Bardhi, thuhet me të drejtë, e kuptoi në mënyrë të admirueshme për kohën rëndësinë që mund të marrë dëshmia popullore (His. e let. shqiptare). Ai e shfrytëzoi folklorin, si një argument të dorës së parë, për të argumentuar shqiptarësinë e Skënderbeut: “Gjurmët që la heroi i madh në foklorin dhe në jetën shpirtërore të popullit të vet, për Bardhin, me të drejtë, qenë argumente të dorës së parë që provonin shqiptarësinë e Skënderbeut” (Po aty).
Në poezinë e P. Budit kemi ndikimin e elementeve të ndryshme të poezisë popullore (R. Qosja), sikundër edhe në poezinë e L. Bogdanit, i cili, “Vjershën e fillon me paraqitjen e zanës si figurë e mitologjisë shqiptare dhe simbol i frymëzimit: “Duel n’Gurit bukuria, / Zana si nji sut e naltë, / si s’kish mbrenda Veneqia / te Peshtriku muer maltë…/ Këndoi zana maje mallet, / ani zune me lodruem, / tek i thotë “vrap i Kualet”, / ndë zemërë fort gëzuem” (His.e let. shq. I-II) etj.
Autorët e vjetër, para interesimit romantik, me folklorin ilustrojnë historinë, shqiptarësinë e Skënderbeut, luftërat heroike të shqiptarëve. Kjo dmth. se inisiativat e hershme shqiptare ishin shumë të rëndësishme, shumë më të hershme sesa të popujve të tjerë, por që më vonë, pas një robërie të gjatë, u ndërprenë; shqiptarët e kishin humbur hapin në raport me të tjerët.
Një traditë e pasur, e lashtë
Shqiptarët kanë një traditë të pasur e të lashtë vendëse, e cila është shprehur në raste, vende dhe mënyra të ndryshme. Kështu, krijimet e ndryshme të folklorit shqiptar paraqesin shumë doket dhe zakonet e ndryshme të popullit shqiptar.
Por, identiteti i hershëm shqiptar dëshmohet veçanërisht nëpërmjet veprave të mëdha të traditës së vjetër zakonore shqiptare, siç janë Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Skënderbeut etj.
Doke e zakone të vjetra të popullit shqiptar, gjithashtu, mjaft herët, janë dhënë edhe në veprat e ndryshme të shkruara të shqiptarëve.
Në veprën His. e Sk. , të Barletit, p. sh. kemi zakonin e vajtimit të të vdekurit, zakonin e shkuljes së mjekrës e flokëve gjatë komunikimit të një lajmi të hidhur etj.
Kështu, sipas veprës së përmendur, Mamica, pasi thirri sipas zakonit shumë zonja, e nderoi varrimin e burrit për një kohë të gjatë me zi e lotë, që s’pushonin as ditë, as natë” (S. Prifti).
L. Dukagjini, pasi vdiq Skënderbeu, doli në shesh për të komunikuar lajmin për vdekjen e tij, duke shkulur mjekrën e flokët (“Kur e dëgjoi që po e qanin të vdekur Lekë Dukagjini, princ epirot, të cilin e kemi përmendur më lart, dolli me vrap në mes të pazarit dhe me fytyrë të pikëlluar e me zë të mbytur tha, duke çkulur mjekrën e flokët…” (Po aty).
Në veprën e tij, His. e Sk. , Barleti flet edhe për bestytnitë e ndryshme të shqiptarëve (Po aty) etj.
Vepra Pasqyra e Budit konsiderohet vepër e të dhënave të shumta etnografike (His. e let. shq.I-II). Në veprën e përmendur, mjaft faqe Budi ua kushton disa zakoneve e besimeve, të cilat vetë Budi i kritikon. Kështu, aty flitet për besimin në ëndrrat, për të hedhurit fall e të shkruarit për të gjetur ndonjë send të humbur, për të besuarit se s’është mirë kur cingërrin veshi, kur luan vetulla e krakërrin sorra (His. let. shq., I-II).
Në veprën Rituali, P. Budi paraqet gjamën e malësorëve në vdekje (His.let. shq. I-II) etj.
F. Bardhi jep imazhin e malësorit katolik, kelmendësve, besnikërinë dhe karakterin luftarak të tyre etj.
Në një relacion të tij të qershorit 1637, F. Bardhi na jep të dhëna për zakonet fisnike të banorëve, që, në rrugë apo punë, i këndojnë Skënderbeut e princit të tyre Lekë Dukagjinit, pastaj të dhëna etnopsikologjike për ta, si atë, se, mbi të gjitha, i duan armët (M. Hysa).
Në një relacion të tij, të 10 prillit 1641, F. Bardhi jep të dhanë etnografike për zadrimorët, në lidhje me zakonin e vdekjes (M. Hysa) etj.