E enjte, 07.11.2024, 03:27 PM (GMT)

Përjetësi » Ismajli

Nuhi Ismajli: Kujtesa historike, si përbërës i identitetit të hershëm shqiptar

E hene, 28.11.2011, 08:05 PM


Kujtesa historike, si përbërës i identitetit të hershëm shqiptar

Nga Nuhi Ismajli

Një përbërës i rëndësishëm i listës identitare shqiptare, i dëshmuar mjaft herët, është edhe kujtesa historike.

Kujtesa historike shqiptare njeh periudha, ngjarje dhe figura të mëdha kombëtare, si: krijimi i shtetit të arbërit, që në shek XII, norma juridike të shek. XII, epoka e shkëlqyeshme e heroizmit shqiptar të shek XV, figura e madhërishme kombëtare e Gjergj Kastriotit –Skënderbeut, po edhe figura të tjera, si Lekë Dukagjini, P. Engjëlli dhe, nga periudhat e mëvonshme, figura si Budi, Bogdani etj. , të cilat janë modele të virtyteve kombëtare dhe me rëndësi tejet të madhe për formimin e ndërgjegjes kombëtare të mëvonshme.

Periudha, ngjarje dhe figura të mëdha kombëtare të së kaluarës u përjetësuan në vepra të mëdha  llojesh të ndryshme, të cilat shërbejnë si  monumente të pavdekshme të kujtesës historike.

Kujtesa historike shqiptare u përjetësua në veprat e autorëve shqiptarë të shek. XV-XVII përmes trajtimit të ngjarjeve dhe figurave të shquara kombëtare me vlerë të lartë identitare.

Kështu, siç dihet, në mjaft vepra të ndryshme të autorëve shqiptarë, të shek. XV-XVII, me shumë sukses u trajtuan e u përjetësuan gjerësisht ngjarjet heroike të popullit shqiptar, luftërat dhe aktiviteti i tyre i gjithanshëm për çlirim kombëtar, si luftërat e shek. XV, Kuvendet shqiptare dhe organizimi i kryengritjeve të mëvonshme shqiptare; veprimtaria e fuqishme për mbrojtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar; figura e kryeheroit kombëtar, Skënderbeut, po edhe e figurave të tjera, si Pirroja, Aleksandri, L. Dukagjini, F. Bardhi, P. Bogdani, Kelmendasit etj.

Ngjarjet, figurat e mëdha kombëtare dhe lufta për vlerat e etnisë shqiptare, në shek. XV-XVII, u përjetësuan dhe u lanë si kujtime të ndritshme kombëtare nga një varg autorësh, si nga P. Engjëlli, M. Artioti, M. Segoni, Gj. Merula, M. Beçikemi, M. Barleti, F. Bardhi, L. Bogdani etj.

Pal Engjëlli humanist i madh shqiptar, sipas fjalëve të P.Lukarit, kishte shkruar një histori mbi Skënderbeun (E. Sedaj).

Më 1461, eprori dhe autoriteti më i lartë kishtar i gjithë Ilirisë, në praninë e Skënderbeut, në Senatin e Raguzës, ka mbajtur një ligjëratë me titull: “Mbi studimet e letërsisë”, ku kishte deklaruar se ”aty, përveç të gjitha arteve të lira, po lulëzojnë filozofia, teologjia, ligjet, bashkë me artet dhe disiplinat e tjera” (E. Sedaj).

Martin Segoni i dërgon papës Sikstit IV relacione përmes së cilave e informon për të kaluarën jo të largët, për Luftën e Kosovës, më 1389, dhe për të tanishmen e afërt, për rënien e Krujës (1478), dhe të Shkodrës (1479), (M. Hysa).

Segoni trajton temën aktuale të kohës - luftën vigane të popullit shqiptar në krye me Skënderbeun, kundër fuqisë më të madhe të kohës, P.Osmane, shkroi shkrimin për Skënderbeun: Tregim mbi Gj. Kastriotin, nga turqit në gjuhën e tyre, i quajtur Skënder Beg, domethënë Aleksandri i Madh, si dhe disa fragmente për Skënderbeun që e plotësojnë biografinë e tij, shkrime përmes së cilave do të ndikojë te pasardhësit, Beçikemi dhe Barleti, që figurën e Skënderbeut ta trajtojnë më gjerësisht (M. Hysa).

Gjergj Merula, më 1474, ka shkruar një Epistolë, për rrethimin e parë të Shkodrës, në bazë të dëshmive të njerëzve, që i jetuan ngjarjet (His.e let. shqipe I-II, Prishtinë, 1968).

M. Beçikemi, më 1503, botoi latinisht, në Venedik, një Panegjirik me interes për historinë e Shkodrës dhe për qëndresën e saj kundër osmanëve, në të dy rrethimet e viteve 1474 e 1478. Vepra ka ndonjë të dhënë me interes edhe për Skënderbeun (Po aty).

M. Barleti shkroi veprat e famshme: Rrethimi i Shkodrës (1501) dhe Historia e Skënderbeut (1508-1510), në të cilat i përjetësoi ngjarjet më të lavdishme të historisë kombëtare, të luftërave të Skënderbeut dhe të rrethinave të Shkodrës (M. Hysa).

Maksim Artioti, alias Maksim Arbëreshi (1470-1556), në kuadër të veprave të shumta të tij, përmend shpesh edhe Shqipërinë, kurse një vepër të tërë ia kushtoi Skënderbeut dhe heroizmit të populllit shqiptar kundër turqve (E. Sedaj).

Gjon Muzaka, shkroi italisht veprën Kujtime (1510), në të cilën është i pranishëm theksi patriotik (His.e let. shq. I-II). .

Dhimitër Frëngu (1443-1525), shkroi në latinisht në bazë të veprës së Barletit një vepër për Skënderbeun dhe për ngjarjet e kohës, e cila pati më se 17 botime dhe qe përkthyer frëngjisht, anglisht etj. (His. e let. shqiptare, Rilindja, Prishtinë, 1989).

F. Bardhi, duke vazhduar traditën humaniste të Barletit (His. e let. shqipe I-II), shkroi apologjinë për Skënderbeun, në të cilën mbrojti shqiptarësinë e Skënderbeut.

Lukë Bogdani, në poezinë Shumë ndriçimit…, kushtuar P. Bogdanit, ku, përveç tjerash, kujton Gjergj Kastriotin dhe luftërat e tij (Po aty), përvijon kujtesën historike më të vjetër (atë të Aleksandrit të Madh, që e mundi mbretin e Persisë, Darin), apo atë më të re (atë të Skënderbeut, që e shitoi Mbretin, Sulltanin e Turqisë), (M. Hysa).

P. Bogdani flet me mburrje të madhe për personalitetet më të shquara historike të popullit shqiptar, si për Lekën e “madh prej Petrele, nd’Arbanë, (i cili) zu fill monarkinë e vet ndë Matiet”, e për Pirron, i cili, si thuhet, “moti kje Pini, mjeshtri i luftet, regji i Arbënit poshtërë” (M. Hysa), etj.

Relacionet e shek. XV-XVII

Një vlerë të rëndësishme për kujtesën historike, pra edhe për konstruktet identitare të përpunara nga autorët e hershëm shqiptarë, paraqesin edhe relacionet e priftërinjve shqiptarë të shek. XV-XVII. Në to janë trajtuar çështje të rëndësishme, si çështja e origjinës dhe autoktonisë së kombit shqiptar (p. sh. Pjetër Mazreku, në relacionin e vitit 1633, mohon kategorikisht thënien e autorëve të huaj të kohës, se shqiptarët ishin aziatikë të ardhur në kohë të vonë (L. Maltezi), origjina e Skënderbeut, si dhe të dhëna me shumë rëndësi kombëtare, siç janë të dhënat për kuvendet e ndryshme, organizimin e kryengritjeve kundër pushtuesit osman, përpjekjen për të mrojtur dhe zhvilluar kulturën kombëtare, besimin e krishterë, tiparet dhe vlerat e rëndësishme etnografike etj.

Veprat kushtimore

Po kështu, vlerë të rëndësishme për kujtesën historike paraqesin edhe përkushtimet poetike të autorëve të ndryshëm për figurat e shquara  të kulturës shqiptare. Lavdërimi i figurave të krijuesve e vlerave të krijuara prej tyre, është një nga mënyrat e stimulimit të shqiptarizmit dhe bindja për ekzistencën e një kombi.të rëndësishëm.

Kështu, Stefan Gaspari, i kushton një vjershë Frano Bardhit, kurse Lukë Bogdani e Lukë Suma i kushtojnë poezi Pjetër Bogdanit, duke admiruar për veprat e tij të rëndësishme për vendin dhe për popullin.

Por, shembuj të pamohueshëm të kujtesës historike kombëtare shqiptare, pa dyshim janë edhe vetë figurat e shquara krijuese të kulturës kombëtare, si P. Engjëlli, Gj. Merula, Barleti, Dh. Frëngu, Buzuku, L. Matrënga, P. Budi, F. Bardhi, P. Boganët, L. Bogdani etj., figura emblematike shqiptare këto, të cilat, me veprimtarinë dhe idealet e tyre kombëtare, realizojnë funksionin e kujtesës historike kombëtare.

Frymëzimi atdhetar

Trajtimi i historisë, i ngjarjeve dhe figurave të rëndësishme kombëtare, nga autorët shqiptarë të shek. XV-XVII, është i frymëzuar nga një ndjenë e fuqishme dhe një vetëdije e lartë kombëtare e autorëve të tyre.

M. Beçikemi flet për nevojën e tij, që të flasë, të lërë kujtime për brezat, ngjarjet e mëdha dhe brengën që të flasë në mënyrë të përshtatshme “jo për një, por për shumë e shumë gjenerata”. “Nëse njeriu nuk është në gjendje të flasë ashtu si duhet, - thotë Beçikemi -, më mirë është të mos flasë, megjithëse ai që s’flet ka përgjegjësi të madhe që të flasë pse errësira e harresës e mbulon ngjarjen më të madhe”.

M. Beçikemi, humanisti i shquar, “personalitet me vetëdije të formuar kombëtare”, që “ndjen krenari për luftën e pashembullt të popullit të tij me në krye Skënderbeun”, “dëshmitar i gjallë i tragjedisë kombëtare, ai ndjen si detyrë që ato ngjarje t’i përjetësojë me vepra të shumta…” (M. Hysa).

Në veprën e tij (Rrethimi i parë i Shkodrës), Beçikemi dha qëndresën stoike të të rrethuarëve, por, si kujtesë, ai dha edhe tragjikën e porosinë e “pleqve fatzi”, që “u rekomandonin rinisë trimëreshe atdheun ”gjënë më të shenjtë, që për të të derdhin edhe pikën e fundit të gjakut” (M. Hysa).

Kujtimi, sipas Beçikemit, sidomos kujtimi i nevojshëm i tragjikës, ka rëndësi të madhe. Te: Meritat e Shkodrës ndaj Venedikut, Beçikemi thotë se flet “si një orator i atdheut tim fatzi…” (M. Hysa), flet jo për meritat, po për të zezat dhe mjerimet që kemi pësuar, sepse, siç thotë, “ndër të mira, kujtimi i të zezave të kaluara nuk mund të jetë veçse i ëmbël, ashtu siç është për detarin kujtimi i stuhive dhe për ata që shërohen kujtimi i sëmundjeve”.

Sipas Beçikemit, me rëndësi është pikërisht kujtimi i punëve të vjetra: “Do të dalë dikush të më thotë: këto janë punë të vjetra. E dij dhe unë, dhe sa më të vjetra që të jenë aq më të shenjta janë: gjithë këto merita të tilla dhe kaq të mëdha me kohë fitojnë dinjitet, rëndësia e autorit, si të thuash, një farë nderimi fetar… kështu edhe bamirësitë e vjetra kanë më rëndësi se të rejat…”.

Barleti, po ashtu, përjetësoi historinë e atdheut e të popullit të tij i frymëzuar nga vetëdija e lartë dhe ndjenja e fuqishme atdhetare e tij.

Sipas Barletit, “fuqia e dashurisë ndaj atdheut, për të cilin me arsye e me të drejtë çdo qytetar e ka për detyrë të derdhi edhe gjakun deri në pikën e fundit” (M. Hysa).

Atdheu është, sipas Barletit, ai “nga kujtimi i të cilit tani përtëritem si për mrekulli, po edhe për të cilin s’mund të shkruaj pa lot në sy” (M. Hysa).

Obligimin për të përjetësuar historinë e atdheut e të popullit të tij, Barleti e ndjen si obligim tejet të lartë intelektual e moral (“këtej kisha frikë se mos dënohesha si njeri i keq po t‘i mohoja atdheut diçka të drejtë e të ndershme që ai kërkonte prej meje”.

Te vepra Rrethimi i Shkodrës, ai drejtpërdrejt pohon se ndjen përgjegjësi dhe nuk mund të rrijë pa i përjetësuar në një përmendore letrare ngjarjet dhe kohën e lavdishme të qytetit të tij të lindjes, Shkodrës: “Kurrë s’do të kaloja në heshtje dhe me mosmirënjohje një ngjarje kaq të rëndësishme, por në një mënyrë o në një tjetër, do të orvatesha ta përjetësoja në një përmendore letrare” (M. Hysa).

Veprën Hisoria e Skënderbeut, të cilën Barleti e shkroi sa nga dëshira e kujtesa e vet, sa nga dëshira, kërkesa e kujtesa e të tjerëve, thotë se e shkruan “me zjarrin e dashurisë për atdhe në zemër dhe me dashuri që t’ua lërë brezave të ardhshëm të pavdekur emrin dhe lavdinë e Skënderbeut…” (M. Barleti: His. e  Skënderbeut, Rilindja, Prishtinë, 1989, f.13).

Më vonë, edhe P. Bogdani “pasqyron e ekzalton frymën luftarake, përherë të pashuar të popullit të vet” (His. e let. shq. I-II). Në përshkrimin që ai ua bën kelmendësve “ndihet admirimi dhe krenaria për qëndresën e malësorëve tanë”(Po aty) etj.

Në bazë të asaj që u tha gjer këtu, mund të thuhet se me të drejtë është thënë se preokupimi i autorëve tanë të vjetër, ndër të tjera, për të mbrojtur dhe ekzaltuar figurat e shquara historike dhe të meritave të veçanta të qëndresës së popullit tonë, “i dha dorë luftës për ruajtjen e individualitetit kombëtar…” (Po aty).

Ndikimi te rilindësit

Veprat e autorëve shqiptarë, të shek. XV-XVII, qenë model dhe mbështetje kryesore e krijuesve të mëvonshëm, edhe të rilindësve, për krijimin e veprave me rëndësi kombëtare.

Krijuesit shqiptarë, të shek. XV-XVII, veçmas M. Barleti, përjetësuan aq madhërishëm figurën e Skënderbeut, sa jo vetëm e bënë atë të pavdekshme dhe figurë frymëzuese të idealit kombëtar shqiptar, po edhe një figurë frymëzuese për lirinë e popujve të tjerë dhe shembullin e një heroi të denjë për trajtim për krijuesit e ndryshëm botërorë.

Veprat e Barletit, prandaj, është thënë me të drejtë, “ushqyen përherë patriotizmin shqiptar, veçanërisht në kohën e pushtimit osman” (His.let. shq. I-II), se veprat e tij u bënë “veçanërisht një burim frymëzimi për shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”  etj. (Po aty).

Autorët e shek. XV-XVII figurën e Skëndebeut e ngritën në rangun e një heroi të madh kombëtar, të denjë për përmasat e figurës reale të Skënderbeut, luftuan kundër përvetësimit të tij nga të tjerët, dhe e dhanë atë në ato dimensione, të cilat nuk mund të thuhet se u zgjeruan e u tejkaluan më tej nga rilindësit. Pra, rilindësit, për asgjë nuk zgjeruan më tej dimensionin e figurës së Skënderbeut. Ata, në paraqitjen e figurës së Skënderbeut dhe të heroizmit shqiptar të shek. XV, janë imitues të autorëve të shek. XV-XVII. Prandaj, nuk është i qëndrueshëm pohimi se rilindësit bënë trajtimin e figurës së Skënderbeut, sipas një dimensioni të ri (Klejer), pasi ata, si thuhet, bënë një nga evokimet më të rëndësishme, përmes paraqitjes së Skënderbeut si hero shqiptar dhe si hero kombëtar të shqiptarëve (Klejer), siç nuk është e qëndrueshme as pikëpamja se kjo duhet marrë edhe si një faktor të konstruksionit të shqiptarizmit, në shek. XIX (Klejer, 187), për të mohuar vlerën e një veprimtarie të tillë, të shek. XV-XVII.

Historia është etikë kombëtare më shumë tek autorët e vjetër sesa te rilindësit shqiptarë.

Veprat e të huajve për kujtesën historike shqiptare

Për kujtesën historike shqiptare vlerë të rëndësishme paraqesin edhe veprat e hershme të të huajve për ngjarjet dhe figurat e shquara kombëtare.

Kështu, populli shqiptar, me një shkallë qartësie, siç e njohim sot, siç thotë R. Elsi,  përmendet në analet e historisë së dokumentuar në gjysmën e dytë të shek. XI ( “Shqiptarët kanë hyrë në analet e historisë së dokumentuar në gjysmën e dytë të shek. 11.

Vetëm në këtë periudhë mund të flitet me ndonjë shkallë qartësie për një popull shqiptar ashtu siç e njohim sot (R. Elsi)..

Mihaelis Ataliates, historiani bizantin, qe i pari, i cili, në “Historinë e tij, të shkruar më 1079-1080, përmendi se Abanoi kishin marrë pjesë në një kryengritje kundër Konstantinopojës me 1043 dhe se Arbanitai ishin nënshtetas të dukës së Dyrrakiumit.

Historiani Gjon Skilices përmend, rreth vitit 1081, Arbanites si pjesë të trupave të mbledhur në Durrës nga niqifor Basilaku (R. Elsi).

Dokumente me interes për historinë mesjetare kanë botuar, në shek. XVII-XVIII, autorë të huaj, si: Raynaldit, Farlatit, Koletit (L. Maltezi).

Veprat e të huajve, me rëndësi për kujtesën historike, pra edhe për identitetin, janë edhe ato që flasin për Skënderbeun, emri i të cilit hyri herët në historinë dhe kulturën e popujve të evropës (L. Rama). Kështu, për Skënderbeun u shkruan mjaft herët vepra, si:

romani historik Tmerri i turqve, nga italiani Antonio Poseti, më 1548, për të vazhduar, më vonë, po me këtë temë, me romanet e shkrimtarëve francezë: J. Shervo (Skënderbeu, 1644) etj. ( E. Sedaj).

Jasques de Lavardin, duke u bazuar në botimin e M. Barletit, në vitin 1575, shkroi veprën e tij Historie de Georges Castriot… (L. Rama). Shkrimtari anglez, Pjerre Ronsard (1524-1585), shkroi poemën sonnet për Skënderbeun (L. Rama) etj.

Shembujt e mësipërm tregojnë një gjë interesante: se të huajt, më parë se për  historinë e vet kombëtare, shkruajnë vepra për heroin shqiptar, Skënderbeun; se të tjerët, historinë e vet kombëtare, në romane e trajtojnë në fillim të shek. XIX (p.sh., ndër të parët autorë, më të mirë të romanit historik, Valter Skot, romane e tij historike për të kaluarën e Skotlandës, si Waverley, 1814, Ajvanho, 1819 etj.), i botoi në fillim të shek. XIX, kurse shqiptarët kanë veprat, si Skenderbeu… e Rrethimi…, të Barletit, që në fillim të shek. XVI, apo edhe vepra më të hershme se këto. Së këndejmi, pohimi se ”Në agim të shek. 19, kombet ende nuk kanë histori”, nuk qëndron.

Nga vështrimi i derikëtushëm, shihet se edhe të dhënat për kujtesën historike, si  përbërës i identiteti kombëtar, janë edhe të hershme edhe mjaft të pasura.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora