E marte, 12.11.2024, 01:34 PM (GMT)

Përjetësi » Ismajli

Nuhi Ismajli: Vlerësime të padenja për të kaluarën shqiptare

E merkure, 05.06.2013, 08:04 PM


Vlerësime të padenja për të kaluarën shqiptare

Nga Nuhi Ismajli

Përveç qëndrimit të drejtë e njerëzor ndaj së kaluarës sonë kombëtare e vlerësimit të denjë të saj, edhe më parë, po veçmas në kohën tonë ka zënë e po imponohet gjithnjë e më tepër një qëndrim dhe një vlerësim i kundërt me këtë - një qëndrim e vlerësim jo i drejtë, jonjerëzor dhe tejet i padenjë.

Sipas këtij qëndrimi e vlerësimi ndaj së kaluarës sonë kombëtare, qëndrimet e veprimet antinjerëzore e antikombëtare të subjekteve të ndryshme na dalin si vlera njerëzore e kombëtare, kurse qëndrimet e veprimet njerëzore e kombëtare si antivlera njerëzore e kombëtare.

Kështu, tanimë gjithnjë e më shpesh shohim sesi dikush mburret me shërbëtorët  shqiptarë të pushtuesit turk dhe sesi me krenari flet për “famën” e shqiptarëve në kuadër të pushtetit të P. Osmane e “vlerat” e mëdha të tyre!

Tridhjetë e sa shqiptarë, thuhet me mburrje, arritën të bëhen kryeministra të P. Osmane. Sa e sa shqiptarë të tjerë u bënë pashallarë e bejlerë, të cilët i dhanë forcë pushtetit osman. Sa e sa shqiptarë, në kuadër të pushtetit osman, u shquan si luftëtarë të mëdhenj, duke pushtuar vende të ndryshme e duke krijuar edhe shtete të ndryshme, për t’i sunduar vetë. Sa e sa shqiptarë të pushtetshëm në pushtetin osman ndërtuan xhami, teqe, çezma, ura… Sa e sa shqiptarë të ditur i kontribuuan arsimit të lartë turk e hapën edhe universitet. Sa e sa shqiptarë të ditur i kontribuuan kulturës, gjuhës, shkencave dhe arteve të ndryshme turke etj.

Në këto mburrje për gjeninë e veprimtarinë e shqiptarëve, në kuadër të botës së huaj, të pushtuesve, harrohet të shikohet se në shërbim të kujt dhe sa njerëzore ishin ato. Harrohet të shikohet sa ishin vepra në shërbim të së keqes dhe sa ishin në shërbim të së mirës. Sa ishin vepra në shërbim të njeriut dhe të kombit etj.

Shikuar nga aspekti njerëzor e kombëtar, suksesi i individëve shqiptarë në pushtetin turk dhe shërbimi i tyre ndaj tij, nuk ishte aspak sukses, as shërbim njerëzor e kombëtar.

Ata vezirë, pashallarë, bejlerë etj., po i shërbenin pushtuesit, i cili kishte pushtuar e po pushtonte vendet e të tjerëve, kishte robëruar e po robëronte të tjerët, po i sundonte e po i shtypte të tjerët, madje edhe vetë vendin dhe popullin shqiptar. Pra, ata shqiptarë nuk po bënin vepra të mira njerëzore e kombëtare. Përkundrazi, duke i shërbyer pushtuesit e synimeve të tij, ata po bënin veprat më të këqija njerëzore e kombëtare. Prandaj, të tillët, kurrë nuk ka qenë, nuk është, as nuk mund të jetë njerëzore të lavdërohen, as të mburremi me sjelljet dhe veprimet e tyre.

Shqiptarët që për interesat e tyre personale tradhtuan interesat njerëzore e kombëtare dhe u bënë shërbëtorë të ambicieve më të ulëta, siç janë ambiciet e pushtuesve, kurrë nuk mund të identifikohen më masën shqiptare.

Për nga natyra e tij, populli shqiptar gjithmonë ka urrejtur të keqen, pushtuesin e robërinë dhe kurrë nuk ka pushtuar, po ka luftuar gjithnjë për lirinë e vet e edhe të të tjerëve, si dhe për mbrojtjen dhe kultivimin e vlerave njerëzore e kombëtrare.

Populli shqiptar kurrë nuk e konsideroi mik pushtuesin turk, as robërinë e tij liri. Ai kurrë nuk e ka pushuar luftën fizike e kulturore kundër pushtuesit e robërisë turke.

Duke identifikuar shërbëtorët e pushtuesit me gjithë masën shqiptare, sot, lavdëruesit e tyre, bëjnë një nga veprat më të shëmtuara kundër popullit shqiptar, pasi ashtu, lavdëruesit e shërbëtorëve të pushtuesit turk, popullit shqiptar ia mveshin një nga etiketat më të shëmtura, sipas së cilës shqiptarët janë një popull që ideal ka nënshtrimin ndaj pushtuesit e jetën e tij në robëri, si dhe ambiciet për pushtimin dhe robërimin e të tjerëve.

Përveç kësaj, duke lavdëruar shqiptarët që hynë në shërbim të pushtuesve dhe iu kundërvunë vlerave esenciale njerëzore e kombëtare, bëhet një veprim tejet i ulët kundër shqiptarëve, pasi ashtu harrohen të këqijat që populli shqiptar përjetoi nga pushtuesit, si edhe veprat e tij më fisnike njerëzore, siç janë qëndresa e lufta e përheshme kundër së keqes dhe për vlerat kombëtare e njerëzore.

II.

Ndërtimet që bënë shërbëtorët e pushtuesit kundruall të këqijave që ndjenin shqiptarët nga robëria, nuk kanë asnjë domethënie me vlerë dhe nuk janë aspak për t’u mburruar me to.

Nëse ndërtonin institucione të pushtuesit ashtu ata bënin një luftë kundër identitetit të vendit dhe për imponimin e identitetit të pushtuesit, që ishte edhe synimi i tij. Kështu, dihet se një nga synimet kryesore të pushtuesit turk ishte imponimi i fesë e ideologjisë së tij ndaj të robëruarëve dhe tjetërsimi i tyre. E, a është kjo njerëzore t’i imponohesh tjetrit që t’ia ndryshosh identitetin?!

Ndërtimi i urave, çezmave etj., më shumë sesa për një mirësi njerëzore, bëhej për një përjetësim të emrit të atyre që i ndërtonin ato.

Kontributet e ndryshme kulturore, arsimore, artistike etj., të shqiptarëve në kuadër të botës së pushtuesit turk nuk mund të kritikohen, por as nuk mund të mburremi me to.

Nëse një dijetar shqiptar ka hapur universitetin e parë turk kjo është një e mirë njerëzore që nuk mund të mohohet, por, si shqiptarë, me të nuk mund të krenohemi, kur ai dijetar shqiptar nuk bëri asgjë për arsimin shqiptar, në kohën kur atij i mungonin edhe shkollat fillore.

Nëse një dijetar e krijues shqiptar shkroi vepra në gjuhë të tjera, pra edhe në gjuhën e pushtuesve, por nuk arriti afirmimin e kombit shqiptar me ndonjë element të veprës së tij, as nuk arriti të afirmohet vetë në radhën e vlerave të çmuara botërore, si mund të krenohemi me të?!

Krijuesit shqiptarë në gjuhë të huaja, mund t’i çmojmë për talentin, dijen dhe veprat e tyre, si vepra të dobishme njerëzore, por nuk mund të mburremi me ta duke qenë produkt i tjetërsimit dhe i mungesës së vetëdijes kombëtare, duke mos pasur vepra e tyre asnjë lidhje me qenien kombëtare shqiptare dhe duke mos pasur një vlerë të madhe botërore me të cilën do të krenohej populli shqiptar.

Naimi p.sh. shkroi vepra në turqisht e persisht në një periudhë të jetës së tij kur ende i mungonte vetëdija e lartë kombëtare.

Edhe Samiu, po ashtu, shkroi vepra në turqisht e arabisht. Disa të dhëna nga bota shqiptare të Samiut, në veprën e tij turqisht, megjithë rëndësinë e tyre, nuk kanë vlerën e veprave në gjuhët e mëdha botërore. Samiu, gjithashtu, më shumë se si një kulturë të veçantë, kulturën shqiptare kishte prirjen ta shihte si një kulturë në simbiozë me kulturën turke. Prandaj, edhe mund të përfundohet se me veprat e Naimit e të Samiut, të shkruara në gjuhët orientale, nuk mund të mburret as kultura shqiptare, as kultura botërore.

Në anën tjetër, Naimi, pas zgjimit të vetëdijes kombëtare, shkroi shqip veprat më të rëndësishme njerëzore e kombëtare dhe nuk iu kthye më turqishtes, as persishtes. Shkrimi i mëvonshëm i tij në ndonjë gjuhë të huaj, si p.sh. në greqisht, bëhet thjesht për shkaqe kombëtare dhe personale.

Samiu, i cili, pothuajse gjer në fund të jetës së tij shkroi vepra në turqisht dhe me vlerë për kulturën turke, nga fundi i jetës e i krijimtarisë së tij, ai krijoi shqip një nga veprat më të rëndësishme të ideologjisë kombëtare shqiptare (“Shqipëria…”).

As Naimi, as Samiu, si dhe asnjë krijues tjetër i madh shqiptar, nuk shkruan vepra në shërbim të pushtuesit turk e robërisë turke. Përkundrazi, veprat më të mëdha të tyre, me të cilat mund të krenohet arsyeja njerëzore, janë veprat e mëdha kombëtare shqiptare, në të cilat shprehet urrejtja kundër pushtuesit dhe robërisë turke. Në këtë rast vlen të mos harrojmë as porosinë e tyre, sipas së cilës, shqiptarët ideal ta kenë botën e perëndimit e jo botën turke

Lavdërimi i krijuesit që nuk ka krijuar në një gjuhë të madhe botërore, që nuk ka trajtuar çështje me rëndësi kombëtare ose nuk ka arritur të krijojë vlera të nivelit botëror është një absurd dhe marrëzi.

Lavdërimi i shërbëtorëve të pushtuesve dhe përpjekja për t’i bërë model të sjelljes, veprimit dhe idealit të sotëm shqiptar e njerëzor, është veprimi më i keq kundërnjerëzor dhe kundërshqiptar që mund të bëhet. Por, kur ky veprim thellësisht antinjerëzor dhe antishqiptar, bëhen në emër dhe me forcën e institucioneve, siç është rasti me qeveritarët e Kosovës, që synojnë të imponojnë kurrikulat turke për arsimin shqip të Kosovës dhe kur thuhet se Kosova ka strategji të përbashkët me Turqinë e sotme, ndonëse shqiptarët nuk kanë synime pushtuese, siç e ka një strategji të tillë diplomacia e sotme turke, s’ka gjë më tragjike për njerëzimin dhe kombin shqiptar.



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora