Editorial
Ramiz Selimi: Infiltrimi i UDB-ashëve në jetën politike
E shtune, 08.02.2014, 07:05 PM
Aty ku nuk ka dije
të mjaftueshme, spiunët emërohen në vendet kyçe!
Infiltrimi i UDB-ashëve në jetën politike kosovare, meritë e politikës aktuale!
Shkruan Ramiz Selimi
Ata janë një pengesë serioze në zhvillimet pozitive të vendit, sa me shpejt që është e mundur të zbulohen dhe të largohen nga punët kyçe dhe me përgjegjësi.
Funksionimi i një shteti dhe konsolidimi i pushtetit bëhet përmes sigurimeve shtetërore. Niveli i një Shërbimi Informativë tregon nivelin e konsolidimit të shtetit në çfarëdo kohe. Në shtetet demokratike shërbimet sekrete janë apartiake, duke i shërbyer vetëm shtetit të tyre. Këto shërbime spiunazhi tek ne më shumë punojnë në dobi të subjektit që e ka themeluar atë shërbim, se sa në ruajtjen dhe konsolidimin e shtetit.
Nuk ishte ndryshe, ta themi Shërbimi Informativë i Shqipërisë Komuniste, të cilët mbronin tezat moniste, ide e atyre që i paguanin. Thjesht shërbimi ka për qëllim zbulimin e elementëve të cilët mund e rrezikojnë sistemin e tyre. Shqiptarët janë të njohur si kooperuesit më të mirë me sistemet e huaja pushtuese, duke i mundësuar Turqisë pushtimin e gjatë, por edhe sllavë rekrutuan persona të mjaftueshëm.
Secili sistem ka hierarkinë e funksionimit, duke filluar nga Kryetari, Kryeministri, Ministra e kështu me radhë. Në këtë hierarki bënë pjesë edhe Shërbimi Informativ, apo me fjalë popullore spiunët shtetëror. Detyra e tyre primare është zbulimi i personave apo kundërshtarëve të sistemit të caktuar.
Mënyrat organizative të Sigurimeve të Shtetit janë mjaft mirë të studiuara dhe hierarkike. Në kohën komuniste një Shërbim Informativë i Sigurimit Shtetëror vepronte sipas Platformës dhe Direktivave që merrte ta themi nga Kryetari i Ekzekutivit apo Ministri i Punëve të Brendshme, po edhe sot nuk duhet të jetë ndryshe. Urdhëri “të luftohet dhe eliminohet irredentizmi” vinte nga udhëheqës shqiptarë, që edhe sot janë aktivë në politik, kurse spiunët shtetërorë duhej të zbulonin ato direktiva.
Aty ku nuk ka dije të mjaftueshme, në vendet kyçe emërohen spiunët!
Në demokraci nuk ka njeri të pazëvendësueshëm, ka vetëm suksese dhe mossuksese, në bazë të rezultateve bëhen nominimet! Pothuajse më shumë se gjysma e jetës sime në këto vende me mëson për teori të tilla. Tek ne ndodhë e kundërta, duam patjetër ta mbajmë si lider partiak personin e pasuksesshëm, duam patjetër të mbajmë vetë pozitat e larta, duke nominuar persona të dyshimtë si këshilltar dhe në poste me rëndësi. Aty ku nuk ka dije të mjaftueshme apo persona të mirë kualifikuar, kërkohen persona të “ditur” me çdo kusht, duke mos marr për bazë të kaluarën e tyre. Ne jemi dëshmitar ku disa persona i kanë shërbyer disa sistemeve.
Por,një person i tillë, sado i mirë që të ketë qenë në sistemet e kaluara, nuk do të thotë se ne duhet ta kemi patjetër në sistemin tonë ndërtues. Marrim shembull një profesor nga fakulteti ekonomik, që gjithë jetën e tij është angazhuar për përcjelljen e “diturisë” në forma teorike studentit. Zbatimin e kësaj teorie në rrjedhat e tanishme globale ekonomike, e ka të pamundur! A nuk do të ishte logjike që ky profesor të trajnohet në zbatimin e teorive diku në vendet e zhvilluara, apo vullnetarisht të tërhiqet nga politika.
Shqiptarët kanë problem serioz, respektimin e demokracisë në përgjithësi! Dalja nga ky mjegullim do të zgjat më shumë se sa është e dëshiruar. Një njeri që u ka shërbyer shërbimeve të fshehta (okupuese apo të huaja) nuk mund të jetë me i keq, se sa një person tjetër që u ka shërbyer po këtyre sistemeve, por në formë të hapur. Të dy këto kategori të njerëzve janë aktive në politiken kosovare. Secila parti ka të rekrutuar në radhët e veta persona të tillë. Demokraci do të thotë zëvendësim të këtyre personave dhe të gjithë atyre që janë treguar të pasuksesshëm në realizimin e politikave shtet ndërtuese dhe ekonomike. Por shtrohet pyetja, si të lirohemi nga ta!
Disa mund të thonë, se fajet i ka ligji (ligjin po e bëjnë ata vet), tjerët mund të thonë, po presim , deri sa të hapen dosjet (ato nuk do të hapen asnjëherë,sa të jenë gjallë ata), disa tjerë thonë (miqtë e tyre), çfarë të keqe ka këtu, ata kanë ndryshuar mendim, tani janë qytetarë lojal dhe ne po nxjerrim maksimumin prej tyre në ndërtimin e shtetit!
Por, realiteti është tjetër, ata as nuk janë personat e duhur, as nuk janë të dobishëm për shtetin e ri, ata janë një pengesë serioze në zhvillimet pozitive të vendit, pasi është e pabesueshme që ata të kenë ndërprerë lidhjet me shtetin që i ka edukuar. Ata duhet sa me shpejt që është e mundur të zbulohen dhe të largohen nga punët kyçe dhe me përgjegjësi.