Editorial
Lediona Braho: Edukimi i mendimit kritik dhe krijues
E enjte, 23.01.2014, 09:19 PM
Edukimi i mendimit kritik dhe krijues
Nga Lediona Braho
Shkolla, si institucioni ku ndodh edukimi formal i qytetarëve të rinj të një shoqërie, promovon dije dhe shprehi të nevojshme për t’u aftësuar në ndërveprimin me botën. Shkolla i pajis të rinjtë me mjete të ndryshme, që ata mund t’i përdorin potencialisht për të menduar, ndier dhe vepruar në situata të jetës reale. Një nga kompetencat e mësimdhënësve është të nxitin dhe zhvillojnë aftësitë e të menduarit të nxënësve - të menduarit kritik dhe krijues. Megjithatë, jo gjithmonë kjo rezulton një sipërmarrje e suksesshme, për faktin se vendi ynë nuk është aq i zhvilluar, qytetarët e rinj nuk janë mjaftueshëm të lirë për të menduar e vepruar dhe sistemi arsimor është i strukturuar në mënyrë rixhide, me pak hapësira për veprim të pakushtëzuar.
Sistemi arsimor i një shoqërie është reflektim i proceseve sociale që e karakterizojnë atë; ai nuk mund të importohet ose të riprodhohet artificialisht nga shoqëri, shkollat e të cilave promovojnë vlera dhe besime të tjera. Sistemi ynë arsimor reflekton shoqërinë tonë, me besimet, qëndrimet, vlerat, moralin dhe gjithçka tjetër që mbështetet në parimet tona si shoqëri shqiptare. Në përpjekje për të reformuar shkollën tonë, për ta bërë atë më demokratike, mësimdhënësit duhet të përditësojnë njohuritë e tyre, nxënësit dhe studentët duhet të provojnë dhe riskojnë dijet që u jepen, në mënyrë që shkolla të bëhet vendi ku të gjithë të mësojnë dhe të mësohen nga njëri-tjetri, ku të gjithë të mund të mendojnë pa i marrë gjërat të gatshme, por duke i testuar në realitetin social dhe ku çdo dije të vihet në pikëpyetje, para se të « gëlltitet » e papërpunuar.
Vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe ato të zhvilluara vuajnë nga një epidemi. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk dinë të mendojnë në mënyrë kritike. Arsyeja kryesore pse njerëzit e kanë humbur artin e të menduarit kritik qëndron në mënyrën sesi shkolla funksionon. Shkolla jonë është një produkt-përgjigje ndaj pyetjes: “Çfarë lloj njerëzish të prodhojmë për shoqërinë?”, në vend të: “Çfarë mund të bëjmë që të rinjtë të bëhen ata që duan të bëhen?”. Për aq kohë sa kurrikulumi arsimor është një reagim strikt ndaj çështjes së parë, e dyta eklipsohet dhe përjashtohet në mënyrë automatike. Për sa kohë që shkolla synon të mbushë kokat e të rinjve me dije nga të gjitha disiplinat, duke nxitur të menduarit riprodhues, fjalë për fjalë dhe të mësuarit si papagall, aq më shumë ajo largohet nga qëllimi bazë për të cilën është themeluar: edukimi.
Një nga synimet madhore të shkollës është, pra, nxitja e të menduarit kritik te nxënësit dhe studentët. Studiues të ndryshëm bien dakort se të mendosh në mënyrë kritike, do të thotë të vlerësosh diçka, në mënyrë që të vendosësh nëse duhet ta besosh ose jo atë dhe më pas, të sillesh në koherencë me besimin tënd. Mendimi kritik është një mendim i arsyeshëm dhe reflektiv, fokusuar në çfarë të besosh dhe të bësh. Mendimi kritik nevojitet për të marrë vendimet e përditshme, që individi të bashkëveprojë në mënyrë eficiente e funksionale me botën që e rrethon.
Historikisht, të menduarit kritik ka qenë i nevojshëm, por, në ditët tona ai merr një rëndësi vitale. Arsyeja madhore lidhet me faktin se, në botën moderne të teknologjisë së informacionit gjëja më e rëndësishme nuk është gjetja e informacionit, por vlerësimi dhe përzgjedhja e tij. Individi duhet të orientohet në kaosin e informacionit që e bombardon përditë, prandaj atij i nevojiten filtra nëpërmjet të cilëve të gjykojë për botën dhe informacionin që i paraqitet.
Në opinionin tim, një nga “armiqtë” më të dëmshëm të të menduarit te të rinjtë, është interneti – vendi ku ti mund të gjesh gjithçka, në çdo kohë, ku një pjesë e mirë e informacionit mund të aksesohet lehtësisht dhe pa shumë përpjekje. Nxënësit dhe studentët ngarkohen me detyra të natyrave të ndryshme: ese, shqyrtime literature, kërkime etj., që domosdoshmërisht kërkojnë aftësi të larta mendore: si analiza, sinteza dhe vlerësimi. Për shkak se këto aftësi mund të mos jenë ushtruar dhe zhvilluar tek ata, detyrave nuk u jepet rëndësia e duhur, ose nuk konsiderohen siç duhet. Prandaj, ata zgjedhin rrugën e shkurtër, me më pak mundim – internetin – për të google-uar informacione me tepri, nga domene me besueshmëri të ulët dhe për t’i kopjuar ato në fletat e bardha mbi të cilat vendosin emrat e tyre. Kjo është vërtet e dhimbshme dhe në të njëjtën kohë, qesharake.
Nxënësit dhe studentët kanë mësuar të përsëritin si papagall atë që u thuhet. Atyre nuk para u shkon në mend të mendojnë me kokën e tyre – kjo është deri diku absurditet. Madje, ndihen më të vlerësuar nëse dinë ta riprodhojnë tekstin fjalë për fjalë, madje ta recitojnë atë. Nga njëra anë, mësimdhënësit i nxitin duke u thënë: “Jini krijues, jini origjinalë, shprehuni lirshëm” dhe nga ana tjetër çuditen nëse nxënësit ose studentët “dalin nga shinat” me të menduarit e tyre: “Me gjithë mend e ke?” Në këtë kontekst, Laing thotë: “Jemi të kënaqur po t’i bëjmë fëmijët tanë njëlloj si ne: të zhgënjyer nga jeta, të pashëndetshëm, qorra, shurdhë, por me një kuotë të lartë pikësh inteligjence.”
Të gjithë e dimë se mendimi kritik nuk lind me njeriun dhe nuk zhvillohet në mënyrë të natyrshme. Ajo është një aftësi dhe si të gjitha aftësitë, duhet të nxitet e mësohet. Ka shumë rrugë në të cilat njeriu mund të mësojë të mendojë në mënyrë kritike, por peshën kryesore në këtë e ka sistemi formal i edukimit. Sot njihen programe formale e të kushtueshme, por edhe metoda joformale dhe jo të kushtueshme me anë të të cilave, mund të nxitet mendimi kritik dhe krijues gjatë orëve të mësimit. Këto të fundit janë strategji të përgjithshme, të cilat, nëse aplikohen me sukses, kanë potencialin ta shndërrojnë çdo përfitues të tyre në një mendues kritik efektiv.
Aftësia e të menduarit kritik dhe krijues nuk është e lindur, por mund të mësohet, stimulohet dhe zhvillohet me kalimin e kohës. Përgjegjës për këtë proces është sistemi formal i edukimit, shkolla – vendi ku promovohet dije shkencore dhe shoqërore – e cila synon t’i aftësojë qytetarët e rinj për të ardhmen e tyre personale dhe profesionale. Megjithatë, në këtë drejtim, shkolla jonë ka mangësi, sepse në vend të theksojë individin, thekson parimet, në vend të dijes sociale, thekson atë shkencore, në vend të ideve, thekson konceptet. Prandaj, është e nevojshme të njihen të metat e këtij sistemi, në mënyrë që ai t’u përgjigjet më mirë nevojave të të rinjve, madje, të ngrihet mbi tërësinë e këtyre nevojave, sepse ato janë të parat dhe më të rëndësishmet. Në këtë mënyrë, nxënësit dhe studentët nuk do të gjykohen për shprehjen e tyre të lirë, nuk do të diskiminohen për “pemën e shtrembër që kanë vizatuar” apo për “prezantimin me letra me ngjyra” që kanë bërë.