E premte, 07.06.2024, 12:58 PM (GMT+1)

Editorial

Aurel Dasareti: Gjenerata ime

E hene, 13.01.2014, 10:30 PM


Gjenerata ime

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake- psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Brenda nesh qëndron një dëshirë themelore, e zjarrtë, në lidhje me një opinion (mendim) për një çështje të caktuar. Dhe, kur vlerësimi ynë nuk ka gjasa për të bindur rrethin, të mbizotëron në një shoqëri, atëherë bëhet fundamentalist.

Shqiptarët nuk merren me realitetin tragjik të tkurrjes së atdheut, zhdukjes biologjike të Kombit, ikjes së rinisë nga trojet, papunësisë, tradhtisë, mafisë, mjerimit të popullatës, radikalizimit të feve...por çelin probleme luks atje ku nuk duhet. Kanë ngatërruar kompetencat me Zotin; është Ai që cakton llojin e kultit, konvertimet, ferrin dhe parajsën -  jo “analistët politik”, jo klerikët (prift/hoxhë). Një shoqëri laike në simbiozë (bashkëjetesë) me njerëzit fetarë është një realitet.

Kujdesuni për kopenë tuaj o shqiptarë. Mos pyet për kuptimin e jetës, por jepi asaj një kuptim.

Vlerësimi për njerëzit, çështjet, gjërat, domosdoshmërish të bazohet në kritere të shumta. Një vlerësim i përgjithshëm në bazë të disa kritereve do të thotë se njeriu nuk duhet të përqendrohet në një kriter të vetëm, por duke bërë një vlerësim të përgjithshëm ku më shumë faktorë hyjnë në lojë.

“Analistët” e vetëshpallur, nuk mërziten për të siguruar cilësinë (kualitetin) e raporteve, vetëm lëshojnë fjalët si lopa plehun. Përpiqen të na bindin me opinione të sëmura, gjoja se dikush a diçka është ashtu si e njohin ose si e mendojnë kokat e tyre të mbushura me lakra. Vetëm shprehin mllefin, ia futin për havaje, e hutojnë edhe me tej popullatën me budallallëkun e tyre. Akoma nuk e kanë kuptuar se inteligjenca artificiale nuk mund të matet me marrëzinë natyrore.

Ti do të besosh në atë që thuash, por mos thuaj gjithçka që mendosh.

Liria e gjeneratës time nuk ka asnjë drejtim, ajo nuk e gërmon thellësinë e ekzistencës sepse nuk ka asnjë vullnet personal pas saj. Dallueshmëria e personaliteteve tona nuk është e mjaftueshme, jo mjaft e fortë, jo sa duhet të vetëdijshëm se kush jemi vetë ne, për të mundur të bartim labirintin e lirive konfuze. Dhe, tani shumë prej nesh jemi lodhur nga e gjithë ajo. Dëgjohen britmat brenda nesh:  Merrni nga unë at dreq lirie, unë nuk e dua më atë!

Të moshuarit tanë, ata që kanë provuar gjithçka, e kuptojnë mirë mallin drejt sistemeve autoritare. Është më e ndershme për të zgjedhur një robëri të vërtetë se sa një liri të rreme. Është më mirë keqardhja për diçka që ju keni bërë se sa të pendoheni për diçka që ju kurrë nuk guxuat ta bëni. Ne e dimë këtë. Ne nuk jemi budallenj. Ne kemi diplomuar/doktoruar në universitete dhe kolegje më prestigjioze botërore, dhe ne jemi brezi më inteligjent dhe më i zgjuar që kemi patur ndonjëherë, por ne jemi edhe një brez që i di të gjitha me trurin, jo me zemër. Ne kemi përfshirë çdo gjë, absolutisht çdo gjë që është me vlerë për të ditur, por, gjatë blerjes, kemi marrë edhe çdo gjë që nuk është me vlerë për ta ditur.

Njohuria nuk ndjehet e  vlefshme në mënyrë të nevojshme, ajo ndihet si një punë e përditshme. Faktikisht, ne asnjëherë nuk ishim të detyruar të luftojmë për të. Pra, të tjerët munden lirisht ta marrën atë nga ne, ajo nuk ka rëndësi. Ajo është vetëm: libra! Leximin e kemi përdorur gjithsesi vetëm për të shpëtuar nga zbrazëtia, dhe ndërsa ne vepronim kinse si intelektual, me vite diskutonim dhe flitnim, në realitet asnjëherë nuk bëmë diçka pozitive për atë çështje rreth së cilës biseduam, sepse nuk kishim fuqi për të, ndjenim.

Dhe, u bëmë me fëmijë, me punë të sigurt, të ardhurat, një jetë të mirë, siç thuhet. Rreth nesh, jeta ndryshoi ngadalë, pa e kuptuar saktësisht se çfarë ka ndodhur. Ne pamë një katastrofë kombëtare: diploma origjinale apo fals, poste politike të merituara apo trashëguara nga farefisi, egoizmin ekstrem, mendjemadhësitë, shkatërrimin e moralit familjar, keqpërdorimin e feve, depërtimin nga Azia/Afrika të islamit radikal, talljen greke me Kishën Shqiptare, greqizmin e jugut të Shqipërisë, ç`kombëtarizimin, humbjen e territoreve në favor të sllavo-ortodoksëve, krimin e organizuar, mashtrimin, haraçin, konsumimin dhe kontrabandën me lëndët narkotike, trafikime të prostitutave e fëmijëve jashtë dhe brenda vendit, tradhtinë ndaj atdheut, plaçkitje dhe uzurpime të pronave shoqërore, vrasje monstruoze të njëri-tjetrit, ngujime të familjeve nga hakmarrja...Ndërkaq mediat (e varura dhe jo profesionale) ishin të rezervuara për “analistë-komentues” me probleme psikike të natyrës serioze – budallallëku i tyre nuk kishte fund. Gjenerata jonë ishte moshuar shumë për ta marrë situatën në duart e veta. Ne ishim bërë pleq në moshën 30-38 vjeç. Një brez i ri do të marrë përsipër angazhimet atdhetare, menduam ne.

A është katastrofa dërdëllisje?

Çfarë do të bëjë gjenerata e ardhshme? Do të tjetërsohet në aziatik/afrikan turq, arab, grek, serb, bullgar e sulltan? Në 25 vjetët e ardhshme ne ende jetojmë, në qoftë se nuk na ka marrë  kanceri nga  fëmijët e brezit të errët/ pemët e rënë nga drunjtë e gjymtuar. Atëherë ne bëhemi 60 vjeçar dhe bash atëherë katastrofa na kaplon me gjithë seriozitetin e sajë.

Atëherë ndoshta shumë privilegje ekonomike do hiqen nga ne. Ndoshta e gjithë fatkeqësia jonë është thjesht pa-lidhje? E vërteta nuk është vetëm se një draft, mundësi për interpretimin e realitetit.

Njeriu kurrë nuk mund ta din, dhe ne mendonim se një pafuqi kishte bërë shaka përbrenda nesh,  se ne, në të vërtetë nuk besuam kurrë në vlerën e asaj lirie që e kemi kultivuar. Asgjë nuk ishte më e lehtë se sa heqja dorë nga liria që ne kurrë nuk e përdorëm. Ajo nuk na kushtojë asgjë, për sa kohë që ne mundëm të përdorim mungesën e kuptimit për të bërë jetën e rehatshme për veten tonë; se ne, në të vërtetë nuk besuam kurrë në vlerën e sajë.

Çfarë do të mendon brezi i ri për ne? A do të na gjykojë? Si do ta shikojnë ata ironinë tonë, nevojën tonë për shaka, ikjen nga graviteti, shmangien nga detyrimet? Mbetet një dëshirë e madhe autoritare në këtë brez indiferent të lirisë, mbi fatin e së cilës do të vendosin dhe do ta përcaktojnë armiqtë e huaj. Ne duam dikë të huaj që të na tregoj se çfarë të bëjmë, sepse ne vetë nuk jemi të aftë as për gjërat më elementare të lirisë së mirëfilltë, kurrë nuk e kemi njohur atë!

Por, një gjeni i ri ndoshta do të gjej një gjuhë të re për format tona të mendimit, që apelon te dëshirat tona më të thella. Na duhet të kemi një gjeni të ri, që ne ta kuptojmë vetveten.

Ne kemi nevojë për dikë që mund të na japë një gjuhë të re përmes së cilës do të mundemi ta kuptojmë vetveten; sepse liria dhe ekzistenca biologjike e Kombit tonë fatkeq është në rrezik vdekjeje, dhe kjo është vetëm një çështje kohe para se të paraqitet ndonjë i huaj dhe ta merr atë nga ne, pa e vërejtur ne aspak. Kombi jonë asnjëherë nuk ka besuar në një liri dhe demokraci të tillë para shkatërrimit të sistemit monist.

Po ta vështrojmë pozicionin tonë si qenie njerëzore që përpiqemi të kuptojmë realitetin ku jetojmë, do të vemë re se nuk mund ta kufizojmë mendimin tonë vetëm në tema të pavarura nga mendimi ynë. Na bie të marrim vendime për jetën tonë dhe, për këtë qëllim, duhet të kemi pikëpamje që nuk cilësohen si njohje, pavarësisht se e dimë këtë gjë apo jo. Na duhet t`u drejtohemi bindjeve për ndihmë. Duhet të kemi disa bindje për të na udhëhequr në jetë. Nuk mund të mbetemi vetëm te arsyeja. Qëndrimi i arsyeshëm ka vlera, por ka edhe kufizime. Nëse ngulim këmbë për të qëndruar brenda caqeve të arsyes, nuk mund ta përballojmë realitetin ku jetojmë.

Personalitetet e vërteta mbi këtë tokë kanë një fat të vështirë, ata nuk gëzojnë simpatinë dhe mbrojtjen e grigjës, por kënaqësitë e fantazisë së tyre, dhe kur vitet e rinisë kalojnë duhet të mbajnë mbi shpatulla përgjegjësi të mëdha historike.

Është njerëzore të biesh poshtë por është çnjerëzore të mbetesh shtrirë. Ti u rrëzove, do ngrihesh përsëri, o faqe grisura e shenjta SHQIPËRI!



(Vota: 146 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora