Udhëpërshkrim
Kadri Tarelli: Festë e rrallë në Shënavlash
E premte, 20.12.2013, 09:58 PM
Përurim libri
NJË FESTË E RRALLË NË SHËNAVLASH
Nga Kadri
Tarelli, Durrës
Ishte drejtoria dhe kolektivi i shkollës, që organizuan këtë veprimatri kaq të madhe, në nderim të autorit të librit, z. Bajram Gashi, i cili para pak vitesh ka qënë vetë drejtori i kësaj shkolle. Pas një vizite në muzeun e porsa mbaruar të shkollës, në mungesë të një salle të madhe, të gjithë këta “dasmorë” u mblodhën në një lokal aty pranë.
Të parit që i takoi të përshëndesë pjesëmarrësit ishte Ismet Laçi, drejtori aktual i shkollës, i cili është edhe personazh i këtij libri modest. Me fjalë të ngrohta dhe të sinqerta, ai vlerësoi punën e madhe plot mundim të autorit, për krijimin e këtij libri që përjetëson punën dhe përpjekjet e brezave të mësuesve, të cilët gjatë një shekulli, si misionarë të dijes, shërbyen në përhapjen dhe zhvillimin e arsimit dhe të shkollës shqipe. Nuk u ndal në përmbajtje, por tek vlerat shpirtërore, arsimore dhe njerëzore. Drejtori e shikon librin si pasuri për shkollën, e më së shumti si një dokument, ku cilido mësues mund të mbështet në realizimin e punës dhe veprimtarive edukative me nxënësit. Ai theksoi: “Çdo arritje në ecurinë dhe cilësinë e shkllës e ka një fillim, madje ka edhe një themel mbi të cilin mbështetet, këtë mesazh e përcjellin kapitujt e këtij libri, ndaj kjo duhet të ngulitet e të zerë vend në mendjet dhe ndërgjegjen e mësuesit, për t’u përcjellë më pas te çdo nxënës, prind e banor i fshatit”.
Më pas Bajram Gashi, autori i librit, me shumë modesti falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan në realizimin e ëndrrës së tij, për të nxjerrë në dritë punën e klegëve mësues dhe drejtues të kësaj shkolle. Nuk zurri në gojë mundimet dhe sakrificat të disa viteve punë, për ta përmbushur fjalën e dhënë dhe amanetin e pathënë. Cilido nga të pranishmit kur dëgjon autorin, që rrëfen kaq qetë e natyrshëm, vetiu shtyhet të gjykojë e vlerësojë atë që ai përpiqet ta lerë në heshtje. Dashamirët shkojnë edhe më tej, se mundimet veniten pas një qëllimi të përmbushur. Vetëm fitorja shkëlqen pikërisht në ditën më të lumtur të një intelektuali idealist. Në fund të fundit, ku dallohen guximtarët dhe qëndrestarët, veçse në punën e nisur dhe veprën e bitisur.
Vaso Papaj, duke vlerësuar autorin, për të cilin ka bërë edhe një shkrim, theksoi se libri i tij është një shembull i mirë për t’u ndjekur nga të gjitha shkollat e qarkut të Durrësit, pasi me keqardhje mund të thuhet se janë të rralla ato shkolla që kanë një historik, aq sa mund të numërohen dy a tre të tilla.
Në fjalën e tij z. Agim
Haxhiu u ndal: Eshtë nder për mua dhe shokët e mi që kemi ardhur posaçrisht nga
Kosova, për të marrë pjesë në përurimin
e këtij libri historik, që përbën një pasuri për shkollën dhe arsimin, pasi
përjetëson veprën e mësuesve atdhetarë, të cilët gjatë një shekulli nuk reshëtn
së dhëni dije dhe atdhedashuri. Ata janë heronj në veprën dhe modestinë e tyre,
ndaj meritojnë përmendore. Edhe ky libër, në një farë mënyre është përmendore
për ta, pasi kështu ata do të kujtohen në breza. Vështirë e kini pasur ju, por
akoma më shumë ne në Kosovën e pushtuar gjatë një shekulli. Mundim dhe
sakrifica të patreguara, shpesh edhe jetë e gjak, për ta mbajtur gjallë mësimin
shqip. Edhe mësuesit tanë në Kosovë janë heronj të pazë që meritojnë nderim të
veçantë. Ata e kuptuan dhe ua rrefyen rinisë thënien e artë të rilindasve tanë,
se liria vjen përmes rrugës së diturisë. Kështu Kosova sot është e lirë. Në
libër ka një reprotaxh të bukur të lidhjes së shkollës “Hysni Zajmi” në Vrellë
në komunën e Istogut me shkollën “Besnik Hidri” këtu në Shënavlash. Uroj që
lidhja të vazhdojë, pasi kështu njhemi më mirë dhe shkëmbejmë përvojë.
Miqësohemi ne dhe nxënësit tanë. Libri i Bajram Gashit është model edhe për
studjuesit tanë në Kosovë. Historia nuk duhet të na humbasë.
Sadik Bicaj, drejtues i shkollë “HYsni Zajmi” dhe publicist, theksoi: “Libri monografik “Një shekull në udhën e dijes”, është një dhuratë e madhe për të gjithë ata që punuan dhe që dolën nga kjo vatër e diturisë…. Prandaj përgëzoj autorin për punën e palodhëshme dhe të guximëshme që ka bërë, por edhe të gjithë ata që kanë kontribuar në rrugën shekullore të arsimimit, që nuk ishte e lehtë. Urime!”.
Në fund u lexuan përshëndetjet e Vaso Papajt dhe profesor Murat Gecaj, të publikuara në internet, njëkohësisht dhe letra e shkrimtarit Viron Kona dërguar Bajram Gashit autorit të librit, ku mes të tjerave thuhet:
Të dashur pjesëmarrës, mësues, nxënës, të ftuar në përurimin e librit
”Një shekull në udhën e dijes”.
I dashur miku im Bajram Gashi!
Në pamundësi për të ardhur në festën tuaj të bukur përuruese, dëshiroj t`ju shpreh respektin dhe urimet e mia më të përzemërta e miqësore!
“Një shekull në udhën e dijes”, të cilin e kam lexuar që në dorëshkrim, është shkruar me pasion, kulturë dhe dashuri, prandaj edhe na emocionon së tepërmi dhe dëshirojmë ta mbajmë gjithnjë pranë, për brendinë dhe vlerat që rrezaton nga njëra faqe në tjetrën. Mrekullohemi, kur shohim sesi është hedhur dritë dhe janë portretizuar e ndriçuar figurat e mësuesve, të cilët autori, i vendos me penën e tij në piedestalin e lartë të nderit. Një libër, është i autorit kur ai e shkruan, por kur ai botohet, bëhet pronë e të gjithë lexuesve.
Faleminderi, Bajram Gashi!
Me respekt për të gjithë pjesëmarrësit në atë përurim!
Viron Kona
Në përfundim, mendimi i të gjithë pjesëmarrësve është: I lumtë Bajram Gashit, sepse bëri diçka. Ky nuk është fundi, por vetëm fillimi dhe duhet përgëzuar. Shpresojmë dhe besojmë që të shërbejë si shembull për këdo, që synon dhe ka guxim për t’i hyrë punës së mundimshme të plotësimit e pasurimit të histrikut shkollës.
Urime Bajram Gashit, me shpresë për libra të tjerë!