Udhëpërshkrim
Murat Gecaj: Panairi i Librit “Tirana-2013”
E enjte, 14.11.2013, 07:40 PM
VAZHDON PANAIRI I 16-TË I LIBRIT, “TIRANA-2013”…
Nga Prof. Murat Gecaj - publicist e
studiues-Tiranë
1.
Siç është bërë e ditur, në Pallatin e Kongreseve të
kryeqytetit Tiranë, dje u çel Panairi i 16-të i Librit, “Tirana-2013”. Në
ceremomninë e rastit morën pjersë mjaft shtëpi botuese dhe autorë, shkrimtarë,
poetë, studiues, përkthyes e publicistë etj., si dhe personalitete zyrtare e
përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë. Në fjalët e mbajtura, nga Shoqata e
Botuesve Shqiptarë e të tjerë, u nënvizua fakti se ka një ulje të botimeve të
reja, në krahasim me një vit më parë. Pra, ndërsa vjet u paraqitën 2.866 tituj
librash të rinj, sivjet ky numër ka rënë në 1.086?! U tha se, shkak kryesor për
këtë gjë, është ulja e nivelit ekonomik të autorëve të ndryshëm.
Në këtë Panair, sivjet marrin pjesë rreth 95 ekspozues,
nga të cilët 30 nga jashtë vendit, pra nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.
Parashikohet që këto ditë të organizohen afër 100 veprimtari dhe 60 përurime
librash të rinj etj.
Pamje, nga mjediset e Panairit…
2.
Sot paradite, kur ishte dita e dytë e këtij Panairi,
bashkë me autorin e njohur të disa librave e të fjalorëve dygjuhësh dhe
veprimtarin e dalluar për çështjen kombëtare shqiptare, i cili jeton prej afër
50 vjetësh në Suedi, Sadulla Zendelin-Daja, u nisëm për ta parë atë dhe për të
marrë pjesë në përurimin e disa librave të rinj. Ndërkaq, ne u përfshimë me
masën e madhe të demonstruesve të kryeqytetit, shumica prej të cilëve ishin
studentë e nxënës, të cilët protestuan me vendosmëri kundër ardhjes për
shkatërrim, në Shqipëri, të armëve kimike, nga Siria. Me parulla të shumta ndër
duar, ata u ndalën, duke thirrur njëzëri “Jo, jo, jo!”, si para Kuvendit të
Shqipërisë, ndërtesës së Kryeministrisë dhe përballë selisë së Presidentit të
Republikës. Ky i fundit, priti në një takim të veçantë disa prej tyre dhe
premtoi se ai, si kryetar i Shtetit Shqiptar, do të jetë kurdoherë në mbrojtje
vetëm të interesave më të larta të rinisë dhe tërë popullit shqiptar.
Ndërsa atmosfera e këtyre protestave ishte e pandërprerë,
në Bulevardin qendror të Tiranës, “Dëshmorët e Kombit’, ne hymë në mjediset e
Panairit të 16-të Librit, ku gjithashtu kishte një gjallëri të veçantë dhe
pjesëmarrje të lexuesve të moshave të ndryshme, sidomos nga moshat e reja.
3.
Pasi pamë stendat e disa shtëpive botuese, si nga
Shqipëria, por dhe Kosova e Maqedonia, bashkë me Dajën, kolegët Kujtim Dashi e
Hatixhe Lushi etj., morëm pjesë në përurimet e planifikuara nga Shtëpia e
njohur Botuese “Toena”, e cila drejtohet nga znj.Irena Toçi. Aty ishin
pjesëmarrës e u takuam edhe me kritikun e njohur Ali Aliu, studiuesin e
pasionuar arbëresh, prof. Matteo Mandala e të tjerë.
Përurimi i parë ishte ai për librin e Durim Taçes, “Shtatë
rrëfime, një vaki”, rreth të cilit u dhanë mendime nga disa veta dhe në
fund foli autori. Më tej, shkrimtari i njohur dhe i suksesshëm, Fatos Kongoli
përuroi librin e tij të ri, “Njeriu me fat”. Me inters u ndoqën edhe
përurimet e librave tjerë, nga Silvana Berki, “Më jep vetëm 15 ditë”
dhe, pasdite, nga Besnik Mustafaj, “Autoportret me teleskop”.
Kujtim i përbashkët, pas një
përurimi…Nga e majta: M.Gecaj, M.Mandala, Daja e K.Dashi
Në vazhdimësi, pritet që nesër, vetëm nga kjo shtëpi
botuese, të organizohet përurimi i dy librave të përkthyera: “Ushtarë të
Salaminës”(autor Javier Cercas) e “Antenat e epokës sime” (autor
Anteos Hristostamidhis) dhe “Pendimi i Mihal Zolait” (autore
Griselda Qosja). Ndërsa Sadulla Zendeli-Daja do të përurojë një libër me poezi,
kur është në pritje që t’i dalë nga shtypi fjalori i tij voluminoz, me 1.600
faqe, shqip-suedisht. Gjithashtu, libër të ri do të përurojë autorja Rina
Cakrani (Rrufepritësi”).
Ditën e shtunë, në sallën ovale të Panairit të 16-të të Librit, “Tirana-2013”, do të organizohet shpërndarja e çmimeve për autorët fitues. Ndërsa ditën e diel në mbrëmje, pra më 17 nëntor 2013, do të jepet konferencë shtypi e organizatorëve për arritjet dhe çështjet, që dolën gjatë këtyre ditëve të kësaj feste së librit shqiptar.