Kulturë
Agim Mato: Udhëtimet e mëdha fillojnë nga shpirti
E diele, 02.06.2013, 10:56 AM
 AGIM MATO
AGIM MATO
LUNDRIMET E MËDHA FILLOJNË NGA SHPIRTI
Përpiqem të gjej rrënjët e dëshpërimit 
ku është mpleksur spiranca e lundrimeve të tua. 
Hetoj ujrat e kaltërta të syve të tu,
llokoçitjen e halave të qerpikëve, si shelgje
lotues,
ku frika ka ngritur folezat e një dyshimi.
O brishtësi e trembur, o turbullim miturak, 
O trumcak i urritur për një gllënkë qiell,
mos e lerë dritën tënde të përpëlitet nga terri,
mos e lerë shikimin të më pyesë me këmbëngulje 
për dramën e një udhëtimi të ndërprerë
që mendon se luhet brënda teje.
Ç’ dramë? – të them unë. Pa shikomë, bija ime, 
nuk të dukem si një pyll i djegur nga rrufetë e
fatit? 
A nuk e sheh se përditë mbledh hirin tim 
dhe ua hedh sërish shpresave për t’i rritur nga e
para? 
Çfarë mendon se ke humbur 
kur ende nuk ke mësuar 
t’i nderësh pëlhurat e tua për udhëtimet e largëta?
Ku i ke pajimet dhe kalkulimet e trurit? 
Në ç’palestër i stërvit ëndërrat e tua?
Në ç’liman pret të të brohorasin për finishin? 
Vërtet nuk e di, bija ime, se lundrimet e mëdha
fillojnë
 nga shpirti?
JAM PREJ LOTI
Jam prej loti. Jam vetëm një spitharë që gdhëndin
dallgët mbi 
shkëmbinjtë  detarë për të
depozituar
e përtharë shëllirën e ofshamave të tyre.
Një shtyllë kripe e ngulitur mbi dhimbjet jam.
Mos shikoni lodrën e dritës 
që përthyhet në kristalet e klorurit të natriumit.
Ato nuk
       janë shkëlqimi im.
Lotin kam.
Të rritur brënda vetes
vit pas viti, 
dert pas derti. Lotin
që pak dinë ta shohin,
që pak dinë ta kuptojnë atë gur të çmuar të
urtësisë dhe
                   durimit të madh.
TË FALËNDEROJ QË EKZISTON
Kur erdhe ti
çuditërisht u  terratisën 
perënditë e rreme 
që vërtiten rrotull
njeriut.
Deri në ato çaste nuk e dija që ekzistoje.
Nuk e dija që
ekzistonte ai dritësim i syve të tu 
që përshkëndiste
mijëra nuanca të kaltra rreth e rrotull.
U frenua verbimi
brënda meje 
dhe një puhizë e
lehtë ëndërre
filloi të shtyjë dy
vela të bardha 
për të mbërritur në
farin e vetmuar 
ku rroja si një
eremit deti
i harruar nga
lutjet dhe blasfemitë e të tjerëve. 
Drita që solle
papritur ma trembi vetminë 
dhe, i pamësuar me
të, nuk guxova  
të rri gjatë përballë teje,
që të mos
vuaja.  Pyesja hijen time 
prej Heminguei 
dhe ajo bëhej më
memece se unë.
Tani të falënderoj
që ekziston.
Maj 2013  
ERA 
Askush nuk e mban mënd  kohën kur nisi ai
breshër 
                                                                        i rrëmbyer 
sikur makina vetshkarkuese 
të shkarkonin zhavor 
mbi taracat e dëndura të qyteteve.
Ç’ti kishte ndodhur aksit të dheut? 
Në ç’drejtim filloi të ecte koha?
Përpiqeshim të hapnim dyert 
dhe e kuptuam se ishim të bllokuar brënda
apartamenteve 
si brënda piramidave të faraonëve.
Atëhere u sulëm të dilnim nga dritaret 
duke rrëshqitur mbi rruzujt e breshërit
dhe me brritma kërkonim ekuilibrin e humbur.
Një diell i ftohtë fosfori u shfaq i ngrirë sipër
nesh
sikur ta ketë flakur në qiell 
me spazma, nga gryka e vet, 
një vullkan i akullt.
Cila perëndi mori hakën e miteve 
dhe e shndërroi botën në një lodër kibernetike?
Sa shekuj do të na duhen 
që të mbërrijmë në stinët e dikurshme?
Si do ta rikthejmë drejtpeshimin tonë?
2013
LAVDIA
Ecën si i dalë
prej intervistave.
Një autograf i
shkëlqen 
si një
mikrofon mizë
i harruar te
jaka e xhaketës.
Baloni i një
buzëqeshje
i përhumb
shikimin.
Edhe kur bie
të flerë,
qenia e tij
lundron 
pa e fikur
dritën e saj. 
Krevati
shndërrohet në një anije 
me velat e
çarçafëve që i fryn lavdia. 
Zbret në kohë
të tjera.
Beson se
rastësisht
fati e hodhi midis nesh.

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










