Mendime
Drita: Shteti - fakt apo vetëm dëshirë?
E marte, 05.03.2013, 09:43 PM
SHTETI – FAKT APO VETËM DËSHIRË?
Që nga
kohët e lashta e gjer më sot, popujt dhe shoqëria njerëzore, janë përpjekur
gjithmonë të gjejnë rrugë për të arritur një rend shoqëror sa më të përkryer.
Kjo përpjekje, ka pasur dy rrugë kryesore, mbi të cilën është mbështet ecja
njerëzore drejt rregullimit shoqëror. Njëra rrugë është mbështet mbi
superforcën ushtarake, e cila arrihej, pas një gërshetimi të nacionalitetit, në
shfrytëzimin e mençurisë së individëve, kapitalit, i cili duhej siguruar nga
resurset vetjake ose eksploatimit dhe
motivacionit të qytetarëve, nëpërmjet lakmisë dhe përfitimit. Rruga e dytë, ka
qenë gërshetimi i racionales dhe shpirtërores. Kjo rrugë, për një rend shoqëror
të shëndoshë, doemos, kërkon vlera të
përbashkëta që tejkalojnë interesin, s’kanë qëllim pushtetin dhe i nënshtrohen
të vërtetës dhe të drejtës. Pushteti, gjithnjë është mbështetë mbi forcën,
kapitalin dhe intelektin, por megjithatë, shpirtërorja ka qenë ajo që ka
përmbysë pushtetet dhe e ka vu shoqërinë njerëzore në kërkim të një zgjidhjeje
ma të mirë, ku përpjekja për ndërtimin e një sistemi vlerash të përbashkëta, si
synim pozitiv për të siguruar nevojat e jashtme të njeriut, të mos i cenon
pasuritë e brendshme të shpirtit të tij.
Sipas
përvojës së popujve, shteti është realizimi politik i kombit, i cili themelon rendin shoqëror
nëpërmjet vendimit politik ose votës së lirë të qytetarëve, përcakton qëllimet
e përbashkëta si interes i të gjithëve. Ky rend shoqëror dhe ky interes i të
gjithëve, në rendet politik të shoqërive demokratike ku jemi rreshtuar ne
kuptohet dhe bazohet në dinjitetin e njeriut, lirinë e individit, barazinë në
dallime, sigurinë e të gjithëve, harmonizimin e mundësive dhe aftësive të
personave në të mirë të gjithëve, ndarjen e barabartë të mirave të përkohshme,
përkujdesjen social etj. Por, megjithatë, e ven interesin përbashkët mbi të
mirën e individit. Këndej, rendi demokratik, nënkupton sistem shoqëror, ku
Shteti është mjet i përbashkët për t’i ruajtur të arriturat dhe për të arritur
qëllimet e caktuara të një kombi. Apo,
siç është rasti ynë, i një bashkësie
qytetarësh që kanë përkufizuar interesat e tyre të përbashkëta për hir të
paqes, lirisë dhe prosperitetit. Paqja është parakusht për zhvillimin e një
shoqërie dhe për rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Qëllimi që synon
demokracia (veprimi i lirë e qytetërues), është vetëdija qytetare se pushteti,
resurset e një vendi dhe aftësitë e personave, të kësaj bashkësie politike,
janë pasuri e përbashkët që duhet përdorë në të mirë të t ‘gjithëve. Përdorimi
i këtyre të mirave dhe harmonizimi i përparimit për të gjithë, në bazë të
aftësive dhe mundësive që kanë, përcaktohen në kontratën kolektive që është
kushtetuta dhe ligjet. Kjo do të thotë se sovraniteti i takon individit, i
cili, kolektivizon autoritetin politik me bashkëmendimtarët, nëpërmjet votës, e
cila iu mundëson të zgjedhurve ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive
kushtetuese me autoritetin e shtetit. Përparimi qytetërues, arrihet kur e
gjithë kjo përpjekje ka për qëllim të mirën e individit, familjes së tij dhe të
institucioneve tjera që janë në shërbime të njeriut qytetar. Në një
përmbledhje, kjo do të thotë se ku funksionon shteti është i panevojshëm
pushteti. Ne e dimë se në demokracitë e
avancuara funksionon shteti pa pushtet, kurse në demokracitë në zanafillë, siç
jemi ne dhe fqinjët tanë, funksionon pushteti, ndërsa shteti është synim në
horizontin e qëllimit të qytetarëve.
Shoqëria
jonë, gjatë shumë shekujve ka pasur tri përvoja me pushtetin, të cilat kanë
qenë të ndara në kohë dhe në përfshirjen e përkrahësve bashkë-vendas. Përvoja e
nënshtrimit para pushtetit pa dinjitet, por për pushtet; përvoja e luftës
kundër pushtetit, pa vizion për shtet; dhe përvojën afatgjate e shtetformimit.
Sigurisht, më e dhimbshmja ishte stërzgjatja e shtet-formimit dhe e
tranzicioneve të shumta, që përpjekjen për shtet e konvertonin në dëshirën për
pushtet, shfrytëzim të padrejtë të mirave dhe arritjen personale.
Në
fillimshekullin e dytë të pavarësisë së Shqipërisë dhe në pesë vjetorin e
shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mund të konstatojmë arritje dhe dështime,
suksese dhe të meta, të jemi dëshmitarë të përparimit dhe të dështimit të
gëzohemi apo të vajtojmë, por ne do të përpiqemi që të theksojmë synimet
pozitive të njerëzve dhe aspiratat e popullit, që duke lexuar ato, të mund të
konstatojmë: ka vend për shpresë, apo duhet rizgjuar shpirti i së vërtetës për
të synuar realizimin e dëshirës kolektive që të kemi një shtet në shërbim të
qytetarit, e jo që të ndërtojmë një qytetar në shërbim të shtet.
Aspirata
e përhershme e popullit dhe e njerëzve që jetojnë sot, ka qenë dhe mbetet
liria, mëvetësia dhe përparimi nëpërmjet zhvillimit të gjithmbarshëm në parimet
e qytetërimit perëndimor dhe në frymën e kulturës vendore që e bartim nëpër
breza. Qëllimi kryesor i synimit për zhvillim,
ishte që të nxirrej populli ynë nga shtypja shekullore, nga padrejtësia
shoqërore, nga varfëria e skajshme, nga mjerimi konstant, nga padituria ose
analfabetizmi. Në kontekstin e zhvillimit ekonomik, nënkuptohej përdorimi i të
mirave të përbashkëta në dobi të kombit dhe të mërqinjës së njerëzve, duke
hapur atë ndaj konkurrencës me ekonomit
e tjera, që të arrihej zhvillim i mjaftueshëm, ku çdo qytetarë, nëpërmjet punës
së tij, do të siguronte të ardhurat e nevojshme për të jetuar më mirë. Në
kuptimin social, pritej që të kemi një shoqëri solidare dhe një shtet
kujdesplotë për ata qytetarë që kanë nevojë të kenë kujdesin e të tjerëve për
të siguruar jetë të dinjitetshme. Mbi të gjitha, synohej të kemi një shtet, ku
shërbimi institucional do të ishte i natyrshëm, ku shërbimi shëndetësorë të ishte
më i kujdesshëm dhe i sigurt për të gjithë, etj. Me pak fjalë, ku nuk do të
duhej të paguhej për të marrë shërbimin që i takon. Në rrafshin kulturor pritej
që do të kristalizohej tradita dhe kultura burimore e kombit dhe do të
fshiheshin mbishtresat e panatyrshme që i kishte vendosur koha. Do të rritej
vetëdija qytetare për vlerat e vendit dhe do të shfrytëzohej çdo mundësi që ta
ri plasonim thesarin kulturor të trashëguar, që të dëshmonim se edhe ne jemi
bashkëndërtues dhe bashkëtrashëgimtarë të qytetërimit europian. Në kontekstin
politik, ndoshta janë arritur shumë qëllime, mbetet që të shihet a do të mund
të arrijmë një demokraci që të jetë në gjendje të sigurojë drejtësi, liri dhe
paqe për të gjithë qytetarët, pa dallim.
Duke
analizuar kështu përditshmërinë, familjen, shkollën, vendin e punës dhe
gjendjen në publik, çdo kush mund ta di nëse kemi arritur të kemi shtet apo
akoma jemi nën vullnetin e pushtetit. A kemi kaluar nga faza e shteteformimit
në shtetefunksionim, dhe a është arritur qëllimi, apo akoma duhet ecur drejt
tij?! Ne s’ jemi të sigurt, por pajtohem me Ipeshkvinjtë e Shqipërisë që në
porosinë e tyre për 100 vjeturinë pavarësisë na ftonin të lusin Zotin që të
gjejmë “... një gjuhë të mirëkuptimit për të mirën e atdheut të përbashkët, në
mënyrë që zhvillimi i demokracisë të jetë sa më i shpejtë dhe i drejtë’’.
Pa dyshim
nuk ka munguar edhe suksesi. Më të
“‘suksesshëm” kemi qenë në ato arritje që s’i kemi dëshiruar asnjëherë dhe në
ato që s’kemi aspak nevojë. Kemi arrit të kemi aq shumë liri, që para sajë të
dorëzohet drejtësia, le’ma e drejta! Nëpërmjet shfrytëzimit të lirisë, pa iu
nënshtruar të drejtës dhe të vërtetës, kemi arritur të rimohojmë veten tonë, të
përbuzim të kaluarën dhe të turbullojmë vizionin për të ardhme të sigurt. Bile
kemi shenjat e para të përplasjes mes “promovuesëve të pamoralshmes dhe
rojtarëve të moralit”.
Në këtë
fazë të shtetndërtimit, jemi mes dy absurditeteve: në njërën anë të mendimit
liberal mbi shtetin, i cili mendon se do të shpikë mënyrën për ta mbrojtur qytetarin
nga Zoti dhe nga detyrimet morale që burojnë nga feja, pa e cenuar lirinë e
fesë dhe mendimit fanatik fetarë që mendon se e drejta dhe e vërteta janë pronë
e tyre, që iu jepet apo iu merret, varësisht, nga merita e qytetarit ose
vullneti i pronarit.
Megjithatë, brenda kësaj shoqërie, ka aq shumë forca pozitive që mund të ri zgjohen dhe të rimarrin përgjegjësinë e të ardhmes dhe fatit të gjithë shoqërisë.