E hene, 29.04.2024, 02:12 AM (GMT+1)

Mendime

Skënder Shkupi: Kombi dhe Politika

E merkure, 30.04.2008, 04:23 PM


KOMBI DHE POLITIKA

Nga Skënder Shkupi

Një nga shqetësimet e mëdha të opinionit publik shqiptar këto dy-tri javët e fundit ka qenë i ashtuquajturi "incident i Himarës". Një kryetar bashkie, i zgjedhur nga PBDNJ, bashkoi zërin e tij, jo krejt papritmas, me një turmë që lajmëroi botën se z. Bollano, jo vetëm që ishte vetë grek, por edhe territori ku qeveriste ai ishte grek, se Himara ishte greke dhe e tillë do të mbetej edhe në shekujt që vijnë, se në bregun e Detit Jon duhet të funksiononte një polici greke për të vendosur rendin dhe se shqiptarët duhet të largoheshin nga Bregu pasi ishin "të huaj" e të padëshirueshëm në Himarën "e tyre". Shumë sfida njëherësh për Tiranën zyrtare që, me sa dimë, ende vazhdon të mbetet kryeqendër administrative edhe për Bregun.

Mjafton vetëm njëra prej këtyre tezave për të thyer karrigen e çdo pushtetari lokal në çdo vend të botës. Mirëpo në kryeqendrën tonë u mbajt një qetësi olimpike. Merret vesh se këtu nuk është çështja e një personi paksa të lajthitur si z.Bollano. Ai është një aktor i vogël dhe fare i parëndësishëm. Ne jemi përballë një politike shtetërore greke, që vijon të këmbëngulë egërsisht në shekullin 21 në ca pretendime tokësore që e marrin frymëzimin nga mentaliteti i shekullit19.

***

Së pari, duhet nënvizuar që situata e sotme gjeopolitike e rajonit është shumë më miqësore se dikur ndaj interesave tona. Nga ana tjetër, harrohet fakti që në politikën e SHBA, ende violinë e parë në marrëdhëniet politike globale, kundrejt konflikteve ballkanike, ka një konstante që nuk varet nga regjimet e përkohshme që vendosen në hapësira të ndryshme të këtij rajoni. Për këtë le të bëjmë një retrospektivë të vogël.

Aty nga mesi i shekullit të kaluar, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kalonin minimumin historik të tyre. Ishte koha kur nga avionët amerikanë dhe britanikë hidheshin në Shqipëri të ashtuquajturit "diversantë" që kërkonin të përmbysnin me armë regjimin e Hoxhës. Anasjelltas, Greqia sapo kishte shtypur kryengritjen komuniste të EAM-it dhe drejtuesit e djathtë të saj ishin në "muajin e mjaltit" me Shtëpinë e Bardhë dhe me Departamentin e Shtetit. Duke dashur të shfrytëzonin koniunkturat e kohës, udhëheqësit grekë u përpoqën shumë të sanksiononin "të drejtën" e tyre "historike" dhe "juridike" për të ndryshuar kufirin shqiptaro-grek në dobi të Greqisë, pra për aneksimin e asaj pjese të Shqipërisë së Jugut që thirret "Vorio-Epir".

Në veprën e tij dinjitoze studimore "Shqipëria dhe Greqia 1949-1990-Paqja e vështirë", historiani Beqir Meta thekson: "Në momentet e fundit të luftës civile greke, Uashingtoni dhe Londra hodhën poshtë kërkesën e qeverisë greke për të sulmuar ushtarakisht dhe për të pushtuar Shqipërinë" (f.23) dhe më poshtë: "Ambasadori amerikan në Beograd më 1950, Cannon, informonte Titon: "Ne i kemi dhënë këshilla të forta Greqisë që të rrijë mënjanë dhe se SHBA gjithmonë kanë qenë për pavarësinë e Shqipërisë" ". (f.25; citimi është nxjerrë nga J.T.Malakasses "The American Position" f.44).

Pra, kur në vitin 1950 SHBA nuk lejonin dhunim shtetëror të armikut të tyre më të madh në Ballkan, si mund ta tolerojnë këtë më 2008, kur Shqipëria dhe shqiptarët kanë fituar statusin e mikut të tyre më të afërt, ndofta në përmasa planetare?

Së dyti, për aktin e fundit të anëtarësimit tonë në NATO, apo për hapin e dytë që ne do të hedhim për t'u bërë pjesë e BE-së, ka një mundësi potenciale që të ndeshemi me kundërshtimin e Greqisë. Mirëpo për fqinjët tanë të Jugut, një qëndrim i prerë antishqiptar, në rrethanat e sotme, nuk duket të jetë fort i lehtë. Ata kanë probleme shekullore me Turqinë, probleme akute të sotme me Maqedoninë e nëse do të shtonim një qëndrim të mundshëm inatçor të ardhshëm edhe me Shqipërinë, atëherë kupa derdhet dhe Greqia do të ndodhet përpara një situate aspak të këndshme në skenën europiane. Nëse grindesh me të gjithë pak mundësi ka që të tjerët të mendojnë se je ti, dhe gjithmonë ti, ai që ka të drejtë.

Së treti, imigrantët shqiptarë në Greqi, në pjesën e tyre dërrmuese, janë ingranuar në ekonominë e atij vendi. Tashmë, 800 mijë njerëz nuk është e lehtë të lëvizen pa shkaktuar trauma sociale dhe ekonomike në vendin fqinjë. Një largim i tillë do t'i shkaktonte dëm të ndjeshëm ekonomisë greke dhe, në rrethana të një dëbimi masiv të shqiptarëve, duhet llogaritur edhe një reagim aspak i papërfillshëm i punëdhënësve grekë që mund të preken nga masa të tilla drakoniane.

Ndërkohë, nëse arsyetimet e parashtruara për të trimëruar sadopak qeveritarët tanë e për t'i kthyer ata në mbrojtës normalë të vendit të tyre, mbështeten në pamundësinë reale të Greqisë për të vënë në jetë projektet e saj të vjetra të pushtimeve territoriale, atëherë ç'na prish punë janë apo s'janë të guximshëm prijësit tanë ndër vite? Në të vërtetë, pikërisht këtu qëndron rreziku. Politikanët tanë, me frikën e tyre të skajshme ndaj Greqisë, krijojnë artificialisht situata joshëse për rivendikuesit e babëzitur të përtej Gramozit. Ata, në këtë mënyrë, e kthejnë prapa rrotën e historisë drejt atyre viteve kur në projektet për të ardhmen e Shqipërisë të zotët e vendit as që pyeteshin fare. Dikush mendon se "lëshimi pa fund i perit" Greqisë është një politikë e madhe. Në të vërtetë ajo është një politikë e vogël, madje shumë e dëmshme për interesat e Kombit.

Kombit nuk i duhet as politika e madhe e trimave si Tartarini i Taraskonit dhe as politika e tejkujdesshme e frikës së një çinovniku të Çehovit, te novela e pavdekshme e tij "Vdekja e një nëpunësi". Formula është fare e thjeshtë, madje duke filluar nga rasti i zotit Bollano apo Mpollano, pasi nuk e dimë si e ka emrin e tij origjinal nga stërgjyshi grek. A nuk mund të bëjnë një marrëveshje në interes të kombit PD dhe PS në Himarë që, në një palë zgjedhjesh vendore të kandidojë vetëm përfaqësuesi i PD-së, për kryetar bashkie, e të mbështetet nga PS-ja dhe në zgjedhjet vendore pasuese të kandidojë ai i PS-së dhe të mbështetej nga PD-ja? Në këtë mënyrë edhe himariotët do të qetësoheshin, edhe marrëdhëniet tona me Greqinë (për të cilat jemi aq fort në ankth!) nuk do të acaroheshin. Të gjitha palët do të mbeteshin të kënaqur dhe opinioni ynë publik do të gjente një temë tjetër politike për argëtimin e radhës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora