E shtune, 26.07.2025, 03:24 AM (GMT+1)

Mendime

Nafi Baxhaku: A janë Vehabitë Kanceri i fesë Islame?

E diele, 27.04.2008, 01:42 PM


A JANË VEHABITË KANCERI I FESË ISLAME?

Nga Nafi Baxhaku, Suedi  - 03/05/07

Arrestimi i disa Vehabistëve në Sanxhak, për shkak të dyshimit se kishin formuar kampin terrorist, me siguri se ka shkaktuar shqetësim në opinionin kosovar. Për këte arsye përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe kuadrot tjera fetare nuk duhet të heshtin.

Vehabistët veprojnë edhe në Kosovë, prandaj kosovarët, si fqinjë të Sanxhakut, duhet të interesohen se çka po ngjan atje. Në Kosovë jeton pakica boshnjake, e cila i ka lidhjet kulturore dhe shpirtërore me boshnjakët e Sanxhakut.

Pa marrë parasysh faktin se ku veprojnëVehabistët, ata janë të njejtë dhe kanë qëllime të përbashkëta. Megjithate, është fjala për besimtarë myslimanë, të cilët mes vete kanë lidhje shpirtërore me besimtarët tjerë, anipse Vehabitë e komentojnë ndryshe islamin.

Madje, nuk është fjala vetëm për Sanxhakun, sepse Vehabistët janë aktivë edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Shqipëri… Natyrishte se ajo që po ngjanë për rreth nesh nuk mund ta shikojmë pa interesim dhe me indiferentizëm. E them këte për faktin që ata po veprojnë në emër të islamit. Këto fakte na obligojnë që të angazhohemi për të vërtetën në lidhje me Vehabistët, të cilët erdhën 6 shekuj me vonesë edhe në Kosovë. Por, nëse ofrojnë diçka të mirë dhe pozitive e në frymë islame, atëherë, si thotë populli, më mirë vonë se kurrë. Por, për këte duhet vullnet dhe qëllime të mira, gjë të cilën nuk e kanë ekstremistët.

Dr.Rexhep Boja, ish-myftiu i Kosovës, Vehabistët i kishte cilësuar si, ”ekstremistë në praktikimin e fesë islame.” Çka dmth ky vlerësim për Vehabistë, përkrahësit e tyre dhe për  të gjithë besimtarët myslimanë? Për të kërkuar ndonjë zgjidhje në lidhje me këte çështje, duhet diskutuar krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës, intelektualët (këta që i kemi), dhe kuadrot tjera fetare. Në këtë çështje mund të ndihmojnë edhe ato media të cilat në veprimtarinë e tyre të guximshme çmojnë Fjalën dhe Mendimin e Lirë. Mendoj se e vetmja gazetë është ”Gazeta Java” e M.Kelmendit, dhe si e tillë edhe u vlerësua nga një institucion ndërkombëtar (”Reporterët Pa Kufi”) me ”Çmimin për Shtyp Të Lirë.”  Tjetër është fakti që pothujase të gjitha mediat kosovare e heshtën këtë çmim të ”Javës”. Edhe ky fakt dëshmon varfërinë dhe shpirtngushtësinë e atyre të cilët i udhëheqin (dhe financojnë) këto media. Është kënaqësi shpirtërore që t’iu gëzohesh sukseseve të cilat i arrijnë tjerët me aftësi profesionale dhe me punë të paster. Por …

Nuk mund të hesht njeriu kur ndëgjon se, Ismail Prenic, me pamje të jashtme si taliban, i dyshuar per terrorizëm, po fshihet në Kosovë. Pa dashur njeriut i kujtohet ajo çka po ngjanë me sektin Sunit dhe ate Shiite në Irak, ku për çdo ditë po në atentate po vrahen me dhjeta njerëz, bile edhe nëpër Shtëpiat e Zotit, në xhamia. Krime të tilla nuk mund t’iu falen as njerëzve të pa-fe, dhe atyre që janë të çmendur.

Natyrisht, paraqitja e Vehabistëve me pamje të jashtme sikur të ishin njerëz nga Pakistani, Afganistani apo nga ndonjë shtet arab, nuk të len përshtypjen se kemi të bëjmë me shqiptarë (myslimanë) të trojeve shqiptare, në të cilat kurrë nuk janë parë veshje të tilla. Është e drejtë e secilit të veshet, apo të mbajë mjekërr të gjatë, mos të them trishtuese, por kjo nuk dmth që të tillët kanë të drejtë të njejtën gje tua imponojnë edhe myslimanëve të tjerë.

Që sektet fetare kanë prirje përçarëse midis myslimanëve, kjo është dëshmuar dhe po dëshmohet edhe sot. Profeti Muhamed ka thënë: ”Mysliman i vërtetë është vetëm ai nga fjalët dhe duart e të cilit janë të sigurt dhe të qetë të gjithë njerëzit.” Pra, jo vetëm besimtarët, por të gjithë njerëzit. Çfarë humanizmi i madh?

Shtrohet pyetja: sa po e përfillin këte thënie të Muhamedit Vehabitë gjatë aktiviteteve të tyre? Çfarë raporte kanë me Bashkësitë Islame, dhe sa janë përpjekur që të merren vesh në lidhje me çështjet kontestuese? Pse sekte dhe përçarje të reja midis myslimanëve? Interesave të kujt i shërbejnë këto? Është e ditur se Vehabistët në Bosnjë e Hercegovinë, sikurse në Sanxhak, kanë shkaktuar konflikte midis xhematit nëpër disa xhamia, ku kanë ushtruar dhunë fizike ndaj disa imamëve dhe muezinëve. Për këto ngjarje heshtin Vehabistët kosovarë.

Myftiu i Sanxhakut, Muamer Zukovic, në një intervistë (”Dani”, 11. ’06), thotë: ”Disa muaj me radhë kemi incidente nëpër xhamia dhe më së shumti në xhaminë qëndrore të cilën (Vehabistët) e kishin zgjedhur si më të rëndësishmen në Novi Pazar.”

E ceka këte sepse myftiu Zukovic në vazhdim thekson se, ”Organizata e Vehabistëve e ka përfaqësinë e vet në Kosovë.” Edhe pse në Kosovë nuk ka pas konflikte sikurse atje, për deklarata të tilla nuk duhet heshtur, pa marrë parasysh faktin se janë gjëra që dihen.

Megjithate, sikurse në Bosnje e Hercegovinë, ku ishte paraqitur grupi i Vehabistëve, i udhëhequr nga  Isuf Borcic, (i ndjerë, i cili për nga veshja dhe mjekrra dukej  sikur ndonjë Afganistanez), kishin shkaktuar konflikte dhe dhunë fizike midis xhematit, duke u ndarë nga Bashkësia Islame e BHs. Edhe në Sanxhak, te myftiut Zukovic, u paraqitën Vehabistë të cilët në rrethin e Novi Pazarit kishin formuar qendrën për  ushtrime. Të gjitha këto ngjarje kanë një porosi edhe për Bashkësinë Islame të Kosovës, për të cilën si duket nuk kishte domethënie as fjala e ish-ministrit Rexhepi, i cili në Kuvendin e Kosovës tha: ”Ekstremizmi fetar është në rritje. Në bazë të një raporti, del se lëvizja Vehabi, organizatë me ide islamike, ka filluar të përhapet me të madhe.” (”Express”, 27 janar ’07). Bashkësia Islame e Kosovës mban përgjegjësi për të gjithë besimtarët myslimanë dhe duhet të nxjerrë mësim nga ajo që po ngjan me Vehabistët e BH, Sanxhakut, etj.

...

Të gjitha ato që po ngjajnë me Vehabistët te fqinjët tanë, duhet kuptuar se po ngjajnë në Kosovë dhe nuk duhet harruar faktin se të gjithë myslimanët, pra edhe Vehabistët, të cilët jetojnë në shtetet fqinje, përbëjnë të njejtën qenie shpirtërore.

Të fajsosh të tjerët pa asnjë qasje kritike, dhe në anën tjetër të injorosh realitetin pa bërë ndonjë analizë të sinqertë të ngjarjeve, kjo nuk është aspak e drejtë, nuk është qasje serioze, nuk është islamqe.

Edhe pse nuk është temë shqyrtimi shkrimi  i Halil Ibrahimit - ”Rreziku Vehabit” i inteligjencisë së Fatmir Rexhepit dhe Momir Stojanovic’it” (Gazeta ”Besa”, 21 shkurt ’07) - mendoj se është në interes te lexuesve të bëjmë disa fjalë në lidhje me artikullin e shkruar në dy faqe të gazetës në fjalë, ku autori i merrë në mbrojtje Vehabistët shqiptarë.

Nuk kam pretendime për të mbrojtur ish-ministrin F.Rexhepi, por nuk më duket e arsyeshme që sot një shqiptar të krahasohet me stojanovica. Vehabitë janë një realitet, si në Kosovë, po ashtu edhe te fqinjet e Kosovës. Vehabistët janë ata të cilët në mënyrë problematike (pra, jo islamqe), po iu imponohen besimtarëve tradicional.

Nuk e kuptoje pse të ceken priftërinjtë katolikë, hippit amerikanë, Martin Luteri, kur ne kemi të bëjmë me Vehabitët myslimanë. Ky nuk mundet me qenë arsyetimi për prezencën dhe veprimet e Vehabistëve. Besimtarët myslimanë bashkarisht duhet të bisedojnë për këto probleme që po e kompromitojnë fenë islame, duke shkaktuar çrregullime në shoqëri dhe duke shtuar frikë te qytetarët. Pse shqiptarët sot nuk e kanë një figurë islame e cila me autoritet në opinionin kosovar do të luante rol pozitiv, sikurse p.sh. M. Luteri te zezakët në Amerikë?      

Nëse njeriu i sotëm mundet me u bë besimtar i mirë duke bajtë mjekërr të gjatë dhe veshje me stilin arab, kjo (edhe pse për trojet dhe traditat e nënqiellit të Ballkanit aspak nuk janë të përshtatshme as praktike) është shumë e lehtë. Dikush ka thënë, formalisti është si kokrra e arrës pa fryt. Veshjet e arabeve vërtet janë më autentike me ato te myslimanëve të parë, por realiteti dëshmon se arabët e sotëm janë  larg rrugës së Zotit. Vehabistët shqiptarë, dhe përkrahësi i tyre H.Ibrahimi, e dinë mirë që në Arabinë Saudite moderne ende sundon sistemi i udhëheqjes feudale, i maskuar me pretendime për “reforma”. E dinë ata se vendi i Vehabit (të cilin nuk mund ta fajsojmë për ate që sot në emër të tij bëjnë disa individ dhe grupe njerëzish) ku nuk ka as demokraci, në shek. XXI femra myslimane nuk ka të drejtë të ketë patent shoferi! Për çfarë ”filozofie madhështore të veçantë” mund të flitet këtu, kur të gjithë e dinë se Profeti Muhamed nuk ka qenë mbret e as që ka lënë porosi që Arabinë Saudite, vendin e shenjtë  të gjithë botës islamike, ta sundojnë me forcë, pra në kundërshtim me normat islame, mbretërit dhe dhjeta princër të familjes Saud, të cilëve u ka ndihmuar për të ardhur në pushtet aleati i tyre, M.A.Vehabi.

Atëherë, me çfarë të drejte lavdërohen Vehabitë se janë duke e ndjekur rrugën e saktë të Profetit Muhamed?

Athua si do të kishin reaguar myslimanët e parë ndaj Vehabistëve të sotëm? 

Murad Wilfrid Hofman, doktor i së drejtës së filozofisë dhe ish-ambasador në shumë shtete, në një intervistë, mes tjerash thotë: ”Abdyl-Wehabi do te kishte kritikuar ate për çka po angazhohen vehabistët e sotëm.”
Ata që flasin për vehabizëm, shiizëm, bektashizëm dhe në emër të 16 sekteve të tjera islame duhet të përgjigjen në pyetjen: pse deri me sot nuk mundesuan çlirimin dhe bashkimin e Ymetit Muhamed, së paku në shtetet e Lindje se Mesme?

Çfarë Platforme të përbashkët kanë këto sekte islame për të ardhmen e popujve myslimanë?  Prej nga kanë ardhur tek popujt myslimanë  varfëria, analfabetizmi, padrejtësitë, përçamjet, armiqësitë, vëllavrasjet, vuajtjet e tjera të keqia, kur dihet se Islami është shpallur për t’i luftuar ato? Vehabistët e dinë se gjarpëri nuk mund të mbytet duke e qëlluar në bisht, por në kokë. Për ta bërë këte duhet besimi në Zot, aftësia, trimëria, vullneti i mirë… Problemet ekzistuese nuk duhet minimizuar e as mshefur, sepse keto janë pengesa te zhvilimit, emancipimit dhe qytetërimit njerëzor.

Duke folur për sektet islame, mund t’i marrim si shembull bektashinjtë e Prizrenit, të cilët për ditën e Nevruzit bëjnë ritualin e shpimit, i cili ka lidhje me ditëlindjen e imam Aliut. Këte po e cekë sepse rituale të tilla njeriut ia ndalin frymën. Nuk di se çka ka islame në rituale të tilla, të cilat e kompromitojnë fenë islame. Bektashinjtë, edhe pse deklarohen se e ndjekin rrugen e imam Alisë, lejojne përdorimin e alkoolit. Feja islame e ndalon alkoolin.

Mos të flasim edhe për ritualet e shiiteve, sepse duhet shkruar libra të tëra.

Vehabitë shqiptarë e dinë që regjimi vehabit i Saudisë është duke i ndihmuar sunitët në luftën vëllavrasëse kunder shiiteve në Irak. Ata po i frikohen Iranit, i cili me ndihmën e shiiteve pretendon të shtojë ndikimin në Lindjen e Mesme. Po ashtu edhe Irani është duke i nxitur dhe përkrahur shiitët e Irakut në luftën vëllavrasëse kundër sunitëve.

Çfarë roli po luan feja islame në këte luftë të pakuptimtë vëllavrasëse?

Feja këtu po shfrytëzohet për qëllimet dhe për interesat e të dy regjimeve në fuqi. Athua pse liderët aktual të sekteve islame, sikurse është kleriku radikal shiit, Moqtadal, nuk u quan në kryengritje kundër diktatorit bassist, Saddam, por pritën Amerikën për të okupuar Irakun, me qëllim për ta ”demokratizuar”?

Athua edhe Vehabistët e Arabisë Saudite po presin një gjë të tillë që pastaj të fillojnë luftën vëllavrasse?

Të tillët po shkaktojnë konflikte vëllavrasese edhe në Pakistan dhe Afganistan.

Cilin sekt islam duhet ta përkrahin popujt e botës islamike, dhe cili autoritet mundet (duhet) të japë një vetfa (vendim) fuqiplotë për këte?

Kush mund të na garantoje ne që ndërkohë nuk mund të konfrontohen Vehabistët shqiptarë me ndonjë sekt tjetër ose me vetë Bashkësinë Islame, si po ngjanë në Bosnje Hercegovine dhe në Sanxhak me Vehabistët e atjeshëm?

Çfare dallimi kanë këta Vehabistë, në krahasim me ata të Kosovës?

Për këto nuk flet H.Ibrahimi, i cili Vehabistët na i paraqet si melaqe (engjuj).

Senad Agic, njëri nga imamët kryesor në Amerikë, thotë:

”Kemi problemin e virusit vehabi. Vehabistët janë kanceri i qetë i islamit.” (”Oslobodenje”, 7.04.2007)

Duke e shkruar këte artikull, e kam në dorë librin në përkthim, ”Onda sam krenu Pravim Putem”, botuar me 1996, të autorit tunizian, dr. Muhamed Tidxhani, një mysliman i lindur në një familje të sektit sufi (të përhapur në Marok, Algjeri, Libi, Sudan dhe Egjypt), por i cili gjatë studimeve kishte kaluar në sektin Shiite.

Me këte rast nuk kam ndonjë shembull tjetër ku ndonjë dijetar islam ka kaluar prej një sekti tjetër në ate të Vehabistëve, por edhe vetëm ky mjafton për të dëshmuar rolin negativ (përçarës) të sekteve fetare në islam.

E mora këte shembull, sepse ky njeri i shkencës në librin në fjalë, te cilin ma kanë dërguar nga Londra, këtu në Suedi, akuzon rëndë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Profetit Muhamed, dhe në anën tjetër lavdëron Shiizmin dhe imam Alinë.

Kush duhet t’i zgjidhë këto mosmarrëveshje sektare në boten islamike dhe ne bashkësitë e ndryshme islame?

Mos mund ta bejnë këte Vehabitë, pa të cilët shqiptarët kanë jetuar më tepër se 6 shekuj?

Këte nuk e besoj.

Aty ku nuk thuhet e vërteta, vjen në shprehje pasqyrimi falls.

IDETË E VOGLA TË NJË DEMAGOGJIE TË MADHE KUNDËR MUSLIMANIT SHQIPTAR

Nga Halil Ibrahimi - 23/06/07

Dijetarët e internetit dhe arkivimi i trurit
 
Një fqiu ynë, i cili ka jetuar shumë mote më herët, përcillet të ketë thënë, “Nuk është mëkat të mos dish, por është kiameti vetë kur nuk e din që nuk din”, dhe kur kjo padije mbrohet, evokohet, përflitet e maskohet mjeshtërisht, kiameti lirisht bëhet miniaturë e papërfillshme e së keqes. Duke e lexuar përgjigjen e Nafi Baxhakut në Gazetën “Java” të 21 Qershorit dhe 5 Korrikut 2007, e cila në fakt nuk është përgjigje, por marramendje me mua, isha në dilemë nëse duhet të përgjigjem apo jo, duke qenë se shkrimi në asnjë germë të vetme nuk flet denjësisht për temën e diskutuar, por fund e krye, prej A-së deri në Zh përflet autorin e shkrimit (mua Halil Ibrahimin), duke me etiketuar me nofka e me thumba si ‘injorant’, ‘trim’ (sikur u dashka një guxim kaq i madh për të debatuar me të), ‘vehabist’, bile bile edhe duke e pyetur vetveten nëndheshëm ulësisht nëse unë qenkam kosovar apo nga ndonjë vend arab edhe pse me shkronja të shtypit disimilimetërshe pranë emrit tim ka shkruar PRISHTINË, duke e vënë kështu në pah edhe një fobi tjetër të tij ndaj arabëve apo vendeve arabe. E përgëzoj gazetën “Java” për lirinë e tillë të të shprehurit, ndërsa për Nafi Baxhakun mund të themi vetëm ‘Aferim’. Edhe pse kjo është mënyra më e pështirë për të bërë shkrime apo gazetari, unë nuk do të ta kthej njësoj, por do të mjaftohem duke të të përkujtuar se mënyra e tillë e korrespondimit është jokompatibile me moshën tuaj dhe e huaj për sjelljen time dhe bazuar në fjalët e një profeti që ishte pikërisht nga ARABIA për të kthyer të keqen me të mirë, do të të jap falje paçka se nuk e ke kërkuar.

Në anën tjetër, është mirë që meqë veçse u hap ky muhabet (“Ra kjo dekë e u pamë”), të shandanohen mirë tabutë dhe fobitë karshi myslimanëve shqiptarë në përgjithësi dhe disave prej tyre në veçanti. Së pari, për hir të atyre që e kanë lexuar ‘përgjigjen’ (përgjigje i thënçin), duhet të rikujtohen disa ide të zotëriut N. B. nga vetë shkrimet e tij dhe për të cilat më akuzon se i kam shpifur. Në paragrafin e parë të shkrimit “A janë vehabitë kancer i fesë Islame”, autori i lidhë ‘vehabitë’ qoftë edhe vetëm si supozim me kampe terroriste dhe vetëm dy fjali më poshtë pohon dhunshëm se të tillët veprojnë edhe në Kosovë, prandaj nuk di si ka mundësi të pohohet se nuk qenka bërë fjalë për ‘terrorizëm’ apo ‘rrezik’ nga ‘vehabitë shqiptarë’, duke menduar se shkrimet e kaluara janë lënë në harresë. Jo kështu zotëri Nafi Baxhaku!

Edhe shkrimi i dytë është kryekëput i bazuar në gazeta e deklarata bulevardeske, sikur të mos e dinte N.B. se njerëzit deklarojnë çfarë duan dhe si duan vetë, ndërsa detyrë e atij që i citon është t’i verifikojë të tillat para se t’i paraqesë si fakte të kryera. Dezinformatën për lëvizjet e ‘vehabive’ të Sanxhakut në Kosovë (është një hap pozitiv që bile tash pasi që u vërtetua se është dezinformatë e pranon si të tillë), autori N.B. tash e shtrin duke cituar ministrin e Qeverisë Serbe Rasim Lajiç, i cili në një ceremoni të përurimit të një shkolle shqiptare në Kosovën Lindore, u largua nga manifestimi sepse denbabaden aty na u lansua himni shqiptar që na qenka ‘çështje e paprecedent në tokën e Serbisë’ dhe i njëjti ministër në zgjedhjet Serbe në Sanxhak ‘aq shumë’ kishte përkrahës nga populli i vet sa iu desh të dilte në koalicion me partitë serbe dhe jo me boshnjakët në një vendbanim me shumicë boshnjake. Bravo N. Baxhaku për burimet e selektuara me shije dhe fërkimet me njerëz të tillë për të na bindur për ‘vehabitë’ dhe të drejtat e boshnjakëve.

Nuk janë burimet gazetareske dhe autorët që i ke cituar ti të vetmet në këtë botë. Një gazetë shqiptare për shembull (“Korrieri”, Tiranë), në lidhje me aksionin e policisë serbe kundër Ismail Prentiçit dhe boshnjakëve të Sanxhakut të para disa muajsh e quan veprimtarinë e këtyre të fundit ‘levizje per te drejta dhe liri ne Sanxhak’,  ndërsa Ismail Prentiçin si ‘njeriu kryesor i te quajturve “Vehabiste”, qe kundershton trajtimin e eger qe u ben Serbia te drejtave te tyre (është fjala për boshnjakët)’. Gazetat shkruajnë shumëçka dhe siç ta kam përmendur varësisht nga kush burim, gazetat apo autorët e caktuar na kanë quajtur edhe neve ‘terroristë islamikë’, që luftojmë kundër një shteti të njohur ndërkombëtarisht dhe gjithashtu e kanë akuzuar Shqipërinë për organizimin e kampeve terroriste të ‘separatistëve shqiptarë’. Kjo logjikë nuk vlen as dy pare i nderuar Nafi Baxhaku!

Është shumë e habitshme se si autori e merr mundin të më thumbojë me terme dhe etiketime çfarë bëhen kuluareve e çajtoreve vetëm pse e kam potencuar faktin se nuk është i thirrur për të prekur temat fetare (në bazë të gafave ashiqare të bëra) dhe është i pafalshëm tentimi që gabimet grandioze të mbrohen në mënyrë të paskrupullt, duke supozuar se të gjithë lexuesit na paskan qenë kaq të paditur dhe e paskan nënkuptuar Martin Luter Kingun kur është folur për Martin Luterin. Nuk është turp të pranohet gabimi, por është tmerr kur i njëjti kaq dobët dhe padenjësisht mbrohet. Martin Luteri ngelet Martin Luter dhe Martin Luter Kingu Martin Luter King. Të njëjtat gabime dhe i njëjti mosinformim për zhvillimet fetare midis shqiptarëve e përcjell edhe ‘përgjigjen’ e dytë të Nafi Baxhakut. Autori alarmon për rrezikun e paraqitjes te ‘sektit Ahmedia’ tek shqiptarët, duke e vënë këtë religjion në të njëjtin domen me ‘vehabitë’. E para, Ahmeditë të cilët besojnë një profet tjetër pas Muhamedit a.s. me koncenzus absolut të të gjithë dijetarëve myslimanë nuk llogariten si sekt i Islamit Ortodoks dhe si të tillë nuk duan të konsiderohen as edhe vetë ata, prandaj t’i barazosh ata me myslimanët selefi (të cilët askush nga dijetarët deri më tash nuk i ka vënë në bankën e apostazisë) është mungesë e njohurive më enciklopedike për fenë. Gabimi i dytë, Ahmeditë veçse janë duke vepruar si fe e veçantë joislame që prej dekadash në Kosovë e poashtu aktiviteti i tyre në Shqipëri është i regjistruar kaherë jashtë strehës së KMSH apo organizatave islamike. Më vjen keq ta potencoj sërish, i nderuar N. Baxhaku, se nuk ia keni idenë temave fetare sepse edhe në ‘përgjigjen’ tuaj të fundit i keni ngatërruar ato në maksimum siç shihet. Së pari në shkrimin “A janë vehabitë kanceri i fesë Islame” i keni akuzuar shiat për rol destruktiv dhe librin që e paskëshit lexuar për përçarje ndërsa në përgjigjen e datës 21 Qershor në të njëjtën linjë i akuzoni ‘vehabitë’ për mospranim të imamëve shiitë duke e paraqitur këtë si shembull të ‘sektarianizmit’ të tyre. Ali Hoxha dhe Hoxha Alia këtu janë ngatërruar dhe janë bërë mishmash deri në maksimum. Njësoj sikur nuk është e vërtetë se ‘vehabitë’ nuk janë pro besimit për kalifatin, nuk ka asnjë dallim midis ‘vehabive’ dhe myslimanëve të tjerë suni karshi besimit për imamatin shiit, prandaj bëni mirë t’ia qartësoni vetvetes këto ide dhe terme para se të vazhdoni t’i shtjelloni më ngatërrueshëm. Na cito burimet, ne cilin libër të ‘vehabive’, në cilën faqe të tij shkruan se ata janë kundër kalifatit.

Pyetjet që i keni shtruar në stilin ‘do të të lë pa tekst’ jo vetëm që nuk kanë të bëjnë gjë me temën e diskutuar, por janë një ikje e pashije nga diskutimi siç është njësoj edhe tentimi që të më detyrosh patjetër t’i përgjigjem cituesve tuaj dhe jo ty. Mund të më bësh edhe pyetje të tjera për iktiologjinë, heliografinë apo etologjinë dhe atyre do t’u përgjigjem në privat nëse jam i disponuar dhe jo në një temë ku nuk e kanë vendin fare.

Filozofia e ‘armikut kombëtar me mjekër’
 
Do të duhej shkruar faqe të tëra për t’iu përgjigjur secilit keqinterpretim që dhunshëm dhe të qëllimshëm të zotëriut N.B., por do të kufizohemi këtu vetëm në ato më kryesoret duke ngërthyer shkarazi edhe definimet dhe asociimet e padrejta rreth ‘vehabive’. Këtu me duhet të theksoj se e patëm lexuar me ëndje shkrimin e zotëriut Baxhaku rreth nacional-katolicizmit ku sforcohej fakti se është e padenjë ideja se shqiptaret myslimanë duhet të kthehen në katolikë vetëm pse të parët e tyre dikur ishin të tillë. Hallall! Por ajo që të irriton kësaj radhe është se vetë autori i shkrimit N. Baxhaku ka rënë në grackën e ideve të vogla të të logjikuarit të tillë. N. Baxhaku pohon  në ‘përgjigjen’ e tij të supozuar se vetëm pse shqiptarët myslimanë kanë qenë për shekuj pasues të medhhebit hanefi, nuk na qenka denbabaden e këshillueshme që ata sot të zgjedhin cilindo medhheb që duan apo preferencë që ata e mbajnë për të drejtë. Logjika e tillë të mbytë në palcë me komikën e saj. Pra, ishim katolikë dhe nuk kemi të drejtë të bëhemi myslimanë, dhe ishim myslimanë hanefi dhe nuk kemi të drejtë të aderojmë në një medhheb tjetër, apo në jomedhheb fare. Sot bota synon shoqëritë e lira ku individi beson atë që e zgjedhë vetë dhe propagandimi dhe vënia në qafë dhunshëm e çfarëdo ideje apo drejtimi është patetizëm shpirtëror dhe ideologjik. Gabimi tjetër i kësaj ideje është se synon ta paraqesë çështjen e medhhebeve në Islam si çështje të sekteve kur është mirë e ditur se në Islam nuk ka xhami ‘hanefite’,  xhami ‘hanbelike’ etj etj por ka vetëm xhami dhe myslimani hanefi apo hanbeli falet pa kurrfarë problemi pas imamit shafi apo tjetër. Kjo ka qenë përherë kështu dhe do të ngelet kështu deshi apo nuk deshi dikush. Muslimanët selefi besojnë se nuk janë të obliguar medoemos të ndjekin strikt ndonjërin nga medhhebet por se mund të marrin mendimin e cilitdo dijetar, qoftë ky nga imamët e katër medhhebeve (për të cilët kanë respekt të madh) apo cilido tjetër bashkëkohor. Se sa është njohuria e autorit rreth medhhebeve dhe selefizmit shihet qartë kur tenton të na e paraqesë kalimin apo aderimin në medhheb apo jomedhheb si konvertim dhe bile tenton edhe të na bindë se ‘vehabitë’ na qenkan gati të krijojnë një Bashkësi të ndarë të muslimanëve jashtë Bashkësisë Islame të Kosovës duke dhënë krahasime paushalle me ndarjen që iu bë Bektashinjve nga myslimanët suni shqiptarë. Bektashitë u ndanë dhunshëm nga Komuniteti Musliman pikërisht për shkak të ekzistencës së ideatorëve të tillë që tentojnë me çdo kusht ti linçojnë myslimanët që mbajnë mjekra, duke gjetur edhe në atë kohë arsyetime inekzistente për ndasi në vend të afrimit nëpërmjet pikave bashkuese duke bërë kështu që trupi i myslimanëve shqiptarë të parcializohet sa më tepër për tu defaktorizuar më lehtë. Mirë se të na vish në Kosovë i nderuar Nafi Baxhaku dhe të shohësh që myslimanët ‘selefi’ me apo pa mjekrra as nuk kanë xhami të veçanta por falen bashkë në secilën xhami me të tjerët. Dezinformata që ti e bën këtu është shumë e rrezikshme dhe përçarëse sepse Bashkësia Islame e Kosovës është e të gjithë myslimanëve dhe të gjitha xhamitë në Kosovë administrohen po nga kjo Bashkësi Islame dhe në disa prej këtyre xhamive janë hoxhallarë dhe imamë edhe ata që nuk janë hanefi por janë selefi, dhe këta imamë janë emëruar nga vetë numri një i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava! Këtë ti mund të mos e kesh ditur por padija është bekim kur e pason me njohuri pa dhënë lajmë përçarëse të tejkaluara. Lajmi që ka sjellë (sërish bulevardesh) nga lista e internetit albmuslimnews rreth organizimeve në Komunitetin Islamik të Shqipërisë prapë është qëllimkeq sepse nuk është sjellë burimi direkt i lajmit, por është dhënë lista myslimane albmuslimnews  si burim direkt për të na bërë kështu që të besojmë se ka origjinë organet myslimane, e cila përndryshe është vetëm përmbledhëse e lajmeve pro dhe kundër myslimanëve shqiptarë.

Është padije grandioze të pohosh se i takon medhhebit hanefi dhe të dalësh me ide naciste kundër bashkëfetarëve dhe bashkëkombësve të tu që kanë zgjedhur të mbajnë mjekër, ose të mos participojnë në ‘modernitete’ siç janë diskot, kafenetë ku konsumohet alkooli, etj. Ti nuk mund t’ia imponosh askujt lifestylin e vet. Për të qenë absurdi më i madh, vetë Ebu Hanifja, imami i medhhebit të cilit ti supozon se i takon ka dhënë fetva decidive se myslimani mashkull duhet të mbajë mjekër në harmoni me traditën e Profetit dhe një mori gjërash të tjerash për të cilat ti i akuzon shqiptarët myslimanë. Mirëpo, nuk është problemi te mjekrat apo shamia; problemi është te filozofia e tëhuajsimit të ‘tjetrit’, ideologji kjo e shtjelluar mirë në diskurset orientaliste të Eduard Saidit për shembull. Me apo pa mjekër, musliman është ai që i është bindur plotësisht vullnetit të Zotit dhe secili ka të drejtë të ndjekë cilindo medhheb që do apo të mos e ndjek fare përderisa vepron në pajtim me Kur’anin dhe Sunetin dhe që e respekton të drejtën e secilit për të besuar apo mosbesuar.

“Nuk ka dhunë në fe” thotë Kur’ani, i nderuar. 

Nafi Baxhakut kjo mund t’i duket e vështirë për të kuptuar, sepse shpëlarja e trurit që vjen nga media është marramendëse dhe ndikon edhe aty ku pritet më së paku. Në të kundërtën ty të ngelet që në vend se të bësh debate abstrakte duke pjekur petulla në ajër rreth meje, t’u përgjigjesh pyetjeve: cilët ‘vehabi’ shqiptarë i kanë maltretuar imamët apo myslimanët hanefi në Kosovë?; cilat janë ato besime të ‘vehabive’ shqiptarë që janë në kundërshtim me Kur’anin dhe Sunetin?; cilët ‘vehabi’ shqiptarë kanë marrë destruktivisht pjesë në kampet terroriste apo supozimet e tua terroriste?

Është pa shije dhe pa vend citimi i Nexhat Ibrahimit, Feti Mehdiut apo Rexhep Bojës kur heshtet qëllimshëm qasja që zyrtarët e sotëm të Bashkësisë Islame të Kosovës apo edhe të boshnjakëve në Bosnjë kanë ndaj këtij fenomeni. Siç pohon Mustafa Ceriç, kryetar i Bashkësisë Islame të Bosnjës problemi nuk është se kemi ‘vehabitë’ në njërën anë dhe ‘hanefitë’ në anën tjetër, por i tërë misteri qëndron në luftën e vazhdueshme që tentohet t’i bëhet vetë institucioneve islame dhe myslimanëve në tërësi nëpërmjet këtyre sulmeve. Lufta ndaj myslimanëve me mjekër, siç do të thoshte poeti Ervin Hatibi në shkrimin “Kërkohet një mjekër për ‘armikun kombëtar’”, është tentim që armikut kombëtar t’i jepet identiteti i myslimanit shqiptar me mjekër dhe në këtë mënyrë të jetë më e lehtë shfarosja e esencës Islamike të shumicës së shqiptarëve.

Në një shoqëri të lirë secili ka të drejtë të mbajë apo të mos mbajë mjekër, të duket si zgjedhë vetë, të praktikojë bindjet e veta ashtu si do vetë, dhe tentimi për të dhunuar këto të drejta jo vetëm që është moralisht i dënueshëm, por edhe sanksionohet me ligj në rastet ku ky i fundit funksionin si duhet. Meqë N. B. me qëllim ka keqinterpretuar komentim tim rreth gjykatave dhe ‘vehabive’ krejt në fund do të më duhet ta sqaroj për hir të lexuesve (sepse N.Baxhaku e di shumë mirë çka kam dashur të them). Kur kam thënë në thonjëza vehabi kam menduar, dhe kjo shihet shumë mirë, në respektues të denjë të ligjit qofshin edhe jomyslimanë kështu që pyetjen tënde të vogël retorike se a nuk qenkan njerëz të mirë myslimanët e tjerë më mirë të mos e kishe bërë fare.

Në vendin ku jeton Nafi Baxhaku vetëm para disa ditësh Gjykata e Malmos ka dënuar politikanin Dahn Petterson, i cili kishte inkriminuar me drogën tërë komunitetin shqiptar të Suedisë duke mos specifikuar emra, në të njëjtën mënyrë siç Nafi Baxhaku i lidh me desktruktivitet të gjithë ‘vehabitë’ (shqiptarë apo boshnjakë) duke i dyshuar për aksione terroriste apo për ‘mirëmbajtje’ të kampeve terroriste. N.B. është me fat që shkrimi i tij botohet në një vend ku ligjet e tilla nuk funksionojnë, përndryshe ‘myslimanët me mjekër’ do të kishin të drejtë të kërkonin kërkimfalje publike nga i nderuari. Në vend të kësaj je i falur në emrin tim për ofendimet si individ dhe musliman që mi ke bërë në shkrimin tënd, ndërsa për idetë e vogla përçarëse dhe etiketimet nga të cilat mund të jetë prekur secili mysliman të faltë ndërgjegjja jote. Sa njerëz të mirë ishin këta gjykatës suedezë që ‘ua prenë gjuhën’ ofendimeve të politikanit Suedez karshi shqiptarëve.

Mendjemadhësia e një mbrojtësi të dobët të vehabistëve

Nga Nafi Baxhaku, Suedi 28/07/07

Halil Ibrahimi me qëllim ka keqinterpretuar artikullin tim në lidhje me Vehabitë, të botuar në Gazetën Java.

Të mundohesh me injorua pa kurrfar argumentesh bindëse një realitet në të cilin jeton, kjo dmth të jeshe  injorant. Duke e lënë anash esencën e shkrimit tim, Halili ka ofruar demagogji dhe insinuata.

Nuk është faji im por është paraqitja e Vehabive në tokat shqiptare, paraqitja e tyre te fqinjët tanë, si dhe zgjerimi i tij si fenomen global prapa të cilit qëndron Arabia Saudite (vendlindja e M.A. Vehabit) e plot faktorë të tjerë, që më kanë shtyrë të shkruaj për këte çështje.

Me15.04.’07. e kam dërguar shkrimin tim për botim në “Java”, kurse me 19.04.’07,  ndërhyrja e policisë serbe pati si epilog humbjen e jetës së Ismail Prentic. Në fillim të shkrimit kam thënë se: “... është fjala për besimtarë muslimanë, të cilët mes vete kanë lidhje shpirtërore me besimtarët tjerë (pra, me të gjithë myslimanët), anipse Vehabitë e komentojnë ndryshe islamin.”  Ky qëndrim imi është në frymën islame, sepse muslimanët janë vëllezër. Halilit, vehabist, kjo si ka bërë përshtypje dhe thotë: “Baxhakut mund të mos i ketë bëre ubdate lajmeve, por ai u vra në Sanxhak.” Qëndrim tepër naiv, dashakeq. Thashë, shkrimin tim e kam dërguar 4 ditë para se të vritej i ndjeri Ismail. Nëse lajmi ka qenë dezinformatë, nuk kam thënë se ne duhet t’i besojmë...Rasim Ljajic, kryetar i SDP, ka vlerësuar se akcioni i policisë ishte kulmi i krizës prejse ishin paraqitur Vehabistët në Sanxhak. (“Oslobodenje”, 23 04.’07). Athua edhe kjo, sipas Halilit, qenka dezinformatë?

U desh te fliste ish-ministri Fatmir Rexhepi, dhe pastaj të paraqitet trimi Halil, i cili thotë: “Po të kishin gjykatat tona ‘vehabitë’ në përbërje të tyre, në këtë rast dikujt (mendon për F.Rexepin) do të duhej t’i pritej gjuha për rrena qëllimkëqija që shkojnë në dëm të kauzës së Kosovës”. Po si është e mundur që qëndrimet e vehabistëve të mbrohen rrejshëm në emër të kauzës së Kosovës? Është kosovar apo nga ndonjë vend arab, i guximshmi Halil?

Athua shqiptarët tjerë (jo-vehabi), që punojnë nëpër gjykata, nuk qenkan muslimanë dhe njerëz të mirë? Me një gjuhë të tillë nuk mund të mbrohet as Islami e as kauza e Kosovës. Përkundrazi, ato kompromitohen dhe dëmtohen.

Në rrugën e Islamit nuk jam kalimtar i rastit e as besimtar naive e i padijshëm.

A e di Halili se ku  janë shqiptarët muslimanë të cilët vuajnë nga servilizmi?

H. Ibrahimi thotë: “Loja dhe përfolja e ‘terrorizmit islamik’ dhe e ‘vehabive’ është më e preferuar viteve të fundit...”  Po, kjo është e vërtetë sikurse shkaqet dhe bartësitë e tyre. Unë kam bërë fjalë për vehabistët, jo për ‘terrorizmin islamik’.

Sikur të bëja fjalë për ‘terrorizmin islamik’,  do te thosha se ai është ‘terrorizm anti-islam’, i cili rrezikon paqen botërore. Islami është fe e paqes.

Halili  kot më ngatërron me të paqena

Nuk do të përdori fjalën hipokrizi por, a mundet me i mbrojtë të drejtat dhe liritë e njeriut Halili, i cili vihet në mbrojtje të atyre vehabive të cilët kanë ushtruar dhunë kundër njerëzve zyrtarë (imamëve, myezinëve, mytevelive) dhe besimtarëve nëpër xhamia, për çka kam cituar myftiun e Sanxhakut, Muamer Zukovic, i cili thotë: “... kemi incidente nëpër xhamia dhe më së shumti në xhaminë qëndrore të cilën (vehabistët) e kishin zgjedhur si më të rëndësishmen në Novi Pazar...Organizata e vehabistëve e ka përfaqësinë e vet në Kosovë.”  Nëse Halili, i dijshëm, e ka lexuar shkrimin tim të botuar në “Java”, atëherë pse nuk ka bërë fjalë për këto fakte? Halili i mohon faktet dhe nuk distancohet nga veprime të tilla anti-islame.

Titulli i artikullit tim, “A janë vehabitë kanceri i fesë islame?”, nuk është imi, por si  e kam thënë, është citat dhe autor i tij është Senad Agic, njëri prej imamëve kryesor në Amerikë (“Oslobodenje”, 7.04.2007). Unë këtë fjali e kam cituar, sepse Halili në shkrimin e tij (gazeta “Besa”, 21 shkurt ’07), “vehabistët i paraqet si melaqe (engjuj)”. Prandaj, Halili, ne vend të gënjeshtrave dhe fjalëve ofenduese të cilat m’i drejton mua, duke thënë, “vjell gjithë atë padije karshi tyre”, ka qenë dashur t’i pergjigjet imamit Senad, dhe lexuesve se, cila është e vërteta në lidhje me vehabistët?

Ne shkrimin tim nuk mund të gjenden shprehje si, “... vehabitë shqiptarë një rrezik i madh...”, sikurse shpif me pafytyrësi në reagimin e tij Halili.

Sa u përket fotografive të botuara me shkrimin tim, ato i ka zgjedhur për botim vet redaktori, pa pëlqimin tim. Sa kanë qenë në nivel të profesionit gazetar, kjo është diçka tjetër. Kryesorja është se pas kësaj nuk fshihen qëllime të këqia.

Ngutja dhe paragjykimet nuk janë cilësi të muslimanit, qoftë ai Halili, mbrojtësi i vehabistëve, i cili të tjerëve u kërcënohet me “prerje të gjuhës”, kurse veten e harron.

Prandaj, retorika e varfër e Halilit, për ‘teori amatore’, perveç tjerash dëshmon qëllimin tejet dashakeq të një fanatiku shpirtngusht. Unë në shkrim kam përmendur emrin e Ismet Prenic’it (sot edhe ky i ndjerë), dhe të Jusuf Borcicit,  fotografitë e të cilve i  kam parë përmes ekraneve televizive dhe nëpër gazeta. Në lidhje me pamjet e tyre unë e kam thënë të vërtetën, e cila ka qenë e prekshme për të gjithë. Të njëjtat  fotografi, se bashku me këtë shkrim, po ia dërgoj për botim “Javës”.

Qëllimi im nuk ka qenë të mbaj ligjerata fetare, e as histori për  M.A.Vehabin

Dihet se në botën islame janë të njohura katër medhhebe (shkolla juridike islame), dhe se populli shqiptar e praktikon medhhebin (shkollën juridike) Hanefi, së cilës i takoj edhe unë.

Vehabitë pretendojnë që me forma tjera, pra jo në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, të ndryshojnë interpretimin tradicional të normave islame, të cilat jetojnë me myslimanët e kësaj toke më tepër se pesë shekuj. Gjithashtu, dihet se Vehabitë, ose si e quajnë vetveten - selefi (selefizëm) – dmth jomedhhebizëm, gjë që nënkupton se Vehabistët janë kundër katër medhhebeve ekzistuese (shkollave juridike islame). Dhe, këtu qëndron problemi kryesor për të cilin hesht Halili, i cili mendon se është i guximshëm. Po pse atëherë po i frikohet të vërtetës në lidhje me Vehabistët? 

Sipas  H.Ibrahimit, unë s’paskam “njohuritë themelore rreth religjionit”, atëherë do ishte mirë që ata që flasin për vehabizëm, shiizëm, bektashizëm dhe në emër të 16 sekteve tjera islame, të përgjigjen në pyetjen: pse deri me sot nuk  mundësua çlirimi dhe bashkimin e Ymetit Muhamed, së paku në shtetet e Lindjes së Mesme (pra, aty ku është vendlindja e Islamit dhe e Vehabit)?

Halili, heshtë për të gjitha këto. Pse?

Si e vlerëson Halili, shqiptar vehabist (selefi), ndarjen e tarikatit të Bektashinjëve që u shpall (me 1994) fe e katërt në Shqipëri? Çka do të ngjajë me popullin shqiptar dhe fenë islame nëse pas një kohe paraqiten sekte si Ahmeditë, Vehabistët ... si ngjau në Bosnjë, Shqipëri, për t’u regjistruar si fe? Pse nuk ka kuptuar Halili se unë duke kritikuar sektet përçarëse kam mbrojtur Islamin. Brengosja dhe interesimi im për Islamin dhe muslimanët është legjitim. Nuk kam bër seleksionimin e muslimanëve. Jam i angazhuar për bashkim dhe unitet. Vetëm kam përmendur rreziqet konkrete dhe bartësit e tyre.

Si veprojnë Vehabistet (selefit) në Shqipëri?

Vetëm një shembull. “Lindja e një formacioni paralel me Komunitetin Musliman nuk duket shumë e rastësishme pas disa zhvillimeve të kohëve të fundit. Kështu, duhet të risillet në vemendje se vetëm pak javë më parë, me kërkesë të disa përfaqësuesve të linjës së fortë, u tentua ndryshimi i nenit 2 të statutit të Komunitetit Musliman. Në këte nen është përcaktuar se tradita fetare në Shqipëri është ajo “Hanefi”,  pra, linjë e butë, ndërkohë që u kërkua ndryshimi i saj ne traditen kuranore qe perfshin edhe linjen e fortë të quajtur “Vehabizëm”. (alb-muslimnews). Halili i shumëdijshëm për këto tendenca hesht.

Nëse edhe këto janë “polemika boshe”, atëherë pse Halili është paraqitur me shkrimin e tij në Gazetën Java? Për të ofenduar kundërshtarin në mendime dhe për të irituar lexuesit? 

Vehabistët, që e quajnë veten edhe unitarist dhe pasues të ehli synetit, refuzojnë (prveç medhhebet) edhe  imametin shiit dhe institucionin e hilafetit, duke pohuar se hilafet universal nuk duhet të ketë. Edhe për këte dallim të papajtueshëm Halili nuk bën asnjë fjalë. Pse?

A mos duhet që para se t’i shtroja këto çështje të marrë leje nga i guximshmi Halil?

A janë këto tabu tema për shumë intelektualë (aq sa janë) shqiptarë muslimanë /jo vetëm/ të Kosovës?

Në lidhje me sektet, teologu Nexhat Ibrahimi në një shkrim me titull, ”Roli i sekteve në trojet shqiptare”, mes tjerash, thotë: “Mendojmë se është koha e fundit që Bashkësia Islame në Kosovë, Komuniteti Musliman në Shqipri e Rijaseti në Maqedoni, intelektualisht dhe shkencorisht, guximshëm dhe bindshëm të mbrojë vlerat e veta mbi njëmijëvjeçare në këto toka. Roli i sekteve destruktive në këto toka do të jetë fatal si për bashkësinë islame të vendit, ashtu edhe për perspektiven politike të vendit”. (“Besa”, 20 shtator ’06).

Halili, duke injoruar problemet esenciale, thirret në, “udhëzime thjesht fetare për kthime në traditën e Kur’anit dhe sunetit”. E di Halili mirë që edhe muslimanët sunit, pra, edhe shqiptarët muslimanë, e ndiejnë veten si pasues të ehli synetit, i cili gjithashtu thirret në të njëjtat burime fetare. Cilët muslimanë, sipas Halilit, kanë të drejtë në qëndrimet e veta? A nuk është kjo tendencë për përçarje dhe ndarje të reja te shqiptarët muslimanë?

Nuk e kam ditur se do të dalë në provim para të shumëdijshmit e të guximshmit Halil, i cili në vend se të ketë ndonjë qëndrim kritik në lidhje me aktualitetin (dhe pas vrasjes se I. Prentic’it), ai vazhdon t’i lavdërojë vehabitë dhe, përveç Shehezades, fërkohet edhe me “veprimet pedofile të priftërinjëve katolikë”. Kjo është irituese dhe fare e pakuptimtë...

Falun, 12.06.2007



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx