Mendime
Altin Goxhaj: Një leksion i përbotshëm për bashkëjetesën fetare
E diele, 27.04.2008, 10:32 AM
Një leksion i përbotshëm për bashkëjetesën fetare
Nga Altin Goxhaj
“E di që ka shumë njerëz që thonë se, në qoftë se unë do kisha zgjedhur luftën para paqes, Voskopoja do shpëtonte. Nuk do pendohem deri sa të vdes dhe sikur të kem njëqind jetë do të bëj prapë të njëjtën gjë. Voskopoja nuk do të shpëtonte siç nuk shpëton një libër që bie në fund të detit. Por turqit nuk janë një dimër i përjetshëm dhe ia vlen të durosh duke përsosur artin e të jetuarit në ishull. Kur ata të ikin ne do ta shkruajmë artin e të jetuarit në ishull. Kur ata të ikin ne do ta shkruajmë prapë librin që na humbi, por aty do të ketë edhe disa faqe për turqit që nuk do të vdesin më kurrë në kujtesën tonë”.(f. 404). Ky është misioni i Blushit. Të shkruajë librin e vonuar, por të premtuar të bashkëmbijetesës herë të dhimbshme dhe herë të harmonishme fetare në Ishull, si një doracak për vete dhe të tjerët. Një manual që përpiqet profesionalisht të shpjegojë në mënyrë simbolike dhe antropologjike se si shqiptarët praktikuan të parin krishterim dhe myslimanizëm të bashkëjetesës reale nëpërmjet trajtimit të tjetrit si të barabartë pavarësisht besimit. Dhe ngjarjet ishullore të Blushit ndodhin në të njëjtën kohë me Revolucionin Shekullarist Francez dhe atë Amerikan. Një doracak ku shpjegohet se si shqiptarët praktikuan ndoshta të parin dhe mbase fatkeqësisht të vetmin Islam të Vërtetë që mund t'i mbijetonte të gjitha kohërave në paqe dhe harmoni me Krishterimin. Islamin e PAQES ashtu siç dhe do të thotë dhe emri Islam që Blushi e shpjegon sapo hap librin (f.9) krejt ndryshe nga Islamizmi dhe Krishterimi që predikojnë kleriku turk dhe prifti grek që kërkojnë të shfrytëzojnë të ndërsejnë shqiptarët kundër njëri-tjetrit në emër të Zotit, por për qëllimet turke apo greke. Siç ndodhi në Bosnjë 18 vjet më parë.
Akuzat Haxhi Qamiliste ndaj Blushit kërkojnë të deformojnë të vërtetën e madhe të librit
E njëjta gjë që po ndodh edhe këto ditë nga disa islamistë integristë mediatikë në Shqipëri. Sepse për ta, njësoj si predikimet e hoxhës së turqve në libër duke synuar përçarjen predikojnë se, “Në islam nuk ka ishuj. Islami është një det i gjerë dhe i qetë në të cilin nuk mbytet ai që hyn, por ai që del jashtë”. (f.272) Sepse për këta integresitë humbës përfundimtarë të së shkuarës (I fundmi i tyre ishte Myftiu haxhiqamilist i Tiranës Musa Qazimi 1913-1914) Shqipëria Evropiane e Bashkëjetesës “nuk mund të jetë një ishull në detin” e tyre (f. 272). Shkrimet dhe akuzat e tyre të hedhura këto ditë në media të kujtojnë tespiet e Hoxhës së turqve që përshkruan Blushi në rrugët e Voskopojës. Kritikat absurde që po i bëhen Blushit këto ditë synojnë të gjejnë përkrahës jolexues me qëllim që të “shpojnë gurët me plumb” f.263. Uroj që akuzat e këtyre ditëve të burojnë nga paaftësia apo injoranca e kritikëve letrarë të vetëshpallur si të tillë, për të kuptuar të vërtetën e madhe filozofike që ky libër i sjell jo vetëm shqiptarëve. Të vërtetën e Blushit se bashkëjetesa nuk buron nga toleranca sepse toleranca është jo vetëm e pamjaftueshme, por edhe e rrezikshme sepse kultivon pakënaqësinë e të Toleruarit nga Toleruesit! Sepse kështu krijojmë kategorinë e "Toleruesi" që i jep të drejtën vetes të gjykojë se ka pushtetin për të toleruar të tjerët. Bashkëjetesa nuk është Tolerancë por BARAZI. Tjetri nuk tolerohet por trajtohet si i barabartë sepse ËSHTË i Barabartë. Dhe barazia buron nga sinqeriteti. Dhe sinqeriteti buron nga njohja dhe debati reciprok sepse përderisa jemi vëllezër dhe jetojmë në të njëjtin qytet, kemi po aq të drejtë edhe të njohim të vërtetën e njëri-tjetrit. Përderisa kemi dëshirë (siç kemi bërë në qindra vjet) t'i urojmë njëri-tjetrit festat fetare, të martohemi bashkë, të punojmë në të njëjtën zyrë dhe të shkollohemi në të njëjtat shkolla, të jetojmë në të njëjtin pallat dhe të blejmë në të njëjtin dyqan, që fëmijët tanë të luajnë bashkë në të njëjtat parqe ku dhe gjyshërit tanë të kuvendojnë në të njëjtët stola pranë tyre, na lind pra dhe e drejta për të komunikuar dhe debatuar për të vërtetat që përfaqësojmë. Këtë bën edhe ky libër. Na kujton se s'mund të bashkëjetojmë po nuk respektuam diversitetin e njëri-tjetrit si të barabartë, dhe respekti nuk është një e Dhënë Apriori sepse pastaj kthehet në Hipokrizi. Respekti i vërtetë buron nga njohja e thellë e të vërtetës së tjetrit dhe njohja e thellë prej mijëra vjetësh buron nga dialogu reciprok. Ky libër është një dialog që përpara se të etiketohet me lloj- lloj frazash haxhiqamiliste duhet të analizohet në mënyrë profesionale dhe jo duke shkëputur batuta jashtë kontekstit konkret.
Blushi akuzohet pa të drejtë siç u akuzua dikur edhe Papa Benedikti
Akuzat e këtyre ditëve të kujtojnë akuzat e nxituara që shumë islamistë naiv i bënë 2 vjet më parë Papa Benediktit duke spekuluar me fjalë të shkëputura nga konteksti përkatës. Akuza qesharake që u mohuan në mënyrë shumë simbolike nga Papa Benedikti, i cili vetëm pak javë më pas u fal në xhaminë e Stambollit me fytyrë nga Meka, duke respektuar kështu të gjithë botën islame ashtu siç kishte planifikuar kohë më parë. Sot Papa Benedikti është mik i madh i të gjithë elitave teologjike islamike botërore. Në atë kohë loja kundër Papës u kurdis nga korporatat antifetare të medias të cilat u hakmorën ndaj qëndrimit të Papës kundër Fesë së Re të Konsumit dhe Egoizmit Materialist të shoqërisë postkapitaliste. Edhe këto ditë, duket sulmi absurd ndaj Blushit: për fyerje të Islamit, për injorancë historike, apo edhe me teknikën e zhvlerësimit filozofik (sepse në fund të fundit art është) po e promovojnë underground konkurrentët e tij në politikë që shohin tek libri i Blushit modelin e ardhshëm të kategorisë politike të bashkëjetesës së sinqertë midis të barabartësh përballë tolerancës hipokrite e cila ngjiz hap pas hapi pakënaqësinë reciproke të fshehur nga injoranca e mosnjohjes së tjetrit.
“Të jetosh në Ishull”, një doracak i mësimit të bashkëjetesës
Ishulli i Blushit fillon aty ku mbaron dhe mbaron aty ku fillon si një rreth vicioz sizifian duke kryer një rreth të plotë në procesin e riformimit të identitetit protonacional. Një rrethrrotullim rreth ishullit të premtuar që Zoti na ka dhënë. Doracaku ishullor për bashkëjetesën është një leksion bashkëkohor për të mësuar se si fetë mund të transformohen nga një gjenerator i ndarjes në identitete të kundërta në një gjenerator të identiteteve të larmishme (sepse Zoti e do larminë e botës) apo deri edhe në identitete hibride çka është edhe çështja bazë e globalizimit kulturor kontemporan. Protoglabilizmi kulturor i shqiptarëve të 300 vjetëve të shkuara lindi në një fshat proto-global ku xhamia ndërtohej përballë kishës nga i njëjti arkitekt, me emigrantë afrikanë romë që vijnë të jetojnë në mes të një fshati ku ka myslimanë, të krishterë, jobesimtarë madje edhe hebrenj. Fshati ku tradita qindravjeçare hibridizohet me kulturën moderne të kohës së vet. Ishulli i Blushit është i pari fshat protoglobal në kontekstin e kohës së vet, është një Utopi sa e Vjetër dhe e Re, e ndryshme nga ishulli Utopia i Tomas Morit dhe për më tepër më aktuale se e tija. Është Utopia Reale e bashkëjetesës së ishullarëve që kapërcen tejpërtej kufijtë ndarës për t'u bërë të gjithë anëtarë të së njëjtës familje ishullarëve sipas vullnetit të vetë Zotit! Sepse të gjithë janë bijë e bija të Abrahamit, stërgjyshit të vëllezërve Moisi, Jesuz (Isakut) dhe Muhamed, babait të gjithë njerëzisë! Të paktën kështu e kanë kuptuar shqiptarët sipas Blushit.
Pse apo Si?
Por si ndodhi që shqiptarët u bënë ishullarë? Ishin të tillë që nga fillimi? i bëri fati? U bënë apo i bënë? E dinin që ishin të tillë? Deshën të jenë të tillë? Duan? Po vetë ishulli, ishte i tillë që në fillim apo e bënë shqiptarët si utopianët e Tomas Morit? E bënë se u pëlqente të jetonin në ishull apo s'kishin alternativë tjetër mbijetese? Në fakt këto janë pyetje arkaike (aristoteliane), të kapërcyera nga dija postmoderne e cila pyetjen PSE determinuese të gjetjes së shkakut primar të pasojave sekondare e zëvendëson me pyetjen bashkëvepruese SI(?)! Dhe këtë kategori logjike e ka shpjeguar më së miri filozofi Artan Fuga në librin e tij të mrekullueshëm "Rrota e Mundimit". Dhe fatmirësisht Blushi nuk e bën këtë gabim. Blushi nuk paraqet shkakun fillestar! Blushi nuk paraqet shkaqe fillestare dhunën apo vullnetin. Blushi zëvendëson pyetjet aristoteliane PSE me pyetjet postmoderne SI(?). Sepse Pse-të prodhojnë artificialisht vetëm vetveten, dhe përdorimi i pyetjes SI është mënyra më e mirë për t'ju shmangur të vërtetave që gënjejnë vetveten. Blushi "merr përsipër të shpjegojë sado pak MËNYRËN SE SI stërgjyshërit a katragjyshërit tanë kanë marrë vendime në atë kohë, vendime edhe për ne sot. Pasi mënyra se si ata rezistuan, iu adoptuan një pushtimi të caktuar, jep shumë nga logjika e gjërave, të cilat ne jetojmë sot." (citim i Blushit nga gazeta Shqip 15 Prill 2008). Prandaj edhe Blushi nuk shpjegon shkakun pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë, as pse bashkëjetuan shqiptarët, por nën logjikat e ndryshme dhe të kundërta të kohës ai jep perceptimet tona të ndryshme mbi mënyrën se si u konvertuan dhe si bashkëjetuan shqiptarët, si mësuan të jetojnë nën të njëjtin ishull dhe nën të njëjtin qytet, si u gabuan dhe si u korrigjuan, si mësuan të jenë fqinj, miq, të martuar, vëllezër të një gjaku. Si u gënjyen nga misionarë të huaj grekë dhe turq që i ndërsyen në përçarje dhe vëllavrasje dhe si reflektuan dhe nxorën mësime të mëdha që na vlejnë edhe sot.
Personazhet mitik-simbolikë që afektojnë arketipin ishullor
Dhe për këtë Blushi përdor një teknikë shumë të shëndetshme si nxënës shembullor i filozofisë së ishullit të bashkëjetesës. Ai nuk flet vetë. Ai nuk jep gjykime mbi të tjerët por i jep shansin të tjerëve të japin gjykimet e tyre. Gjykimet Blushi ua ka lënë personazheve mitik-simbolike që enden në formë rituale si Odieseja (Aranit Komneini nëpër Mesdhe dhe Evropë), babai i Odiesë, Sizifi vetë (Araniti Komneini me arkivol në dorë), bashkëqytetari i tij Edipi mbret i plakur (Araniti i plakur me Sarën e vogël për dore), apo edhe si Noe, Abraham, Moisi, Krisht dhe Muhamed në shkretëtira (gjyshi i Arianitit, Ibrahimi, Arianiti, Isaku, Sali Benishi), dhe të gjitha këto ndodhin në një skenografi krejtësisht reale kohore dhe historike të 1000 vjetëve të fundit pa as më të voglin defekt apo gabim (duke përfshirë në simbolikën e vet historinë e botës, të Perandorisë Kozmopolite Bizantine, të vetë popullit shqiptar, dhe sidomos të dy poleve orientale dhe aksidentale të udhëheqësish politike shqiptare të djeshme dhe të sotme). E vërteta e Blushit është një konspekt strukturor historik duke i dhënë librit edhe dimensionin e njohjes historike. Blushi nuk flet vetë, por vetëm dëgjon zërat e së shkuarës për të kuptuar realitetin e sotëm. Dëgjon zëra që vijnë nga thellësia e kohërave në vetë nënshtresat e ndërgjegjes sonë kolektive të cilat nuk e konfuzojnë, dhe as e turbullojnë. Përkundrazi ai është i qartë sepse ka fatin të dëgjojë jo thjesht një kor unik për bëmat e heronjve zyrtarë, por dëgjon dhe na përcjell edhe zërat e heronjve jozyrtarë! Ata të harruarit, të Mohuarit, të cilët Blushi falë formimit të tij kulturor personal dhe familjar është në gjendje t'i veçojë, t'i ndajë, t'i zbardhë në këtë roman. Blushi na i sjell zërat e së shkuarës epike në formën që ne shqiptarët kemi ditur të bëjmë gjithmonë: në formë rrëfenjash dhe epikësh historike por këtë herë Alternative, Jozyrtare.
Testamenti alternativ i të parëve tanë sipas Blushit shmang konfliktin e pashmangshëm
Ishulli i Blushit është një Testament Alternativ i ngjashëm me referencat mbi papiruset e Detit të Vdekur, por jo sipas teknikës komerciale të Dan Brown (në spekulimin e tij fitimprurës "Kodi Da Vinci"). Blushi nuk ka qëllim të dekonstruktojë Besimin, përkundrazi. Tregon se sa i vërtetë ka qenë ai ndër shqiptarë. Jo në një kuptim të praktikimit sinkretik por si projektim i vetë historisë sonë unike të bashkëjetesës jetëgjatë. “Të jetosh në ishull” është një testament i të parëve tanë për ne vetë dhe vetë botën. Është një testament Shqiptar Bibliko-Kuranor Alternativ, jo në kuptimin e një besimi tjetër apo miks por në kuptimin alternativ mbi mënyrën se si shqiptarët i lexuan testamentet dhe e bënë historinë e tyre të Bashkë-Mbijetesës Fetare. Leximi i Blushit është një lexim kontemporan që sot po i bëjnë Testamenteve Biblike-Kuroanore akademikët dhe teologët më të mëdhenj të planetit, që nga Papa Benedikti i Bashkëjetesës Ndërfetare e deri te teologu i madh Islamit, Imam Gazaliu i cituar nga Arbën Xhaferri (në Konferencë Kombëtare, Tiranë 14-15 Nëntor, 2003). Testamenti i të parëve tanë që Blushi përpiqet të zbardhë artistikisht në formë Romani NUK është një Testament i profecive eskatologjike hegeliane të përplasjes finale dhe të fitores së njërit qytetërim mbi tjetrin. Nuk është një profeci distopike e tipit të Spenglerit, Fukujamës dhe të famëkeqit Hantigton mbi përplasjen e pashmangshme të qytetërimeve.
Fati i Mitit Sizifian
Sepse Blushi zbulon në të shkuarën tonë mitin edipo-sizifian të Kamysë të fatit të njeriut që sunduar nga vetë njeriu dhe jo nga Perëndia e Fatit. Shqiptarët qindra vjet para Kamysë, kishin zbuluar në mënyrë të ndërgjegjshme në ADN-në e fshehur të arketipit të tyre kulturor bashkautorësinë e miteve greke të Edipit dhe Sizifit, sipas të cilave njeriu duhet të bëjë të vetin dhe të njohë dhe të zotërojë fatin e pashmangshëm që Zoti kishte projektuar për ta. Përplasja përfundimtare përjashtuese, fitorja turqizuese e shqiptarëve apo humbja greqizuese predikohet vazhdimisht në libër nga dy polet e gjenerimit të përçarjes, si nga prifti grek ashtu edhe hoxha i turqve. Shqiptarët i besonin Zotit, por njëkohësisht mësuan të besojnë se fatin e tyre duhet ta bëjnë ata vetë. Dhe sprova simbolike e rënies së Voskopojës i detyron më shumë të mësojnë. Sepse tashmë fati i tyre ishte projektuar nga ata vetë. Sepse kështu kishte vendosur Ibrahim-Abrahami Shqiptar i Blushit. "Fatin e djemve të vet e kishte përcaktuar ai vetë" dhe jo si Abrahami i Testamenteve biblike-kuranore që fatin e djemtë e vet "ndoshta e kishte përcaktuar vetë Zoti" (f. 157). Por po ashtu si në mitologjinë dhe tragjedinë greke (sipas Alfred Kamysë), si për Edipin edhe për Sizifin, kapërcimi përfaqësues ndërgjegjësues që i bëjnë fatit nuk i shmang dot ata nga vuajtja e tij, po ashtu edhe personazhet e Blushit nuk i shmangen dot vuajtjes, përkundrazi, si heronj dhe si profetë të lashtë, ata vuajnë dhe prodhojnë historinë e tyre sizifiane, si në një rrotë mundimi fugiane, si mikrokozmos alternativ i vetë njerëzimit botëror. Blushi duke folur me gojën e Hanës së krishterë që i referohet Muhamedit mysliman shqiptar (që i ka kërkuar dorën për grua), dekonstrukton mitin ekzistencialist sizifian shqiptar si shprehje e arketipit ishullor konservues të vetë qytetërimit njerëzor. "Ne të gjithë jetojmë si heronj të fantazisë njerëzore... Unë jetoj si profet, Arianiti besonte se ishte Abraham, Isak Komneinit i dukej vetja si Jezu Krishti, Sali Benishi besonte se Aishja e tij i ngjante gruas së Muhamedit, Bilalit i dukej vetja si jevgu që vodhi gozhdën e kryqëzimit, Ana është e bindur se do të bëhet princeshë si Ana Komnena e vërtetë dhe Niko ndryshoi emrin që të jetojë si Paridi. Bota rri në vend sepse ne besojmë se shpirti i dikujt tjetër jeton në trupin tonë dhe kjo na bën dembelë. Bota ka mijëra vjet që nuk ndryshon sepse secili nga ne kujton se një shpirt më i ndritur do t'i tregojë rrugën e duhur. Na duket sikur ecim, por në fakt ndjekim hapat e dikujt që ka kaluar përpara nesh dhe kthehemi aty ku u nisëm." (f.368)
Shqiptarët bashkë-mbijetuan duke mbetur shqiptarë sepse "I lidhte e njëjta vatër"
Këtu qëndron edhe thelbi i kuptimit të shmangies së profecisë së përplasjes përfundimtare sipas misionarit të grekëve dhe të turqve, apo sipas banorëve të Kretës që prisnin me padurim ditën që të thernin të gjithë turqit e ishullit. Përplasja "e pashmangshme" e shqiptarëve me besime "të kundërta" shmanget pikërisht sepse ata i përkisnin të njëjtës Vatër. Tek koncepti i Hajdegerit " i të qenit i lidhur me vatrën" duhet kërkuar fati që shqiptarët e bënë vetë. Në këtë koncept hajdegerian fshihet edhe fati unik i bashkëmbijetesës ndërfetare dhe kombëtare shqiptare. Tek të qenit të një vatre, pra të një gjaku, të një gjuhe, banorë të një ishulli fshihet sipas Blushit edhe mbijetesa shqiptare që i mbijetoi fatit të përçarjes fetare alla Bosnje të projektuar nga misionarë të huaj grekë apo turq në qindra vjet. Vetë filozofi i madh i historisë Eric Habsbaum e ka marrë rastin shqiptar të bashkekzistencës ndërfetare si shembull historik botëror të protonacionalizmit mbifetar. Shembull që ka detyruar në rivlerësimin e vetë konceptit akademik përgjithësues "protonacionalizëm" në nivel botëror si në origjinat e tij fetare ashtu edhe thjesht gjuhësore. Dhe Hosbaum i referohet pikërisht Sami Frashërit të 150 vjetëve më parë i cili citohet të kenë thënë: "Të gjithë ne jemi një fis i vetëm, një familje e vetme:jemi të një gjaku e të një gjuhe". (Kombet dhe nacionalizmi që nga 1780-a, Erik Hobsbaum, Sh.B.Toena, 1996, F.53). Këtu e merr edhe origjinën metafora e familjes ishull të Ibrahimit sipas Blushit, që fsheh edhe alkiminë e formulës së bashkëmbijetesës ndërfetare shqiptare: Shqiptarët vërtet kishin fe, emra dhe etikë fetare të ndryshme por ata në radhë të parë ishin vëllezër të një gjaku, ishin bij të të njëjtit atë, ishin rritur dhe ushqyer pranë të njëjtës vatër, dhe natyrisht që flisnin të njëjtën gjuhë. Ishulli i shqiptarëve të Blushit nuk fetishizoi dallimet fetare por përkundrazi të përbashkëtat e Testamenteve Bibliko-Kuranore duke projektuar që në gjenezë lindjen e një kombi me dy fe të ndryshme, me personalitet të dyfishtë, por me identitet të njëjtë të të parëve tanë.
Paradigma e ishullit Brenda ishullit
Metafora e ishullit të Blushit është një metaforë rrethore e cila i mbivendoset vetvetes si rrathë dantesk të Ferrit apo të Parajsës në varësi të ritualit të mësimit të bashkëmbijetesës dhe të evolucionit të vetë historisë blushiane. Ishujt i mbivendosen njëri tjetrit në një formë shumë artistike dhe antropologjike duke respektuar radhën e kalimit nga një ishull më i vogël drejt një ishulli më të madh. Nga ishulli i brendshëm i Ibrahimit kalohet në mënyrë projektuese drejt Familjes-Ishull dhe familja-ishull projekton rreth vetes një Fshat – Ishull brenda të cilit projektohet një mit që nuk është: Voskopoja e vërtetë. Ajo që ne nuk e njohim sepse nuk duam. Sepse i ikim si të ishte një ëndërr e frikshme duke harruar se aty fshihet mësimi i madh, final sipas autorit.
Filozofia e Ishullit
Kështu u ribë Shqipëria. Një komb-rrënojë (siç e quan Ismail Kadare në “Vizitë në Kështjellën Grac”) i cili u ngrit me vështirësi mbi gërmadhat që vetë shkaktoi. Një komb që i lejoi vetes rrënimin për të mos i lejuar vetes përçarjen fetare që me siguri do t'I sillte asimilimin nëpërmjet turqizmit dhe helenizimit. Shqiptarët zgjodhën "higjienën e injorancës" si profilaksi ndaj sëmundjes së asimilimit nëpërmjet turqizmit apo helenizimit. Dhe kush më mirë se vetë Blushi mund ta predikojë si profet filozofinë e vet në gojën e një Isaku shqiptar që i drejtohet shqiptarëve kristianë që prej qindravjetësh përpiqen pa sukses për pavarësi nga pushtimi turk: “Ju jetoni në ishull pa e ditur... Ishullarët janë njerëz të vetmuar dhe vetmia i ka bërë të mendojnë. Ata kanë vetëm një qëllim: se si të shpëtojnë ishullin e tyre nga stuhitë dhe pushtuesit. Për t'ia arritur kësaj, ata përdorin çdo dredhi dhe kur dredhitë nuk pinë ujë përdorin luftën. Por lufta është arma e fundit që përdorin pasi i kanë ofruar të huajve paqen, qetësinë, strehimin dhe mënyrën e tyre të jetesës. Ka shumë udhëtarë që thonë se njerëzit e ishujve janë mikpritës. Në fakt, kjo është një dredhi që ata e kanë përsosur në mijëra vjet për të shpëtuar atë pak tokë që kanë nga piratët. Ishulltarët kanë një rregull. Ata i pranojnë të huajt dhe njerëzit që vijnë nga deti vetëm në qoftë se këta mësojnë notin. Pas notit ata u mësojnë të huajve peshkimin, pastaj i tregojnë si të ndërtojnë barka dhe anije, pastaj se si të gatuajnë peshkun, pastaj se si të ngrenë diga për të zbutur egërsinë e detit që kafshon ishullin, pastaj se si të presin gjatë dimrit duke u ushqyer me durim dhe pastaj sesi gjatë verës të ruajnë ushqim edhe për dimrin tjetër. Kur i huaji i ka mësuar të gjitha këto, ai pa e kuptuar është bërë një ishullar. Dhe ky ishullari i ri, pa e kuptuar ka vetëm një qëllim: se si të ruajë të pavarur ishullin e vet duke përdorur mjeshtërinë që të tjerët i mësuan atij. Voskopoja është një ishull i krishterë, i cili i ka shpëtuar deri sot pushtimit duke përdorur këto dredhi”. “Por ka edhe diçka tjetër. Myslimanët e Voskopojës janë shqiptarë siç jemi edhe ne. … Ata janë myslimanë, por akoma nuk janë turq. Në qoftë se ne i zbojmë shqiptarët myslimanë nga qyteti ata do të shkojnë te turqit dhe të gjithë bashkë do të vijnë dhe do na zbojnë ne na nga Voskopoja. Kjo do të ishte një luftë e humbur. Kështu kanë gabuar shumë burra të mençur përpara nesh, pa e kuptuar se duke i quajtur turq, shqiptarët myslimanë, në fakt, i kanë hedhur ata si armë në duart e turqve. Me ato duar turqit kanë luftuar dhe kanë pushtuar fshatrat dhe qytetet tona. Në të vërtetë shqiptarët kanë luftuar kundër shqiptarëve dhe njëra palë besonte se luftonte kundër turqve, ndërsa pala tjetër ngushëllohej se luftonte kundër grekëve. Kësisoj nuk ka mbetur asnjë pëllëmbë Shqipëri dhe kujtdo që fitonte i thuhej se fitoi si turk dhe kujtdo që humbte i thuhej se humbi ngaqë ishte grek. Voskopoja nuk është një ishull ku turqit luftojnë me grekët. Voskopoja është një tokë ku shqiptarët akoma nuk kanë arsye të luftojnë me shqiptarët”.