E hene, 29.04.2024, 07:48 AM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: ''Ftofja'' edhe ti Tadiqit, Hashim - Vizitoje Luginën e Preshevës?

E marte, 29.04.2008, 06:46 PM


Adnan Abrashi
“FTOFJA” EDHE TI TADIQIT, HASHIM-VIZITOJE LUGINËN E PRESHEVËS?

Nga Adnan Abrashi

Me rastin e festës ortodokse të Pashkëve, vizita e fundit e ashtuquajtur private e Tadiqit në Kosovë,  si dhe lejimi i papenguar i “kalërimit” të tij dhe shumë të tjerëve nga Serbia në territorin, sikur thuhet, “të pavarur dhe sovrane” të Republikës së Kosovës, ndoshta, edhe mund të merret si një urtësi politike, edhe  pse, nga pak, në kujtesën tonë, po na shkakton konfuzione ai premtim dikur i kryeministrit, se, kurrë ma në të ardhmen, asnjë zyrtari të lartë serb nga Serbia, nuk do t’i lejohen këso far ekskursione me qëllime fushatash parazgjedhore, nëpër territorin e Republikës së Kosovës?!
Nuk ka dyshim! Kosova duhet të jetë një shtet i ri demokratik dhe i hapur për të gjithë “shtegtarët” dhe “kalorësit” qëllimmirë që vijnë dhe kalërojnë nëpër të. Pse jo? Edhe për burrështetas nga Serbia. Se sa do të jenë qëllimmira  këto “kalërime” të tyre që kohën e fundit  ia bëjnë si më shpesh Kosovës, le të mbetet në ndërgjegjen e tyre të pastër, a po? Për ne, kryesorja është se, ata, kur ta kalojnë kufirin e Kosovës në Merdare, gjëja e parë që do t’ju bjerë në sy do të jetë tabela me mbishkrimin  “ Welcome to the Republic of Kosova”. 
Ehh...sa më kishte interesuar ta di se si në atë moment  është ndjerë Tadiqi i mjerë, kur, me të kaluar kufirin në Merdare, i ka dalë përball ajo tabelë e mrekullueshme me mbishkrimin “Welcome to the Republic of Kosova”? 
Kur mendoj pak sa më thellë rreth kësaj ironie, gjithnjë e më tepër befasohem, hamendem dhe çuditem, pse protokolli i Tadiqit  është dashur t’i nënshtrohet këtij provokimi vizual;   ka mund t’i largohej  shumë lehtë asaj;  thjesht,  ka mjaftuar që në territorin e Republikës së Kosovës të hyjë edhe nëpër vendkalimet tjera  kufitare, në të cilat s’ka as dogana, e lere më tabela me mbishkrimin “Welcome to the Republic of Kosova”.
Vërtet, nuk e di as vetë pse!? Ndoshta ,“burrat e botës”, kanë dashur të verifikonin se a është shkruar ajo në të gjitha gjuhët multietnike që garantohen si gjuhë zyrtare në Kosovë?  Për dike, kjo hamendje e ime mund të duket si qesharake dhe joserioze, por, serbët njihen gjithmonë si politikan të çuditshëm, ashtu që, nuk i dihet kurrë atyre çka mund të bluajnë në kokë si strategji!?
E, pra, duhet pranuar miqtë e mi se, politika shpesh e ka edhe “me ta ftohë”, dhe, me këtë deklaratë të fundit që i bëri vizitës “private” të Tadiqit në Republikën e Kosovës, kryeministri jonë vërtet ja ka “ftohë” atij.
Por, në favor të stilit të njëjtë, unë kam edhe një propozim tejet interesant për kryeministrin tonë. Pse jo, ky propozim mund t’i adresohet edhe kryetarit Fatmir Sejdiu.
Ju kisha propozuar atyre që, si reciprocitet, edha ata me të njëjtën  “stil” t’i vizitojnë shqiptarët tanë në Luginën e Preshevës. Për çdo eventualitet, si masë sigurie për trupruajtje, le ta marrin me vete njësitin e armatosur të SHPK-së për mbrojtje të afërt, mu njëjtë sikur e “trupruajtshin” Tadiqin në Kosovë (të pavarur dhe sovrane), pjesëtarët e armatosur të policisë serbe.
Në shikim të parë, kjo mund t’ju duket pak sa propozim i çmendur, porse, ma merr mendja si tejet i vlefshëm dhe edukativ. Fundja, edhe nëse kërkesa në fjalë refuzohet, nuk ka  asgjë se çka të humbet aty. Përkundrazi, do të fitohet një eksperiencë e re në të kuptuarit e domethënies së vërtetë pragmatike të pavarësisë dhe sovranitetit shtetëror, me të cilin nocion, në terminologjinë tonë politike kosovare, kohën e fundit, shumë shpesh po manipulohet??!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora