Faleminderit
Albana Lifschin: Woodrow Wilson - Presidenti i 28 i SHBA (1913-1921)
E hene, 17.12.2012, 05:10 PM
Udhëtim
në Historinë e Amerikës (3)
Udrou Uillson - Presidenti i 28 i SHBA (1913-1921)
Nga Albana M. Lifschin
Në
imagjinatën e tij të fëmijërisë, Tomi Uillson kishte krijuar një botë lojrash
ku ai ishte kryekomandant që udhëhiqte një ushtri të madhe në vepra heroike.
Shumë,
shumë vjete më pas, ndodhi që Tomi të bëhej Udrou Uillson (Woodrow
Wilson), president i vëndit më të fuqishëm në botë dhe kryekomandant i forcave
të armatosura të SHBA.
Nuk dihet
nëse ëndrrat e hershme të fëmijërisë ndikuan në të ardhmen e tij drejt rrugës
presidenciale, por një gjë është e sigurtë që në moshën djaloshare ai e
shikonte veten në rrangun e admiralit apo gjeneralit. Në kujtesën për vitet e
fëmijërisë Wodroow Wilsoni kishte ruajtur një moment kur ai qëndronte tek porta
e shtëpisë duke thirrur" Zoti Linkoln u zgjodh president. Do të kemi
luftë!."
Në moshë
të re duke ndjekur gjurmët e familjes ai shkoi të ndiqte një shkollë
presbiteriane në Karolinën e Veriut. Si student ai shfaqi dy prirje të cilat e
shoqëruan deri në fund të jetës, aftësinë për të debatuar dhe dashurinë për
sportin e bejsbollit. Kështu ai hyri në debatet sociale të kohës dhe luajti në
skuadrën e bejsbollit. Gjatë viteve studentore duke zhvilluar këto dy aftësi
Tomi Uillson u bë shumë aktiv dhe dalëngadalë filloi të mendonte të ndiqte një
rrugë të re duke devijuar nga rruga fetare e trashëguar në familje. Synimi i
tij u bë karriera në pushtetin shtetëror. Ai madje nuk e përdori më emrin Tomi,
por në vënd të tij Udrou Uillson. Uillsoni hyri në Universitetin e Virxhinias
për të studiuar për avokaturë. Pas mbrojti avokaturën ai ndoqi një universitet
tjetër, atë të Hopkinsit në Baltimorë për të hyrë më në brëndësi të politikës
dhe artit të qeverisjes. Ai filloi punën si profesor i kësaj fushe, fillimisht
në kolegjin Bryer Mawr pranë Filadelfias. Si profesor, ndërkohë që reputacioni
i tij sa vinte e rritej, Udrou Uillson ndërroi disa kolegje. Në 1902 ai u
zgjodh president i kolegjit të Princetonit në Nju Xhërsi. Në 1910 ai dha
dorëheqjen si president i kolegjit për tu zgjedhur Guvernator i Nju Xhërsit. Në
1912, reformatori Uillson qe kandidat i partisë së vet për zgjedhjet presidenciale
të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ditën e
inagurimit presidencial, në 4 mars 1913 Udrou Uillson ishte një burrë i gjatë,
i pashëm me një pamje të vendosur. Atë kohë ai ishte 56 vjeç. Kur familja
Uillson hyri në Shtëpinë e Bardhë, ajo qe një familje e lumtur. Dy nga tre
vajzat e tij u martuan gjatë asaj periudhe. Uillsoni ishte në formë të mirë dhe
ende vazhdonte të mbante gjallë dëshirën për sportin e bejsbollit. Ai ka qënë i
pari president që ndoqi serialin botëror të bejsbollit të vitit 1915.
Pas vdekjes se gruas se parë, një vit më pas, u martua me Edit Bolling Gat, një vejushë nga Uashingtoni. Kur plasi lufta e parë Botërore, presidenti Uillson duke shpresuar ta mbante Amerikën jashtë konfliktit lëshoi një deklaratë neutraliteti.
Lufta e paevitueshme
Presidenti
Udrou Uillson e urrente luftën me gjithë shpirt dhe ishte i vendosur të ruante
neutralitetin e Amerikës. Madje edhe pas mbytjes së Lusitanisë nga gjermanët,
me afro 200 qytetarë amerikanë në bordin e saj, kur të gjitha gazetat amerikane
ishin mbushur me thirrje për ndëshkim (luftë) ai përsëri u përmbajt. Presidenti
i dërgoi disa mesazhe qeverisë se Kajzerit të mbushura me paralajmërime, duke
kërkuar që anijet amerikane të lundronin kudo pa u prekur, në të kundërtën do
priste marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë. Por ndërkohë që SHBA përpiqej të
mbante neutralietitn, ambasada gjermane në Washington D. C. ishte kthyer në
çerdhe spiunazhi e sabotatorësh. Ambasadori gjerman kishte në dorë 100 milion
dollarë për të "blerë " kongresmenët amerikanë duke u dhënë nga 50
mijë dollarë secilit. Një nga agjentët e tij më të rëndësishëm ishte Franz von
Papen që më pas ndihmoi Hitlerin për të ardhur në fuqi. Plani i tyre për të
korruptuar kongresin amerikan dështoi, por rrjeti i tyre agjenturor e sabotator
ishte i shpërndarë në tërë vëndin. Sabotatorët e përdorën Amerikën si një
laborator ku eksperimentuan luftën bakterologjike. Kryetari i projektit ishte
një gjermano- amerikan doktor në mjeksi me emrin Anton Degler, i cili u kishte
ofruar vullnetarisht shërbimin e tij gjermaneve. Në shënjestër u vunë kuajt dhe
mushkat që priteshin të ngarkoheshin në anije për aleatët. Anton Degler vizitoi
të gjitha portet amerikane prej nga pritej të transportoheshin këto kafshë për
Evropë dhe bëri të mundur infektimin e tyre. Sabotatorët ishin të specializuar
në vendosjen e bombave. Objektet kryesore ishin portet, veçanërisht ai i Nju
Jorkut. Akti me i rëndë i sabotazhit ndodhi vetëm disa qindra metra pas
Statujës së Lirisë në Black Tom Island. Një sasi e jashtëzakonshme eksplozioni
ishte parkuar pranë portit. Në 30 korrikun e vitit 1916, në orën 2 të mëngjesit
një plasje e fuqishme përfshiu tërë portin dhe u dëgjua deri në qindra mile
larg në Kenektiket dhe Pensilvani. Pothuaj të gjitha dritaret e qytetit Xhërsi
u thyen. Copëza metali binin nga qiejt. Sabotatorët e Black Tom-it nuk u kapën
kurrë. Por dihej që eksplozioni qe kryer nga sabotatorët gjermane dhe qeveria
gjermane pas lufte ra dakort të paguante 50 milion dollarë për dëmet e
shkaktuara prej tij. Pas eksplozionit, u kërkua largimi i kapitenit Von Papen
nga ambasada gjermane.
Veç kësaj
Gjermania kishte filluar bisedat me Meksikën duke i premtuar asaj ish
territoret e vjetra të Teksasit dhe Arizonës nëse ajo do të mbante anën e
Gjermanisë në rast lufte midis kësaj të fundit dhe SHBA .
Në 31
janar, 1917 ambasadori gjerman von Bernstorff i dorëzoi një notë qeverisë
amerikane ku thuhej se Gjermania do të fillonte një luftë detare të pakufizuar.
Zona e vdekjes do të përfshinte detrat rreth ishujve britanikë, francezë,
Italisë dhe Mesdheut. Çdo anije e aleatëve që do të hynte në këto ujra do të
goditej pa asnjë paralajmërim nga nëndetset gjermane. Kajzeri gjerman sidoqoftë
bënte një "lëshim" për SHBA. Një anije amerikane në javë, por vetëm
një, mund të lundronte për në Angli nëse do t'i bindej disa regullave të
caktuara prej tyre. Presidenti Uillson e lexoi këtë mesazh dhe e rilexoi pa u
besuar syve dhe tha me zë të ulët: 'Kjo do të thotë luftë'.
Në
mbrëmjen me shi të 2 Prillit 1917 presidenti amerikan, në limuzinën e tij
shkonte drejt kapitolit, për të mbajtur fjalimin e tij historik në kongresin
amerikan duke deklaruar se lufta qe bërë e paevitueshme, në emër të ruajtjes se
paqes dhe demokracise në botë.
"Ne
nuk kemi asnjë dëshirë për pushtim apo dominim.. nuk është gjë e lehtë të
udhëheqësh këtë popull të madh e paqedashës në luftë.Por e drejta është më e
çmueshme se paqja dhe ne duhet të luftojmë për ato gjëra që janë të shtrenjta
për ne.. Sot ka ardhur dita që Amerika të derdhë gjakun për parimet të cilat i
dhanë asaj jetën, lumturinë dhe paqen që ajo ruan… Zoti e ndihmoftë!"
Në 6
prill 1917, Kongresi amerikan i shpalli luftë Gjermanisë.
Kur
Amerika hyri në luftën e parë botërore, zhvillimi i operacioneve luftarake të
deriatëhershme, nuk fliste për fitore të forcave aleate. Në të kundërt forcat
aleate kishin pësuar humbje të rënda, sidomos në lindje. Për më tepër Rusia qe
larguar nga teatri i luftës. Revolucioni bolshevik solli në pushtet komunistët
me në krye Leninin i cili nënshkroi paktin e paqes me Gjermaninë.
Në Evropë
çdo muaj zbarkonin reth 300 000 trupa të freskëta amerikane. Gjatë Luftës së
Parë Botërore u dërguan më tepër se dy milion trupa amerikane.
Gjenerali
Xhon Përshing ishte instruktuar nga qeveria t’i mbante forcat si një formacion
i vetëm jo ti shpërndante ushtarët
amerikane nën komandën e gjeneralëve të huaj. Hyrja e Shteteve të Bashkuara të
Amerikës në luftë i dha kthesë vendimtare
ngjarjeve dhe vendosi fatin e saj në favor të aleatëve.
Në 11
Nëntor 1918 Gjermania u dorëzua. Mbarimi i luftës u shënua me Traktatin e
Versajës. Presidenti Uillson ka qënë i pari president i Shteteve të Bashkuara
që ka shkuar në Evropë për të hartuar një traktat paqeje. Ai e shpalosi
vizionin e tij për botën e pasluftës në ato që u quajtën 14 pika, ndër të cilat
ishin eliminimi i marrëveshjeve të fshehta ndërkombëtare, garancia e lirisë së
detrave, reduktimi i armatimit, krijimi i Lidhjes së Kombeve që do të
garantonte paqen në botë. Firmosësit e traktatit u bënë anëtarë të Lidhjes së
Kombeve. Presidenti Uillson u tha ”ndal” traktateve të fshehta duke shpëtuar
Shqipërinë nga planet coptuese të fqinjëve të saj, që gëzonin mbështetjen e
fuqive të mëdha të Evropës.
Kur u
kthye në Amerikë me Traktatin e Versajes, ai ndeshi në kundërshtimin e senatit
amerikan që e refuzoi paktin e firmosur nga presidenti. Opozitën e udhëhiqte
republikani Henri Kabot Loxh (Henry Cabot Lodge) nga shteti i Masaçusets.
Presidenti Uillson ndërmori një udhëtim në tërë vëndin duke mbajtur fjalime në
mbështetje të traktatit të paqes. Së fundi, tepër i lodhur, në vjeshtë të vitit
1919, presidenti Uillson pësoi hemoragji cerebrale që e la të paralizuar në
krahun e majtë. Për shkak të gjëndjes së rëndë shëndetsore në këto kushte gjatë
vitit të fundit të presidencës, kontaktet e tij me njerzit bëheshin nëpërmjet
së shoqes. Sipas disa gazetarëve të asaj kohe, e shoqja, Editi, po bënte
praktikisht punën e presidentit.
Pavarësisht,
nga shqetësimet që iu krijuan në vënd, bota e njohu dhe vlerësoi rolin e tij
udhëheqës për paqe.
Në 1920
Presidenti Uillson u shpërblye me çmimin Nobel për Paqe dhe renditet ndër
presidentët e mëdhenj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për popullin
shqiptar ai mbeti miku i tij i paharruar.
Presidenti Uillson vdiq në shkurt të vitit 1924, në moshën 67 vjeçare.
(Marrë nga
libri i autores "Udhëtim në Historinë e Amerikës”, botuar 2003, ribot.
2006, 2010)