Mendime
Kolec Traboini: Lotët e Xhungës dhe shtypi laperdhar
E marte, 16.10.2012, 07:53 PM
LOTET E
RUDINA XHUNGES E SHTYPI LAPERDHAR SHQIPTAR
NGA KOLEC TRABOINI
Pasi e
lakuan emrin e babait të së mjerës Aishe Vata me soj e soj epitete makabre
dyshuese, për të cilën turpërohet çdo shqiptar, pasi ekspozuan vepër-tmerrin e
një krimineli patalogjik 80- vjeçar në një arë me misër duke i prerë kokën një vajze
që do të bëhej nënë, po ky shtyp, kur policia realizoi se vrasës ishte dikush
tjetër, atëherë, shtypi pra, e ktheu ndryshe duke përdorur tone patetike sikur
po i qan hallin grave e vajzave të Shqipërisë. Problemi qëndron jo se vajzat e
gratë nuk janë vërtetë në hall si të jetojnë në këtë ferr që kemi sajuar, por
se gjithçka që shkruhet e flitet është një hipokrizi e gjallë. Radhiten emra si
në një proces gjyqësor sikur gratë e vrara të ishin vetëm numra dhe kurrfarë përgjegjësie
shtetërore apo shoqërore nuk del. Në këtë rast shkruhen edhe hartime me fjalë stisura
duke kërkuar fajtore në ajër e pa vënë gishtin në plagë, a thua që nuk e dimë se
gruaja është viktima më e madhe e kësaj mut demokracie që na kanë afruar si
peshk i qelbur në një pjatë e duhet ta hamë patjetër.
Zonja
Rudina Xhunga me hartimin e saj në gazetën MAPO është pjesë e kësaj loje të pistë
që luhet në shtyp dhe lotët e saj janë një sajesë e thatë gërmash e boje. Një grimasë
mund të thoja. Mjafton ta shohësh kë interviston kjo gazetare e si i trajton
problemet, kujt i bën elozhe e kujt i lajkatohet nga vip-rripat e politikës në këtë
vend që ajo tashmë po e konsideron të mallkuar në fatin e grave e vajzave.
Kurrsesi
nuk mund të themi se ky vend është i mallkuar, por një vend që gjithnjë e kanë mallkuar
ata që, si të ishin Ali Pashai, vetë inspirojnë për pushtet anadollak. Mjerë femrat
në këtë vend e me këta prijëtarë që na drejtojnë si të ishim një tufë me dele.
Që nga ’91-shi
e këtej në këtë Shqipërinë tonë femrat shihen vetëm si mish e kurrgjë tjetër. Plot vajza kur kërkojnë punë, pronarët e
bisneseve ua thonë hapur që veç punës do të kenë edhe ca gjëra të tjera...që duhet
t’i bëjnë patjetër. Ajo çfarë bëri ish ministri Pango që e kushtëzoi vendin e
punës me seksin e më pas fitoi dhe gjyqin!!! ( kapitull në vete ky lloj gjykimi
e kësisoj gjyqtarësh) është një praktikë në Shqipëri. Ky vend është i mbushur
me Pango të vegjël, apo më tej edhe me kriminelë që duan mish të njomë dhe si rrjedhim
edhe vajza që vriten kafshërisht.
Kjo që po
gëzojmë nuk është liri sa kohë që është një liri që vret. Sa për thirrjet që u
bën gazetarja Rudina Xhunga deri në lutje grave të politikanëve të mëdhenj më duket
qesharake si thirrje, por tragjike si realitet. Gratë e të mëdhenjve tanë (që në
të vërtetë janë liliputër) janë gra pa pikë personaliteti dhe ato e kanë mendjen
tek paraja, pasurimi dhe as e çajnë kokën për hallet e popullit. Më thoni kush
prej tyre dha një qindarkë për të varfërit. Më thoni si reaguan ata kur Romët i
trajtojnë në mënyrë raciste e në mes romëve kishte gra e fëmijë të mbetur pa
bukë e pa strehë...
Ato bashkë
me burrakocat e tyre janë hija e vetvetes. Rudina Xhunga të bëjë emisione për
njerëz të thjeshtë e jo për lapërdharët e politikës që e kanë krijuar këtë kaos
shqiptar.
E mjera
Aishe Vata nuk kërkon as lot e as qiri nga gratë e vipave të me nder politikës,
por të atyre vajzave e grave shqiptare që nesër tragjikisht mund të bien në fatin
e saj.