Mendime
Ndue Dedaj: Kadare dhe moraliteti shqiptar
E hene, 08.10.2012, 07:00 PM
Kadare
dhe moraliteti shqiptar
Nga Ndue Dedaj
Shpesh
njerëzit e shquar shtrëngohen të vihen në “be”, ose t’i përshtatin disa sjellje
e qëndrime sipas shijes së publikut, në të vërtetë krejtësisht të panevojshme për
ta si individë. Ismail Kadare, i cili nuk ka marrë ndonjëherë rolin e edukatorit
kombëtar, aq më tepër të moralistit të popullit të vet, ka shqiptuar një nga
deklaratat më të bujshme të bëra nga ndonjë shqiptar, ballkanas, apo krejt bota
e ish-Lindjes, drejtuar shpifësve, përgojuesve, denoncuesve të tij të llojllojshëm
të diktaturës, se “një mijë vjet të kërkoni, në mijëra arkiva, s’do mund të gjeni
asgjë komprometuese për mua dhe kjo është epërsia ime absolute mbi ju”
Nuk e ka
bërë këtë askush nga liderët politikë shqiptarë të kësaj kohe, presidentë,
kryeministra, kryeparlamentarë, ministra, prokurorë të përgjithshëm, gjykatës të
lartë, avokatë të popullit, njerëz që në njëzet vjet kanë drejtuar shtetin, kur
pjesa më e madhe e tyre nuk kishin qenë anonimë as në regjimin e kaluar, disa
duke pasur poste politike e publike dhe atëherë. Teksa ka pasur jo pak lakim
pseudonimesh spiunore gjer në nivele ministrash. Dhe e bën këtë një shkrimtar,
që ka lëruar gjithë jetën vetëm arën e tij të letrave, shkrimtari më i madh
shqiptar, për të cilin siç do të dëshmonin arkivat do të kishte dhe një dosje
voluminoze të diktaturës në ngarkim të tij.
A ka
nevojë sot Kadareja për t’u marrë në mbrojtje nga e djeshmja e tij? Aspak dhe për
asgjë. Pasi ai ka qenë i njëjti përherë, me parime të pandërruara morale e
profesionale, si shërbyes vetëm i shkrimtarisë së tij. Por ka nevojë Shqipëria
për ta nënvizuar këtë anë të dobët të moralitetit tonë, përgojimin e miteve të saj
të gjalla, për t’i bërë dhe ata me njolla. E janë pikërisht shpërdoruesit e
pushtetit në diktaturë dhe demokraci që i mbajnë ndezur sulmet ndaj korifenjve
të kulturës dhe kombit. Ndërkohë që nuk mund të bëjnë “be” për vete, se janë të
pastër, të ndershëm, të papërlyer nga krimi, korrupsioni etj. Prandaj në një vend
të molepsur nga e keqja, ta ruash të pastër fytyrën është virtyt. Përgjithësisht
ndër shqiptarët e djeshëm me pushtet ka mbizotëruar shprehja retorike unanime “unë
nuk i heq asgjë asaj që kam bërë në jetë”, edhe se ka bërë keq politikisht, ka
spiunuar, përndjekur, dhunuar, sipas logjikës se kështu ishte koha, ligjet e
saj, i kemi shërbyer bukës së gojës etj. Dihet se koha ka zotër dhe robër. Edhe
në antikitet. Edhe në mesjetë. Edhe në komunizëm. Edhe sot. Kadare ka qenë një zot
i saj dhe zotat janë përherë të papërlyer. Si plot të tjerë që kanë qenë zotërinj.
Por ka pasur dhe shumë robër, individë të keqpërdorur nga regjimi dhe nga
vetvetja, që nuk ngrihen as sot mbi të keqen. Liri Belishova i ka kërkuar falje
popullit shqiptar, përmes televizionit, për atë që ajo kishte qenë në Byronë Politike,
domethënë në atë udhëheqje që i kishte shkaktuar drama persekutimi popullit të vet,
përfshi dhe atë vetë. Kjo është fisnikëria, qytetaria, katarsisi moral, për
shumë të tjerë i pabërë. Sa ngjan se purgatori ka qenë për kohë më të civilizuara
se e sotmja. Udhëheqësi i fundit komunist, Ramiz Alia, edhe pse u bë Presidenti
i parë pluralist, edhe pse jetoi shumë vite në rendin e ri, nuk mundi të shqiptonte
dhe një fjalë pendese, në emër të atij shtabi politik ku bënte pjesë për gjysmë
shekulli. Falnin etërit e martirizuar të kishës katolike, sipas thënies
proverbiale të Jezusit “Fali Zot se s’dinë ç’ka bajnë”, por jo politikanët e
diktaturës. Lutej për njerëzit e saj të gjakut Nënë Tereza, nga fundi e njëherësh
nga kreu i botës, ani se regjimi komunist nuk e linte të shihte varrin e së ëmës
në Tiranë, se të tillë janë njerëzit e mëdhenj, të cilët rrinë mirë atje lart
dhe nuk ka kuptim që t’i tërheqim për xhakete e t’i ulim poshtë, për t’i përbaltur.
Në shkrimtarët shqiptarë mbase vetëm Kadare i ka botuar tekstualisht veprat që ka
shkruar përgjatë regjimit komunist, si me thënë pa u hequr atyre as presjen. Kjo
sepse letërsia e tij i kapërcente që në ngjizje metodat ideologjizuese, siç ishte
realizmi socialist. Ndryshe nuk do të kishim as “Gjeneralin”, as “Pallatin e Ëndrrave,
as “Darkën e gabuar”.
Ajo që të
habit dhe për të cilën nuk gjen dot shpjegim është se ende ka shqiptarë që guxojnë
të ndajnë shkrimtarin nga vepra, duke thënë se Kadare është një shkrimtar i
madh, por jo dhe një njeri i madh(!)
Është thënë se vala antikadare zien gjithnjë në vigjilje të “Nobelit”, sikur të ketë një mallkim për këtë, ku ndër shqiptarët duhet të gjendet patjetër dikush që t’i trazojë urët para ngjarjesh të tilla madhore. Dikush nga hierarkia e yllit të kuq me pesë cepa kujtohet për Kadarenë, për “borxhin” që ai i ka diktaturës me ikjen e tij, që nuk i falet prej patriotëve partizanë. Teksa je i bindur se lexuesit dhe adhuruesit e pafundmë shqiptarë të shkrimtarit lëndohen nga shpërthime të tilla, ku disa të dukshëm e të padukshëm bëhen “kor” kundër figurës njerëzore të tij. Do të ishte e udhës që e moshuara Hoxha të lihet në pleqërinë e saj, pa u nxitur që të gërmojë në pluhurin e diktaturës, se mos nxjerr ndonjë xhevahir për nderin e humbur të diktatorit. Koha i ka ndarë meritat dhe antimeritat historike për cilindo dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë dhe pa ata që mundohen ta mbajnë peng kohën. Janë po ato shëmbëlltyra që dikur patën sharë e denigruar Nënë Terezën. Lëreni Kadarenë në të drejtën e tij të shkrimtarit të madh dhe njeriut të madh. Në tetor është “Nobeli”, që urojmë kësaj here të jetë i Tij. Në nëntor është njëqindvjetori i Pavarësisë, që me Kadarenë na bëhet dhe më i besueshëm. Në dhjetor ka vend vetëm për urimet e fundvitit. Në janar, aq më shumë, është ditëlindja e tij. Siç shihet, nuk ka kohë për të tjerat. Së fundi, jo rastësisht z. Ettore Sequi, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, gjeti Kadarenë për të folur për integrimin e shqiptarëve, vetëm pak ditë para 10 tetorit…