Mendime
Vangjush Saro: Revansh, ç’keqardhje!
E diele, 07.10.2012, 05:47 PM
Revansh, ç’keqardhje!
Nga Vangjush SARO
Me
keqardhje mund të konstatojmë se në vija të përgjithshme, ato çka ishin ëndërruar
në fillim të viteve ‘90, nuk janë më objektiv i qeverive shqiptare. Për më keq,
prej disa kohësh, revanshi i disa klaneve, në qeveri dhe jashtë saj, po merr përpara
krejt vendin, vlerat, trashëgiminë, të djeshmen dhe të sotmen. Disa prej
institucioneve të pavarura, janë të tilla vetëm në letër. Korrupsioni dhe
abuzimet nuk gjejnë vendin. Veçmas, në vlerësimin e së shkuarës, madje jo vetëm
për ato 45 vjet komunizëm ekstrem, ka një zbrazje pa fund paragjykimesh dhe
haresash tronditëse. Për të shkuarën, bashkë me historinë dhe artin e saj, ka
një interes mbiestetik, pothuaj (si dikur) klasor, për të rrumbullakosur një zero
të madhe dhe aq. Për fat të keq, më “të shquarit” (apo më të shqyerit?) në këtë
luftë, janë ca ish-komunistë, si dhe një numër fanatikësh mediokër, ndërkohë që
disa emra vuajtësish të vërtetë pikërisht për shkak të përballjes fatale, nuk
kanë demonstruar kaq shumë zell për ta rihapur këtë “luftë”. Balzaku thotë diku:
“Ata e përbuznin shekullin dhe kjo iu jepte të drejtën të mos e njihnin atë”.
Duke e
ditur se ndokush mund të kapet me autorin e këtyre radhëve për motive “patriotike”,
po themi paraprakisht se ta duash vendin tënd, cilidoqoftë ai, të jesh krenar për
atë se nga vjen, kjo nuk do të thotë që t’iu hapësh rrugë vetëm lëvdatave e
kujtimeve më të bukura dhe të bëhesh rob i frymës delirante. Të vështrosh se çfarë
nuk ka shkuar mirë, përse janë krijuar vuajtje të padëshiruara, si mund të bëhet
më e lehtë dhe më dinjitoze jeta në vendin tënd, kjo është gjetja. Çështja
shtrohet të mos na rrëmbejë urrejtja apo euforia, të vështrojmë veten dhe
vendin, vlerat dhe fatet, me mendje të qetë e duke parë si janë zhvilluar e kanë
ecur realisht vendet e tjera.
E vërteta
është se në Shqipëri, aktualisht, shumë gjëra po vështrohen shtrembër dhe për
interesa të pandershme. Hedhja e baltës mbi gjithçka të së shkuarës, pa kurrfarë
dallimesh a vlerësimesh, njëlloj prolektkulti (Zot na ruaj!), është shprehje e
varfërisë dhe e prapambetjes. Mbase sot, fanatikëve iu duhet thënë se
hidrocentralet, minierat, armët dhe çdo gjë tjetër që e shfrytëzojnë ende dhe (sipas
oreksit) e shesin për një çap bukë, nuk i prodhoi e ndërtoi Byroja Politike;
ato i kanë ndërtuar shqiptarët, në vijën e parë të burgosurit politikë, me
djersë dhe me gjak. Shqiptarët i kanë bërë, mes shumë vështirësish, edhe
historinë, letërsinë, gjuhën letrare, filmat, gjithçka që fanatikët duan ta
marrin përpara, a thua jemi në vitin zero. Nuk kemi ndërmend të mbrojmë asgjë të
errët të së shkuarës, ekspertët le të merren gjerësisht dhe siç duhet me
historinë, letërsinë, gjuhën, kinemanë, diskutime e ndryshime bëhen në çdo kohë;
por revanshi s’ka asgjë të përbashkët me këto zhvillime të natyrshme. Revanshi
bie erë interesash klanore.
Në mediat
shqiptare, thuhej para ca kohësh, në mungesë të një përkujtimi sado të thjeshtë
të 60 vjetorit të ish-Kinostudio “Shqipëria e re” (më pas “Albafilm): “...asnjë
aktivitet nuk u organizua për të vlerësuar punën dhjetravjeçare të Kinostudios.”
Me të drejtë mund të pyesim: Ç’punë kanë institucionet e sotme me atë çka
prodhoi ish-Kinostudio “Shqipëria e re”, (më pas “Albafilm”), në një kohë kur
vendi ishte i deklaruar (nga pikëpamja e rendit) si një diktaturë (e proletariatit);
fjalë boshe, se në të vërtetë Shqipëria ishte një prej shteteve të shumta që fati
iu blatoi regjimin komunist, paçka se ky i fundit, në Shqipëri u zbatua në mënyrën
më fanatike…Në cilin shtet kalojnë gjërat kështu pa u zënë goje fare, vetëm e
vetëm se ca fanatikë nuk dinë të menaxhojnë urrejtjet e tyre?
Na duket
e drejtë gjithashtu të pyesim se ç’punë i prishin “demokracisë” filma si “Kapedani”
(Fehmi Hoshafi-Muharrem Fejzo-Skënder Plasari),
“Dhe vjen një ditë” e “Flutura në kabinën time” (Vladimir Prifti-Teodor
Laço), “Apasionata” dhe “Duaje emrin tënd” (Ibrahim Muçaj-Kristaq Mitro-Nexhati
Tafa-Nasi Lera), “Në shtëpinë tonë” (Dhimitër Anagnosti-Kiço Blushi), “Çifti i
lumtur” (Piro Milkani), “Hije që mbeten pas” (Esat Musliu-Diana Çuli), “Vdekja
e burrit” (Lisenko Malaj-Anastas Kondo-Roland Gjoza), “Shkëlqim i përkohshëm” dhe
“Jeta në duart e tjetrit” (Albert Xholi), etj.! Kërkojmë ndjesë që nuk përmendëm
edhe filma e autorë të tjerë, ngase thjesht propozuam disa tituj pa ideologji,
pa Parti, pa Enver, gjë që nuk na jep të drejtë të pasgjykojmë asnjë krijim,
sado i angazhuar të ketë qenë. Koha vetë e zbraz atje ku duhet.
Kujtojmë se
revansh ka edhe në temën e ndalimit të “zakoneve prapanike” (siç u quajtën në atë
kohë).
Nuk është
e drejtë të bëjmë luftë me çdo gjë që përpara syve tanë ka kaluar, ndonjëherë e
kemi kundërshtuar, më së shumti kemi heshtur. Kujtojmë: U përpoq rendi i vjetër
të diskretitonte kohën e Ahmet Zogut dhe atë vetë, përmes lloj-lloj
falsifikimesh; dhe ia doli përkohësisht. Enver Hoxha dhe klanet rreth tij, përfshi
baballarët e atyre që janë sot ministra, bën të pamundurën ta paraqisnin atë periudhë
krejt të zezë. Por e vërteta mënon, veç nuk harron. Sot është e qartë për këdo
se ajo periudhë ka pasur problemet e veta, sikundër edhe vlera të padiskutueshme,
(duke filluar nga pranimi i parlamentarizmit, etj.). E ndërkaq, ku shkuan punët
e profesorëve të Komunizmit kundër Ahmet Zogut?
Edhe një term,
mbase edhe më delikat. Përpjekjet për të cënuar bazat e gjuhës standarde, siç jam
shprehur edhe në një shkrim tjetër, gjithashtu janë pjesë e një doktrine që mban
erë revansh. Ndërkohë, kemi mbrojtur lirinë e mundësisë së shprehjes dhe
pasurimit të gjuhës, përmes rivlerësimit të gegnishtes, kemi shprehur mendimin
se nuk kemi të drejtë ta cënojmë (përveçse ta pasurojmë) një gjuhë letrare të konsoliduar
prej kaq kohe, për të bërë lojëra dialektore. Gjithkush mund të ngrihet sot dhe
të kërkojë që e folmja e krahinës nga ai vjen, të bëhet gjuha standarde. Individë
me dhe pa shkollë, me dhe pa kulturë, kanë marrë penën a më mirë sopatën në dorë
dhe duan të na mbushin mendjen se “iu ka ardhur e keqja” nga ajo që e
konsiderojmë gjuhë standarde.
Në një sërë
mjegullimesh që i vijnë përqark vendit, përveçse njëlloj revanshi, kemi të bëjmë
edhe me mungesën e seriozitetit të shtetit dhe të institucioneve. Lexuesit të nderuar
mbase i vjen ndërmend përkujtimi i Kongresit të Lushnjës të vitit 1920, kur në ekran
(gabimisht) u shfaqën episode dasme...Por ne mund të sjellim një sërë shembuj që
tregojnë sa pak seriozitet ka shoqëruar gjithnjë shtetin shqiptar, qeveritë shqiptare,
në konsolidimin e vlerave dhe të trashëgimisë së gjithanshme. Shkoni në Kavajë dhe
gjeni një shenjë të aktorit të madh evropian me origjinë shqiptare Aleksandër
Moisiu; gjeni në Shkodër shenja të Gjergj Fishtës, Migjenit dhe Prenk Jakovës,
etj. Gjeni në Korçë një shenjë të Mihal Gramenos, Vangjush Mios, Tefta Tashko
Koços, etj.
Gazeta “Telegraf”,
një nga mediat më të kujdesshme dhe të ekuilibruara në Shqipëri, krahas shumë përkujtimeve
e rivlerësimeve të tjera, botoi përpara ca kohësh një shkrim për inxhinierin
dhe karikaturistin e njohur Enriko Veizi. Sidomos për brezat më të rinj, të sjellësh
nga kohërat e “tjera” të vërtetën dhe të mos kesh frikë nga ajo, është shumë e
rëndësishme. Edhe në rastin që u përmend më lart, nga njëra anë kemi faktin që ai
inxhinier, si shumë intelektualë a njerëz të thjeshtë e familje fisnike, u përndoq
nga rendi komunist; nga ana tjetër, ngrihet figura e intelektualit të përvujtur
e, sidomos, një karikaturisti emrin dhe stilin e të cilit, për dhjetra vite, e
mbajtën kaq libra me tregime humoristike, faqet dhe kopertinat e “Hostenit” dhe
revista të tjera të kohës. Në revistën e nderuar “Zemra Shqiptare” (mjaft e
njohur sidomos në diasporë) botohen heraherës analiza dhe përvoja historike e
shoqërore të cilat mbartin elemente të panjohur, që brezat do të dinë t’i
lexojnë si duhet. Mediat serioze mund ta ndalin revanshin, kur ai bëhet rrezik
për një komb. Diskutimi i kulturuar dhe duke vështruar e besuar më së pari nga
ekspertët, është një gjë krejt tjetër nga revanshi.
I themi këto
sepse aktualisht (do të donim shumë të gabonim) ne po përballemi me një përvojë
të tërë të keqe harrese e çvlerësimi, të trashëguar dhe të sajuar edhe së fundmi
në emër interesave dhe mediokritetit të atij (dhe klanit të atij) që ka
pushtetin sot për sot. Revanshi ka marrë udhë kudo ndër shqiptarë. Vëmë re se
shkruhet me shumë urrejtje, jo thjesht ndaj një periudhe të caktuar e ndaj
figurave tashmë të vëna në shenjestër nga historia, por edhe kur replikat duhej
të ishin profesionale dhe në përputhje me vlerat më të mira të qytetarisë që aspirojmë.
Unë mund të pranoj, bie fjala, që në disa replika, shkrimtari i njohur Rexhep
Qose e ka mbiluajtur mërinë e vet për ndonjë koleg apo ka tejkaluar në ndonjë rast
masën e kritikës (edhe për qeverinë shqiptare). Megjithatë, mënyra se si përgjigjen
disa shtetarë e disa shkrues gjaknxehtë, nuk është e pranueshme. Edhe përdorimi
i epiteteve dhe tonet pejorative, e kanë një kufi.
Më në fund,
pse u dashka të kemi kaq shumë kaos ndër vedi? Me keqardhje, mund të themi se
klanet që janë në qeverisje e jashtë saj, dhe që kanë autorësinë e tyre në cënimin
e vlerave demokratike (veçmas në dhjetë vitet e fundit), nxisin mjegull
artificialisht. E ndërkaq, ato (ka disa kohë) po tallen me gjëra shumë të rëndësishme:
me zgjedhjet dhe me votën e qytetarëve shqiptarë; ato e bënë skeç statusin e
vendit kandidat për në BE; ato po marrin ç’të mundin nga pasuria e këtij vendi;
ato i kanë lënë një pjesë të pronarëve të ngrohen në diell, në kundështim me ç’kemi
thënë në fillim të viteve ‘90 për shenjtërinë e pronës dhe për krimet
monstruoze të komunizmit; ato pushojnë nga puna këtë të mundin, kur s’di t’ua bëjë
me sy dhe punësojnë kë të mundin, sidomos ata që “ua bëjnë me sy” apo kur
paguajnë disa mijëra euro; këto na tregojnë një vend të prapambetur dhe të zënë
në paragjykime. Edhe për këtë, sheshimi i vlerave dhe helmimi i gjithçkje që ka
të bëjë me të shkuarën, shërben.
Janë gjithë
klanet e përmendura më lart, që po e fryjnë e po e fryjnë 100-vjetorin e
shtetit shqiptar, që mirë se të na vijë dhe ta festojmë me dinjitet, por jo sërish
vetëm duke pasur përkrahjen e vetëm një të tretës apo edhe gjysmës së shqiptarëve
(si njëherë e një kohë). Nuk duhet harruar se si pompoheshin përvjetorët dikur
në komunizëm, ndërkohë që një pjesë e madhe e popullsisë nuk i ndjente ato, por
s’kishte ç’të bënte dhe, ndërkaq, shumica po shkonin drejt varfërimit gjithnjë e
më të madh, në një izolim dhe mendjemadhësi(!) të paparë ndonjëherë në Evropë. Pyesim
për së dyti: Përse nuk u përkujtua qoftë edhe në mënyrë modeste 60-vjetori i
Kinostudios? Kjo është në një linjë me shkatërrimin e saj, sikundër ka detaje të
tjera që flasin për një paloshtet (sot e dikur), si mbulimi i Durrësit antik, rënimi
i kalave e ndërtesave historike, mungesa e përmendoreve të Gjergj Fishtës,
Ahmet Zogut, etj., por pse jo edhe zhdukja e veturave me të cilat janë pritur
Hrushovi, Çu En Lai apo, në një plan tjetër, mungesa e karrocës së Ismail
Qemalit, etj.
Me të drejtë,
lexuesi mund të pyesë: Revansh.