Faleminderit
Fiqri Shahinllari: Thanas Floqi, një nga firmëtaret
E premte, 12.10.2012, 08:15 AM
100 vjet pavaresi.
Thanas Floqi, një nga firmëtaret, 28 vjecar më 28 Nëntor.
Nga Fiqri Shahinllari
Në stendat
e Muzeumit Kombëtar në Tiranë shoh me vëmëndje firmëtarët e aktit historik të Shpalljes
së Pavarësisë së Shqipërisë.Midis firmave të I. Qemalit, L. Gurakuqit e të tjerëve,
më tërheq si magnet firma e Thanas Floqit, vëllait të K. Floqit. Të them të drejtën
diçka ndjeva brënda meje, një ndjenjë krenarije për këtë floqar që atëhere, atë
ditë të 28 Nëntorit historik të 1912-tes, ishte vetëm 28 vjeç dhe qëndronte
pranë plakut mjekërbardhë Ismail Qemali e afër burrit mustaqezi spicë, Luigj
Gurakuqi tek ngrinin flamurin shqiptar në ballkonin e shtëpisë historike në qendër
të Vlorës. Tashmë e dimë ditën e madje orën, muajin dhe vitin e lindjes së Thanasit
(14 janar 1884) pasi, siç kemi shkruar here tjeter, na i tregoi me gëzim e hollësisht
i vëllai, Kristua, por duhet theksuar se e ëma e tyre rridhte nga fisi i dëgjuar
korçar i Mitkove.
Thanasi të
gjitha shkollat, nga fillorja deri të lartat, i filloi dhe imbaroi në Greqi ku
edhe u diplomua për drejtësi. Këtë mundësi ia jepte i ati, Vasili, që atëhere
merrej me tregëti. Në moshën 21 vjeç ai u kthye në Shqipëri e pastaj shkoi në Amerikë,
teksa familja e tij ish kthyer në Korçë. Në SH. B. A takoi shqiptarë të tjerë dhe
mori pjesë në themelimin e shoqërisë atdhetare “Mall i Mëmëdheut” që më vonë u
tret në shoqërinë “Vatra.” Atje u njoh me Sotir Pecin, Fan Nolin, Kristo Dakon.
Pas tre vjet qëndrimi në Amerikë, Thanasi u kthye në Atdhe, në fillim në Vlorë (1908)
dhe një vit më pas shkoi në Korçë ku u emërua drejtor i një shkolle shqipe me 5
klasë. Botoi në qytetin e Korçës veprën “Gramatikë e gjuhës shqipe.” Kujtojmë se
ishte viti 1909. Turqit e Rinj vërtet bënë reforma, dhanë liri për shkolla, për
mësimin e gjuhës amtare në vëndet e perandorisë turke por ata këmbëngulnin që alfabeti
të shkruhej me gërma turko-arabe. Në këtë drejtim u ashpërsua lufta politike,
sidomos në vitin 1910. Thanasit, në këto kushte, iu zymtua puna. Ai, si edhe
patrotët e tjerë donin që alfabeti të ishte me gërma latine, siç kishte
vendosur Kongresi i Manastirit. Bile shumë më parë se Kongresi i Manastirit, më
6 mars 1879, Komiteti i Stambollit kish miratuar Projektin e alfabetit kombëtar
të gjuhës shqipe bazuar në alfabetin latin. Ky komitet formoi komisionin ku bënin
pjesë patriotët Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa. Më tej akoma. Në vitin 1887
ishte hapur Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë e cila kish fizionomi
shqiptare, mbështeste aspiratat dhe idealet për liri e pavarësi,ishte shkollë laike,
mësimi në lëndët kryesore zhvillohej ne gjuhën shqipe, ajo frekuentohej nga nxënës
të pasur dhe te varfër të të dy besimeve fetare: ortodokse dhe myslimane. E si
mund të pranonte Thanasi që alfabeti të ishte me germa turko-arabe? Kjo nuk
mund të bëhej prandaj kërkoi një vënd pune ku veprimtaria e tij në fushën
arsimore të mos pengohej. Zgjodhi Cakranin e Mallakastrës që në atë kohë ishte
si një krahinë më vete, aq sa atdhetarët e quanin “Republika e Cakranit.” Me
ndihmën e vendasve, aty çeli një shkollë shqipe në katin e sipërm të një hani. Atje
punoi me pasion të madh.I gëzohej fryteve të punës së tij. Ai tregon me krenari
një episode që e kam përmendur më parë në këtë libër por ia vlen ta përsërit
prapë, tashmë të plotë, pasi episodi është sinjifikativ. Thanasi shkruan diku: “Duke
qënë mësues në Cakran, një ditë prej ditësh më paraqitet një burrë rreth 30 vjeç,
i shkurtër, i zi porsi arap dhe i veshur me petka kolonjare. Më kërkoi t’i mësonja
të shkruante e të lexonte shqip. Kërkesën ia pranova. Iu përvesha mësimeve me të
madhe dhe ai më rrethoi me një simpati të veçantë. Ishte fillimi i dimrit kur e
njoha dhe i dhashë mësim për muaj me radhë. Por kur erdhi prilli, ai më njoftoi
se do të shkonte. Me atë rast më tha se nuk quhej ashtu sikurse ish paraqitur,
por M. A. Kjo më çuditi pa masë.Ky emër ishte i dëgjuar si ai i një kusari dhe
krimineli në zë. M. e pa habinë time dhe buzëqeshi. M’u afrua dhe më tha: “Tani
s’jam më ai i pari. Kam ndryshuar. Pak mësime mora por ndryshova, këto pak gjëra
më çelën sytë. Tani e tutje do t’i shoh e do t’i bëj punët si shqiptar e jo më si
kaçak malesh. Ke për të marë vesh!” Me të vërtetë pas disa kohe dëgjuam të flitej
se M. A. kishte shkuar e kishte blerë në Korçë abetare shqip dhe i kishte shpërndarë
ato ndër fshatra, me qëllim, siç thoshte ai, që djemtë të mësonin shqip”Pas
Cakranit Thanas Floqi shkoi në Vlorë. Në ditët e para të nëntorit 1912 së bashku
me Marigo Pozion e Petro Fotografin përgatitën të gdhëndur në dru bocën e
flamurit që më vonë u përdor si shtampë në qindra e qindra flamurë të tjerë.
Këtu e
shoh me vend të qëndroj pak më gjatë ndaj po largohemi për një moment nga
Thanas Floqi për t’u kthyer përsëri tek ai një çikë më vonë. Duke u interesuar
për të gjetur informacione te tjera lidhur me figurat e spikatura floqare nëpërmjet
shtypit mësova mjaft gjëra interesante. Përveç faktit që boceta e shqiponjës
prej druri lyhej me bojë të zezë e stampohej edhe në qylafët e bardhë të lebërve,
mësova se pas dy-tre vjetëve të vdekjes së Marigo Pozios u hodh në dyshim fakti
nëse vërtet ishte Marigoja apo ndonjë tjetër,qëndistari/e i/e flamurit që u
ngrit nga Ismail Qemali në Vlorë më 1912. Sikur të mos kisha lexuar se Marigoja
ka lidhje me mbiemrin Floqi, nuk do të zgjatesha fare në hollësitë e mëposhtëme.
Marigoja,siç shkruan shtypi, ishte atdhetare e famshme. Emri i saj lidhet me
flamurin që ajo qëndisi përgjatë gjithë natës dhe të nesërmen ia dërgoi Ismail
Qemalit për ta ngritur në ditën e pavarësisë. Ishte një grua hollake, me gjatësi
mesatare e me fytyrë të ëmbël, nën rrudhat e së cilës fshiheshin tiparet e një gruaje
që kishte qënë e bukur në të ritë e saj. E zonja në fjalë sa t’ia kthente mëndjen
edhe burrit më me peshë.
Nga një artikull
i shkruar nga Jakov Milaj në janar 1938 në revistën e përmuajshme kulturore “Përpjekja
Shqiptare” e themeluar dhe e drejtuar nga Branko Merxhani, mëson se Marigo
Pozio kish vdekur në Tiranë në gusht të vitit 1932 nga tuberkulozi. Kjo sëmundje
i kish marë më përpara dy vajzat dhe djalin e saj të vetëm po edhe burrin,
dyqanxhiun e pasur Jovan Pozio në Vlorë. Vitet e fundit të jetës Marigoja ishte
verbuar. Për varrimin e saj ishte përkujdesur i kunati, Kristo Floqi. Në kohën
kur filluan të hidheshin dyshimet për autoren e qëndismës së flamurit shqiptar,
ngrihet Kristo Floqi,ky kunatolli floqar që qënka kujdesur për të gjorën e të verbërën,në
pleqërinë e saj, Marigo dhe thotë se kish shumë dëshmitarë të tjerë që e pohojnë
se Marigoja ishte qëndistarja e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Në fletoren “Arbëria,”
K. Floqi shkruan aty nga viti 1936 se “flamurin Kombëtar që u ngrit për të parën
herë e pat “hartuar” me duart e veta zonja Marigo mbi cohën e blerë te tregëtari
Diamanti sipas modelit të shqipes që kishte vizatuar Dom Mark Vasa me Petro
Fotografin” Midis atyre që kanë dijeni mbi faktin Kristo Floqi përmënd Lef
Nosin, Shefqet Dajin, Thanas Floqin, Qemal Karaosmanin, Hamza Isan e Ymer Radhimën.Marigoja
ishte me origjinë nga Korça por qe martuar në Hoçisht me Jovan Pozion.Në një burim
tjetër këto ditë (mars 2008)mësova se Marigoja me të shoqin për shkak të persekutimit
nga osmanllinjtë ishin larguar nga Korça në vitin 1904 e ishin vendosur në lagjen
Muradije të Vlorës. Në shtëpinë e saj hynin e delnin Çerçiz Topulli, Mihal
Gramenoja etj. Korçarja e bukur në këtë lagje u mor me veprimtari patriotike e
me ngjizjen te të tjerët të ndjenjës së atdhedashurisë me të cilën ishte mëkuar
që në fëmijëri. Për t’u shëruar nga tuberkulozi ajo kish shkuar në Vjenë ku
kish takuar Aleksandër Moisiun. Me artistin e madh, të formatit ndërkombëtar,kishin
shkëmbyer mendime e kishin kujtuar Shqipërinë. Ajo u varros pranë varreve të familjarëve
të saj në Zvernec-thonë-nga një masë e madhe njerzish vlonjatë. Mirëpo për të nuk
u interesua njeri as në kohën e Zogut as në periudhën komuniste.
Të kthehemi
tani te Thanas Floqi. Me që jemi te flamuri dhe qëndistarja e tij Marigo po e
vazhdojme tregimin me flamurin.Muzikën e këngës “O Flamur i Shqipnisë” e shkroi
Thanas Floqi, tekstin e së cilës e kish bërë Murat Toptani që kish krushqi me
Naim Frashërin. Nga Vlora Thanasi shkoi në Elbasan ku u emërua gjyqtar. Më 1913,
me urdhër të I. Qemalit shkoi në Shkodër si përkthyes nga anglishtja në shqip,
pranë “Komisionit Ndërkombëtar.” U kthye në Ministrinë e Drejtësisë dhe pas
grushtit të shtetit që organizoi Esat Pashë Toptani, shkoi në Vlorë e, që andej,
tok me Muço Qullin, përsëri shkoi në Shkodër. Më vonë përsëri në Elbasan si
bashkëpunëtor i Aleksandër Xhuvanit.Vdiq më 1945 në Elbasan. Në emigracion ai
shkroi në gazetën “Kombi” dhe pas kthimit në Atdhe vijoi të bashkëpunojë me
shtypin e kohës sidomos me Gazetat e Korçës. Thanasi themeloi e drejtoi revistën
jetëshkurtër “Donika” -“Sabadua” e cila doli vetëm në tre numëra: i pari (“Donika”
) më 20 mars 1939, kushtuar familjes së Ahmet Zogut; i dyti (“Sabadua” ) më 30
prill 1939…
Ishte
poliglot i admirueshëm. Dinte greqishten e vjetër dhe të re, komunikonte në latinisht
e italisht, njihte frëngjishten,anglishten e turqishten, ishte përkthyes,
hartues i fjalorit italishtshqip,mësues i gjuhës shqipe, jurist i diplomuar. Thanas
Floqi i bën nder jo vetëm fshatit nga e kish origjinën por edhe gjithë krahinës
dhe mbarë Kombit. Ai ishte luftëtar i vendosur për lirinë e Atdheut. Alo
Luarasi, shoqëruesi i parë i Safet Butkës,emigrant politik në Nju York (SH. B. A)
më 1993 shkruante: “Në janar 1943…në Floq ndënjëm disa ditë sepse ishim
pregatitur të sulmonim në Qarr një autokolonë italiane, që do të shkonte, sipas
të dhënave që kishim, nga Korça në Leskovik. Zumë pozicione në kodrat përpara
fshatit. U rreshtuan çeta (nacionaliste-F. Sh) e Kolonjës si dhe çetat e Goskovës,
Dërsnikut, Turanit, Kamenicës,Myslim Qesarakës me 25 e ca xhandarët e armatosur
mirë, bile edhe me mitralozë, çeta e Qatromit dhe mjaft burra nga Floqi,midis
tyre edhe miku i Safetit, Thanas Floqi...”
Po u
tregoj një koinçidencë që rastësisht më ndodhi gjatë ditëve që hulumtoja në Tiranë
fakte e ndodhi për njerëz të spikatur floqarë.Mora vesh se mbesa e Thanas
Floqit dhe bija e avokat Vasil Floqit,Alma, është gruaja e Bertit, dajës të dhëndërrit
tim Arben Zekos.Përveç Vasilit, Thanasi ka lënë edhe një djalë tjetër, me emrin
Agron,me profesion agronom i cili ka qënë pedagog e ka dhënë mësim për një kohë
të gjatë në shkollën e mesme bujqësore të Fierit.Landa, e ëma e dhëndrrit tim
dhe i vëllai i saj, Berti më dhanë kënaqësinë të lexoja një cikël poezish me
titull : « Muzgje të qeta » të shkruara dhe të sistemuara nga xhaxhai i tyre,
Dionis Miçaço.I lexova me një frymë dhe shpreha mendimin tim se vjershat dhe
poezitë e tij mund të botohen jo vetëm se ato janë shkruar nga një jurist me
shpirt poeti,i shkolluar në Bukuresht, jo vetëm se ai ka « hequr të zitë e
ullirit »burgjeve dhe kampeve të internimit të diktaturës komuniste, këtu në Shqipëri
si « fajtor me pikpamje socialdemokrate » por sepse krijimtaria e Dionis Miçaços
është e ndjerë, është e vërtetë, ajo të rrëmben e të « pulit » në muzgjet e
qeta të shpirtit të tij të trazuar.
Poezitë e
sistemuara në këtë vëllim janë shkruar që nga viti 1929, kur Dionisi ishte 21
vjeçar, e deri më 1962. Këto vjersha Dionisi i ndjente dhe « shihte me lot në sy
e dëgjonte me zjarr në gjak se si dridheshin vjershat » që nga ato me motive
dashurie e deri te ato me motive patriotike e historike të shkruara në Bukuresht,
Korçë, Pogradec,Vlorë e Fier. Në vargjet e tij « sheh » hënën e zbehtë pas një lisi
që lëshon rrezet tëpkë si argjënd, trokitjen në dritare të të bardhës hënë që vjen
me shokët yje, ndjen erën e mërgimit e fatin e funduar, botën hiç, pa vlerë,
sheh perëndimin ku dielli vdes valimet, vdekjen që qesh e ngrirë dhe oh, medet,
botën që me padrejtësi u themelua,këtë botë me shtypje e me afshe egoizmi.Dhe të
gjitha këto ndjenja të holla zemre, prej artisti e krijuesi të vërtetë, Dionis
Miçaço i shpreh në vargje teksa « qepallën ia njom pika e lotit të hidhur ».
U kërkoj
ndjesë lexuesve për këtë kapërcim, por këtë e bëra në respekt të Almës, mbesës
së Thanas Floqit dhe bashkëshortit të saj,Bertit e motrës së tij Landës, që janë
nipi dhe mbesa e Dionisit...