E premte, 18.06.2021, 04:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Belul Arapi

E marte, 01.05.2012, 06:00 PM


Belul Arapi u lind më 12 .08. 1928, në fshatin Ball të rrethit të Përmetit. Mori pjesë herët në Luftën Antifashiste NcionalÇlirimtare. Ka mbaruar studimet e larta  për Gjuhë-Letërsi. Poezinë e ka filluar që në moshë fare të re, qysh në vitin 1944. Ka shkruar vit pas viti. Poezia u bë kronikë e jetës. Megjithëse e paktë në numër, ajo përfaqëson një periudhë 54 vjeçare. Në vitin 2000, ai botoi për herë të parë vëllimin poetik “Bala-da jonë”. Vdiq në moshën 76 vjeçare, duke na lënë shembullin e njeriut të mirë dhe një vëllim poetik  ku trajtohet kryesisht dashuria për vendlindjen dhe për njerëzit.
 

FSHATI IM

Ty të kam përpara syve,
Natë e ditë, fshati im,
Ngrihesh si qytezë e bukur,
Rrëzë malit Trebeshinë.

Bijtë ty të kanë qëndisur,
Gjithë jetet per merak,
Djem e vajza porsi dritë
Veshur me lule zambak.

Njëzet e nëntë shtëpi
E kanë derdhur djersën lumë,
Edhe gjakun për liri,
Në stuhi e në furtunë.

12 shkuan në Vlorë,
Bashkë me Smail Qemalë,
Trembëdhjetë fanolianë,
27 partizanë,
Pesë veta ranë dëshmorë,
Per liri e për vatanë,
C’më bucet kjo këngë e valë,
Për fshatin e dashur Balë….(1)

1.Deri në vitin 1580,fshati ynë mbante emrin BALA më vonë, evoloi ne BALL. Banorët ushtronin fenë Katolike.


ERË E NGROHTË

Erë e ngrohtë, erë e madhe,
Po mbjell lule në bajame!
Erë e mirë, erë me lule
Në gjirin tim, hop! U ule…

Është era e shpërthimit,
Është era e shpëtimit….
Është era e Lirisë,
Është Era e Shqipërisë…

Ball 1944


DËSHMORËVE

Në qendër te  fshatit tonë
Madhërisht porsi kështjellë
Ngrihet lart dhe bën jehonë
Lapidari plot me diell.
 
Llampadari i Pasho Trimit
I Ganiut – vetëtimë,
I Hysenit dhe Qazimit,
I Nekiut, flakërimë.
 
U ndrin ballit-trimëria,
Gjoksi plot me dekorata,
Syt e tyre Shqipëria
I mban në gji porsi mëma….
      
Ball 1969
  
 
LIRI PA DHUNË

Porsa ty të pashë,
Aty syt i lashë,
Ti, sapo më pe,
Sytë tek unë i le…..
 
S’dua salltanete,
S’dua privilegje,
Dua vetëm punë,
Dhe liri pa dhunë.


I MIRI GJITHNJË I MIRË.

I miri,gjithnjë i mirë,
I ligu, gjithnjë mënxyrë,
I miri, nuk bën te liga,
I ligu, sajon intriga…
 
Këlkonjë, fletë llapare,
Helm nën dhe e helm mbi dhe,
Shtrydhe manushaqen fortë,
Mbetet prapë ajo që qe…
 
Edhe trëndafili bukur,
Me erën e tij mbi tokë,
Vallë kush s’do për ta puthur,
Vallë kush s’do që ta ketë shokë….
      
Ballaban 1945


GJERGJ KASTRIOTIT
 
Mbi shkëmbinjë të lartë
Hipur përmbi kalë,
Rri në piedestal.
 
Si rrufe mbi male
Të jep gjak e forcë
Toka amëtare.
 
Shpat e zemër hekur,
Me tufan mbi vetull,
Ngrihesh në çdo shekull.
 
Shqipëtarët janë,
Të gjithë Skënderjanë,
Trima dhe krenarë…
       
Tepelenë 1959

 
ALI PASHË TEPELENES!

O Ali Pasha i mjerë,
Napoloni i Shqipërisë,
Pse nuk dole dhe njëherë,
Në kohën e pleqërisë,
Të vije në Tepelenë,
Në zemër të Labërisë,
 
O Ali Pashë luani,
C’bën aty në hiç kala?
Pse nuk dole nga Derveni,
Ta ngrije vendin zhiva,
Të vështronte prapë Osmani,
Shqiponjat që vendi ka….
 
Ali Pashë baruti, flaka,
Ylli që rri mbi Janinë,
Ushtarak e diplomat,
Vetë e bëre historinë,
Sa të goditën nga mbrapa,
Se ta njihnin trimërinë….
         
Tepelenë 1959


NAIM FRASHËRI

Ja fytyra jote,rrudha mëncurie,
Sy prej Frashërllie,këngë Shqipërie,
 
Thëngjill i pashuar,qëndron në mërgime,
Vdes diku në botë,lind në zemrën time….
 
Ashtu i menduar,dukesh si Homeri,
Gjuha prej bilbili,balli prej mermeri,
 
Neve të nderojmë,ti na përshëndet,
Burrat e medhenj,s’ndahen nga kjo jetë….       

Përmet  1969
 

SELAM MUSA SALARIA

Selam Musa Salarioti,
Si Zeus mbriti nga zoti:
Mbi Labovë si vetëtimë,
Çante lumin si delfinë…
 
E hap gunën përmbi Vlorë,
Jatagan me tri taborrë,
 Selam Musa Salarioti. 
Tek Flamuri të mban Kombi!       

Tepelenë   1960

 
BILAL ALI POSTIVANI

Bilali i mbushur plagë,
Për shokët po kërkon shpagë.
 
Ja, po hiqen tutje, zvarrë,
Shtatëdhjetë “palikarë”.
 
O Bilal,o trim i rrallë,
Të mban Atdheu në ballë…
       
Përmet  1969
  

RIZA VELCISHT BUKURIA

O more Velcisht i shkretë,
C’i bëre burrat dhe djemtë?
 
Ikën shkuan përtej detit,
Pa i marë leje dovletit.
 
Vjen Rizai,suferinë,
Që luftoi për pavarësinë.
 
Mbrapa qëni i pabesë,
Spiun i megalidhesë.
 
Riza Velcisht bukuria,
Të ka në ballë Shqipëria.
              
Përmet 1969


TEK KALAJA E MARGËLLICIT

Si gjithmonë në ballë,
Po prin Marengleni,
Komisar brigade,
Dritë e diell e kemi.
 
Në krahë të Kreshnikut,
Meleqi i rreptë,
Lefter Talo trimi,
Dallgë përmbi det….
 
Ja, Dino Kalenja
Si në Sfetigrad,
Hidhet në legjendë,
E gjashta Brigadë.
 
Lule, lule trima,
Yje tek flamuri,
Aty matet vendi,
Aty matet burri…        

Memaliaj 1969

 
LULE ZURIHANË

 “Dëshmores nga Vinokashi, i zonës së Ballabanit”

U ngrit në mëngjes,
Iu afrua dritës,
Si flutur e lehtë.
 
Doli në Çekrez,
Porsi dallandyshe,
Krahas Alimesë.
 
Mori vesh Dëshnica:
Vajza u be djalë,
Nëpër tramondanë.

Pa erdhi Shqiponja,
E mori në gji,
E puthi në sy.
 
Me vello të kuqe,
Tek mermer i bardhe:
Ç’duhej tjetër vallë?!....     

Ball 1946


VDIQ NJË PLAK

Pa dëgjoni, pa dëgjoni, lart në fshat,
Ç’ka ndodhur që po qajnë, gjithë gratë?!
 
Po qajnë gjyshin e mirë,  mendjelartë,
I tregojnë si ishte djalë në atë vaft…
 
Kur printe në cdo betejë si bajrak,
Sa tani, nuk mund të thonë:
 “Vdiq një plak…..” 
                    
Ballaban 1970
 

PASHË NJË THËLLËNXË MALI

…Me krahët e bukur, u përkul tek zalli,
Sa e pashë në anë, më zuri marazi.
 
Ulu tek u ngrite, se më doli xhani,
Pranë nesh shtrihet, si dyshek luadhi.
 
Të kam parë në ëndër,më ka marë malli,
A s’thurim kurorë, me lule Balsami?!
             
Ball 1969

 
GONXHES

O moj gonxhja e mëngjesit,
Lagur me djersën e vesit,
Ndritur nga rrezja e diellit,
Veshur rrobat e ylberit.
 
Afromu më shumë po deshe,
Se mjaft gjer më sot më qeshe,
Deri sa fjalën e zgjate,
Të gjithë fajin vetë e pate.

Cfarë bëre atje ku vajte,
Pa një shoqe fillikate?!
 S’je e vetmja ti në botë,
Por me ty u pleksa fortë…..
          
Durrës 1947

 
UNAZA

Tek cezma jonë Kumëni
Gjeta një unazë argjendi:
S’kishte diell, por ndrinte vendi!
 
Vura njoftimin tek rrapi,
Kujt i ra,të vijë ta marri,
Po të dojë prap të ma japi:
 
Erdhi mes holla lastari,
Të më jap e të më marri,
Dashurinë, që s’e tret varri……
        
Përmet  1951


JANARI PESËMBËDHJETË

Janari pesëmbëdhjetë,
Viti shtatëdhjetë e tre,
U drodh e tërë miniera,
Tym e gaz doli mbi dhe.
 
Si çeliku nëpër flakë,
Ball i minatorëve,
Ramadani vet i pestë,
Del përpara dallgëve.
 
Mu si shkëmb në breg të detit,
Rri tek zemr’e shokëve…..
           
Memaliaj 1973

 
PUNOJMË

Bie poshtë, s’më flihet,
Të çlodhem,s’më rrihet….
 
Endem mbi mendime,
Fle mbi ënderrime.
 
Koha është flori
Dhe në pleqëri.
 
Na duhet përpjekje,
Gjumi është vdekje….  
        
Dukaj  1976



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora