E hene, 26.07.2021, 01:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Shpirti i poetit mall e vëragë në haiku

E diele, 29.04.2012, 08:11 AM


SHPIRTI I POETIT MALL E VËRAGË NË HAIKU

Nga Halil Haxhosaj

Krijuesi tashmë i njohur, Zef Mulaj, botoi përmbledhjen e vet të suksesshme ma haiku “Lulet e shpirti”. Është kjo një vepër, e cila mishërohet bujshëm me mallin, dashurinë, krenarinë, por edhe kujtimin dhe bukurinë e pakrahasueshme të vendlindjes së poetit Mulaj, Malësisë dhe trevës së saj madhështore. Të gjitha këto nuancime, por edhe shtresime të tjera ngjizen, defilojnë, por edhe shtresohen në poetikën haikiane të Zef Mulajt.

Shtrija e lëndës poetike nuk ngarend nëpër lakesa e kthesa të papritura e të pakutueshme, por ajo e bashkuar me ndjenjën, mallin dhe pse jo edhe përmallimin, mbarsët me një figuracion aq të dendur, por edhe aq të kërkuar, të latuar dhe të përjetuat sepse: 

Këngët e zogjve

I këndoj dhe unë.

Gjithnjë në fluturim.

shkruan poeti në këtë trevargësh të haikut. Dhe çdo gjë këtu është këngë zogjsh të cilën e këndon edhe poeti sepse ka një mall të madh, madje edhe dashuri të pakalueshme për vendlindjen e vet, bukuritë e saj si dhe të mirat e të veçantat. Ato kanë mbetur puthje në buzë e djalit, por edhe të vajzës së Malësisë së Gjakovës që presin ende njëri tjetrin për ta realizuar dashurinë. Dhe kështu tërë lënda artistike e vëllimit poetik “Lulet e shpirtit” të Zef Mulajt është përshkrim, në radhë të parë individual, pra personal i jetës dhe i koloritit të saj në këtë trevë në rrethin ku kishte lindur, ishte rritur, por edhe kishte jetuar poeti dhe krijuesi i kësaj poetike. Nuancat e veçanta, por edhe dalluese e përjetuese që i kanë ndodhur, por edhe që i ndodhin tash poetit, krijuesit, pra subjektit lirik, bëhen duke menduar, gjykuar e përkujtuar sipas normave të cilat kanë një kosto bukur të shtrenjtë, e besa nganjëherë edhe të papërballueshme.

Rrëmbimi i një trajtese paksa tjetër i momenteve e shpijnë subjektit lirik të vargjeve poetike të poezive nëpër të gjitha dredhitë, por edhe bukuritë e pse jo edhe hyjnitë e Malësisë. Atje drita është dritë, rrezja është rreze, kënga është këngë por edhe hareja, gazmendi e gëzimi janë kënaqësi tejet ndijesore dhe ngadhënjyes. Të gjitha këto elemente prarohen në peizazhet madhështore dhe të papara të kësaj treve. Kështu që peizazhi, atmosfera, koloriti dhe frymëmarrja e subjektit lirik në atë natyre peizazhike është panoramë figurative plot metafora, dhe figura të tjera. Të gjitha antinomitë e kësaj bukurie natyrore krijojnë imazhe dhe peizazhe artistike edhe për penën e poetit të poezisë së haikut, Zef Mulaj.

I kam prekur malet

Me rrahjet e zemrës.

Atje frymëmarrja.

Kjo tablo e këtij peizazhi poetik tash krijohet nga pena e poetit e jo nga brusha e piktorit. Ai i prek malet me rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja ka tjetër ritëm, tjetër rrahje, tjetër ngarendje në atë bukuri mahnitëse, e pse jo edhe magjike. Dromcat e këtij peizazhi kanë ngjyrën e vet burimore, autoktone që nuk gjendet kund tjetër. Dhe frymëmarrja ka lehtësi. Ajo është e lirshme, është e freskët është e afshët. Dhe të gjitha këto burojnë gurgullueshëm në vargjet e kësaj poezie të poeti Zef Mulaj.

Në këtë atmosferë shtrati i lumit është i fryrë ngase një ngrohtësi e stinës po afrohet. Dhe sa herë që ndihet ngrohtësia në natyrën e Malësisë njerëzimi, në këtë rast malësori, gëzohet dhe përgatitet që të festojë. Dhe kjo festë ka kuptimin e jetës, punës, ardhmërisë dhe ringjalljes. Ai, pra malësori kapuçbardhë, ia nis këngës “majë krahu” që ushton, por edhe jehon ëmbël në Lugjet e Verdha. Kjo gjë paraqitet me qëllim të caktuar për të shprehur besnikërisht edhe autoktoninë dhe zakonet e virgjëra shqiptare. Lugjet e Verdha nuk janë vetëm element përrallor, por janë edhe vend i dashurisë, bukurisë dhe jetës idilike e të virgjër të Malësisë së Gjakovës dhe malësorëve të saj.

Përshkrimi artistik i peizazhit të kësaj natyre nga pena krijuese e Zef Mulajt nuk është i njëtrajtshme, por pasqyrohet duke u shpërndarë në të gjitha poret e frymëmarrjes së saj. Andaj, kjo bukuri frymon me malësorin “kapuçbardhë”, me vashën belhollë, sy shqiponjë e me bukuri si Zanë, me djalin dragua e zemërbardhë dhe me ujin e kthjellët, të dëlirë dhe të ftoftë si akulli i majave të kreshtave shumëshekullore. Rruga e transmetimit artistik të kësaj bukurie nuk ngurron të shtrihet në të gjitha skajet e jetës së malësorëve të kësaj ane. Andaj edhe pena e poetit Mulaj kullon art poetik, figuracion dhe shprehje që kanë pasqyrimin e të bukurës dhe të madhërishmes.

Djepi i drurit të ri

Në vatër përkundet.

Pishat alpine rriten.

E tërë kjo nuk duket se ka marrë ngjyrime artificiale, madje as të importuara, por burojnë nga gurrat e bukurisë së bjeshkës. Në ato bjeshkë kanë dalë drurë të rinj, të cilët duke u përshtatur me kohën përkundin djepa në vatrat e malësorëve. Por, prapëseprapë pishat alpine e rrisin shtatin ende nëpër këto rrëpira. E rruga e papenguar sot rrëshqet çdokund dhe shtrihet gjerë e gjatë. Nëpër këto rrugë nuk ka asnjë pengesë për t’i penguar marshimet e tyre drejt një jete të re, por tash tjetër fare dhe tjetër soj.

Poeti Zef Mulaj me këto vargje dhe me këtë lloj të poezisë ka rritur të shënojë një nivel të lakmueshëm poetik jo vetëm në organizimin e tërësisë artistike, por edhe në pasurimin dhe kultivimin e shprehjes poetike si në nivelin leksikor, po ashtu edhe në atë frazeologjik, sintakstik dhe stilistik.

Edhe në pikëpamje të zhanrit she strukturimit të librit, poeti Mulaj tregon kujdes të duhur në kultivimin e poezisë haiku nga më të ndryshmet duke e kënaqur shijen e lexuesit me një laryshi e begati llojesh dhe formash të ndryshme poetike dhe vargëzuese. Megjithatë më dominuese janë ato me tematikë të nostalgjisë së mërgimtarit që janë më të shumtat dhe më të përjetuarat. Një pjesë të madhe zënë edhe poezitë haiku me tematikë të angazhuar, në kuptimin e mirë të fjalës, me temë  poetike aktuale. Andaj aktualiteti është element dominues në këtë vëllim poetik të autorit Zef Mulaj.

Duhet potencuar sepse një numër paksa të veçantë zënë edhe haikut me tematik udhëpërshkruese që rrinë krenare në vargëzimin e këtij vëllimi, ani pse nuk shterohen fare nga pjesa tjetër e tyre.

Dhe krejt në fund mund të themi se autori Zef Mulaj në vëllimin “Lulet e shpirtit” të strukturuar në formën e poezisë haiku ia ka arritur sado kudo që të shtrojë një formë paksa tjetër, e pse jo edhe të veçantë të kësaj forme të poezisë.

Andaj besoj se kjo vepër do t’i gjejë lexuesit e vet, por edhe Zef Mulaj do të shkruaj prapë në të ardhmen e tij poetike vepra të tjera me poezi haiku.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora