E merkure, 04.12.2024, 08:45 PM (GMT)

Kulturë

Gjekë Gjonaj: Emblemë universale e detarëve dhe kusarëve shqiptarë

E shtune, 28.04.2012, 11:00 AM


Emblemë universale e detarëve dhe kusarëve shqiptarë

Nga Gjekë Gjonaj

“Kusarët dhe detarët shqiptarë” e dr. Bahri Briskut është  vepër studimore   ku temë kryesore ka  traditën e lashtë  detare të shqiptarëve në viset bregdetare, të cilët historikisht, që nga Iliria,  janë të njohur si detarë  të shkathtë, lundrues të  mirë,  ndërtimtarë dhe  kapidanë të anijeve,  por edhe si  kusarë, apo  piratë  deti.  Detarët me tregti dhe kusarët me grabitje, thotë Briksu,  jo vetëm që dhanë ndihmesën e tyre ideore, por edhe atë materiale,që në vendet e tyre të lulëzojë kultura arkitekturale. “ Mjeshtria e detarisë,posaçërisht kusaria, në vendin tonë ka pas marrë hov që në kohën e mbretërve të Ilirisë, gjatë sundimit të Ballos, Gencit, Bardhylit dhe sidomos në kohën  e mbretëreshës Teutë”, shkruan Brisku ( faqe,14).

Ky njohës i mirë i detarisë dhe kusarisë  shqiptare, veçmas  asaj ulqinake, në këtë monografi  historiko-etnografike ka pasqyruar një  thesar të pasur të trashëgimisë    së kombit tonë  me vlera të larta historiografike  dhe kulturore.  Autori i këtij studimi monografik, albanologu, studiuesi,  hulumtuesi e vjelësi i zellshëm i folklorit tonë, por edhe pedagogu,shkrimtari, poeti, gazetari,  polemisti e mbrojtësi i çështjes shqiptare, Bahri Brisku, ka bërë një punë me vlerë  duke ia  prezantuar opinionit të gjerë dhe lexuesit   faktet historike dhe  dëshmitë gojore  për  detarët e kusarët shqiptarë gjatë rrejdhave historike. Gjurmimet e tij  për hartimin e këtij libri i ka mbështetur në dy shtylla kryesore: në  burime  të shumta historike, materiale të ndryshme historiografike dhe në poezinë e prozën tonë  të pasur popullore me motive detare. Përmes këtij libri - dokument me peshë , autori na ofron  të dhëna me  shumë interes nga fusha e  detarisë dhe kusarisë  shqiptare, përfshirë këtu edhe atë ulqinake, të cilat  hedhin dritë  mbi traditën historike detare pellazgo-iliro-shqiptarët, në njërën anë  dhe  vlerat e mirëfillta estetike të artit tonë popullor, në anën tjetër.

Monografia” Kusarët dhe detarët shqiptarë” është një vepër me peshë shumëdimensionale, e cila nuk është vetëm pjesë e qenësisë së ecurive historike të shqiptarëve në  zonat bregdetare,por edhe pasqyrë e vlerave dhe e kontributit gjithëpërfshirës të detarëve dhe kusarëve shqiptarë në periudha të ndryshme  në autoktoninë  kombëtare,  në  mbrojtjen e terësisë territoriae dhe në  mbrojtjen e Ulqinit .

Kjo vepër e Bahri Briksut në masë të madhe është e ngjeshur  me kulturën materiale iliro-shqiptare, me  krijime  nga letërsia popullore shqiptare me tematikë e motive  detare,  përralla, fabula, balada popullore,  kallëxime, gojëdhëna, mite, legjenda, proverba dhe shprehje proverbiale, ndodhi të detarëve,  e lloje të tjera të shkurtëra  nga  proza jonë popullore.   Vlerën këtij libri ia shtojnë  këngët e ndryshme lirike popullore siç është për shembull  balada ” I ra mjegulla Bunës”, shënuar në Ljare të Shestanit, në Krajë, përshkrimi  i riteve të moçme të varrimit të detarëve shqiptarë  që mbyteshin ose vdisnin gjatë lundrimit, të cilat autori i ka shënuar nga detarët e njohur ulqinakë,  Fazli Fici, Halil Guçi, Met Mollabeqiri, Him Karamanaga, Selim Kalabrezi, Hamdi Truma, Maliq Karamanaga,  Can Zenka, Sulltane Ishmi, Xhemal Rama, e ndonjë tjetër.

Vepra pothuaj se është një ekzemplar i veçantë dhe i domosdoshëm për  pasurimin e kulturës  detare shqiptare dhe ndriçimin e  saj.   Autori vëmendje  dhe kujdes shkencor i ka kushtuar edhe kërkimeve arkeologjike nënujore shqiptare, sulmeve   të flotave luftarake turke  ndaj flotave detare shqitare në shekullin XVII-të ,  mbrojtjes së Ulqinit nga Venediku, Principatës  shqiptare të Balshajve dhe   shqyrtimit  të studimeve onomastike, toponimisë, topogërmadhave, mikrotoponimisë dhe antroponimeve kushtuar Kalasë së Ulqinit.

Mund të them  se studimet e këtilla monografike siç është ky  jo vetëm se  paraqesin qartë  një pasqyrë të vlerave historike, kulturore e ekonomike të popullit shqiptar nëpër epoka, por  janë edhe vulë, emblemë  universale që reflektojnë rolin historik të  detarëve dhe kusarëve shqiptarë, përfshirë këtu edhe ulqinakët, në zhvillimin  shoqëror,  ekonomik, kulturor e  arsimor, faktor këta që në rrugëtimin kombëtar shpesh kanë mbetur nën hijen e rrjedhave të kohës.

Mendoj se autori  me monografinë “  Kusarët dhe detarët  shqiptarë“ opinionit dhe lexuesve u solli edhe një dokument historik e kulturor si dritë të pashuar, e cila shërben për të mos e harruar të kaluarën, por edhe për të rrugëtuar suksesshëm në ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave kulturore dhe të atyre historike, që Ulqinit dhe qyteteve tjera bregdetare shqiptare, ende u mungojnë dhe aq shumë u nevojiten për identitetin e plotë dhe prezantimin e cilësive të civilizimit  të kombit  tonë.

Së fundi  Bahri Briksu,  me këtë vepër,   në mënyrë të argumentuar i përjetësoi  dhe i nxori nga harresa detarët dhe kusarët shqiptarë, duke dhënë  dëshmi, fakte e argumente shkencore për     këto   veprimtari të  lavdishme dhe kaq të rëndësishme, jo vetëm për qytetin e Ulqinit, por edhe për detarinë tonë në përgjithësi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora