Intervista
Një pyetje nga Ilir Dardani: A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve? (I)
E shtune, 31.12.2011, 03:00 PM
Vërejtje: Pjesët e tjera mund të lexohen në fund të artikullit
Një pyetje nga Ilir Dardani:
A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve?
Pjesa e parë
Gjergj Kastrioti, i vlerësuar si ''një ndër më të mëdhenjtë e të mëdhenjëve'', është Heroi Kombëtar i Shqiptarëve. Asnjë shqiptar tjetër nuk arriti t’i afrohet veprës madhore Kastriotane, megjithatë nuk është heroi i të gjithë shqiptarëve. Kleri mysliman dhe besimtarët seriozë - viktima të ideologjisë antishqiptare - kanë probleme të pafundme me KryeHeroin Tonë. Kthimi i Gjergjit në vëndlindje dhe refuzimi i islamit si fe dhe si pushtim ka ngritur male pakënaqësie tek hoxhallarët dhe besimtarët e sotëm saqë arrijnë ta krahasojnë edhe me kryearmiqtë tanë.
Ndërkohë, një ndër shqiptarët që ka sakrifikuar më shumë në shekujt e fundit është Adem Jashari, i cili nderohet dhe do të nderohet nga të gjithë shqiptarët pa përjashtim, sepse fjalë të parë dhe të fundit kishte Atdheun dhe Lirinë e tij, si Gjergj Kastrioti.
A mund të urrehet një njeri që Lufton Pushtimin dhe Mbron Lirinë?
A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve?
Në lidhje me këtë temë kam marrë mendimin e disa intelektualëve dhe bashkëpunëtorëve të Zemra Shqiptare, të cilët i falenderoj nga Zemra Shqiptare.
Kozeta Zylo, Poete, Gazetare, Publiciste. Nuk kishte si të përgjigjej ndryshe stërmbesa e Gjergj Kastrioit, kjo zonjë e nderuar shqiptare në Amerikë, e cila mëson gjuhën shqipe për fëmijët tanë, shkruan poezi e publicistikë për kombin, për shqiptarët e saj flet nga ekrani dhe gjendet përherë aty ku ka Zemra Shqiptare:
Gjergj Kastriot Skanderbeg është Heroi Kombëtar, për rrjedhojë është Heroi i të gjithë shqiptarëve. Të gjithë ata-ato pa perjashtime, që sulmojnë Heroin Kombëtar Gjergj Kastriot Skanderbeg janë xhuxhmaxhuxhët e tij dhe të Kombit shqiptar.
Heroi Kombëtar u bëri ballë hordhive turke, barbarëve të kulturës dhe të historisë sonë që ndryshuan me dhunë dhe me gjak historinë tonë të lashtë Dardane.
Nuk kanë lindur as dje, as sot, dhe s’kanë për të lindur kurrë ata burra që do të mundin Heroin tonë Kombëtar. Ai qëndroi me shpatë në dorë për 25 vjet rresht, dhe i syrgjynosi barbarët turq larg trojeve shqiptare. Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skanderbeg është i vetmi Hero Kombëtar pasi, shpirti dhe vepra e tij u shkrinë për Atdhe.
Ai ishte mbrojtësi i qytetërimit dhe kulturës europiane.
Genocidi turk që shkatërroi Shqipërine për 500 vjet rresht duhet dënuar me ligj, dhe për këtë institucionet më të larta të drejtësisë shqiptare duhet t’i dërgojnë në Hagë krimet e perandorisë turke karshi popullit shqiptar.
Lavdi Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skanderbeg!
Visar Zhiti, Shkrimtar, Gazetar, Publicist. Autori i ‘’Rrugët e ferrit’’ dhe ‘’Si shkohet në Kosovë’’ është një ndër krijuesit më të shquar të poezisë dhe prozës moderne shqipe. Zhiti është nderuar me shumë cmime në Itali dhe Shqipëri. Visari i Kombit ishte i burgosur politik por kurrë nuk e humbi njeriun kombëtar, e ditur, mirënjohës dhe fisnik:
Nuk e di me ç’arsye mund të mendohet ndryshe dhe pse? Do të më dëshpëronte dyshimi, por ai mposhtet nga e vërteta e madhe dhe e pathyeshme. Nuk e vendosim dot veç ne, të gjallët e tanishëm, se populli janë dhe brezat e shumtë që kanë ikur dhe brezat e pafundmë që do të vijnë dhe as e zhbëjmë dot që Gjergj Kastrioti Skënderbeu është dhe mbetet Heroi Kombëtar i të gjithë shqiptarëve, e kanë vendosur shekujt, historia e atdheut, fati ynë kolektiv, gjaku, luftrat dhe paqja, ideali dhe strategjia e kombit, etj. Vegimet skënderbejane paraprijnë vazhdimisht.
Shqipëria bën pa secilin nga ne, por nuk bën dot pa Skënderbeun. Ai bëri vetveten tek të gjithë ne dhe ne e bëmë atë siç na duhej, siç deshëm. Është identitet, ideal, qëllim, frymëzim. Është tragjedia e popullit dhe triumf i tij, përvoja e madhe e bashkimit, e betejave për liri, kundër çdo pushtuesi dhe mik i çdo populli, kryekomandanti i detyrave supreme.
Nga çdo shqiptar ai mori dëshirën dhe forcën dhe çdo shqiptari i dha misionin dhe vlerën e këtij misioni. U them myslimanëve të mij se në Atë është dhe emri mysliman “Skënderbej”, ashtu si dhe për të krishterët e mij është dhe emri “Gjergj ynë”. Ai bashkon fetë për ne. Na bashkon përjetësisht ashtu siç i bashkoi shqiptarët për të qenë të lirë, pa pushtues, për të ribërë vetveten, kombin dhe për t’u njohur nga bota mbarë. Me të, prej Tij. Emri i Tij rikrijoi identitetin dhe përgjegjësitë kombëtare, ndërgjegjen kolektive, kujtesën historike, Gjergj Kastrioti Skënderbeu përveç luftëtarit dhe prijësit tonë të gjithkohëshëm, krahas kryeqytetarit shqiptar bëri dhe qytetarin europian.
Emri i Tij është në ninananat tona dhe në elegjitë, në epos dhe në legjenda, në romane, jo vetëm historikë, por edhe në ato modernë, edhe kur e çmitizojnë, e bëjnë më njeri, më të rrokshëm. Zhvarrosja e tij sikur donte të kundërshtonte vdekjen. Prandaj Ai është dhe në emra malesh, rrugësh e sheshesh, madje dhe nëpër botë, me shtatore si një nga strategët më të mëdhenj të çdo kohe “si mbrojtës i paepur i qytetërimit europian”. Në qoftë se ka ndonjë midis nesh që dyshon në këto, le të pyesë një italian çfardo, francez, gjerman, zvicerian, etj, grek a serb, që hërë pas here e duan ta kenë dhe të vetin. Le të pyesë dhe përtej Europës, në Amerikë. Një kongresmen në SHBA ka thënë: “Pa Skënderbeun edhe Amerika do të ishte ndryshe”. Ky është një koncept tashmë që nënkupton Shqipërinë.
Ilia
Tani ndjenjat e tua prej shqiptari të kulluar të shtyjnë të shtrosh një problem, një çështje mbarë kombëtare nëpërmjet pyetjes: A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve?
Mirëpo theksi i pyetjes siç e shikon edhe vetë bie tek fjala Hero.
Kështu pyetja e përgjigjia sinkronizohen më mirë e nuk lemë shkas për keq interpretime. Përgjigjia tashmë
Kur Marin Beçikemi u ul të shkruante Historinë e Skëndërbeut nuk kishte qëllim të parë t'i thurte lavde trimërisë e mënçurisë së luftëtarit tonë të cilat kuptohet nuk i mungonin por të ngrinte monumentin e identitetit të kombit shqiptar nëpërmjet figurës të Skëndërbeut. Ai nga pozita e një profesori universitar kishte njohur shumë mirë të gjitha intrigat që thureshin nga të fuqishmit e kohës që secili për llogari të vet synononte të bënte të vetat ato troje. Pra një komb shqiptar nuk i duhej akujt. Heronjtë, simbolet, historija pra me një fjalë identiteti i atij populli nuk i pëqente askujt. Shqiptarët duhej të ishin filoturq që të shndroheshin një ditë në turq të vërtetë, filovenecianë që të shndroheshin një ditë venecianë të vërtetë, filogrekë që të bëheshin një ditë grekë të vërtetë, filo-sërbë që të bëheshin një ditë sërbë apo sllavë të vërtetë. Kjo histori shkombtarizuerse nuk lindi sot por vazhdon prej shekujsh.
Në fakt në këtë përleshje të gjatë mëse pesë shekullore mes forcave kombëtare dha anti kombëtare shqiptarët kanë humbur shumë beteja por në fund fituan luftën. Fitoi fryma liridashëse e tij, fryma e të qënit të lirë dhe të pavarur, fryma për të pasur një komb e një identitet të ndryshëm nga të tjerët. Pra fituan simbolet e identitetit të tij kombëtar: Gjergj Kastrioti, Zonja e Shkodrës, flamuri kuq e zi me shqiponjën dy kererëshe. U bë një pjesë e Shqipërisë dhe e Kosovës. Tani ç'do shmangje nga këto simbole nuk është asgjë e re veçse historia e atij kombi që na rikthen në shekujt e kaluar. Në shekujt e cifilitjeve për shkombtarizimin e tij. Sot ish-armikun më të madh të shqiptarve sulltan Mehmetin e pranuam jo si hero por si shenjtor. Nesër e ka radhën Sllobodan Milosheviçi të vemë e ta nderojmë edhe atë si një shenjtor në ndonjë faltore në Prishtinë apo në Prizren. Kosova mburrja dhe krenarija e Shqipërisë që dje i vuri gjoksin tankseve serbe, sot po pranon kokë ulur inxheksionet letale të Turqisë e Arabisë. Kombi shqiptar me këta njërëz dhe të tjerë axhaminj si këta do të rrokulliset në greminë apo do të rikthehet të jetojë?
Sigurisht do të rikthehet të jetojë se Gjergj Kastriotin - Skëndërbeun, Shqipërinë e shqiptarët askush nuk mund t'i eleminojë nga historia e Evropës.
Nuhi Ismajli, Studiues, Kritik Letrar. Studiuesi dhe kritiku dardan, autori i "Vepra e Gjon Buzukut", ka botuar disa libra tepër të cmuar për kulturën dhe identitetin kombëtar, gjithashtu ka botuar qindra artikuj në mediat kryesore shqiptare. Disa nga materialet e Ismajlit kemi nderin t’i lexojmë edhe këtu në Zemra Shqiptare:
Gjergj Kastrioti është pa dyshim heroi më i madh i të gjithë shqiptarëve. Ai ashtu është konsideruar që nga koha e tij e gjer më sot. Kështu e kanë çmuar të gjithë shqiptarët, pavarërësisht nga përkatësia fetare. Gjergj Kastriotin e kanë quajtur hero më të madh të shqiptarëve, shqiptarët e besimit katolik. Kështu e kanë quajtur edhe shqiptarët e besimit ortodoks.
Ka shumë që deklarohen si shqiptarë, të cilët nuk e duan dhe e mohojnë Gjergj Kastriotin dhe famën e tij, si kryehero shqiptar. Të tillët deklarohen si shqiptarë, por nuk janë shqiptarë. Ata janë me origjinë joshqiptare ose aq shumë të tjetërsuar nga ideologji antishqiptare, sa ta mohojnë edhe kryeheroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin, i cili, më shumë se çdokush tjertër luftoi për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Vepra kombëtare shqiptare e Gjergj Kastriotit, është bërë edhe shembulli i luftës çlirimtare, në botë, vlerë së cilës iu kushtuan veprat e llojeve të ndryshme nga krijuesit e ndryshëm botërorë.
Gjergj Kabashi, Gazetar, Drejtor i Revista Drini. Ky Burrë i Madh shqiptar nuk njeh marrëveshje me identitet-humbësit. Gazetari i njohur dardan u rikthye aty ku ndjehet 100% shqiptar, aty ku përfaqëson denjësisht Gjergj Kastriotin:
Mos të ishte pjesa e fjalisë problematike nga pyetja Juej e zgjeruar, që ndërlidhet me kontestimin antishqiptar të figurës historike të kryetrimit dhe heroit të pakrahasueshëm të kombit, Gjergj Kastriotit, ku pohoni gabimisht se..., "megjithatë nuk është hero i të gjithë shqiptarëve", sigurisht që nuk e kisha parë të arsyeshme të përgjigjesha në pyetjen e tillë pasi vet nevoja per t'u pergjigjur në cështje që ska arsye për përgjigje na vë në dilema të pakuptueshme si njerëz dhe shqiptar të ndërgjegjshëm. Mendimi im është se nuk mund të gjendet ndonjë shqiptar që e kanë lindur Nëna e Babai shqiptar, - përpos trushpërlarëve nga rradhët e këtij kombi që janë shtuar për shkak të mungesës së shtetit/shteteve të mirëfillta kombëtare të shqiptarëve, të cilët e mohojnë kryeheroin dhe ky mohim është pjesë e ndërhyrjeve përpunuese të kombeve të tjera, sikurse është politika ekspansioniste e Turqisë së sotshme, e cila një religjion të praktikuar nga një pjesë shqiptarësh është duke e përdorur të thuash hapur për interesat e veta strategjike. Rrënimi i Gjergj Kastriotit u intereson, po ashtu, edhe politikave antishqiptare serbe e greke ndaj kombit tonë, pasi me rrënimin e tij hapet rruga për shkatërrimin e kombit shqiptar qysh e mendojnë ata. Mendimi im është se ne nuk kemi aq shumë probleme me hoxhallarët, as me islamistet jo të pakët politik; apo me njerëz e analista të tipit Olsi Jazexhi, Fatos Lubonja apo përhapës të tjerë të ideve agjenturore antishqiptare, sa kemi probleme të jashtëzakonshme me shtetin/shtetet tona të Shqipërisë/Kosovës, që në realitet si asnjë shtet tjetër kombëtar në Gadishullin Ilirik apo në Evropë në përgjithësi, me apo pa vetëdije lejojnë veprimtari antishqiptare të tillë, qoftë ajo nga pozitat e panislamizmit apo të panhelenizmit.
Gjergj Kastrioti me të gjithë heronjtë e atdhetarët e panumërt të kombit përpara e pas tij, janë heronj të të gjithë shqiptarëve, gjithnjë perderisa të kemi një komb të pandashëm shqiptar, me identitet kombëtar të njëjtë, me gjuhën dhe kulturën e njëjtë. Fajet, pra, nuk mund të jenë tek shqiptarët por tek mungesa e politikave të mirëfillta kombëtare tek ne. Në mungesë të politikave tona kombëtare kanë ndërhyrë me një makiavelizëm ekstrem politikat turke, greke, serbe, maqedonase etj. Eshtë shumë e qartë se politikat tona në shumë aspekte të udhëhequra nga një antishqiptarizëm i pavetëdijshëm kanë për të sjellë probleme të rënda brendapërbrenda kombit tonë, andaj është koha për një zgjim të madh kombëtar dhe për një kryengritje të madhe e të arsyeshme njëherit ndaj orientimit të drejtë kombëtar të politikave kombetare, që duhet të shndërrohen në një politikë të vetme kombëtare.
Nëse jemi të detyruar të jetojmë në dy shtete me njohje ndërkombëtare në Ballkan, ne nuk mund të jetojmë në asnjë mënyrë me disa probleme religjioze në hapësirat e kombit. Jo vetem keto religjione që praktikohen nga shqiptarët, por edhe nëse do të na "lindnin" edhe dhjetëra të tjera, ato duhet nënshtruar me hirë apo pa hirë interesave të kombit, e jo interesave e ndikimeve të huja, cilatdo qofshin ato.
Cështja e sigurisë nacionale nuk është gjithmonë "cështje" e të drejtave njerëzore, por të thuash gjithmonë cështje e interesave të kombit. Politikat tona të deritashme kombëtare, janë treguar gjatë e palejueshëm të pazonja e kjo na ka rrezikuar e vazhdon të na rrezikojë neve si komb ashtu sikurse edhe miqët që këtij kombi i janë gjendur në kohërat më të vështira.
Cdo shqiptar që e ka dhënë qoftë edhe kontributin më të vogël për Atdhe, duhet t'a meritoje nderimin e perjetshëm të kombit, por Gjergj Kastrioti është dicka ma shumë se ckado tjetër, është vetja jonë e gjallë, është vetë kujtesa e së qenmes shqiptare, prandaj kushdo që nuk e pëlqen atë trim mbi trimat, i ka rrugët e lira për të shkuar aty ku Gjergj Kastrioti nuk "ia vret synin", përndryshe nëse jo sot, sigurisht nesër të tillët do të bijnë në konflikt të rëndë me kombin shqiptar, i cili nuk do të durojë askë më tutje t'ia perdhosë e perbuzë heronjtë që kanë luftuar e sakrifikuar për të.
Lavdrim Lita, Gazetar, Publicist. I ditur dhe i thjeshtë, Lita na ofron analistin e kohës, atë që aq shumë i mungon shtypit dhe qytetarit shqiptar:
Pyetja është e vështirë. Jo pse Gjergj Kastrioti nuk ishte hero, jo pse nuk ishte i të gjithë shqiptarëve, por sepse Gjergj Kastrioti është mishërimi i një damari fisnik që kanë njerëzit e quajtur Shqiptarë. Nganjëherë kam frikë të shkruaj për Gjergj Kastriotin. Nuk dua të shkruaj me pathos patriotik apo/dhe nacionalist, nuk më pëlqen. Gjergji hyn në pantheonin e ndritur sepse mbrojti familjen, pronën, nderin, besimin, njerëzit e lirë pranë tij, sic duhet të beje cdo burrë kur beson se këto vlera janë të rendësishme.
Mund te them se Gjergji eshte sublimi i asaj trashëgimie luftarake, krenare, të papaposhtur që kanë deftye paraardhesit e tij. Besoj se Skënderbeu nuk është vetem i gjithë Shqiptarëve, por i gjithë qyteterimit europian, që bazohet tek liria dhe siguria. Ai ka hyrë në historinë e strategeve të mëdhenj, përkrah Lekës së Madh, Cezarit, Anibalit, Pirros, Konstandinit, e shumë të tjerëve , prandaj gjithcka bëhet me e veshtirë kur gjykohen njerëz të idealeve të mëdha.
Agim Gashi, Këngëtar, Poet. Me kombin e për kombin, me Kastriotin e Rugovën, me lirinë e pa skllavërinë. Gashi është një ndër atdhetarët më të shquar që frymojnë sot. Kënga e tij e shkruar dhe e kënduar ka bërë të pavdekshëm qindra heronjë e martirë, ndërsa fjala:
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu është hero legjendar dhe i pa përsëritshëm i të gjithë shqiptarëve. Deshi apo nuk deshi dikush ta pranojë një të vërtetë të patjetërsuar, është punë e tyre, por, çdo njeri me një pikë gjak shqiptari nuk mund ta vejë në pyetje Skënderbeun si njeriun që tokës shqiptare i dha emër duke e mbrojtur atë plot 25 vite nga robërimi osmanlli, i dha emër luftrave të mëtejme kundër hordhive të të gjitha ngjyrave që i vërsuleshin tokave të arbërit, i dha emër lirisë, drejtësisë, njerëzores dhe sublimes patriotike për çdo njeri shqiptar kudo që gjenden në botë. Kudo dhe nga të gjithë me emrin e Skënderbeut mbusheshin me dashuri për atdheun, edhe nënat kur përcillnin bijtë e tyre në mbrojtje të atdheunt u thonin:"Kujto birë Skënderbenë", edhe motrat e nuset u jepnin urata djemëve tanë në emrin e Skënderbeut. Këtij strategu të luftës, Heroit Legjendar të kombit i kënduan barinjët, malsoret, këngëtarët jug e veri, rapsodët, ndersa mijëra poetë e shkrimtarë të njohur kombëtar e botërorë i thurren vargje e legjenda luftës së Skënderbeut në mbrojtje të atdheut nga hordhitë e ushtrisë turke. Skënderbeun e njef historia kombëtare por edhe ajo botërore kudo në botë. Epoka e kohës së Skënderbeut mësohet edhe në shkollat e mbarë botës dhe do të ishte tejet mangësi kjo epokë t’u shpjegohet nxënësve pa kryepersonazhin e kohës, legjenden shqiptare Skënderbeun.
Daniel Gazulli, Shkrimtar, Publicist: Pasardhësi i të ndriturit, njeriut të Zotit, veprimtarit, martirit demokrat Gjon Gazullit e ka vazhduar traditën e dashurisë, dijes dhe kombëtarisë:
Për një njeri normal, pa ndërgjegje të çoroditun, Gjergji Ynë asht jo vetëm Hero Kombëtar dhe nderi e lavdia e këtij vendi, por dhe hero, nder e lavdi për Europën mbarë, pse ai dha një ndihmesë të veçantë edhe për lirinë e saj.
Të pyesish “A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve?”, asht njëlloj si të pyesish a vjen drita nga dielli, apo nga errësina? Vetëm mendje e shpirtna të çoroditun, në thelb antishqiptarë, antifetarë, antishoqnorë mund ta venë në dyshim përgjigjen e kësaj pyetje: Gjergj Kastrioti asht Heroi Ynë Kombëtar; Ai asht nderi dhe lavdia e çdo shqipatri, që e ndjen veten të tillë. Mohuesëve do t’iu drejtohesha me një strofë nga poezia e Dom Ndre Mjedës, “Mustafa Pasha”:
Del, mizuer, këndenaj, del; prej mërzijet / Zgaq i përbuzshëm, Shqipnia t’volli: / ty shpina e detit, ty, vend robnijet, / t’pret Anadolli.
Gani Mehmetaj, Drejtor i KosovaFilm, Shkrimtar. Njeriu i kinematografisë dhe i letrave na gëzon me ekzistencën e tij, na jep shpresë dhe na bën të urojmë që kombit shqiptar t’i shtohen shqiptarët si ky:
Gjergj Kastriotin e adhurojnë të gjithë shqiptarët.
Për një grusht hoxhallarësh të shitur dhe islamikësh të frymëzuar nga rryma më fanatike turke nuk duhet të shtrohet një diskutim i tillë, ata s’përfaqësojnë asgjë në detin e shqiptarëve që e adhurojnë Gjergj Kastriotin. Është e natyrshme që heroin tonë mund të mos e duan turqit, por pse disa duhet të mendojmë si ish pushtuesi mizor, është për të ardhur keq.
Dikur Skënderbeun e sulmonin më tërbim serbët në ish-Jugosllavi dhe sllavët e Maqedonisë si nxitës të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. E vazhduan një grusht antishqiptarësh në Tiranë, në emër të luftës kundër miteve, sepse donin ta deshqiptarizonin Gadishullin Ilirik. Sot e sulmojnë një pjesë e hoxhallarëve (jo të gjithë) në Kosovë e Maqedoni, të paguar nga të huajt, sepse janë kundër bashkimit kombëtar, ndërsa Skënderbeu është heroi i të gjithë shqiptarëve, prandaj shqiptarët ia ngritën përmendoren në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup. Pse të mos ia bëjmë përmendoren edhe në Ulqin e Preshevë? Ai meriton edhe më shumë...
Zeqir Lushaj, Shkrimtar, Gazetar, Redaktor i Zemra Shqiptare. Ndonëse bashkëpunimi me Lushajn ka lindur vonë, dashuria e sinqertë për kombin na ka miqësuar në kohë rekord. Autori i shumë librave, Tropojani i Amerikës nuk njeh kthesa e metaforizma kur bëhet fjalë për kombin dhe legjendarin, por vetëm drejt:
-JO, -I dashur Ilir, Gjergj Kastrioti, nuk është Hero i të gjithë shqiptarëve!
Pse nuk është, dhe, i të cilëve shqiptarë nuk është?
1. Në radhë të parë, nuk është Hero, i atyre shqiptarëve që nuk dijnë dhe as nuk e duan Heroizmin. Dhe këta nuk janë të pakët. Gjergji, e ka ditur këtë punë që në kohën e Tij, ka ditur edhe të mbajë qendrim. Nuk janë të paktë ata, që, siç thotë populli, heroike, e dijnë vetëm “copën e bukës”.
2. Nuk e duan, as duan tia degjojnë emrin Gjergj Kastriotit, edhe ata të cilët kanë akoma në shpirt idealet e pushtuesit e dhunuesit tonë shekullorë, Turqisë dhe paragrafët më të errta e më të diskutueshme e të denueshme të moralit Islam. E. këtu, kuptohet, në ballë të kësaj “mosdashnie”, e aq me keq , në ballë të kësaj urrejtje, janë disa injorantë (demek) hoxhallarë, që më zi se kokën, kanë lidhur trupin e shpirtin me çallmën erë-vdekje të atyre që na e sollën e na e lanë në derë, tash ma se 500 vjet. E, këtu, të vjen keq per “xhematin”, se sa per hoxhën, me kohë “e ka marrë ferra uraten”.
3. Gjergj Kastrioti, nuk është as nuk mund të jetë Hero, i njerëzve të shitur,i agjentëve jo të paktë të të gjitha sherbimeve të huaja i servilëve e matrapazëve, që, per fatkeqsinë tonë kombëtare, i patëm, dhe me sa duket, i kemi edhe sot me shumicë.
4. Nuk e duan Gjergjin, as do ,”demek udhëheqësa”, që duket u është mbushur mendja se mund ta zevendesojnë Atë dhe të shfaqen edhe më Heronj, edhe më të Lavdishem, më Kombëtar!! E, më konkretisht, ATA, të cilët janë gati të rishikojnë e rindërtojnë historinë, vetem të mos na i mbetet qefi Vellait të madh të Anadollit !!
5. Me që po flasim per shqiptarë, në këtë rast, po i lë jashtë ketij gjykimi, ata që në fakt jetojnë në shqiperi, por nuk janë shqiptarë as me gjak, as me histori e traditë. Dhe, kjo mund të jetë e keqja e tyre më e vogël. Ndoshta, edhe pikrisht per të goditur dhe figurën e Gjergjit, jo pak prijës tanët, janë gati ti shpallin Shqipërinë edhe Kosovën multietnike !! Hahahahaha !!
6. Dhe e fundit, që ti permbahem edhe orjetimit te kryeredaktorit, per mos kalim rradhësh, them se, janë kundër Gjergj Kastriotit edhe ato që janë kundër Gjergj Fishtës, i cili, duke folë per këtë figurë të patjetërsueshme të Kombit, ka thënë:
“…Skanderbegu me at trimni e rreptsi me t’cilen luftoj kundra turqve, qi ishin mysliman, luftoj edhe kundra venedikasve qi ishin t’krishtenë. Prandej t’gjith shqyptarët e vërtetë, pa ndërlikim partiet e besimit, do ta nderojnë Skanderbegun si nji fatos t’komit e do t’u bahet nam me kremtue emnin e punët e tij. Skanderbegu asht ideali i liris e i pavarsis s’Shqypnis”.