E hene, 29.04.2024, 03:50 AM (GMT+1)

Mendime

Lavdrim Lita: Gafat që po përndjekin Ramush Haradinajn

E marte, 13.12.2011, 09:02 PM


Gafat që po përndjekin Ramush Haradinajn

 

Nga Lavdrim Lita

 

U desh gafa protokollare e PS-së që “çështja Haradinaj” të rikthehej sadopak në vëmendje të opinionit publik. Rigjykimi i pjesshëm i ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinajt, Lah Brahimajt dhe Idriz Balajt nisi në muajin gusht të këtij viti. Tre të akuzuarit ishin liruar më 3 prill të vitit 2008 nga Tribunali, nga akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa rigjykimi i pjesshëm thuhet se nisi për shkak të paraqitjes së dëshmive shtesë në procesin kundër tyre.

Procesi i rigjykimit të z. Haradinajt është i pari i kësaj natyre të cilin Tribunali i Hagës po zhvillon që nga themelimi i këtij mekanizmi në vitin 1993. Rigjykimi aktual bëhet për shkak se, siç thuhej, gjykimi origjinal kishte qenë i dëmtuar nga frikësimi i dëshmitarëve. Gjykata e Apelit ka pranuar rekursin e hetuesve me argumentimin se Gjykata nuk kish dëgjuar dëshmitarin kyç, që doli të ishte Shefqet Kabashi, i cili jo vetëm mohon të pranojë dhe mbështesë akuzat, por njëkohësisht akuzon hetuesit se kanë manipuluar dëshminë e tij të parë. Dëshmitari tjetër “kryesor”, është i njeriu i koduar si PW-80, e cili rezultoi vazhdimisht ndryshonte pjesën thelbësore të dëshmisë së tij: se cili nga të akuzuarit, çfarë i kishte bërë cilit të burgosur. Tetë dëshmitarët tjerë të prokurorisë që dëshmuan gjatë rigjykimit, në mesin e së cilëve ishte një polic serb, të burgosurit e Jabllanicës dhe oficerët e UÇK-së, nuk shtuan pothuajse asgjë të re gjykimit fillestar me dëshmitë që i dhanë. Në anën tjetër, ekipi i mbrojtjes vazhdimisht ka mohuar çfarëdo lidhje me frikësimin e pretenduar të dëshmitarëve, duke sugjeruar se disa nga dëshmitarët i përdorin këto pretendime për të mbuluar gënjeshtrat e tyre. Gjatë vendosjes për kërkesat e ndryshme për lirim të përkohshëm të Haradinajt që nga viti 2005, kolegjet e ndryshme gjykuese të Hagës kanë konstatuar se ai nuk paraqet rrezik ndaj dëshmitarëve ose viktimave.

Sakaq mbajtja në paraburgim që nga viti i kaluar dhe procesi i rigjykimit në tërësi i tij u vunë në qendër të kritikave edhe në debatet e ekspertëve ndërkombëtar të drejtësisë. Ngase, në thelb, gjykimi për së dyti i z. Haradinaj për akuza për të cilat ka dalë një herë i pafajshëm kundërshton parimin e njohur në Perëndim (E drejta Romake, ne bis in idem - jo dy herë për të njëjtën gjë) ose e njëjta gjë (double jeopardy, Common Law) në të Drejtën Anglo-Saksone, që shpreh qartë se asnjeri s’mund të ndiqet penalisht sërish për një çështje të gjykuar më parë. Është sipas thënies latine “Absurdum videbatur Pisonem id fecisse”, duke perifrazuar se është absurde që Gjykata favorizon prokurorinë kundrejt të akuzuarit, që derisa provat ta gozhdojnë me fakte është ende një njeri i lirë, me të gjitha të drejtat. Z.Haradinaj është gjykuar një herë për akuzat e ngritura nga hetuesit e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, që po kjo Gjykatë e ka shpallur të pafajshëm, në prill të vitit 2008, me fjalët “Dhoma ju shpall juve, zoti Haradinaj, të pafajshëm. Andaj dhe ju liron nga të gjitha akuzat e padisë ndaj jush. Dhoma urdhëron që ju të liroheni menjëherë nga njësia për burgim e Kombeve të Bashkuara”, e pati lexuar vendimin e Tribunalit, gjykatësi Alfons Orie. Në fakt, Tribunali pati hedhur poshtë të gjitha akuzat për krime kundër njerëzimit kundër tre të akuzuarve.

Sido që të jetë fundi i kësaj historie me gafa politike dhe ligjore, Ramush Haradinaj do të mbahet mend si i vetmi kryeministër në botë që vullnetarisht shkoi në Hagë për t’u gjykuar ndaj akuzave. Prandaj ka qenë i vendosur të pranojë çdo verdikt i dalë nga Gjykatësit e drejtë të Hagës, çka do të thotë se ka pasur besim tek pastërtia e shpirtit të tij. Një herë fitoi. Herën e dytë, i akuzuar për të njëjtën akuzë të mëparshme, i mbetet Gjykatësve të respektojnë parimet e tyre, që një çështje e gjykuar nuk mund të gjykohet një herë të dytë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora