E premte, 25.07.2025, 04:03 AM (GMT+1)

Mendime

Isa Mulaj: Letërankesë Alb-Shkencës, medieve dhe AGPK-së rreth plagjiaturës së gazetës ‘Kosova Sot’

E shtune, 10.12.2011, 01:59 PM


Letërankesë Alb-Shkencës, medieve dhe AGPK-së rreth plagjiaturës së gazetës ‘Kosova Sot’

 

Te nderuara subjekte të lartpërmendura!

 

Po u shkruaj lidhur me keqpërdorimin publik të paautorizuar të emrit tim nga gazeta e përditshme e Kosovës ‘Kosova Sot’ për shkrimet dhe intervistat e mia të ndryshme të botuara në vende të ndryshme. Ne jemi mësuar nganjëherë të reagojmë ndaj plagjiaturës, dhe kjo më duket një përgjegjësi e mirë, e cila pres se do të intensifikohet dukshëm, sidomos në kohën kur sistemi i drejtësisë në Kosovë është bërë haptas një biznes i jashtëligjshëm. Shqetësimi im, i cili njëkohësisht duhet të jetë edhe juaji, është bukur ndryshe nga plagjiatura klasike ose kopjimi i punës së tjetërkujt. Problemi është ky: Gazeta ‘Kosova Sot’ merr shkrimet dhe intervistat e mia, dhe të njëjtat ua vesh njerëzve tjerë me qëllim, të cilët nuk kanë fare të bëjnë me atë për çka shkruhet në këtë gazetë në emër të tyre.

 

Ju lutem shikoni me kujdes njërën prej temave kryesore në gazetën ‘Kosova Sot’ të datës 28 nëntor 2011. në ballinë dhe faqe 6-7 me titullin: “Rritet shkëmbimi tregtar, 5 milionë euro më shumë”. Të njëjtën temë e krahasoni me këtë opinion timin të botuar në ‘Kosovapress’ një ditë më herët, ose më 27 nëntor 2011:  http://www.kosovapress.com/?cid=1,75,139174

 

Të njëjtin koment timin e krahasoni me prononcimet e paqena të z. Raçi dhe zëdhënësit nga Doganat e Kosovës, Adriatik Stavileci, të botuara nga ‘Kosova Sot’ në dokumentet e bashkangjitur. Nuk është hera e parë që kjo gazetë keqpërdorë intervistat, komentet dhe opinionet e mia duke ua veshur autorësinë e tyre njerëzve tjerë. Por nuk është as e fundit dhe duket se do të vazhdoj me kryeneçësi. Shikoni me kujdes numrin e sotëm (më 05 nëntor 2011) të kësaj gazete dhe lajmin në faqe 7 me titull “Mjetet e Konferencës së Donatorëve: Komunat përfituan 97 milionë euro”. Dhe përsëri na del në skenë intervista e kinse Kujtim Raçit që zë afër 2/3 e këtij lajmi, i cili s’ka të bëjë fare me z. Raçi por është produkt i Isa Mulajt! Jo më pak se tri herë e kam vërejtur në ‘Kosova Sot’ vjedhjen e  shkrimeve dhe keqpërdorimin e intervistave të mia. Nëse dikush në historinë e tij ka vërejtur ndonjëherë këso lloj gazetarie për t’i bërë ekspertë doktorrucat kosovarë të lidhur me pushtetin, ju lutem më njoftoni. Faktikisht, marrë në përgjithësi, shqiptarët e Kosovës janë kombi më fals në Evropë, dhe nuk kanë se për çka të lehin kundër enciklopedive të sllavo-maqedonasve kundër tyre, derisa këta (shoqëria kosovare, sidomos ‘elita intelektuale’ në tërësi me disa përjashtime shumë të vogla) është tërbuar me falsifikime, korrupsion, dhe hajni të drejtpërdrejtë. 

 

Po të bëhej gazetaria dhe shkenca kështu në realitet, atëherë unë shumë lehtë do të mund t’i merrja zbulimet e Isak Njutonit, Albert Ajnshtajnit dhe nobelistëve të ekonomisë, dhe të njëjtat do t’i prezantoja si të miat. Dikush do të mendonte se kjo nuk do të merrej seriozisht nëse e bënë për vete, porse problemi këtu qëndron se ‘Kosova Sot’ është subjekt juridik që duhet t’i nënshtrohet ligjit mbi mbrojtjen e të drejtave të autorit. Keqpërdorimi i emrit të tjetërkujt në publik është i ndalur edhe me Kodin Penal të Kosovës. Por, ky nuk po zbatohet ndaj kësaj gazete të lidhur me partinë politike në pushtet ‘PDK’. Nuk po e kuptoj pse kjo duhet t’i marrë shkrimet e mia për ta gënjyer publikun se janë mendime të z. Stavileci dhe njerëzve tjerë të pushtetit politik. Po ashtu nuk e kuptoj alergjinë që e paska ndaj emrit tim kryeredaktori i ‘Kosova Sot, Avdullah Bytyçi, dhe drejtoresha e tij, Margarita Kadriu, kur këta të dy porosisnin nga unë analiza dhe komente për gazetën e tyre të cilat nuk i kanë paguar.

 

Gazeta ‘Kosova Sot’ më së shpeshti plason lajme rreth mos funksionimit të shtetit ligjor dhe korrupsionit të cilat ia shet publikut kosovarë kryesisht injorantë, i cili nuk është i njohur me gazetarinë degjeneruese dhe oportunizmin e saj. Nëse ‘Kosova Sot’ pretendon para publikut se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, unë ia argumentoj se ajo çka thirret si sundim i ligjit është biznes i jashtëligjshëm, ku bënë pjesë edhe vet kjo gazetë. Prej momentit kur një punëtor në shtypshkronjën e kësaj gazete ‘Interpress’ kishte humbur dorën dhe gjykata ia kishte caktuar detyrimin e punëdhënësit ndaj të dëmtuarit për 30 000 euro ndërsa ka paguar në llogari të punëtorit vetëm 5 000 euro, publiku i dëshpëruar thellë me sistemin e drejtësisë ka filluar të hasë në një shpalosje ofensive të ‘Kosova Sot’ kundër sundimit të ligjit duke mos e ditur shkakun dhe qëllimin e saj, e që ishte zhvendosje e vëmendjes. Kur ‘sundimi i ligjit’ të shndërrohet në sundim të ligjit, ‘Kosova Sot’ së pari do të detyrohet t’ia kthej edhe 25 000 euro atij punëtori.  Ky duket rast edhe më i ngutshëm për sundimin e ligjit se plagjiatura dhe keqpërdorimi i qëllimshëm i emrave në intervista.

 

‘Kosova Sot’ zgjodhi 28 nëntorin, festën e flamurit, me ballinën e madhe të pushtuar me kuq e zi për t’i bërë këto keqpërdorime me synimin që publiku kosovarë injorantë do t’i konsumojë dredhitë dhe oportunizmin e saj, siç i ka konsumuar deri më sot.

 

Nuk ka gjë të keqe dhe nuk mund të jetë plagjiaturë nëse merret ndonjë shkrim nga çfarëdo burimi, por me kusht që të theksohet burimi dhe emri i autorit të vërtetë. Me këto veprime si të ‘Kosova Sot’, shoqëria kosovare nuk mund të integrohet as në Afrikë, sepse jam i bindur që gjëra të tilla nuk pranohen atje, ndërsa kosovarët le ta gënjejnë veten dhe botën se janë evropianë në pamje fizike, ndërsa me veprime dhe sjellje askush nuk i poshtëron evropianët më shumë se këta që paskan fytyrë të thonë se janë pjesë e tyre.

 

Kërkoj nga subjektet e ndryshme dhe të gjithë ata që dinë shkrim-lexim të mendojnë mirë, të reagojnë me forcë dhe të mos i mbyllin sytë përballë këtij degjenerimi institucional të shkencës shqiptare dhe në komunikimin masiv.

 

Kjo letër dhe përmbajtja e saj është edhe një lloj testi për secilin shqiptarë të Kosovës që ka lidhje diçka me arsim. Të shohim reagimet e tyre. Janë mësuar shumica e shkencëtarëve të jenë studiues të njohur edhe nga universitetet prestigjioze perëndimore, por derisa nuk reagojnë ndaj plagjiaturës dhe nuk e dënojnë atë në interes të shoqërisë, atëherë origjinaliteti i tyre më i saktë, është hajdutë.

 

Me respekt

Isa Mulaj



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx