E enjte, 01.05.2025, 09:13 PM (GMT+1)

Mendime

Ramiz Selimi: Dërgimi i femijëve në mësimin plotësues, pengon asimilimin

E hene, 05.12.2011, 08:59 PM


 

Dërgimi i femijëve në mësimin plotësues, pengon asimilimin

 

Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë është garantim i një strukture solide të neserme

 

Alarmi për asimilimin gjuhësor bie ?do ditë e më shumë. Synimi duhet të jetë që qeverit të angazhohen në ngadalsimin e këtij fenomeni. Mos angazhimi i mirëfillt do të na kushtoj të nesermen. Itensifikimi i mësimit plotësues dhe hapja e qendrave kulturore duhet jetësuar menjëherë

 

Nga: Ramiz Selimi

 

Lëvizja e njerëzve nëpër botë është e lindur me njeriun. Shumë intelektual thonë se “Asimilimi” është proçes normal e i natyrshëm, nese aty nuk intervenohet dhe investohet. Ka kohë që gjëmojnë fort e pandërprerë, këmbanat e alarmit për dukurinë gjithnjë e më masive, të harresës së gjuhës amtare nga fëmijët. Ky proçes asimilimi gjuhësor është më i dukshëm dhe gjithëpërfshirës, sidomos tek ata fëmijë që kanë lindur në vendet ku janë vendosur prindërit e tyre. Kjo, sepse shumica e prindërve të tyre, në periudhën e vendosjes, të punësimit e të sistemimit, nuk kanë pasur as informimin, as kohën, as shqetësimin dhe angazhimin e duhur, për të njohur e shfrytëzuar legjislacionet demokratike e favorizuese të këtyre vendeve edhe në fushën e arsimimit të fëmijve në gjuhën amtare.

Nuk jemi ne viktimat e para e as të fundit dhe se fenomeni është më i gjërë, tregojnë edhe rastet e shumta me popujt tjerë. Por, duke ringritur problemin e asimilimit gjuhësor të moshave shumë të reja në emigracionin tonë, as që e çojmë ndërmend se mund të bëhet mrekullia, apo e pamundura për ta ndaluar plotësisht e përfundimisht. Synimi dhe apeli është që shteti dhe shoqëria të shqetësohen dhe bashkohen sot, për ta ngadalësuar e kufizuar sa më shumë që të jetë e mundur këtë hemoragji kombëtare. Nesër do të jetë shumë vonë dhe çmimi që do të paguajmë si vend dhe si komb, do të jetë shumë më i shtrenjtë.

Gjithsesi, për qeveritarët tanë dhe bashkësitë tona në diasporë, krahas vendeve perëndimore, ku kërkohet të gjendet ndonjë formë me shtetet mikpritëse për të ruajtur gjuhen shqipe, është shumë domethënëse dhe apelues edhe komuniteti i banorëve me origjinë shqiptare, të vendosur në Turqi e vendet tjera lindore. Mes kësaj bashkësie, janë me mijëra, ata që e kanë ruajtur komunikimin gojor në gjuhën shqipe. Prej tyre ka kohë që është kërkuar ndihmë nga Prishtina, Tetova e Tirana për mësues dhe tekste gjuhësore për t’u mundësuar fëmijëve, njohjen edhe në të lexuar e shkruar të gjuhës shqipe.

E keqja e asimilimit gjuhësor të moshave të reja në emigracionin shqiptar ka prekur jo vetëm familjet me njërin nga prindërit të huaj. Eshtë e vetëkuptueshme dhe e pritshme që në radhë të parë, nënat joshqiptare, duke mos e njohur vetë gjuhën shqipe e duke mos pasur shumë nxitje nga bashkëshortët për këtë qëllim, kanë ndikuar që në familje të komunikohet gati tërësisht, në gjuhën e tyre. Vetëkuptohet se faturën e kësaj neglizhence të baballarëve e kanë paguar fëmijët. Këta përgjithsisht, kanë fituar njohjen dhe përdorimin shumë të mirë të gjuhës së vendeve përkatëse, por kanë humbur gjuhën amtare dhe shansin për ta pasur këtë në mos të parë, si gjuhë të dytë.

Për të qenë të saktë, duhet thënë se shumë emigrantë, shqiptarë kryesisht, intelektualë e arsimtarë, u kanë rënë edhe vetë këmbanave të alarmit. Shpesh, barra u është lehtësuar nga disa prindër të cilët, me t’u informuar për hapjen dhe funksionin e këtyre shkollave, kanë nxituar të regjistrojnë në to fëmijët e tyre. Por paradoksalisht e papërgjegjshmërisht, ka pasur edhe prindër që nuk kanë dëshiruar t’a shfrytëzojnë këtë shans dhe mundësi, që u japin ligjet e këtyre vendeve demokratike, si dhe intelektualët bashkëkombas.

“Çka pret prej një fëmije kur nga mëngjezi deri pasdite vonë është në shkollë. Prindërit i shehë në mbrëmje,e në mbrëmje prindi duhet të merret shumë me të! T'a edukojë, t'a dojë, të kujdeset për të. Ka shumë pak kohë e nerva për t’i edukuar atdhedashurinë për vendin e lindjes së prindërve. As gazeta, as libra, as tv, as teatër, as koncerte me një fjalë asgjë shqip. Asimilimi, asimilimi. Natyrisht, ambienti ku jeton dhe punon ndikon tek njeriu, dhe ky është një fenomen i natyrshëm biologjik dhe shoqëror, subkoshient, dhe aspak politik apo aq më pak, patriotik”. Janë fjalët e një prindi të frustruar në diasporë.

Këta prindër, jo vetëm nuk e përjetojnë si fatkeqësi harresën, apo mosmësimin e gjuhës shqipe por, përkundrazi, duke menduar se fitojnë imazh pozitiv dhe avantazhe në integrim, duke u treguar më pak shqiptarë e më shumë si qytetarë evropianë, duke u ushqyer mendimin për të mos u kthyer më kurrë në vendin e baballarëve të tyre, nuk ua nxisin fëmijëve dëshirën për të mësuar gjuhën amtare dhe përpiqen t’ua paraqesin si turp qenien shqiptar dhe të folurit në shqip!

Nuk mund të parashikohet saktësisht se si do të ndjehen këta prindër, kur të vihen në rolin e përkthyesve në gjuhën shqipe për fëmijët e tyre. Ndërsa, është shumë e sigurtë se tek të tjerët, jo vetëm tek shqiptarët, do të shkaktojnë çudi, zemërim, përbuzje. Në kundërshtim me këta, gjen plot prindër, që mungesën e shkollave në gjuhën shqipe dhe të arsimtarëve të tyre, përpiqen ta mbushin vetë, edhe pse e kanë të paktë kohën e lirë dhe njohjen e këtij profesioni. Këtë po e arrijnë duke vendosur si “ligj”, komunikimin në familje vetëm në gjuhën amtare.

Megjithatë, asimilimi gjuhësor i fëmijëve të larguar nga trojet shqiptare në moshë të vogël, apo të lindur në emigracion, vazhdon me përmasa më të mëdha dhe më shqetësuese, sepse kjo e keqe, kurrsesi, nuk ndalet e kufizohet ndjeshëm me nisma personale, familjare e ngushtësisht lokale. Nga ana tjetër është shumë e rendësishme që fëmijet të jenë të ndërgjegjshëm për rrënjet e tyre, jo për motiv thjesht patriotik, por për një strukturë emotive solide të neserme.

 

Shtrohen pyetjet: A është fëmija pronë private e prindit? A ka ky të drejtë t'i imponojë femijës se ?farë identiteti do ketë? A ka të drejt prindi ta getoizoj këte femijë? A është humane ta lesh një femijë në vendin e tij (sepse vendi i tij është ky ka lindur dhe jo ai ku ka lindur prindi) të getoizuar në kulturen e prindit? Janë pyetje që ballafaqohen shumë familje dhe prindër. Mirpo, me hapjen e qëndrave kulturore dhe organizimin e tyre modern, në masë të madhe do të evitonte hamendjen e tyre dhe përgjegjëjen në të gjitha këto pyetje.

Kjo e keqe, në mes të kompleksit të dukurive shqetësuese në gjirin e diasporës sonë dhe faktit se prej saj na vijnë çdo vit miliona Euro, duhet shtyrë politikën e sidomos tani, qeverit shqiptare me ministrit përkatëse, që për tri pikat e saj prioritare( 1.Detyrimi i prindërve për të dërguar femijët në mësimin plotësues, përmes marrveshjeve me vendet mikpritëse, 2. Hapja e qendrave kulturore dhe 3. Oferta reale për kthimin e trurit në vendlidje), të filloj menjëherë në zbatimin e tyre. Inkurajuese është fakti që Ministria e Diasporës të Republikës së Kosovës ka ide dhe plane, me zbatimin e këtyre planeve duhet filluar menjëherë sepse neser më të vërtet do të jetë tepër vonë.

Hapja e qendrave kulturore dhe detyrimi në një formë apo tjetër i prindërve për të dërguar fëmijet e tyre në mësimin plotësues në gjuhen shqipe, nuk duhet të mbetin vetëm si ide të pa realizuara në jetë, ashtu si jemi mësuar nga politika e jonë gjerë me tani. Ato duhet zbatuar tani dhe menjëherë, pa asnjë dyshim. Nuk duhet të jenë arsyetim mungesa e kapaciteteve dhe as e fondeve, këtu duhet gjetur zgjidhje të menjëherëshme nga politika gjithëshqiptare. Të caktohen datat, vendet, se nga cila datë dhe ku do të fillohet me zbatimin e tyre. Të fillohet aty ku janë të akumuluar shqiptarët më shumë në numër. Funksionimi i mësimit plotësues dhe qendrave kulturore duhet të startojnë menjëherë në formë institucionale.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx