E enjte, 01.05.2025, 07:15 PM (GMT+1)

Mendime

Isa Mulaj: Rritja e shkëmbimit tregtar Shqipëri – Kosovë, dhe deficiti i Kosovës

E enjte, 01.12.2011, 08:59 PM


Koment mbi rritjen e shkëmbimit tregtar Shqipëri – Kosovë, dhe deficiti i Kosovës

 

Nga Isa Mulaj

 

Sipas të dhënave nga Doganat e Kosovës, gjatë vitit 2010, Kosova ka importuar nga Shqipëria mallra me vlerë prej 60,963,253 euro, dhe ka eksportuar gjithsej në vlerë prej 22,899,670 euro, çka tregon për një bilanc negativ të tregtisë së Kosovës me Shqipërinë për 38,063,554 euro, ose 62 për qind. Dinamika dhe vlera më e madhe e mallrave të importuara është vërejtur gjatë periudhës qershor-shtator, që është pjesërisht rezultat i sezonit të pushimeve dhe qarkullimit më të madh të njerëzve për pushime verore në bregdetin shqiptar. Kjo vërtetohet edhe me rastin e eksportit nga Kosova për në Shqipëri, i cili është rritur gjatë periudhës qershor – shtator ose gjatë verës, dhe paraqitet më i vogël në periudhat e stinëve tjera.

 

Edhe gjatë vitit 2011, Kosova ka vazhduar tregtinë me Shqipërinë me bilanc negativ. Nëse u referohemi të dhënave në dispozicion nga Doganat e Kosovës për periudhën janar – shtator, shihet se Kosova ka eksportuar në Shqipëri mallra që kapin vlerën 21,152,012 euro, duke iu afruar kështu shumës gjatë tërë vitit 2010 për 1,747,658 euro. Nga i njëjti vend dhe gjatë periudhës së njëjtë, Kosova ka pasur një import me vlerë 65,056,082 euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por edhe me tërë vitin 2010, Kosova e ka thelluar deficitin tregtar me Shqipërinë.

 

Rritjen e deficitit tregtar të Kosovës me Shqipërinë mund ta komentojnë si pasojë e ngecjeve në reformat ekonomike dhe zhvillimin e infrastrukturës në Kosovë. Gjatë dy viteve të fundit kur Kosova përballet me krizën e rëndë ekonomike dhe financiare, Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike prej 6,3 për qind më 2009 dhe 3,5 për qind më 2010, prandaj edhe ka pasur më shumë mundësi ta rrisë eksportin në drejtim të Kosovës. Dobësimit të pozicionit të Kosovës në bilancin tregtar me Shqipërinë i ka kontribuuar edhe vala e rritjes së çmimeve së disa produkteve në Kosovë që përdoren si lëndë e parë në industri, sidomos në atë ushqimore. Faktor tjetër me rëndësi që mund ta sqaroj këtë bilanc të përkeqësuar të Kosovës, është përmirësimi i infrastrukturës në Shqipëri, sidomos lëshimi në shfrytëzim i autostradës Durrës – Kukës – Morinë, çka ka mundësuar zvogëlimin dukshëm të shpenzimeve të transportit për mallrat e Shqipërisë që kishin destinacion Kosovën. Në këtë mënyrë, shpenzimet më të vogla dhe koha më e shkurtë e transportit se më parë kur nevojiteshin deri në 14 orë për transport nga Durrësi në Prishtinë, pasqyrohen edhe në çmimet e mallrave në treg. Edhe në Kosovë autostrada Durrës – Vermicë – Merdar ka ndikim në zhvillimin e tregtisë dhe ekonomisë, por është shumë herët të bëhet ndonjë vlerësim i tillë, pasi ndërtimi i saj në Kosovë ende është në proces, ndërsa një pjesë e vogël, ose diku 1/3, sapo është lëshuar në shfrytëzim para disa ditëve. Sigurisht se autostrada në Kosovë, kur të përfundoj së ndërtuari, do ta lehtësojë dukshëm qarkullimin tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, por duke e ditur gjatësinë më të madhe të saj në Shqipëri dhe e cila ka përfunduar, nga kjo rrugë më shumë do të përfitoj Shqipëria, sepse Kosova është vend më i vogël dhe i kapshëm në largësitë më të skajshme të saj ku ka rrugë të asfaltuara, brenda dy orëve ose më pak, me çfarëdo automjeti. Autostrada në Kosovë kur të përfundoj dhe lëshohet në shfrytëzim, do ta rrisë qarkullimin e mallrave dhe lehtësimin e tregtisë. Megjithatë, problemi kyç do të jetë që të kemi mallrat tona dhe Shqipëria të vetat për t’i bartur nëpër këtë rrugë, përndryshe nga autostrada e Shqipërisë dhe Kosovës më së shumti mund të përfitojnë shtetet të cilat eksportojnë në këto dy vende, si Greqia, Italia, Serbia, Maqedonia, e të tjera. Për këtë kërkohet një analizë e veçantë dhe e kujdesshme, që politikë bërësit dhe publiku kosovarë të mos mendojnë në formë shabllone se autostrada vetvetiu do të sjellë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët. Duke ia shtuar edhe çmimin e lartë me të cilën po ndërtohet, mund të ndodhë që të kemi një efekt të kundërt në mirëqenien e shumicës së qytetarëve në afat të shkurtë dhe të mesëm. “Në afat të gjatë, të gjithë jemi të vdekur”, ka thënë ekonomisti britanik, Kejnzi.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx