E enjte, 01.05.2025, 11:09 PM (GMT+1)

Mendime

Shefqet Deliallisi: Mjaft më me kuislingë!

E enjte, 01.12.2011, 08:55 PM


Mjaft më me kuislingë!

 

Shkruan: Shefqet Deliallisi

Prefekt i Qarkut të Elbasanit

 

A kemi të drejtë të vazhdojmë të njollosim figurat më të shquara të kombit, si Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica, apo nënshkruesit e aktit të pavarësisë, si Lef Nosi, Mustafa Kruja etj., sot, pas  60 vjetësh, kur e dimë se ç’ndodhi më pas, kur e dimë, madje jo vetëm ne por e gjithë bota, se ç’ishte komunizmi? Përfaqësuesit e historiografisë komuniste vazhdojnë avazin e vjetër me tradhtarë e kuislingë edhe 100 vjet pas shpalljes së pavarësisë. Por le të kthehemi prapa në kohë. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Nga patriotët që kishin marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë ishin gjallë shumë prej tyre, madje dhe aktivë në politikë. Ishin gjallë Lef Nosi, Mithat Frashëri, Mustafa Kruja, Ferit Vokopola, Shefqet Daiu, Ymer Deliallisi, Qemal Karaosmani, Petro Poga, Qazim Kokoshi, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Zihni Kanina e disa të tjerë.

 

Pozicionimi i tyre ishte i ndryshëm. Disa prej tyre bashkëpunuan me italianët dhe gjermanët. Të tjerët jo. Prej këtyre të fundit një pjesë u përfshi në politikë, ndërsa pjesa tjetër jo. E përbashkëta ishte se të gjithë nuk bashkëpunuan me komunistët. Nga ana tjetër, askush nuk mund të guxojë të pretendojë se këta ishin kundër Shqipërisë. Të gjithë ishin aktorë në shpalljen e Pavarësisë, ishin njerëz të ditur, përfaqësues të familjeve më të shquara të Shqipërisë, ishin njerëzit më të respektuar dhe influntë në krahinat e tyre, e më gjerë. Dy pyetje: Pse një pjesë e tyre bashkëpunuan me italianët dhe gjermanët? Pse askush nuk bashkëpunoi me komunistët?

 

Realpolitika

 

Para pak ditësh ndoqa një intervistë me të birin e Hrushovit, tashmë i moshuar, profesor në ShBA. Ndërsa Stalinin ai e konsideroi një diktator po aq të egër, sa Hitlerin, për paktin Molotov - Rinbentrop (mes Stalinit dhe Hitlerit), përgjigja ishte: Stalini për këtë pakt me nazizmin nuk mund të fajësohet, ai bashkëpunoi me Hitlerin për të mbrojtur interesat kombëtare të vendit të tij...

 

A nuk bënë gjatë luftës realpolitikë edhe fuqitë e mëdha perëndimore: ShBA, Anglia, Franca, që ishin antifashiste dhe antikomuniste njëkohësisht? Fillimisht ato mbyllën sytë, qëndruan indiferentë ndaj Gjermanisë hitleriane, duke menduar se ajo do të sulmonte Baskimin Sovjetik komunist, të cilin e konsideronin rrezikun më të madh. Dhe më pas, kur u sulmuan vetë nga Hitleri, bënë të kundërtën, aleancë me Stalinin, diktatorin gjakatar komunist. Kur politikanët e fuqive të mëdha bënin realpolitikë, pse të mos e bënin këtë dhe patriotët e Shqipërisë së vogël, për më tepër kur e kishin të qartë se nuk do të ishte Shqipëria ajo që do të vendoste fatin e Luftës Botërore? S’duhet anashkaluar fakti që në vitin 1941 gjermanët sulmuan Jugosllavinë dhe e shpërbënë, me ç’rast çliruan dhe Kosovën. Madje, bashkuan Kosovën me Shqipërinë. Sigurisht që e bënë për interesat e tyre gjeopolitike, por këto interesa përkonin me interesat madhore të shqiptarëve. Pra, gjermanët realizuan ëndrrën e kombit shqiptar, atë të cilën e çbënë pa asnjë hezitim komunistët shqiptarë pas luftës, duke e shitur Kosovën për pushtetin e tyre. Dhe u deshën shumë gjak e sakrifica që kjo ëndërr të bëhej realitet (pjesërisht), në vitin 1999, pra pas 58 vjetësh, nga NATO, që çliroi Kosovën dhe bëri të mundur shpalljen e pavarësisë së saj.

 

Ja si e përshkruan në raportin e tij ambasadori amerikan Uillson, pranë Qeverisë Greke në Kajro, në vitin 1944, Qeverinë e Rexhep Mitrovicës, njërit nga “kuislingët” më të përfolur nga komunistët, njëkohësisht atdhetar i shquar dhe nënshkrues i aktit të pavarësisë në vitin 1912 në Vlorë: "Qeveria është e përbërë prej njerëzve, të cilët në të kaluarën gëzonin respekt në vend, dhe disa prej tyre llogariten si njerëzit më të mirë që dolën nga gjiri i Shqipërisë. Shumica prej tyre nuk njihen si pro gjermanë të ndezur e as si fashistë politikë. Disa me të vërtetë ishin miq të Anglisë dhe Amerikës. Nuk gabohet nëse thuhet se ata ishin kundër dominimit italian. Aq sa ndershmëria personale mund ta kapë, ata janë njerëzit me kualitetet më të larta prej gjithë atyre qeverive që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Sidoqoftë, këta njerëz e pranuan sundimin gjerman dhe qëndruan në anën e Gjermanisë… Ata përpiqen me çdo forcë për të mbetur neutralë. Shpresojnë për ta bashkuar mbarë kombin shqiptar si në Shqipëri, ashtu edhe në Jugosllavi, në një pjesë kompakte, që do të mundë të miratohej prej ngadhënjimtarëve kushdo që do të mund të ishin ata (gjermanët, apo aleatët) ..." (cituar nga prof. Nexhmedin Spahiu).

 

Pse askush nga nënshkruesit e pavarësisë nuk bashkëpunoi me komunistët? Ata nuk kishin besim te lëvizja nacionalçlirimtare që drejtohej nga komunistët (koha tregoi se kishin të drejtë), sepse i njihnin më mirë se kushdo kush ishin armiqtë historikë të Shqipërisë, dhe kush miqtë e vërtetë të saj. Ata ishin antikomunistë se komunizmin e identifikonin me Rusinë, mbështetësen historike të Serbisë.

 

Çfarë ndodhi pas luftës me themeluesit e shtetit shqiptar? Ata që morën poste në shtetin shqiptar të kohës së luftës, dhe ata që ishin krerët e organizatave antikomuniste, u shpallën kolaboracionistë. Si të tillë, Lef Nosi u pushkatua; Shefqet Daiu, Sami Vrioni, Qazim Kokoshi vdiqën në burg; Bedri Pejani iu dorëzua serbëve, të cilët e pushkatuan. Të tjerë, Mithat Frashëri, Dervish Biçaku, Dhimitër Berati, Eqerem Vlora, Mustafa Kruja, Rexhep Mitrovica, që për t’i shpëtuar persekutimit komunist emigruan, u shpallën kriminelë lufte. Por dhe ata që kishin vdekur vite më parë, u fshinë nga historia. Të afërmit e tyre iu nënshtruan një persekutimi të paparë. Nuk u kursye as pasardhësi i Ismail Qemalit, që u burgos; as djali i Aqif Pashës, që u burgos e më pas u poshtërua duke u detyruar nga komunistët të pastronte WC publike të Elbasanit; as djali i Isa Boletinit, që u vra me atentat nga komunistët. Kështu me radhë pothuaj të gjithë. Ymer Deliallisit komunistët i vranë dy djemtë, tre vëllezërit dhe tre djemtë e tyre. Shkakun e japin dokumentet e publikuar së fundi në librin “Enver Hoxha” të Blendi Fevziut, citoj: “...kapni, arrestoni, dhe ekzekutoni njerëz me ndikim që të bëhen shembull për të tjerët. Këto bëjnë përshtypje në popull”- urdhri i lëshuar nga E.Hoxha më 17 nëntor 1944 (f.143). Ndërsa më vonë një nga krerët komunistë rrëfehet për krimet: “Të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarë të politikës sonë, jo kriminelë dhe jo kuislingë, ne i konsideronim armiq dhe përpiqeshim t’i zhduknim nga faqja e dheut... asnjë s’meritonte të vritej (f 146).

 

Spekulime  të historiografisë komuniste

 

Spekulimi i parë: Ne u rreshtuam në krah të anglo-amerikanëve dhe sovjetikëve. E vërteta është se ne u rreshtuam në krah të jugosllavëve, dhe indirekt sovjetikëve. Sa për anglo-amerikanët, dihet qëndrimi, ata u shpallën armiq të Shqipërisë, u ndërpre çdo marrëdhënie me ta, madje për 50 vjet.

 

Spekulimi i dytë: nëse nuk do të ishte lufta nacionalçlirimtare, Shqipëria nuk do ishte rreshtuar në krah të fituesve, për pasojë do të copëtohej nga fqinjët!!! Duhet theksuar se në dyja luftërat botërore, themeluesit e shtetit shqiptar nuk janë renditur në krahun e fituesve. Shkaku, ndoshta pozicionimi i Serbisë krah tyre. Gjithsesi, kjo renditje s’ka pasur asnjë ndikim. Për ilustrim: pas Luftës së Parë Botërore presidenti Wilson priti në Konferencën e Paqes në Paris pa dallim edhe Esat Pashën, që u rendit me fituesit, edhe patriotët shqiptarë që u renditën me humbësit. Ndërsa pas Luftës së Dytë, ndonëse u renditëm me fituesit, në OKB u pranuam vetëm 11 vjet pas përfundimit të luftës, kur u pranuan Spanja ish-fashiste e Frankos dhe vendet komuniste. Shqipëria ishte vetëm një vend i vogël, pa ndikim në fatet e luftërave botërore.

 

Spekulimi i tretë: Enver Hoxha të paktën gjatë luftës luajti një rol të rëndësishëm. E vërteta është se ishte ai, sigurisht si zbatues i politikës së komunistëve jugosllavë, që në këtë luftë hodhi themelet e terrorit komunist, terror që vazhdoi për 50 vjet si një gjenocid dhe aparteid i shqiptarëve ndaj shqiptarëve.

 

Në vend të mbylljes...

 

Çfarë do të kish ndodhur me Shqipërinë sikur të kish ftuar linja e themeluesve të kombit shqiptar?

 

Shqipëria do të ishte bashkuar me Perëndimin që në përfundim të Luftës; do të kishte përfituar nga ndihma e tij dhe do të ishte ekonomikisht si vendet e tjera perëndimore; do të ishim anëtarë të Bashkimit Europian dhe NATO-s menjëherë me Greqinë; nuk do të kish pasur gjenocid dhe vëllavrasje; nuk do të kishte pasur burgime, internime, pushkatime; nuk do të ishte shfarosur truri i kombit; nuk do të kishim çuar kot 50 vjet duke u rropatur në një rrugë pa krye, sepse nuk do të kishim rënë nën thundrën e  komunizmit. Nëse do na duhej të zgjidhnim sot, cilën rrugë do të zgjidhnim? Prandaj dhe njollosja e figurave më të shquara të kombit është e pa kuptimtë, një reminishencë e kohërave të errëta që lamë pas.



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx