Mendime
Lavdrim Lita: Z. Shkëlzen Maliqi, pse duhet ti shpetojmë peshkaqenët
E marte, 29.11.2011, 11:28 PM
Z. Shkëlzen Maliqi, pse duhet ti shpetojmë peshkaqenët
Nga Lavdrim Lita
Filozofi me patentë probabiliteti, Shkëlzen Maliqi, në fjalimin përcjellës të promovimit të librit të Edi Ramës “Kurban”, në Prishtinë, foli se “Kurbani” është sulmuar nga peshkaqenët dhe piranat. Prandaj kërkon një digë censure për dy lloje peshqish të rrezikshëm, si duket, paskan brejtur pa faj “Kurbanin”, sikur ky i fundit të ishte peshku i lidhur pas varkës së Santiagos, plaku personazh i romanit “Plakut dhe Deti” i shkrimtarit amerikan Ernest Heminguej. Kush nuk ka lexuar romanin e shkrimtarit Heminguej, me siguri do të ketë parë ekranizimin e romanit të luajtur mjeshtërisht nga aktori Spencer Tracy, i cili në një moment thotë “Njeriu nuk është bërë për t’u mundur. Njeriu mund të shkatërrohet, por nuk mund të mundet”.
Sigurisht Ernest Heminguej dhe Shkëlzen Maliqi kanë shumë të përbashkëta, sidomos mjekrën e bardhë të moshës, por jo domosdoshmërish konceptin për Humbjen. Ngase “Kurbani” i Edi Ramës, nëse nuk e ka kuptuar Maliqi, ka ardhur mesh nesh jo si një produkt i ekstazës hyjnore, porsi terapi dy mujore pas humbjes së kolltukut në Bashki. Vajtimi i Ramës në Kurban ngjan njëlloj siç bën indigjeni i Madagaskarit, që kur ka një problem në dukje të pazgjidhshëm shkon për tre ditë në shkretëtirë dhe fillon ta bërtasë me zë të lartë hallin derisa magjepset sikur e ka zgjidhur hallin. Njëlloj Edi Rama që u mbyll për dy muaj duke shkruar në mënyrë bërtitëse hallin e brendshëm që i vinte nga Humbja. Dhe humbja sjell boshllëk që nuk mund të mbushet lëngje apo brumë ndjenjash. Kërkon një auto-analizë të ndërgjegjes. Një lloj pastrimi vetjak të unit nga dyzimi i përhershëm, fajin e kam unë apo të tjerët. Në rastin e Ramës fajin e kanë gjithmonë të tjerët: Fajin e ka Saliu, Fatosi, Iliri, etj. Kurbani është sakrifikimi i të vërtetës për motive të dobëta. Një njeri me aftësi të kufizura magjepset thellë, deri në palcë, pas leximit të së kaluarës së Ramës, që herë ngjan si i virgjëri Migjen dhe herë tjetër si djaloshi i varfër i Maos ce Dunit, Lej Fen. Rama kërkon ta trafikojë Kurbanin si kujtesë vetjake, si ecejake e së Mirës kundër së Keqes, megjithëse, në të vërtetë ky libër është nje atentat artizanal ndaj kujtesës komunitare. Jo shumë larg në kohë njerëz me pushtet të pakufishëm kanë tentuar të përdhunojnë e të shterpërojnë kujtesën identitare, kulturore dhe kolektive të qytetarëve Shqiptarë, duke i veshur rroba të palara.
Prandaj njerëzit që reaguan ndaj Gënjeshtrës së thurur si fanella e Dejanirës mbi trupin e pazakontë të Herkulit nuk janë peshkaqenë. Filozofi i probabilitetit dhe i shanseve të barabarta me siguri mban mend nga leximet e hershme se Ciceroni kish për qejf të thoshte se “natyra nuk bën asgjë të tepërt”. I bie që as Kurbani dhe as peshkaqenët nuk janë të tepërt, por dikotomi të një Entiteti: E vërteta. Duke pranuar se jam Peshkaqen mund të them se kafshimi i “pamëshirshëm i mishit të gjallë” të Kurbanit të Ramës nuk ishte kushedi se çfarë. Ka gënjshtra më të mëdha sesa Kurbani i Ramës. Kësisoj dhe amaneti i Gjyshes së Ramës: “Je gjithnjë vetvetja, edhe sikur të gabosh, edhe sikur të tjerëve mos t’u pëlqejnë gjërat dhe fjalët e tua… mos ji kurrë i mërzitshëm”, nuk mund të përmbushet kurrë sepse Edi Rama nuk ka qenë kurrë vetvetja. Rama ka përpunuar në kujtesë fjalinë e shkruar në tempullin e orakullit të Delfit “Njih vetveten”, duke na e dhuruar si mendim të Gjyshes. Standardet e Ramës në botën intelektuale janë veçse provokimi konstant i vlerave dhe virtyteve. Është një kampion i sportit të denigrimit pa merak. Vizioni politik i Ramës është i barabartë me vizionin që kishte Marcel Duchamp për artistin nëpërmjet veprës “Shatërvani”.
Sidoqoftë të drejtat e Ramës për të shpallur të Vërtetat dhe Vizionin e tij janë universale, askush nuk ka parandaluar daljen e Kurbanit, as leximin e Editorialeve, as cicërimat në rrjetet socialiste. Përkundrazi. Liria e Edi Ramës për të vepruar është e pakufizuar, si gjithmonë, prandaj është dhe aq e rrezikshme. Sepse nëse ka këtë liri teprimi sot, domethënë kur nuk ka pushtetin maksimal, mendoni pak sikur të kishte pushtetin maksimal.