E enjte, 01.05.2025, 05:52 PM (GMT+1)

Mendime

Gani Qarri: Gëzuar festën kombëtare të 28 nëntorit!

E enjte, 01.12.2011, 08:59 PM


Gëzuar festën kombëtare të 28 nëntorit!

 

Nga Gani Qarri

 

Festa e 28 Nëntorit, është ditë e shënuar për mbarë kombin, ditë kur flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenore, zbarkon kudo në fshatra dhe qytete, rrugë dhe sheshe, përmendore dhe objekte shkollash, dyer e dritare shtëpish për tu valëvitur krenar, nën erën e ngrohtë të lirisë në pjesët e lira të atdheut. Ani pse edhe ky Nëntor i gjen shqiptarët me aspirata të vjetra, dhe të kahershme për çlirimin e të gjitha trojeve tona dhe bashkim të përgjithshëm kombëtar.

 

Me nderimet më të mëdha ndaj 28 nëntorit, Shqiptarët e të gjitha trojeve, më këtë datë të lavdishme historike dëshmojnë se në zemrat e tyre sot e përgjithmonë, Flamuri ynë kombëtar është i pa zëvendësueshëm me asgjë tjetër dhe thellë i ngulitur si simboli shpirtëror i të gjithë shqiptarëve, atdheu i të cilëve 99 vjet më parë nën hijen e këtij Flamuri, pati shpallur pavarësinë e të gjitha trojeve të Shqipërisë Etnike.

 

Kjo datë festive është era e ngrohtë e lirisë,është liria vet, është dinjiteti ynë kombëtar që qeli dyert e krijimit të shtetit shqiptar dhe hapi rrugët e shpresave të mëdha për pavarësinë dhe bashkimin e të gjitha trojeve tona. Kurse vepra e luftëtarëve trima të cilët luftuan për  çlirimin e kombit, i jep vlerë lirisë sonë dhe nder atdheut të shqiptarëve, për çka ata janë dhe do të mbeten përgjithmonë të nderuar nga ne.

 

Pavarësia e Shqipërisë me historikun e saj afro 100 vjeçar është Rilindja e kombit dhe e nderimit më të lartë ndaj heronjve më të mëdhenj shqiptar, me në krye Ismail Qemalin të cilët pas përpjekjeve të pareshtura shumë vjeçare më 28 Nëntor të vitit 1912,arritën që në Vlorë ta shpallnin Shqipërinë e pavarur! Ndaj, të gjithë ata që u përpjekën, luftuan dhe u martirizuan për këtë ditë, janë dhe do të mbeten të nderuar për jetë nga shqiptarët.

 

Duke nderuar Flamurin tonë kombëtar i cili edhe në kohë të vështira kur atdheu kishte nevojë për mbrojtje i bashkonte shqiptarët në betejat për çlirim, ne në këtë ditë feste përulemi para tij,duke kujtuar me nderim sakrificat e atyre që u flijuan për këtë ditë, të cilët me përpjekjet e tyre të mëdha, mundësuan që shqiptarët të mbijetojnë dhe krijojnë shtetet e tyre të lira.

 

Me rastin e festave kombëtare nën shijen e ëmbël të idealeve të lirisë, ende të pa realizuara plotësisht, shqiptarët kremtojnë këtë festë të madhe si ditëlindjen e kombit. Ata kremtojnë heroizmin e luftëtarëve të të gjitha kohëve të treguar në luftërat çlirimtare, dhe përkujtojnë rënien e Dëshmorëve të Atdheut si veprën e tyre të pavdekshme kombëtare, për çka ne jemi krenar dhe ndihemi shumë të privilegjuar që tu shprehim atyre nderimet tona të veçanta.

 

Dita e 28 nëntorit është dita më e ndritur e historisë sonë,dita e përkujtimit më të madh kombëtar dhe përuljes me nderimin e merituar ndaj qindra e mijëra luftëtarëve shqiptarë, të cilët me kryengritjet e tyre të një pas njëshme historike në Kosovë e Malësi, Veri e Jug dhe gjithandej trojeve të Shqipërisë etnike, larguan përfundimisht pushtuesit osman dhe pas pesë shekujsh robërie bënë të mundur pavarësinë e Shqipërisë së Skënderbeut e cila u vulos nga Flamuri i tij heroik!

 

Gëzimi i mërgimtarëve për 28 Nëntorin

 

Data e 28 nëntorit është festim historik edhe për mërgimtarët tanë siç është për tërë kombin shqiptar. Është dita e mirënjohjes dhe nderimit më të thellë ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë tonë edhe pse ende jo të plotë. Kjo ditë tek mërgimtarët, ngjallë emocione të veçanta dhe të mëdha sa lartësitë e pakapshme të maleve tona mijëravjeçare, si tek pjesëtarët e të gjitha shtresave popullore në gjithë hapësirën tonë etnike, në diasporë dhe kudo jetojnë shqiptarët në rruzullin tokësorë.

 

Me rastin e festës së Flamurit siç jemi mësuar ta quajmë ne, kemi përshtypjen se një gëzim të veçantë përjetojnë mërgimtarët të cilët e ndjejnë në shpirt çdo ditë, çdo orë dhe çdo minutë, mungesën e Atdheut të tyre nga distancat mijëra kilometërshe ku ata jetojnë. Ndaj kësaj dite të bekuar kombëtare më shumë se mërgimtarët nuk mund ti gëzohet asnjë shqiptar, duke mos përjashtuar gëzimin e përgjithshëm popullor që është i natyrshëm dhe për çdo respekt në momente të tilla festive.

 

Mërgimtarët shqiptar ishin ata të cilët ditën ta duan gjithmonë pa hile-atdheun e tyre, edhe pse nga përndjekjet e pushtuesit, u detyruan të vendosen jashtë vendit. Ata ishin gjithmonë në shërbim të popullit dhe përherë aktiv për lirinë e vendit dhe përmirësimit të jetës së bashkëkombësve.

 

Ata e luftuan edhe okupimin me të gjitha mjetet dhe mundësit, herët dhe vonë, në të gjitha kohët dhe nga të gjitha vendet e huaja ku ata jetonin, në çfarëdo situate dhe rrethane ata ruajtën dhe forcuan ndjenjat atdhetare dhe krijuan edhe sistem të veçantë shkollor për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe dhe historisë kombëtare, duke ngritur gjithmonë lart Flamurin tonë kombëtar, gjithandej ku jetonin shqiptarët.

 

Si përfaqësues të denjë të kombit, mërgimtarët edhe gjatë kohës nën okupim, u angazhuan me forcën dhe dijen e tyre, mjetet materiale e deri te pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në luftërat çlirimtare për mbrojtjen e trojeve të pushtuara, kundërshtuan vendimet e padrejta ndaj popullit shqiptar, lobuan për Pavarësinë e vendit të tyre në të gjitha shtetet e huaja ku ata jetonin në Evropë dhe Botë kudo, organizuan demonstrata e protesta kundër pushtimit të atdheut, dhe morën pjesë aktive në kryengritjen çlirimtare, e cila çoi vendin në shpalljen e pavarësisë së shtetit Shqiptar.

 

Mërgimtarët u bënë shembull i shkrimit të një historie sublime kombëtare me plot sakrifica e cila fal angazhimit të rilindësve tanë edhe nga mërgimi, qoi vendin deri te ngritja e Flamurit dhe shpallja e Pavarësisë. Përpjekjet e tyre të pareshtura, ndihmuan rrugën e shenjt të çlirimit dhe të pavarësisë së shtetit shqiptar edhe pse veprimtaria kombëtare atëbotë ishte e vështir dhe e rrezikshme dhe kërkonte guxim të fortë kombëtar e frymëzim të lartë patriotik, në momentet më vendimtare për lirin e kombit shqiptar të cilën ata e patën dhe e dëshmuan në vepër.

 

Meritë e madhe e udhëheqësve të kombit, ishte edhe vendimi i tyre historik në të cilin ndikuan edhe mërgimtarët e kohës për përcaktimin properëndimor të vendit i cili atbotë kishte nevojë për përkrahjen e pavarësisë së Shqipërisë nga vendet e Evropës dhe Botës. Shpallja e Pavarësisë ishte dhe mbetet kulmi i kurorëzimit të shpresave të kombit shqiptar për të cilën shumë breza atdhetarësh kanë sakrifikuar edhe jetën.

 

Por me gjithë Pavarësinë e Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, Shqiptarët ende nuk kanë arritur lirinë e plotë kombëtare, ndaj edhe vuajtjet e pjesëve të pushtuara të kombit, ende nuk kanë pushuar tërësisht. Nga ky shkak edhe në raste festash ne ato i përjetojmë me dhembje, sikurse që për të arriturat i kujtojmë me pietet të lartë, ata që janë përpjekur dhe kanë rënë, për këtë ditë e cila na solli një liri ende të pa kompletuar -kombëtare, me gjithë lindjen e dy shteteve, por në të cilat nuk përfshihen të gjitha trojet tona.

 

Mosgatishmëria e Evropës dhe Faktorit ndërkombëtar për pranimin e të drejtës sonë për bashkim edhe një vit para festimit të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së të gjitha trojeve shqiptare, sado që është shumë e hidhur, për fat të keq ajo është e lidhur edhe me sjelljet e papërgjegjësi të udhëheqësve politik shqiptar dhe egon tonë të ngushtë, të cilat që të dyja bashkë paraqesin një imazh të keq, para qytetërimeve të përparuara të botës, dhe kjo jo vetëm që nuk i bën nder popullit shqiptar por e pengon edhe bashkimin e tij.

 

Me sjellje të tilla ne nuk mund ta bindim botën që të respektoj vullnetin tonë dhe të drejtën e popullit shqiptar, për bashkim kombëtar.

 

Ndaj, edhe pse me rastin e Festës së 28 Nëntorit në Shqipëri dhe Kosovë valëviten flamuj kombëtar me shqiponjën dykrenore dhe parulla gjigante në të cilat shkruan "JEMI -NJË"! ndarjen e shqiptarëve nuk arrijnë ta shërojnë fjalimet demagogjike të politikanëve tanë se ne festuakam ditën e pavarësisë dhe të çlirimit më mirë se kurrë më parë, në tërë ekzistencën tonë, me Shqipërinë e lirë dhe Kosovën e pavarur dhe zhvillime tjera të mëdha historike, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO etj.

 

Nuk duhet harruar se edhe sot ka pjesë të mëdha të trojeve tona, ku emra fshatrash e qytetesh shqiptare, si Mitrovica, Ulqini, Tuzi, Bujanovci Presheva, Janina, Arta e Preveza dhe shumë vendbanime të mëdha e të vogla edhe në Iliridë, në të cilat ende nuk mund të festohet lirisht 28 Nëntori. Ndaj, ne duhet ta pranojmë faktin se vërtet JEMI NJË!, por nuk jemi të gjithë të lirë!

 

Kjo gjendje e jona kombëtare edhe në decenien e dytë të shekullit të njëzetenjë me gjithë dëshirat tona të mëdha festive, i vë shqiptarët në pozitë të vështirë e cila na e kujton kohën e hidhur të okupimit dhe të ndarjes sonë kombëtare, ende të pa korrigjuar tërësisht. Ndaj ne duhet ta dimë dhe të brengosemi seriozisht për mosbashkimin e trojeve tona ngase ndarja e tyre, pengon formimin dhe zhvillimin shpirtëror, intelektual dhe kombëtar të shqiptarëve, që ka për pasojë edhe ecjen tonë të vonuar si komb i përparuar, drejtë Evropës së bashkuar.

 

Përpjekjet shekullore dhe gjaku i derdhur për liri edhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nuk i përmbushën plotësisht aspiratat e popullit të shumëvuajtur shqiptar për të cilat ai u sakrifikua dhe bëri luftëra çlirimtare. Ëndrra e tij për bashkim kombëtar, deri më sot nuk u bë realitet ndaj duhen përpjekje të reja për të mos lejuar asimilimin e shqiptarëve nën robëri dhe për të shpëtuar shpërfytyrimin e pjesëve të pa çliruara të atdheut.

 

Flamuri kuq e zi, ishte frymëzim shpirtëror dhe patriotik i të gjithë shqiptarëve atdhetar në trojet e tyre etnike i cili gjithmonë mbeti në shërbim të lirisë dhe çlirimit të atdheut tonë të ndarë padrejtësisht.

 

Ai edhe në momentet më të vështira,qëndroi gjithmonë në ballë, që nga fillimi i luftës për liri e deri te shpallja e Shqipërisë të lirë, Pavarësinë e së cilës e vulosi ky Flamur kombëtar!

 

Ndaj edhe me këtë rast festiv të këtij 28 Nëntori dhe përvjetorit të 99 të Pavarësisë së Shqipërisë, shpreh urimet e mia më të përzemërta, për të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet tona etnike dhe diasporë kudo janë bashkatdhetarët tanë. Gëzuar 28 Nëntorin e ngritjes së Flamurit Kombëtar dhe të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë natyrale!

 

Lavdi të rënëve për liri!

Rroftë populli Shqiptar!

Rroftë Shqipëria Etnike!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx