E diele, 28.04.2024, 09:32 PM (GMT+1)

Mendime

Baki Ymeri: Vlerat e një kombi të ndershëm, besnik dhe mikpritës

E hene, 12.12.2011, 08:44 PM


VLERAT E NJË KOMBI TË NDERSHËM, BESNIK DHE MIKPRITËS

 

Nga Baki Ymeri

 

Faqja e bardhë (Pagina alba)

 

Drita Shqiptare e Bukureshtit u lind në momentin kur në trojet rumune shkëlqeu një plejadë e patriotëve shqiptarë, që nga Naum Veqilharxhi e deri te Asdreni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli dhe pasardhësit e tyre. Ishte një plejadë shqiptarësh me një dashuri të zjarrtë ndaj atdheut. Ishin shpirtërat e mëdhenj që u dogjën për gjuhën shqipe dhe kombin shqiptar, një numër i madh mëmëdhetarësh të shquar që dhanë kontribut të denjë për bashkimin e kombit dhe realizimin e pavarësisë. Në vigjilje, gjatë dhe pas Ditës së Flamurit, shqiptarët kanë një dëshirë të përbashkët, që Shqipëria historike të shndërrohet në një djep magjik për pasuri, miqëqenie, prosperitet, dashuri dhe bashkim. Në këtë kontekst, sot  mund të flitet më shumë se kurrë, se kemi nevojë të domosdoshme për afirmimin tonë në botë, për promovimin e kulturës shqiptare në hapsirat europiane.

Pas botimit të disa numrave të Shqiptarit kushtuar Ditës së Flamurit, Dr. Xhelku Maksutit, Miradije Ramiqit, Pal Sokolit, Sabile Bashës, Neki Lulajt, Jeton Kelmendit, Liman Zogajt, Sadik Krasniqit, Eduard Dilos, Xhafer Lecit, Radije Hoxhës, Xhevat Muqakut, Bajame Çelikut, Ylli Dilos etj., dhe pas botimit të monografive “Kosova letrare” dhe “Dardania e zemrave tona”, mund të mburremi edhe me një varg të ri prezantimesh të denja shqiptare në massmedian rumune, që dëshmojnë se Kosova ka nevojë për dhjetëra flakadanë të kulturës shqiptare në diasporë, se vlerat e kombit duhet të qarkullojnë gjithandej në botë. Kështu, kohëve të fundit, revista Oglinda literara (Pasqyra letrare, dhjetor 2011), boton artikullin “Shqiptari, revista e një kombi të ndershëm, besnik dhe mikpritës”, ndërsa revista trimestriale për letërsi, art dhe qëndrime, Conta, që del në Piatra Neamc të Moldovës (nr. 7/ 2011), në kuadrin e 290 faqeve të saj, prezanton edhe autorin e këtij shkrimi me artikullin “Vlera magjike e një mrekullie historike”, ku bëhet fjalë për lidhjet e lashta farefisnore dhe vlerat e Kosovës letrare në gjuhën rumune, ndërsa në kuadrin e rubrikës “Dako-dardanët tanë dhe kali trojan i Parlamentit rumun”, pasi përshkruhet admirimi i Eminescut dhe Hashdeut e Grigore Brënkushit ndaj gjuhës shqipe, përshkruhet gabimi i Zyrës Elektorale Qëndrore, si dhe mashtrimi dhe pangopshmëria e deputetes Oana Manolescu, vendin e së cilës e kemi reyervuar në Faqen e zezë, siç vepronte Shqiptari i Naços dikurë.

Sa për ilustrim po japim vetëm një fragment nga paragrafi i parë i studimit “Vlera magjike e një mrekullie histroike”: “Në krahasim  me rusët, serbët, bullgarët dhe grekët, rumunët dhe shqiptarët nuk kanë kolonizuar trojet e fqinjëve të tyre, por përkundrazi, trojet përrreth Shqipërisë dhe Rumanisë (Basarabia, Bukovina, Lugina e Timokut, Banata Perëndimore, Kosova, Çamëria etj.), të banuara nga rumunët dhe shqiptarët, kanë qenë gjatë kohë (e disa kanë mbetur sot e kësaj dite) nën okupimin e fqinjëve.” Vetëm në numrin e fundit të revistës Impact (nr. 382/2011), në sajë të përkushtimeve tona botohen 8 poezi të Pal Sokolit nga Gjermania (Fortesë lulesh, Unë në ty, ti në mua, Ejani këtu, Unë zemër e pëlcitur, E them fjalën, Sy që kërkojnë dashuri, Buzëqeshja dhe Fluturimi), një vështrim kritik i Victor Steromit kushtuar vëllimit “Mendimet e shpirtit”, të poetit Jeton Kelmendi, një reçension i Mihai Antonescut me titullin “Poemat e natës”, kushtuar Remzi Limanit nga Kosova, një kronikë e Victor Steromit (Refleksi i një disponimi sentimental), kushtuar Passionaria Stoicescut të rikënduar në gjuhën shqipe përmes vëllimit “Gjarpëri me flatra”, një vështrim kritik i poetit Lucian Gruia kushtuar vëllimit bilingv “Ylberi i natës”, të poetit Eugen Evu, autor i poezisë “Shqiponja e Dardanisë”, edhepse revista respektive kohë më parë ka prezantuar disa antologji e dhjetra krijues të tjerë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora shqiptare.

Revista Noua (Revista e Re), e themeluar nga B. P. Hasdeu më 1887, në numrin 3 saj të tretë (2011), përveç një reportazhi të gjerë të Dr. Xhelku Maksutitmbi historinë bashkëkohore në Atdheun e Galëve, i ofron hapsirë tipografike edhe një poeti shqiptar (autorit të këtij shkrimi), përmes një reçensioni të poetit Ion Lila (fq. 111-112), ndërsa në të njëjtën revistë (nr. 2/2011), pas artikullit të Dr. Xhelku Maksutit “410 vjet nga vrasja e vojvodës Mihai Viteazul, themelues i komunitetit shqiptar”, Monika Mureshani boton reçensionin “Një zemër në fluturim me emrin Adelina Dokja” (fq. 67-68). Revista Cronica (nr. 3/2011), e prezanton poetin Vezir Ukaj nga Kosova përmes vështrimit kritik të autorit Marius Chelaru “Eshtrat e fjalëve duke e kurdisur formulën e jetës dhe vdekjes” (fq. 27). E njëjta revistë (nr. 2/2011, fq. 27), i jep hapsirë tipografike edhe poetit Skënder Zogaj nga Kosova, përmes reçensionit “Vdektari i një vendi ku koha vjen nga zemra e një ore antike” të të njëjtit autor (Marius Chelaru), Skënder Zogaj duke qenë prezent përmes të njëjtit autor edhe në faqet e revistës Impact (Loti i dhembjes, nr. 380/2011), krahas Sadik Krasniqit me poezitë Heshtja e ballsamosur, Ndryshe do të ishte, Krrokamë e krisur dhe Urdhri (fq. 13).

Pason revista Citadela e cila në numrin më të ri prezanton Miradije Ramiqin me poezitë Të zdesh këmishën e natës, Autoportret, Atelier, Adaggio, ndërsa revsita Ardealul literar (Transilvania letrare), në nr. 12-3/2011, boton poezitë Melankolia, Heshtja, Pritmë pak dhe Fillimi i vetmisë, të poetit kosovar Sali Bashota(fq.42), duke i dhënë prioritet femrës si një dhuratë që gërsheton trëndafilin qiellor në jetën tokësore, përmes 12 poezive të autorit të këtij shkrimi (Perla e poetit, Fuqia e dashurisë, Mjaltë, Mallkim me erëtima, Erotica, Pastel, Monologu i një ëndrre, Dhurata, etj.). Në këtë kontekst, vlera të reja shqiptare prezanton edhe revistat Actualitatea literara (nr. 10-11/2011), Climate literare (nr. 46/2011), Vox libris (nr. 3/2011), Provincia Corvina (nr. 4/2011), Oglinda literara, Amurg sentimental, etj.

 

Faqja e zezë (Pagina neagra)

 

Në kuadrin e Faqes së bardhë, Shqiptari i Naços para 120 vitesh, hymnizonte heronjtë dhe shqiptarët që jepnin kontribut për kombin dhe atdheun, ndërsa në Faqen e zezë i fshikullonte batakçinjtë, parazitët, përçarësit, kurvarët, myzevirët, gënjeshtarët, mashtruesit dhe plehërat e shoqërisë që na turpëronin në diasporë. Më 1 dhjetor, në Rumani u kremtua 93 vjetori i Bashkimit të Madh Kombëtar (1918). Në Sheshin bukureshtar, Harku i Triumfit, parada të hatashme ushtarake, këmbësore, teknike dhe ajrore. Ushtarë, xhandarmeri dhe forca speciale të shërbimeve të fshehta. Të gjithë defilojnë para presidentit Basescu që ka krijuar alergji, edhe te pala rumune dhe ajo shqiptare. Nuk mund të arrijmë larg në miqësi po qe se nuk jemi të disponuar t-ia falim kusuret e vogla njëri-tjetrit, por kur vjen fjala te duart e përlyera me gjak, shqiptari thot “Ngadalë beg se ka hendek!” Më kot themi se ekziston një miqësi e thellë ndërmjet dy popujve derisa Rumania ende nuk i ka hedhur në prangat e drejtësisë ata që kanë vrarë dy të rinj në Kosovë. “Po a na ishin ata dy policët rumunë që vranë dy heronj të Vetëvendosjes në protestat para disa vitesh”, pyet Ahmet Ademaj dhe shton: “Dhe asnjë hap nuk mori qeveria rumune për t'i denuar ata kobëzi, por përkundrazi i kanë dekoruar.” Nuk e dimë nëse Vetëvendosja është distancuar nga kungujt e ekstremizimit islamik që në vend të flamurit kombëtar defilonin me Kuranin në dorë, asokohe, por e dimë se neve na duket se nuk do ta çojë gjëkundi ky fanatizëm diplomatik (proserb), i presidentit rumun ndaj Kosovës.

Këtë e kemi thënë haptas edhe në massmedian rumune, duke i fshikulluar madje edhe disa gazetarë injorantë që e konsiderojnë Kosovën si “vatër e korrupcionit dhe ekstremizmit islamik”. Sidoqoftë, po qe se kryetari, shteti apo qeveria i kanë fajet, populli nuk ka faj, e as lidhjet e lashta që i kemi me këtë popull të urtë, të varfër e mikpritës, me të cilin kemi qenë fqinj para vërshimit të  sllavëve në Ballkan. Një anë tjetër e medaljes së zezë, përveç mosnjohjes së Kosovës, është indiferenca qeveritare rumune ndaj deputetes ishkomuniste rumune, Oana Manolescu, që gënjen gjoja se qenka shqiptare, e kontestuar nga komuniteti shqiptar, antishqiptarja që mburret me politikën rumune ndaj Kosovës, dhe e cila gjatë katër mandateve të pamerituara parlamentare (1996-2012), gëlltit nga 5 mijë euro në muaj në emër të komunitetit shqiptar, komuniteti shqiptar duke qenë i dëmtuar për rreth njëmilionë euro nga ana e kësaj pseudodeputete, e demaskuar këto ditë edhe nga revista humoristike Academia Catavencu. Në këtë konstekst të medaljes së zezë, inkorporohet edhe një kafshë e famshme e futbolit rumun, Adrian Mutu, që e ka fyer dhe sulmuar kosovarin Berat Racaj në një lokal të Firencës (23 tetor 2010), edhepse ende nuk dihet në ka dhënë llogari ligjore për këtë gjest kafshërie, apo në e ka shfletuar fjalorin e gjuhës shqipe për ta parë se çfarë mbiemri të gërditshëm ka (Mutu)!



(Vota: 13 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora