Mendime
Lavdrim Lita: Flet Arben Imami, pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes së Dhjetorit si dhe themelues i PD-së
E diele, 11.12.2011, 03:58 PM
Imami: Shqipëria e zhvilluar, një aspiratë që e kemi shndërruar në agjendë të 2013-s
Intervistoi: Lavdrim Lita
Në përvjetorin e 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë, Arben Imami, pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes së Dhjetorit si dhe themelues i PD-së, në një intervistë të posaçme flet për idealet që mbrujtën lëvizjen e studentëve, karakterin thellësisht perëndimor të saj, përmbushjen e njësorë aspiratash për integrimin si dhe agjendën politike për shndërrimin e Shqipërisë në një vend ekonomikisht të zhvilluar
Z. Imami, 21 vjet më parë, liria, pluralizmi partiak, të drejtat e njeriut, çështja kombëtare, pozicionimi pro-perëndimor (në të djathtë të vijës së Teodosit) ishin idealet që krijuan Lëvizjen e Dhjetorit dhe formëzimin e PD-së. Me një gjykim të ftohtë dhe realist sa janë realizuar këto ideale?
Akti i themelimit është një moment i rëndësishëm si akt publik dhe kur përpiqemi ta zbërthejmë mesazhin e aktit rezulton që tre janë kolonat kryesore. Së pari është kolona e lirisë: Lëvizja e Dhjetorit, krijimi i Partisë Demokratike, që ishte dhe produkti i asaj lëvizje, e cila në sensin vertikal kohor ishte në lëvizje që i kishte rrënjët e saj tek antikomunizmi, dëshira për liri. Ajo që dua të theksoj është fakti se liria ishte balli i fjalës, liria ishte kërkesa dhe urgjenca jonë, liria tek e fundit ishte thelbi i mesazhit të lëvizjes dhe krijimit të PD-së. Liria si liri politike, e cila realizohet detyrimisht nëpërmjet pluri-partitizmit, përkundrejt sistemit mono-partiak diktatorial, nëpërmjet demokracisë dhe votës së lirë, si dhe të drejtave të njeriut në këtë sistem.
Sigurisht që pas 20 vjetësh mund të themi që kemi një arritje të madhe. Shqipëria sot as që mund të krahasohet me Shqipërinë e vitit 1990 përsa i përket lirisë. Nuk flas këtu për lirinë e lëvizjes, nuk flas këtu heqjen e vizave apo liberalizimin e tregut brenda, por dhe sigurisht edhe jashtë.
Ishte i natyrshëm ky slogan?
Pa dyshim. Sepse këtë nuk e ka asnjë nga lëvizjet e tjera antikomuniste. Për arsye nga më të ndryshmet studentët dhe qytetarët shqiptarë hodhën sloganin “Ne e duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, e kishim fjalën një kërkesë të një Shqipërie ku të kishte politikë si në Europë. Bashkangjitur me këtë është çështja e përkatësisë. Ne kemi këtë përkatësi dhe duhet të kemi këtë liri. Ne duhet të kemi këtë liri sipas asaj përkatësie. Shqipëria u fut në Këshillin e Europës. Shqipëria është anëtare e NATO-s. Shqipëria po kandidon për në Bashkimin Europian. Shqiptarët hyjnë dhe dalin lirshëm sot në Europë.
Dhe kolona e fundit ishte…?
Kolona e tretë për mua është kolona e çështjes kombëtare. Shekulli i XX-të ishte një shekull që e la të pazgjidhur çështjen shqiptare. Por mund të themi që çështja shqiptare në një masë të madhe ka qenë dhe mbetet e lidhur me çështjen e Kosovës. Zgjidhja e çështjes së Kosovës ka qenë pjesa që mungonte.
Si u trajtua “çështja kombëtare” në dokumentin e parë të Partisë Demokratike, qëndrimi ndaj Kosovës përbente një pikëthyrje të forte me të kaluarën 45 vjeçare?
Patjetër. Ju duhet të mbani mend fare mirë që në atë kohë Kosova ka qenë shumë e rëndësishme për zhvillimet politike në Shqipëri. Autoritet morale e publike të Kosovës ishin njëkohësisht autoritete morale për shqiptarët. Krahas sloganeve për liri dhe demokraci në Shqipëri, pa dyshim që kishte dhe slogane për një Kosovë të lirë e të pavarur.
Cili ishte mesazhi që përçonte energjia e kësaj lëvizjeje?
Ne duhet të themi atë që është e vërtetë. Shqiptarët nuk ishin të parapërgatitur siç ishin për shembull polakët. Ne po flasim për një mesazh të këtij akti themelues, që u krye nga shqiptarët, që sigurisht u konkretizua me disa emra të cilët ne i njohim, si persona të veçantë. Megjithëse e kam me kuptimin e (Hanah) Arendt-it të “autoritetit moral” në radhë të parë dhe shoqërisë njerëzore në përgjithësi. Sigurisht, kur ajo analizon shoqërinë e Romës së lashtë dhe kultit të të parëve nuk e shikon si një çështje konservatorizmi, të ruajtjes së traditës etj, por Arendt sheh në aktin themelues të Romës karakteristikat themelore të një qytetërimi, që u prodhua më pas. Shqipëria që ne prodhojmë, në fakt, dhe që duhet të prodhojmë duhet të jetë po aq e bukur, po aq e fuqishme sa ato ideale që u artikuluan aq qartë në lëvizjen e dhjetorit.
E keni fjalën për aktin e rilindësve…apo...?
Pa dyshim. Në aktin themelues të Rilindjes Kombëtare ne shohim një vizion pro-perëndimor, ku përfshihet dhe sistemi politik. Në fakt sistemi politik që u ngrit në Shqipëri, që nga fillesat shtetit shqiptar në 1912, po sidomos në vitet 20 në mënyrë më të pikëzuar, qe orientimi laik i shtetit shqiptar. Orientim krejtësisht perëndimor. Prandaj them që ne kemi disa moment kulmore në historinë tonë kombëtare. Kur flasim për Rilindjen jemi duke folur për 30 vite lëvizje intelektuale, iluministe, dhe pse jo një lëvizje të armatosur kryengritëse për çështjen kombëtare. Ashtu siç kemi momente të tjera të rëndësishme themeluese të këtij vendi përgjatë shekullit. Akti themelues i Shqipërisë së re, moderne dhe Europiane është pikërisht dhjetori 90-të. Dhe padyshim që ka një harmoni dhe kohezion midis këtyre akteve. Me një gjykim të ftohtë dhe realist, ne jemi në rrugën e realizimit të asaj Shqipëria që po kryhet nga këto akte themeluese.
Intelektualët jepnin idetë, kurse studentet kishin energjinë. A ishte ky binomi determinant për ndezjen e flakës së demokracisë?
Unë mendoj se ka pasur dhe një format të tretë që janë qytetarët e Tiranës. Sigurisht që për një lëvizje si ajo e Dhjetorit, studentët janë pjesa avangarde dhe pozitive e një shoqërie sepse bashkojnë idealin e lirisë me guximin. Dhe siç thotë një proverb i vjetër “po të mos jenë të rinjtë të guximshëm, kush do të jetë i guximshëm?”. Por, do të ishte e vështirë në qoftë se intelektualët e Tiranës nuk do të ishin përgjigjur. Lëvizja e studentëve nuk do të kishte arritur t’i formësonte dhe t’i konkretizonte kërkesat politike. Dua ta them se pa mbështetjen e qytetarisë së Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, që nga moment i parë i kësaj lëvizje, ajo nuk do të mund të mbijetonte si lëvizje. Pra, kemi këtë trinom: studentë, intelektualë dhe qytetaria tiranase e shqiptare në tërësi. Idetë nuk janë thjesht të intelektualëve, pasi idetë vijnë edhe nga qytetarët, pjesë e cilës janë studentët, të cilat formulohen nga studentët dhe kristalizohen nga një grupim më i gjerë: qytetarë dhe intelektualë, dhe vijnë e prezantohen me forcë,me forcën e të vërtetës. Kur e vërteta thuhet është e vështirë të kundërshtohet. E rëndësishme për të vërtetën është të thuhet. Dhe pasi ajo thuhet është një fakt i pashmangshëm.
Shumë shpejt PD-ja u konfirmua si fituese e zgjedhjeve parlamentare në mars të vitit 1992. E mandej qeveria e parë pluraliste. Sa jetike ishin reformat e para për t’i hapur rrugë hyrjes në Këshillin e Europës, kërkesës për anëtarësim në NATO dhe BE?
Pluri-partitizmi ishte themeli mbi të cilën u ngrit shteti demokratik shqiptar. Themelimi i pluripartitizmit nëpërmjet Partisë Demokratike dhe më pas të partive të tjera solli së pari: zhvillimin e zgjedhjeve, me gjithë problemet që mund të kishin ato – siç ishin ato të 1991-it, ku vepruan sektorë dhe struktura obskurante – dhe kjo ishte dhe baza me të cilën u përballëm në zgjedhjet e 1992. Së dyti: reformat ligjore në fushën e të drejtës dhe lirive të njeriut. Dhe së treti ishin reformat e tregut të lirë, që ishin ato më themeloret dhe kontribuueset, më jetiket për të ardhmen e demokracisë në këtë vend. Dhe të gjitha këto u realizuan në mandatin e parë të PD-së.
Shume misione të shpallura në fillim nga Partia Demokratike janë realizuar. Anëtarësimi në NATO dhe Liberalizimi i Vizave, që e kanë përafruar Shqipërinë me strukturat euroatlantike. Sa ka punuar PD-ja dhe qeveria shqiptare për t’i merituar këto aspirata legjitime të qytetarëve shqiptarë?
Ne po flasim për një qeverisje që bëri të mundur në pak muaj Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Së dyti pranimin dhe anëtarësimin në NATO, në vitet 2008-2009. Së treti përgatitjen e gjithë dosjes për kandidaturën e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Megjithëse ne i dimë të gjitha arsyet pse kemi humbur 2 vite të këtij procesi. Megjithatë me vetëdijen që ne po përshtasim dhe po vendosim norma dhe rregulla të njëjta më vendet demokratike, të një shteti të së drejtës, ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut, sigurisht që nga kjo pikëpamje ne po përparojmë drejt Europës.
Ju jeni afruar me studentët e Dhjetorit, duke qenë Pedagog i Arteve. Mirëpo një tjetër pedagog i Arteve ka qenë dhe kreu i sotëm i PS-së, Edi Rama, i cili atëkohë kundërshtonte radikalisht PPSH, kurse sot votohet prej atyre njërëzve që ai kundërshtonte, dhe e quante PS-në, një parti të paligjshme. Si interpretohet kjo inkoherencë?
Interpretimet u përkasin studiuesve dhe gazetarëve. Ajo që mund të them është se ne kemi qenë kolegë, dhe se Z. Rama ka qenë kontestator i regjimit, por jo një opozitar i regjimit dhe së dyti ai nuk ka lidhje me themelimin e PD-së.
Ç’është më e rëndësishme sot për të ardhmen e PD?
E rëndësishme për PD-në është programi qeveritar. Partitë politike janë agjentë të vullnetit politik të qytetarëve, që realizohet nëpërmjet qeverisjes, ku do të përfshija qeverinë dhe opozitën bashkë. Ne kemi një qeverisje që në mesin e një krizë botërore financiare dhe ekonomike ia ka dalë mbanë që të mos jetë skllav i kësaj krize. Sigurisht ndikimet e krizës do të ndihen dhe janë ndjerë në ekonomi dhe nuk mund të jetë ndryshe. Por nga ana tjetër të mbështetur në programin e saj, sa ideologjik po aq edhe i mbështetur në debatin global të fillim-viteve 2000, u pikëzua një program qeveritar e mbështetur tek ideja e lirisë, e një ekonomie dhe një tregu që mund të zhvillohet vetëm në kushtet e lirisë. Dhe pikërisht për këtë arsye ne sot, jo vetëm që po i rezistojmë krizës, por kemi rritje ekonomike jo aq sa do të dëshironim në kushte të një mjedisi ekonomik normal në rang europian dhe global. E rëndësishme për ne është që të zgjerojmë marzhin e lirisë në këtë shoqëri. Çështja e lirisë nuk mbyllet asnjëherë, siç e thotë dhe Fausti “I lirë është ai që shkon në luftë për të çdo ditë”. Nuk mund të jesh i lirë në qoftë se një ditë dorëzohesh. Gjithashtu mbi këtë ide të lirisë të ndërtojmë idenë e zhvillimit. Dhe këtu sigurisht kërkohet inteligjencë, përkushtim, këmbëngulje e punë. Sepse kur shqiptarët thanë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, sigurisht donin një Shqipëri të zhvilluar, ashtu siç është dhe Europa. Krahas atyre ideve të lirisë dhe përkatësisë qëndron dhe ideja e zhvillimit ekonomik dhe social. Detyre themelore është ta çojmë këtë vend drejt zhvillimit dhe në veçanti të përgatitemi, për një agjendë politike që na çon fitimtarë në 2013-ën.
Mbi cilat baza do të ndërtohet kjo agjendë?
Pikësëpari në bazën e punës dhe arritjeve të kësaj qeverie. Ne, në pikëpamjen e organizimit dhe motivimit politik të forcës sonë duhet të shkojmë në zgjedhje me një frymë ndërtuese. Për shkak se zgjedhjet e 2007, 2009, 2011 treguan një koalicion qeverisës në rritje dhe fuqizim, çka flet për një mbështetje të plotë të qytetarëve shqiptarë ndaj këtij koalicioni qeverisës, dhe në veçanti të PD-së, që është lokomotiva e këtij koalicioni.