Udhëpërshkrim
Abaz Pllana: Një festim i madh i Festave të Nëntorit në Francë
E merkure, 07.12.2011, 07:27 PM
Një festim i madh i Festave të Nëntorit në Francë
Shkruan : Abaz Pllana
Tradita vazhdon. Shënimi i Festave të Nëntorit bëhen edhe këtë vit nga bashkatdhetarët shqiptarë që jetojnë në Lyon, Saint Chamond, Grenoble dhe Saint Etienne. Shqiptarët e gjitha viseve u bashkuan nën Flamurin Kombëtar për të përkujtuar këtë ditë të shënuar të historisë kombëtare.
Për çdo vit posa fillon muaji i Nëntorit, mërgimtarët shqiptarë, rrisin kontaktet e tyre për të qenë së bashku ditën e Flamurit. Shpresat dhe mbështetja e secilit shqiptar tek organizimet e Shoqërisë Shqiptare ILIRIA tashmë është bërë një gjë e zakontë.
Këtë vit me qëllimin më të mirë për të mbledhur bashkarisht shqiptarët nga pesë qytetet e lartpërmendura u vendos që Festat e Nëntorit të shënohen në sallën e Kulturës Gerard Philippe të qytetit Saint Chamond.
Më 26 nëntor 2011, duke filluar nga ora 18, mërgimtarët shqiptarë u mblodhën rreth një tryeze kokteji. Njohje mes tyre, shkëmbime mendimesh, numrash telefoni, ide të reja për organizime të reja në të ardhmen ishin boshti i koktejit.
Një orë më vonë me tingujt e Himnit Kombëtar, filloi mbrëmja festive. Me fjalën përshëndetëse, mbrëmjen festive e hapi intelektualja shqiptare, Juna Gojka që jeton dhe vepron në Saint Etienne. Ajo mbajti një fjalë shumë përmbledhëse për qëllimin e organizimit, nevojës që të jemi së bashku si dhe me synimet e organizimit shqiptar.
Me fjalën e tij të rastit u paraqit në vazhdim, veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare, Dr. Xhemail Xhemaili. Ai mbajti një fjalim të bukur dhe tepër emocional për rëndësinë historike të Festave të Nëntorit : Dita e Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës, Dita e Flamurit, Fitorja mbi Fashizmin, Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jasharit dhe dalja në skenë e të madhes UçK.
Grupi i vajzave të vogla, me kostume kombëtare i dhanë edhe një herë madhështi festimeve të Nëntorit. Të buzëqeshura, dinjitoze dhe të kënaqura me rolin e tyre për festën ato shkëlqyen në skenën e sallës ku mbahej festa. Gjatë gjithë paraqitjes së tyre ata u shoqëruan me duatrokitje të vazhdueshme.
Rapsodët Imer Baçaj dhe Qazim Jasiqi kënduan disa këngë nga repertori i tyre. Me telat e çiftelisë u këndua për historinë dhe luftëtarët e mëdhenj kombëtarë që ishin në krye të luftës për të arriturat e datave të mëdha të nëntorit.
Për veprimtarinë e tij në kuadër të Shoqërisë Shqiptare ILIRIA, për kontributin e tij vullnetar me një mirënjohje të veçantë nga Kryesia e Shoqërisë Shqiptare ILIRIA u nderua muzikanti shqiptar, zoti Nexhat Hasani.
Në vazhdim të programit të pranishmit u argëtuan me muzikë popullore. Këngët dhe vallet shqiptare mbushën me gëzim dhe hare zemrat e mërgimtarëve shqiptarë të Francës.
Edhe një herë më shumë, mërgimtarët shqiptarë dëshmuan se kanë nevojë për organizime të tilla. Për gëzime dhe festa të jenë së bashku për të krijuar mundësi që të jenë së bashku edhe në halle apo ditë të vështira. Një bashkim që shoi sadopak mallin për atdheun. Një bashkim që lehtësoi sadopak peshën e rëndë të kurbetit. Një bashkim që i jep forcë dhe dinjitet secilit shqiptar. Një bashkim për të ndërtuar një copë Shqipëri edhe në mërgim.
Për mbrëmje të tilla siç ishte ajo e mbrëmjes së 26 Nëntorit, nuk e di se çka mund t’i shkojë më shumë për shtati se thënia : « Oh sa mirë me qenë shqiptar ». Një thënie për krenarinë kombëtare, pastërtinë shpirtërore dhe mallin e madh për Shqipërinë. Le të jetojë, le të jetojë gjatë ky shpirt i atdhedashurisë së mërgimtarëve tanë.