Udhëpërshkrim
Milazim Kadriu: U përuruan një monografi dhe pesë përmbledhje me poezi
E marte, 15.11.2011, 07:58 PM
NË ORGANIZIM TË KL “ZAHIRI”DHE DKRS NË PODUJEVË
U PËRURUAN NJË MONOGRAFI DHE PESË PËRMBLEDHJE ME POEZI
Nga Milazim KADRIU
Në organizim të Klubit letrar “Zahiri” dhe DKRS në Podujevë ditë më parë u mbajt një takim letrar i pagëzuar “Poezia shqipe” ku u përuruan gjashtë libra,një monografi dhe pesë përmbledhje me poezi. dhe u mbajt orë letrare në të cilën ishin të pranishëm krijues të shumë vendeve të Kosovës e më gjerë. Fillimisht për aktivitetet e KL”Zahiri” foli kryetari i klubit Ruzhdi Berisha- Rudi,ndërsa në emër të DKRS Nexhmi Balaj të pranishmit i njoftoi për aktivitetet që po mbahen në kuadër të Muajit të Rinisë që pjesë e këtyre aktiviteteve ishte edhe ky manifestim.
Manifestimi ishte i ndarë në dy pjesë ku në pjesën e parë u përuruan librat Monografia “Mavriqi i Llapit I” e Gani Mehmetit, “Ëndrrat e mia” e Erblin Dushit, dhe katër përmbledhjet e Izet Hajdinit “Sytë e Diorit”, ”Arbëria toka jonë”, ” Rrugës së kombit” dhe “Tokë dardane”. Për librin“ “Monografia e Mavriqit I” foli Dr.Jusuf Osmani. Ai ndër tjera tha profesor Gani Mehmeti, ka botuar një monografi që është e një rëndësie të veçantë për krahnezën e Mavriqit, nga aspekti i popullsisë dhe trungut të saj.
Duhet theksuar, se kujtesa njerëzore – të predikuarit e tyre të cilat bartën nga brezi në brez kanë rëndësi të madhe shoqërore dhe vlerë historike. Mirëpo pjesë e të predikuarit të tyre njerëzit me kohë e harrojnë. Kur njerëzit i shpjegojnë dhe i shënojnë vlerat deskriptive në formë të shkruar, atëherë ato më gjatë mbesin në formën materiale, prandaj edhe vetëdija njerëzore mund të reprodukojë dhe ta ruajë përherë. Për këtë qëllim është angazhuar prof. Gani Mehmeti që të ndriçoj të kaluarën e trevës së Mavriqit, që vlerat e të kaluarës të studiohen e të ndriçohen në mënyrë që mos te shlyhen nga historia.
Kjo vepër ka përmasa të një enciklopedie të vogël për zhvillimin dhe për vendbanimet dhe popullsisë e Mavriqit,tha Osmani.
Ndërkaq për librin me poezi “Ëndrrat e mia” të autorit të ri llapjanë Erblin Dushi foli redaktori i librit Milazim F. Kadriu.Ai tha se libri “Ëndrrat e mija” është libri i parë me poezi i Erblin Dushit i cili edhe pse i ri në moshë dhe në kultivimin e vargut, ka arritur ti qes në dritë shqetësimet e tija rinore. Libri është i ndarë në tri cikle : “S’durohej robëria”, ”Ëndrrat e mija” dhe “Vendlindja ime”. Poezitë e Dushit kanë vlera të poezisë së librave të parë të atyre që prezantohen dhe më vonë bëjnë edhe emër në fushën e krijimtarisë letrare.
Autori na sjell poezi që i kushtohen Kosovës, rrugës që kaloi dhe aktivitetit atdhetarë të atyre që dhanë shumë për lirinë e vendit. Nëpërmes poezive që i kushtohen Kosovës, UÇK-së, Zahir Pajazitit, Ylfete Humollit, Flora Brovinës, autori paraqet rezistencën popullit shqiptarë të Kosovës në luftën për liri që kurorëzohet me Pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq për katër përmbledhjet me poezi të Izet hajdinit foli Gani Mehmeti. Ai tha se në të gjitha përmbledhjet me poezi, preokupimi kryesor i poetit është Atdheu dhe çështja kombëtare. Përveç tjerash, ai është edhe si një kronikan: regjistron ngjarjet përmes poezive. Përveç tematikës kombëtare e atdhetare, pothuaj preokupimi i të gjithëve, kemi edhe poezi edukative e këshilluese. Prek çarjet partiake, helmimet e nxënësve. Ngre zërin kundër zbrazjes së Toplicës. Poeti këndon për Nënë Terezën, ngre zërin kundër abortimit, sepse livadhet do të mbesin pa lule, duke e quajtur edhe dritë të fikur.
Ngre lart luftëtarët, dëshmorët e rënë për liri që e ujitën Kosovën me gjakun e tyre, duke u dalë me gjoksin e tyre përpara tankeve dhe teknikës ushtarake serbe. Meritë të posaçme ka Flamuri, nën të cilin zhvillohen luftëra, por që tregohet lidhja e fortë e dashurisë së trimave ndaj tij, deri sa Shqiponja është edhe mbetet simboli i fuqisë e trimërisë, duke çarë rrebeshet e luftës me të në krye. Nga pezmi i urrejtjes së madhe serbe ndaj shqiptarëve, autori kalon deri në aklamacion sharjeje, tha Mehmeti.
Poezi nga librat e promovuar deklamuan Sylejman Lutolli, aktorët Sabit Zeneli dhe Nazmi Bajra. Ndërsa nga krijimtaria e tyre letrare lexuan Ismail Simnica, Ismet Tahiraj, antarë të Shoqatës “Fahri Fazliu” nga Kastrioti , Xheneta Bekteshi, Rrezarta Mulolli, Rita Saliu (krijuese dhe veprimtare e njohur që jeton në SHBA), Orëmira Dibrani, Alban Nuredini, Bujar Vërbovci, Sadie Ismaili – Ilirida, Sylejman Lutolli, Besnik Jaha, Ruzhdi Berisha – Rudi, Blerim Mehmeti, Eduard Haliti etj.