Kulturë
Cikël poetik nga Vullnet Mato
E shtune, 12.11.2011, 08:32 PM
Vullnet Mato
BURRË E GRUA RRËFEHEN
Ah, sa të bukur jemi
unë dhe ti moj grua!
Druaj, kur të vijë koha
të shkojmë në Parajsë,
do gjej belanë me femrat,
që do më qepen mua
por dhe ti me meshkujt
që do të ngjiten pas.
Se thonë mes sekseve
atje ka liri absolute,
dhe s’kemi të drejtë
të bëjmë refuzime toke.
Ateherë ti për mua
do bëhesh xheloze akute,
unë do tërbohem keqas
nga tradhtia jote...
- Këto shitja ndonjërës,
që do vijë me ty në Ferr,
për tradhtitë që ke bërë
disa herë pas shpine,
dhe unë s’të kam rënë
në sy asnjëherë,
se s’desha vlerën tënde
ta rrit mbi veten time...
- Edhe unë diçka di,
nga intimitetet e tua,
por nuk ta kam tjerrur,
se më ka ardhur zor.
S’je qelibar siç dukesh,
as shenjtore siç thua,
po eja të lutemi bashkë:
O zot, na ço në Purgator!...
SHTËPIA ME XHINDE
Ati ynë me toka pjellore
dhe shtëpi të shenjtë në Vurg,
la zogjtë vocërrakë pa fole,
nën breshërin e pamëshirshëm.
Sepse ziliqarët i rrëmbyen pronat,
pasi e kishin rrasur në burg,
me dëshminë e rreme,
për agjitacion të rrezikshëm...
Ah, shtëpinë dhe tokat tona
i mori kush s’i pa as në ëndrra!...
Nga ajo reformë grabitqare
që shkallmoi pasuritë e vatanit.
Ndërsa ati ynë i mjerë,
la hekurat për të jetuar në tënda,
mes beduinëve të turmës sonë,
në shkretëtirën e Ballkanit.
Pasi u shembën ligjet hata
që
sherrsjellësi i madh “
famëkeqi ligj i ri,
pronat tona ua fali sërish,
atyre që thanë se ishin bujq,
por kishin ikur emigrantë,
të fitonin me dy shtetësi.
Ata shitën tokat me gjithë varre
dhe shpallën trimëri:
“
të kërkojë shtëpinë dhe tokën,
që na ka dhuruar
ligji i shtetit me bujari,
vjen me dëshirën e tij
për të lënë këtu kokën!...”
Bija ime u bë kureshtare
për kryefjalën shtëpi të gjyshit,
ngulmoi ta shpimin aty ku koka
kërkohej peng i vizitës.
Refreni i saj i përsëritur
arriti së fundi të na grishi,
ta çonim me makinë të maskuar
deri në afërsi të frikës!
Ajo pa ëndrrën nga xhamat
dhe lëshoi psherëtimën shpirtit:
“Eh, ta kishim këtë shtëpi
majë kësaj kodre të praruar!...
Do jetonim sikur kodra
të ishte vetë prehri i gjyshit,
që shkoi në qiell buzëplasur,
si patriark i pikëlluar!...
Por këtij absurdi këtu i thonë:
Të kesh frikë shtëpinë ku linde,
se aty brenda banojnë xhinde!”...
ÇIFTI I XIXËLLONJAVE
Ata janë kthyer tani
në dy xixëllonja.
Bëjnë jetë nate
secili më vete.
Nuk shkëmbejnë
si dikur xixa te goja.
Ai ndriçon shokun,
ajo një shoqe jete.
Struken mbrëmjeve
në lokale të veçantë
përtypin muhabete
që hahen shoqërisht.
Ai nuk lëpihet më
si qenushi i saj i parë,
Ajo s’është më macja
që pas tij tundte bisht.
Bëjnë xixa netëve
si në dimër e në verë.
Ajo përdor ndriçimin
që fiton me punë,
ai rrezatimin e tij
harxhon me të tjerë.
Secili bën dritë,
ku i pëlqen më shumë.
Ndrisin së bashku,
natën e Vitit të Ri,
të detyruar nga halli,
që kërkon kremtimi.
Kryevitin e xixëllimit,
struken në shtëpi,
pasi lokalet zihen
me xixëllues vallzimi.
Ndonëse bëjnë xixa
në fis dhe në lagje,
dashurisë ia shkulën
rrënjët nga gjaku.
Figurojnë lidhur çift,
sa për sy e faqe,
kur në zemër ka secili
vetëm borë e akull.
Problem brenda shtëpisë
do kenë me xixëllimin,
vetëm dimrin e fundit
nga ngricat bllokuar.
Kur qark të shkurtër
do bëjnë xixat e afrimit,
të karbonizohet secili
në shtratin e vetmuar…
KOHA E BOLLËKUT
Portokallishtet greke
mbushin tezgat e tregjeve.
Viçat maqedonas bëhen fli
në kthina kasaphane.
Barinjtë dhe bujqërit tanë
në qiell të kontinenteve,
mbjellin fidana vetëtime,
shkulin panxhar uraganesh.
Në parcelat djerrë
rrit hëna breshka e gjarpërinj.
Kashta e Kumtrit na hedh
zahirenë e bagëtive.
Mielli brazilian në Myzeqe
pjek byrekë për miq.
Përrenjtë shtojnë bidonat
me dhallën e dhive.
Traktorët vërtitin rripin
nëpër gurët e mullirit.
Ushqejnë llavën e furrave
plugjet dhe tytat e repartit.
Fabrikat komuniste
që do na mëkonin me lugë floriri,
prodhojnë ndryshk,
për të shtuar pirgjet e skrapit.
Jeruzalemi na dërgon
vezë të shenjta,
paketuar nëpër arka
një qiell me yje.
Kanabis dhe Prosti,
fondacione të fshehta,
ngrenë pallate të lartë,
të mos kemi re në qiell.
Na ngopi panine dhe çokollata
gjithë bota e mohuar.
Bollëku i “gabit” na hijeshoi
trupin gjer në fyt.
Zglepat e syve na i hoqi
Perëndimi i kryqëzuar,
në trekëmbëshin e dikurshëm
marksist - leninist.
Të moshuarit shëtisin
në parajsën e supës,
te Edeni i Preshit dhe Lakrës,
perëndi pagane.
Falen tre here në ditë
para diellit të bukës,
të mos ikin nga kjo botë
me kofshë në ekrane.
Qoftë i paharruar
kujtimi i të uriturve që ikën!
Lavdi të përjetshme urojmë
për vërshimin e bollëkut!
Thërrasim tri herë në ditë
“Urra!”për sherr politikën,
me dorën rrasur thellë
në xhep të fukarallëkut...
Uturijnë autostradat
e reja ëndërrimtare,
ku në det vjen e lë djersën
gjithë Ballkani;
Ejani, o turistë kureshtarë
në bukurinë shqiptare,
të na shikoni si na ndrit
faqja nga dhjami!...
TRI RROKJET E HABITSHME
Ajo s’ka më te sytë
dy yjet xixëllues që kishte.
Pitet e buzëve të saj
s’kanë më mjalt në hoje.
Në foletë e gjoksit s’ka më
qumësht dallëndyshje.
As në timbrin e zërit,
s’ka më këngët e zogjve.
Mjaftoi vetëm një fjalë
me tre rrokje: “S’të dua!”
që yjet, mjaltin, gjoksin
dhe këngët e zogjve,
dikush tjetër t’i merrte,
pa lënë asgjë për mua.
Sepse në fjalorin e tij,
mungonin ato tre rrokje...
Kjo mund t’i duket dikujt
paksa e habitshme,
të humbasë dashuria
kaq shpejt gjërat me vlerë.
Por janë ca femra
më tepër se qelqi të thyeshme.
Pas këtyre tre rrokjeve
të lënë vetëm pluhur dhe erë...