E enjte, 24.06.2021, 06:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Hasan Qyqalla

E premte, 11.11.2011, 10:00 PM


Hasan Qyqalla

 

S’MË KUJTOHET

 

Kurrë s’më kujtohen ku digjen sytë

E shterrja seç vie çdo çast për ditë

 

Dot s’më kujtohet ku flaken ëndërrat

Në kthinën e murgt dot s’prajnë gjëmat

 

Prandaj s’më kujtohet shtegtimi n’azil

As lindja e lirë ku prangimi zë fill

 

Barometri valëron n’ekstazë verore

Kurrë s’më kujtohet gjakosja ndore.

 

AROMË E TRISHTË

-Ahmet Krasniqit-

 

Rrënjën rrëzë Qyqavicës

Në kullën e trimërisë

N’oxhakun e urtisë

E lisat i qepen Lirisë

Dhe n’pranga t’robrosë

 

Gjurmoi damarët

Buzë detit kah Dalmatët

U foli tinëzisht

I buzëqeshën arbërisht

 

Coptoi historinë me bisht

Të pershëndes shqip...

 

Lisat i çuan fjalë

Retë mbi Kosovë qajnë

Iu dridh buza

Për fije shkul mustakun

Kush më mbyllë oxhakun!?

 

Shekujt përlau në sy

Tokës i digjet dhe DHEU

Uratë Kastrioti

Trurin seç preku

 

Atdheu më pret

N’pranga pa jetë!

 

Babë Tomorri shkulet

Qyqavica përkulet e hesht

Rrënqethen në rrënjë

Aromë e trishtë në shesh!

 

NDJENJË MALLI

-këngë-

 

Sa herë bie telefoni

n'shpirt seç ndjej një trishtim

zëri yt sikur m’foli

terr'n e shpirtit seç e ndrinë.

 

Vjen dhjetori si dallgë deti

fjolla bore sjellin shpresë

do m'vjen çuni nga kurbeti

të shkrij mallin si 'i pikë vesë.

 

për shtrojerë në gjoksin tënd

e gjej ëndrrën e lënë peng

kujtoj çastin kur zure vënd

n'hije t'lisit kur gjethet ranë...

 

edhe lotin t'a bëra këngë

zemrën t'falë për melodi

se pa ty nuk zë dot vend

ver' e dimër t'mbaj në dry!

 

po me ndjen i madhi Zot

dhe një shekull jetë kërkoj

unë me ty kurrë s'tretem dot

puthjen tënde kur shijoj!

 

DRITHËRIM

 

Drithërim shqetësimi pllakos për mur

Teni ngjyrë purpurt shndërit gjith nur.

 

Buzëngrir meskthine sorollatem ters

Deshifrim malli ç’reflekton tët bebzë.

 

Formulë utopie “jeta fluskë sapuni”

Mistikë shenjtërimi n’lëndin kërcuni

 

Kala e vjetër tymos shekullin e ri

Epitaf drithërimi baladë simfoni.

 

DOKTRIN ...

 

mesnatë gjerdan yjesh

shtegut të sfidimit

epoka përdredh n’bosht

më shfaqet pëballë

vardis sytë ngjyrëtharë

pasditen e harrimit

shtatë rrathë purgatori

ç’më sillen vërdallë

 

rikëndoj prap himnin

falë dellit t’kujtesës

alles zhavarosur

ankth treme nxitim

prush n’palë krahërori

ndjenjë akti shkresës

reprizim çast qiqër

n’shekullin përgjim

 

përtej ndryshim stine

n’horizontin tjetër

bebëzat ngjyrë malli

doktrin’ arom eter.

 

GJAKIMI PËR FLAMUR

 

Nënë

mbrëmë pashë ëndërr

mes engjujve struk në plaf

jetoj gysmë gjallë

gjysmë vdekur

“i lirë” në rrathë purgatori

 

pa Alfabet s’ka kulturë

pa gjuhë pa Flamurë

pa shkollë pa Universitet

për një fije jetë...

 

në oxhakun e Kullës së gjyshit

në arkën e katanosur në mur

Ditar’ i mësuesit shfletohet

Bekohet për Flamur

njëzetekatër krypleq me Kanun

 

theu tisin e heshtjes

shtatorin e parë

me Abetaren e Manastirit

kraplakun mjekërrbardhë në Vlorë

nga koka ua hoqi shaminë

përkdhel Marigonën

shpalos Shqipërinë ...

2.

Befas tërmeti xhvesh robërinë

me lak në fyt gjakojnë Lirinë

në trojet e ndara prej damari

të valojë Shqiponjë mbi këto re

e Diellit t’i bëjmë hije...

 

Djajt u tërbuan

Gjarpërinjtë nxjerrin helm

E çau me thik stomakun

Palosi shtatë palë

Arkëtoi buzë zemrës

Vetëflijim për erz!

 

Mbrëmë varrosëm mësuesin

Epitaf ngritëm FLAMURIN!

 

KËSHILLAT E ZOTIT

 

Fola me zotin për shprtëjetën guaskë

Ruhet tha nderi nga njerëzit me maskë

 

Fola me Zotin për shpirtëjetën kërmill

Ruhet nga bish mali e quajtur krokodil

 

Fola me Zotin për shpirtëjeri’n e sotit

Kujtoje më tha doktrinën e Gjon Lokut

 

E luta Zotin t’më bëjë të fort guaskë

Të fala tha mendjen pse digjesh në gacë

 

E luta Zotin t’më bëjë spirale kërmill

Kujdes tha nga bota se të  bënë rezil

 

I falem Zotit për dhuntin prej NJERIU

Prek kohë mizerie lozë Ari e daullxhiu

 

I falem Zotit për Pend e fatshëndet

Dhe “thembër  Akili” për vulim në jetë!

 

PATKOI

 

Trokas n’portë Nallabani

porosis patkoin e gjokut

tehis shpatën

ndez qiriun

ngjyros renesancën

kandilin (ri)ndez Barleti

për shkrola mo(r)ti

alfat e mbretit

thundra e patkoit.

Histori e shekullit

Mbi shekujt!

 

SOT

 

Sot ringjallen varret

Kalvar’ i mundimit

Prekë ret

Gjer n’bërthamë Diellei

 

Puhizë e hershme vonë

Pjalmet njomë

E rigë shiu freskonë...

 

Sot bymehen dejt

Himn në pentagram

Simfoni për vdekjet

 

Daullet kumbojnë dhimbje e mall

Vargjet ushtojnë

Gjer në kup Qielli

 

Nëna këndon për mort

Sytë kryqëzojnë

Gërshetim sot...!



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora